Ndriçim KULLA/ Enciklopedi antologjike e mendimit shqiptar

    1038
    Sigal

    Mendimtarët më të mëdhenj shqiptarë që vepruan mes viteve 1807-1957

    Në fillim të shekullit të shkuar, veçanërisht e ashpër u bë veprimtaria e shovinizmit grek dhe e qarqeve reaksionare të Athinës, të shqetësuara nga bashkimi ose lëvizja mendimtare shqiptare që prirej kah bashkimit pa dallim feje e krahine. Në faqet e gazetave dhe tribunave publike greke vërshuan një lumnajë shpifjesh kundër lëvizjes patriotike shqiptare, çka nxitën një seri të tërë artikujsh e pamfletesh të mendim, treve të tillë si Shahin Kolonja dhe Asdreni, e që nga 1906 edhe një venë të zjarrtë polemike të Fan Nolit të ri. Janë proverbialë gjashtë artikujt e tij shkruar në gjuhën greke, në gazetën “Drita” të Shahin Kolonjës, ku ai hedh poshtë, sidomos, tezën e parapëlqyer të historianëve shovinistë grekë, sipas të cilëve shqiptarët dhe grekët ishin vëllezër gjaku, një tezë kjo që dëshmohej që prej kohëve të lashta.

    “Për t’u bindur për të kundërtën, shkruan Noli, mjafton t’u drejtohesh veprave të historianëve të lashtësisë, si Tuqididi dhe Straboni, të cilët ilirët, maqedonasit dhe të tjerët i quanin “barbarë”, në kuptimin që nuk flisnin greqisht d.m.th. nuk ishin grekë. Po të njëjtën tezë të pathemeltë quante Noli edhe ndikimin e fesë dhe greqishtes ndaj kulturës sonë kombëtare. Si mund të pranohet, shpjegonte Noli me qesëndi, që në kulturën shqiptare ka ushtruar ndikim të rëndësishëm kisha ortodokse e nëpërmjet saj gjuha greke, kur përveç të dhënave të shumta, kundër kësaj teze flet edhe terminologjia kishtare, që mund të kuptohet vetëm prej latinishtes”.

    Edhe një ngjarje tjetër e rëndësishme e lëvizjes sonë kombëtare, ishte ajo e vitit 1906 kur një grup mendimtarësh (Shahin Kolonja, Noli, etj.,) përcaktuan dhe u bënë përkrahës të flaktë në shkrimet e tyre të lëvizjes së armatosur dhe çetave shqiptare. Por kjo nuk duhej të nënkuptonte dënimin e atyre si Konica që i jepnin një rëndësi të veçantë zgjimit më parë të ndërgjegjes kombëtare dhe zhvillimit të kulturës, nëpërmjet lëvrimit të arsimit. Është ky një shembull sesi një strategji dhe ngjarje historike zgjoi një debat mendor e intelektual në gjirin e elitave shqiptare, duke ndikuar drejtpërdrejtë edhe drejtimin e mendimit politik, që gjatë viteve përpara pavarësisë u nda në “reformistë” dhe “revolucionarë”. Madje, jo vetëm konteksti i përgjithshëm, por edhe konteksti individual i një mendimtari të caktuar ndikoi në një këndvështrim të gabuar e të pabazuar të një ngjarje a një problemi. Kështu ndodhi p.sh me Faik Konicën, kur çetat shqiptare dolën nëpër male më 1907 ai e disaprovoi këtë akt, sepse besonte që edhe sikur shqiptarët të dilnin fitimtarë në luftë kundër Turqisë, populli shqiptar nuk ishte akoma gati për të krijuar një shtet më vete. Edhe popujt e tjerë të Ballkanit nuk ishin të përgatitur për një gjë të tillë, por ata kishin pasur protektorë të fuqishëm. Shqiptarët duhet më përpara të qytetërohen. Sikundër shkroi në Albania: “Ne kemi përpara nesh ndoshta njëzet vjet… po ta përdorim këtë kohë që na mbetet, jo që të qytetërojmë popullin shqiptar po qe ta vëmë në udhë drejt qytetërimit, atëherë do ta kemi vënë në udhë zhvillimin dhe mund të shpresojmë që do të jetë në udhë të mbarë”.

