Ndryshon formula e llogaritjes së pensioneve suplementare

    439
    Sigal

    Reforma e pensioneve/ Skema për profesionet e vështira. Pensioni social, kushtet dhe kategoritë e përfitimit

    Reforma e pensioneve parashikon dhe rishikimin e pensioneve suplementare shtetërore për funksionarët politikë, profesorët, ushtarakët etj. Rishikimi i tyre do të synojë lidhjen më të mirë mes kontributit dhe përfitimit dhe uljen e subvencioneve nga shteti. Në prezantimin e dokumentit të reformës së pensioneve që u paraqit dje publikisht në Arkivin Qendror të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, në prani edhe të Kryeministrit z. Edi Rama, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj, preku dhe çështjen e pensioneve suplementare. “Sa i takon çështjes së pensioneve suplementare për funksionarët e lartë, do të ketë një rishikim të skemës, mosha e daljes së tyre në pension do të rritet, ndërkohë që për minatorët do të ulet”, tha Veliaj. Reforma do të synojë rritjen e moshës së daljes në pension (funksionarët politikë e kanë 55 vjeç), rritjen e normës së kontributit si edhe ndryshimin e formulës së llogaritjes së përfitimeve (shembull: sot një deputet apo ministër, për x lek që derdh si kontribut merr 47x lek si përfitim – formula do të ndryshohet në mënyrë që të përfitojnë 10x më shumë, e jo 47x më shumë).

     Përfitimet suplementare

    Skemat e përfitimeve suplementare dhe te trajtimeve te veçanta janë vendosur përgjatë 20 viteve të fundit si pasojë e zbatimit të disa politikave për t’u dhënë mbrojtje të veçantë disa kategorive specifike të personave që kryejnë funksione kushtetuese, që janë të punësuar në institucione të larta të qeverisjes apo në institucione qendrore si dhe personave që kane tituj të lartë shkencorë dhe kanë punuar në institucione akademike apo në universitete. Gjithashtu, nëpërmjet skemave suplementare u është përcaktuar mbrojtje e detyrueshme me pensione të parakohshme dhe pensione suplementare ish ushtarakëve, punonjësve të policisë etj. Ndërkohë, si pasojë e mbylljes së minierave dhe të ndërmarrjeve të industrisë ushtarake janë vendosur skema të veçanta trajtimi edhe për ish minatorët si edhe për ish-punonjësit e industrisë ushtarake të cilët kanë mbetur të papunë.

    Përllogaritja e përfitimeve përgjithësisht realizohet bazuar në pagën referuese me të cilën kuptohet paga e fundit e atij funksioni apo grade në momentin kur kërkuesi ka plotësuar kushtet për të fituar një të drejtë si edhe në një përqindje të përcaktuar të pagës mesatare referuese për çdo vit shërbimi të siguruar. Në të gjitha skemat suplementare, megjithëse kontributet e vendosura janë modeste, si periudha shërbimi njihen edhe periudha për të cilat nuk janë paguar kontribute. Ky problem është më i theksuar në skemën e përfitimeve të ish-ushtarakëve si edhe në skemën suplementare për punonjësit me tituj shkencorë; Moshat e përfitimit të pensioneve të parakohshme, si për pensionet suplementare shtetërore ashtu edhe për ish-ushtaraket janë shumë të ulëta dhe fillojnë nga mosha 42 deri në 55 vjeç; Buxheti i shtetit, përveç domosdoshmërisë për financimin e deficitit të skemave, është i ngarkuar me ligj që për kategoritë e përfituesve të pensioneve të parakohshme të mbulojë edhe kontributet për efekt të përfitimit të tyre nga skema e detyrueshme. Skema e përfitimeve suplementare të ish-ushtarakëve në 4 vitet e fundit ka pësuar ndryshime thelbësore në funksion të kufizimit të përfitimeve të larta, por megjithatë me kontributet e derdhura aktualisht mbulohen vetëm rreth 75 % të shpenzimeve ndërkohë që pagesa e kontributeve të sigurimit të detyrueshëm mbulohet e gjitha me financim buxhetor.

    Duke qenë se skema e përfitimeve të ushtarakeve, në kuptim të optimizimit të përfitimeve mund të konsiderohet e ezauruar pasi ndër të tjera është vendosur llogaritja e përfitimeve mbi bazën e pagës referuese neto, skema suplementare për punonjësit e lartë të shtetit si edhe ajo për profesionistet me tituj të lartë shkencorë janë mjaft gjeneroze dhe diktojnë nevojën për reformimin e tyre.