    Duke jetuar në Londër, në një rreth paqësor dhe të qytetëruar, ai nuk mund t’i çmonte plotësisht kushtet e vështira të bashkatdhetarëve të tij. Maqedonia qe mbushur plot me banda që u përkisnin kombësive armike kundrejt Shqipërisë, dhe vrasjet qenë të shpeshta. Në rrethana të tilla, shqiptarët nuk mund të mbeteshin pasivë, ata duhej të mbronin vetveten dhe të drejtat e tyre. Mandej, lëvizja shqiptare tani kish nevojë për vitalitet dhe aksion, propaganda patriotike, vetëm me fjalën e gojës ose të penës, nuk mjaftonte më. Ndaj, të akuzosh Faik Konicën për shkak të opozitës së tij kundër aktivitetit revolucionar – që ai e quante “shkolla e krimeve dhe e masakrave” – se ai paska qenë “ideologu më i dalluari i klasës feudale, është punë e padrejtë dhe e pandershme. Po njëlloj e gabuar qe dhe pikëpamja e Nolit se, “ishte e kotë që patriotët të merreshin me çështjen e zgjidhjes së alfabetit, me botimin dhe përhapjen e shkollave në gjuhën shqipe; Por kjo shpjegohet se duke jetuar jashtë, ai nuk i njihte rrethanat konkrete politike në të cilat vepronin patriotët shqiptarë brenda vendit, nuk njihte as nevojat e tyre.

    Të tilla kontraste do të thelloheshin akoma dhe më shumë me kalimin e viteve, pasi dhe çështjet për të cilën debatohej bëheshin më të mprehta dhe më të thella. Por gjithsesi, kjo periudhë do të qe pararendësja e asaj faze të tretë të mendimit, që do të shtrihej në vitet më demokratikë të gjithë kësaj periudhe, në vitet 1920-1924. Për të trajtuar akoma dhe më mirë këtë periudhë, do të na duhet të studiojmë më në thellësi një shpërthim të madh, qoftë patriotik, qoftë intelektual, që solli veprimtaria e klerit katolik shkodran, gjatë lëvizjes kombëtare dhe gjatë përpjekjeve të konsolidimit të shtetit shqiptar deri në Konferencën e Paqes. Analiza e kulturës dhe shkollave shqipe tregon se për 400 vjet (duke filluar nga viti 1632) në trekëndëshin Mat-Mirditë-Dibër kishte filluar dhe zbatuar arsimimi i popullit shqiptar dhe përgjegjës për atë proces ishte institucioni i Klerit Katolik Shqiptar i lidhur me institucionin qendror në Romë, fillimisht, dhe pastaj e vazhduar nga Perandoria Austro-Hungareze. Këto 400 vjet përbëjnë fazën e domosdoshme të formimit të popullit shqiptar dhe atë që shkenca botërore e konsideron si zanafillë të proceseve sociale të një populli. E në këtë proces rolin vendimtar e kishin luajtur urdhrat françeskanë e më pas jezuitë, së bashku me misionet shëtitëse apo kolegjet e nivelit sipëror që ata hapën e mbajtën në Shkodër. Përgatitja e tyre kulturore, atdhetare dhe politike qe me të vërtetë e spikatur jo vetëm për shumicën e njerëzve, por edhe për selitë e njohura të Europës, atëherë kur edhe vetë emri shqiptar, ndoshta dëgjohej prej tyre për herë të parë. Ishte pikërisht forca morale e këtyre njerëzve të zotit, ajo që i dha hov luftës me penë, për liri dhe të drejta njerëzore të shqiptarëve. Jo më kot në strehën e Françeskanëve Shqiptarë, në derën e saj shkruhej me shkronja shqipe: “Për Atdhé e Fé-na bajmë vdekjen si me lé !”…

    Por kontributin më të madh intelektual e diplomatik në këtë fazë të rëndësishme të pohimit të shtetit shqiptar e ka luajtur Lumo Skëndo me botimet e tij të shumta të karakterit politik dhe historiko-etnografik që vërshuan gjatë periudhës 1914-1919. Vepra që vlerësohet si më e mira në këtë gjini, është “Shqiptarët dhe sllavët”, botuar frëngjisht nga autori në Lozanë më 1919. Lumo Skëndo trajton me hulumtime të pakundërshtueshme historike, gjeopolitike, demografike, me mjaft dëshmi të autorëve të lashtë dhje bashkëkohorë, autoktoninë e shqiptarëve në trojet e tyre, duke argumentuar se gjatë shekujve të kaluar Kosova ka qenë pjesë integrale e Shqipërisë. Në vitin 1919, në Lozanë, Lumo Skëndo boton një tjetër libër të rëndësishëm me titull “Shqiptarët ndërmjet tyre dhe jashtë”. Në këtë vepër evidentohen cilësitë e racës shqiptare, zakonet e doket, virtytet dhe mendësitë, marrëdhëniet midis vetë shqiptarëve, si dhe ndërmjet tyre dhe shtetit. Po të vitit 1919 janë edhe studimet në frëngjisht “E drejta për Shqipërinë” dhe “Rivendikimet shqiptare”, që plotësojnë serinë e botimeve në mbrojtje të interesave kombëtare që Mit’hat Frashëri, pat nisur që në vitet e para pas pavarësisë. Të spikatura në këto lloj botimesh janë “Çështja e Epirit”, një sprovë kundër përpjekjeve të shovinistëve grekë për pretendimet e tyre të pa baza mbi të ashtuquajturën çështje të Vorio-Epirit. Aty ravijëzohen me forcë masakrat greke të organizuara në vitet 1913-1914. Edhe në librin tjetër “Popullsia e Epirit”, 1915, Sofje. M. Frashëri i kundërvihet politikës ultranacionaliste të qarqeve të caktuara greke, që duan të justifikojnë propagandën e tyre absurde, se të gjithë të krishterët shqiptarë janë grekë.

    Gjithsesi, përtej këtyre botimeve të veçanta, që në vetvete përbënin “ngjarje kulturore”, ngjarja më e madhe e qëndrueshme në kulturën shqiptare, e që do të vijonte të rrezatonte edhe për dekada të tjera me radhë gjithë historinë tonë mendore ishte themelimi i revistës “Hylli i Dritës”, një apostull i denjë jo vetëm i shqiptarizmës, por edhe një model i lartë i rigorozitetit shkencor, që e ngjiti deri në majën e vlerësimit “si një nga gazetat më të mira për kohën në Europën Juglindore”. Ndonëse kulmin dhe maturinë e vet ajo do ta arrinte në vitet ‘30-të, përsëri dhe në fillimet e veta u shqua për nivelin e lartë argumentues e bindës dhe për tonin polemik, që në penën e njeriut që e identifikoi më tepër me emrin e vet, korifeut të mendimit shqiptar At Gjergj Fishtës, arriti të na lërë artikuj të llojit të programit dhe sprovës për gjithë mendimin e mëvonshëm si “Udha që do ndjekim”, por sidomos “A janë të zot shqiptarët me u mbajt shtet m’vedi”, por edhe artikuj polemikë që spikasin për cilësinë e lartë të argumentit dhe shtrirjen e gjerë të dijes, siç janë “Kanibalizmi sllav a se deka e shëmtueme e P.Luigjit Paliq”, e veçanërisht thumbimi i madh, por i drejtë ndaj Europës dhe Perëndimit për copëtimin që i shkaktuan Shqipërisë në artikullin e famshëm të vitit 1913 “Një komedi e pandershme e XX qind vjetëve”, që solli dhe mbylljen përkohësisht të vetë gazetës. Gjithsesi, arritja ma e madhe e “Hyllit të Dritës” nuk kufizohet vetëm me formimin dhe edukimin e Shqiptarit me parimet e Atdhetarizmit dhe kalitjen e një breznie burrash që përkrah Klerit Katolik Shqiptar nuk iu tut syri të kërkonin të drejtat kombëtare nëpër tryezat diplomatike ku shtrohej çështja shqiptare, por kryesisht në krijimin e bazës së duhur diturore për lulëzimin e shkencës historike dhe humane shqiptare. Misionarët katolikë në vende të ndryshme të botës u morën shumë me kërkime etnologjike në viset ku shërbyen. Këta i dhanë një shtysë të fuqishme zhvillimit të etnologjisë së kohës së re. Historia e etnologjisë botërore u detyron shumë zbulime misionarëve katolikë, si eksplorues të përkushtuar e me dije shkencore të shkallës më të përparuar. Edhe klerikët shqiptarë, në kërkimet e tyre, u udhëhoqën shumë nga ndjenja atdhetare, të frymëzuar nga idetë e Rilindjes, për t’u treguar të huajve se shqiptarët janë një popull me trashëgimi të pasur kulturore, janë një popull vital, krijues, artist, pra dhe të aftë për t’u vetëqeverisur në mënyrë të pavarur si shtet kombëtar.