    Reforma

    Në këto kushte për përafrimin e të drejtave që personat përfitojnë nga skema të ndryshme, për përmirësim e situatës financiare të tyre dhe për uljen e subvencioneve shtetërore nevojitet që të merren masat e mëposhtme:

    i. Rritja e moshës së përfitimit të pensionit suplementar shtetëror me 5 vite;

    ii. Rritja e normës së kontributeve proporcionalisht për të gjitha funksionet e larta shtetërore duke arritur në 5% të pagës referuese;

    iii. Njehsimi i normës së kontributeve për personat me tituj shkencorë që punojnë në universitetet publike dhe private duke arritur në 5% të pagës referuese;

    iv. Llogaritja e përfitimeve dhe kufizimeve mbi bazën e pagës neto. Paga neto përllogaritet duke zbritur nga paga referuese TAP dhe kontributin e Sigurimeve Shoqërore, shëndetësore të detyrueshme dhe suplementare që paguhet nga të ardhurat e personit të siguruar.

    v. Indeksimi i këtyre përfitimeve bazuar në indeksin e pagave për personat e lartë shtetërore, por jo më shumë se sa rritja e indeksit të çmimeve.

    Nga sa më sipër, si pasojë e përllogaritjes së përfitimeve bazuar në pagën referuese neto, në momentin e maturimit të këtyre parametrave përfitimet e ardhshme do të jenë rreth 28% më të ulëta se përfitimet aktuale, ndërkohë që si pasojë e rritjes së kontributit ndaj pagës do arrihet një shtesë e të ardhurave nga kontributet me rreth 2%. Me marrjen e këtyre masave, barra e buxhetit të shtetit për skemat suplementare parashikohet të ulet me mbi 30%.

    Problematikë për t’u zgjidhur mbetet unifikimi i përfitimeve të personave që kanë dalë në pension dhe përfitojnë të ardhura më të larta se ato që mund të përfitohen pas kësaj reforme. Për këtë do të duhet të parashikohen dispozita të veçanta të cilat mund të lidhen me mos indeksimin e përfitimeve ekzistuese për një farë kohe apo nëpërmjet masave të tjera.

    Skema për profesionet e vështira

    Skemat profesionale për profesionet e vështira do të kthehen në detyrim ligjor dhe do të përfshijnë disa kategori si punonjësit e industrisë minerare, punonjësit e industrive të tjera si nafta dhe metalurgjia, punonjësit e artit dhe kulturës etj. Këto skema do të kenë si synim garantimin e të ardhurave për individët që dalin në pension më herët sesa mosha zyrtare e daljes në pension. Ato do të jenë kontributive, ku masa e kontributit do të ndahet mes punëdhënësve dhe punëmarrësve dhe do të krijohen mbi bazën e marrëveshjeve kolektive. Mbikëqyrja e këtyre skemave do të bëhet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

     Pensioni social, kushtet e përfitimit dhe kategoritë

     Të gjithë individët që nuk plotësojnë kushtet e nevojshme për përftimin e një pensioni do të përfitojnë një pension social, i cili mund të përfitohet vetëm nga individët mbi 70 vjeç që kanë qenë rezident në Shqipëri gjatë 5 viteve të fundit. Masa e këtij pensioni do të jetë jo më e madhe sesa masa e pensionit të pjesshëm që arrihet nga skema kontributive. Ky pension do të jepet duke patur si kusht verifikimin e të ardhurave dhe do të financohet nga buxheti i shtetit.

     Kushtet për përfitimin e një pensioni social

     Përfitues të pensionit social do të jenë ata individë, të cilët:

    -Janë rezidentë në Shqipëri e kanë qenë të tillë për pesë vitet e fundit para daljes në pension;

    -Kanë mbushur moshën 70 vjeç;

    -Nuk kanë të ardhura të tjera.

     Kategoritë

    Përfituesit e mundshëm të pensionit social do të jenë kategoritë e mëposhtme:

    1) Individët e kthyer nga emigracioni që nuk kanë një historik të mjaftueshëm pune për të përfituar një pension nga skema e detyrueshme;

    2) Individë me burime të pakta të të ardhurave, kryesisht banorë të zonave rurale që kanë qenë të vetëpunësuar në bujqësi, por që zotërojnë sipërfaqe të kufizuar toke e nuk mund ta shfrytëzojnë në moshën e pleqërisë;

    3) Individë të cilët për shkak të gjendjes së mirë ekonomike nuk kanë punuar kur kanë qenë në moshë pune, duke mos plotësuar kushtet për përfitimin e një pensioni nga skema e detyrueshme dhe që në pleqëri për arsye të ndryshme kanë pësuar një përkeqësim të gjendjes ekonomike;

    4) Të papunët afatgjatë ose personat e dekurajuar që s’kanë punuar fare gjatë gjithë jetës së tyre, ose që nuk kanë mjaftueshëm vite të siguruara për të përfituar një pension nga skema e detyrueshme;

    5) Individë të tjerë, kryesisht gra të angazhuara në veprimtari familjare.