    Në shpjegimin e zanafillës e të domethënies historike të dukurive të etnokulturës mbizotëroi romantizmi entuziast i rilindësve tanë, sidomos gjatë gjithë kohës së Pavarësisë e deri në fund të Luftës së Dytë Botërore, kur u ndalua veprimtaria kërkimore e botuese e tyre nga regjimi i egër komunist. Ky romantizëm e gjente mbështetjen më së miri në thesaret e kulturës popullore, në faktet e etnologjisë e të folklorit. Punët e tyre në hulumtime nuk u botuan vetëm në shtypin shqiptar, në Shqipëri e në mërgim, por edhe në qendra shkencore e në revista prestigjioze të vendeve të huaja si në “Antropos” (Austri), në “Revista për etnologjinë” (Berlin), në revista shkencore të studimeve ballkanike e orientale që botoheshin në Itali, në Gjermani, në Sarajevë, në Zagreb e në Vjenë, në “Albania” të Konicës në Bruksel e Londër, në “Ylli i Mëngjesit” në Boston (SHBA) e në vende të tjera. Që nga viti 1898 e këtej u botuan në botën e jashtme studime nga Kanuni i maleve, çka shtoi shumë interesin e dijetarëve të huaj për të ardhur e për ta studiuar nga afër këtë pasuri kulturore e interesante të traditës shqiptare.

    Kështu, p.sh. Gjergj Fishta, në shkrimin e tij me natyrë polemike, “A janë të zotët shqiptarët me u mbajt shtet më vete?” (botuar më 1913-1914 në H.D), i imiton gjërat me erudicitet në metodën e etnologut: Ai thekson se çdo popull mund të kuptohet në dy mënyra: së pari, si racë e si fis (në kuptimin e bashkësisë etnike, me gjuhën e me etnologjinë e tij, dhe, së dyti, si komb, ku vërehet organizimi i jetës shoqërore e politike të tij Ai shton se arsyeja nga e cila populli shqiptar në histori nuk gjendet ndonjëherë i përfshirë i tëri, me tërë trojet e tij, brendapërbrenda qarkut të një njësie kombëtare gjithëpërfshirëse në një shtet të vetëm, duhet kërkuar në rrethana të tjera politike e topografike e jo prej “egërsisë e barbarisë së racës shqiptare”, sepse populli shqiptar si racë e si fis  është më bujar e më kreshnik se popujt sllavë të Ballkanit. Në vijim, Fishta dijetar shpjegon me vërtetësi bashkëkohore kushtet e krijimit, të natyrës e të mbajtjes në shekuj të ligjeve popullore, si mjet qëndrese, si mjet i organizimit social, si mjet ekuilibri e kohezioni brenda kësaj bashkësie etnike, edhe në kushtet e mungesës së një shteti mbarëkombëtar të shqiptarëve. Më në thellësi e gjerësi Fishta e ka imituar të drejtën tokësore shqiptare në “Parathënie” të Kanunit të Lekë Dukagjinit, mbledhur e kodifikuar nga Sh. Gjeçovi. Ai thekson: “Folklore” (kupto këtu traditat popullore, tërë etnokulturën , me folklor e etnologji) asht pasqyra e khielltë e psihes së kombit; asht rrasa e mermerit, me të cilën historia zgavron (shënon) të enduni (të formuarit) e të shendonit (të shuarit) e popujve; asht cehja (miniera) e pashtershme e gjuhësisë e të letërsisë kombëtare. “Folklorën”, po, do të skjyrtojsh, po deshe me shkrue historinë e kombit, e cila me hamende nuk shkruhet, po qi edhe pa ta kombi jetë nuk ka” (KLD, Parathënie). Këto mësime të dijes më të përparuar botërore, që Fishta i shpreh me fjalët e veta janë aktuale dhe sot pas 70 vjetësh. Duke u referuar te autoritete e dijetarë juristë me njohje botërore, Fishta thekson se në hartimin e ligjeve duhet marrë si mbështetje psiha e popullit, pra dhe ligjet dokësore e traditat popullore. Ligjet, vëren ai, ndryshojnë sipas kohëve, sipas vendeve, sipas kombeve, në përkim të gjendjes së përcaktuar në kohë e hapësirë. Ndryshojnë njerëzit, ndryshojnë shoqëritë, ndryshojnë dhe ligjet, “kohët ndrrojnë e na me to! Shifet kjartas, pra, se ligjet, për me kenë vërtet të dobishme, posë se të drejta e të ndershme, do të jenë edhe të gjashme (të përshtatshme), due me thanë: të preme mbas psihes, mbas nevojave të njimendta të popullit qi do t’i mbajë; e se prandaj fuqija ligjdhanëse e nji shteti para se të presë nji ligjë të re, duhet ta njohë mirë shpirtin e popullit e t’i përkojë sa duhet nevojat e kohëve e të vendit, për të cilat ajo ligjë pritet” (KLD, Parathanë). Gjejmë, pra, që te këto shkrime të Fishtës, fillesat e mendimit etnografik shqiptar që do të shpërthejë nga studimet në vitet 30-të, e sidomos në shkollën e katolikëve të Veriut, me shkrimet e shumta për këtë temë në “Hylli i Dritës” dhe “Leka”. I shquar sidomos në këtë drejtim është dhe një tjetër martir françeskan, At Shtjefen Gjeçovi. Ai kërkoi me dorë të kujdesshme visaret e paçmueshme të nëntokës së vjetër shqiptare; kështu ai mundi  të bashkonte me aq shije koleksionet ma të bukura arkeologjike dhe shkroi nëpër të përkohshmet tona shumë artikuj me vlerë të rrallë mbi zakonet dhe mbi mbeturinat e kohëve historike shqiptare. Në këtë fushë është për tu theksuar në mënyrë të posaçme radha e studimit të tij me titullin “Trashëgime Thrako-Iliriane”, i cili filloi të botohej në fletoren “Populli” të Shkodrës me pseudonimin “Komen Kanina” e që më vonë vijoi rregullisht te “Hylli i Dritës”. Por mbi te gjitha veprat e Gjecovit naltohet dhe mbetet përmendore e pavdekshme “Kanuni i Leke Dukagjinit”, botuar më parë në “Hylli i Dritës” dhe mbas vdekjes shtypur më vete (1933) në një vëllim madhështor me një parathënie të gjatë e të peshuar mirë të Fishtës mbi rëndësinë e folklores kombëtare, të ligjve dokesore dhe sidomos mbi vleftën juridike te Kanunit.

    ***

    Blerina BRAHO/ Vëmendje ndaj mendimit filozofik shqiptar  

     Megjithë pavëmendjen që është treguar nga institucionet tona kombëtare, si pasojë e një pune sistematike përgatitëse (kërkuese dhe seleksionuese), nga shumë njerëz të vëmendshëm është arritur të botohet një kolanë e tërë dhe e madhe me mendimtarë të tillë të rëndësishëm si Branko Merxhani, Mehdi Frashëri, Mit’hat Frashëri, Anton Harapi, Zef Valentini, Vangjel Koça, Tajar Zavalani, Krist Maloki, Stavro Skëndi, Dom Ndoc Nikaj, Jorgji Meksi, Ambroz Malaska, Ismet Toto, Eqerem bej Vlora, Gjergj Fishta, Lazër Shantoja, Faik Konica, Fan Noli, Mustafa Kruja etj., etj., etj., – kolanë kjo, që edhe pse e ka gjetur dritën e botimit me vështirësi, në shumë kuptime, ka arritur të triumfojë. Madje, për shkak të aktualitetit që kanë vlerat e këtij mendimi dhe nga kultura e lartë që e karakterizon, i gjithë ky korpus dijesh dhe mësimesh, ka filluar të ketë një ndikim të rëndësishëm tek shumë njerëz që i përkasin shtresës intelektuale. Ne vërtet nuk kemi pasur filozofë të mirëfilltë, siç kanë pasur popujt e tjerë më të mëdhenj, por shembulli tipik i Branko Merxhanit, Anton Harapit, Zef Valentinit, Mit’hat Frashërit, Mehdi Frashërit etj., tregon se ne e kemi përdorur filozofinë, psikologjinë dhe sociologjinë në mënyrë krijuese, duke krijuar mendimin tonë karakteristik në këto fusha. Mirëpo, dihet nga të gjithë se pasojat e tmerrshme të qëndrimit politik ndaj mendimit të lirë shqiptar, kanë bërë që ky mendim të mos njihet nga brezat e sotëm.

    Antologjia e mendimit shqiptar (1870-1945), me 26 autorë më të spikatur (shumica e tyre të ndaluar) botuar rreth 14 vite më parë, ishte një hyrje e mirë dhe e dobishme për ta bërë të njohur lexuesin dhe studiuesin shqiptar me trashëgimin tonë mendore. Mirëpo prurjet e reja që e pasuan atë gjatë këtyre 14 viteve, rritja e mundësive të përzgjedhjes dhe shtrirja e saj në një fushë të rëndësishme të mendimit mbarë-kombëtar, ishte arsyeja e parë e botimit e librit të plotë në një shtrirje akoma dhe më të gjerë, me tri vëllime dhe me titull “Enciklopedi Antologjike e Mendimit Shqiptarë1807-1957, me tre vëllime, që sapo doli në treg për lexuesit me autor Ndriçim KULLA .

    Për t’ia arritur këtij qëllimi autori e pa të domosdoshme që periudha e trajtimit të ndahej në dy pjesë,  në periudhën e parë deri në shpalljen e pavarësisë, me mendimtarë të tillë si Ëngjëll Mashi, Zef Krispi, Vinçens Dorsa, Dhimitër Kamarda e Jeronim De Rada dhe në periudhën e viteve 30-të, me Namik Resulin, Gaetano Petrottan, Zef Skiroi, etj., duke përfshirë në të rreth 80 autorë shqiptarë. Po kështu shtrirje mori edhe periudha e pas çlirimit, për të përfshirë në të autorë të tillë të rëndësishëm si Eqerem Cabej dhe Dhimitër Shuteriqi.

    Përveç zgjerimit kronologjik, që trajtesa të ishte e plotë dhe tërësore, është menduar dhe u punua edhe thellimi i paraqitjes së këtij mendimi jo vetëm në rrymat kryesore, por edhe në rrymat e tjera më të vogla, por jashtëzakonisht të rëndësishme për tërësinë dhe cilësinë e paraqitjes së tij, siç janë ato historiko-albanologjike (me autorë të spikatur si Marin Sirdani, Athanas Gegaj, Filip Fishta, Kristo Floqi, etj.) juridiko-zakonore (Shtjefën Gjeçovi, Bernardin Palaj Zef Valentin), gjuhësore-linguistike (Mustafa Kruja, Justin Rrota, Mati Logoreci, Aleksandër Xhuvani, etj.), etnografiko-frazeologjike, ekonomike, etj., përbëjnë arsyen tjetër madhore të ribërjes së kësaj vepre në tre vëllime, e cila pretendohet që të jetë një variant shumë i thelluar i rivlerësimit të trashëgimisë sonë mendore.

    Gjithashtu çdo vëllim ka nga një “Hyrje në historinë e mendimit shqiptar” në formën e një studimi të thelluar mbi vlerat, aktualitetin dhe cilësinë e tij, që spikat dhe lëvron temat e mëdha të këtij mendimi,  të cilat do shoqërojnë secilin prej tre vëllimeve të kësaj antologjie veç e veç.

    Ne nuk jemi kurrsesi vend tribush, siç mundohen të na paraqesin armiqtë tanë apo të gjithë ata që nuk na njohin mirë, por jemi një komb me konceptet dhe filozofinë tonë karakteristike kombëtare, me mendimtarët dhe dijetarët tanë, të cilët që në momentet e para, kur orientuan luftën për të fituar lirinë politike, ose kur konceptuan shtetin e ardhshëm shqiptarë, sytë i kishin drejt Europës dhe modeleve të përparuara të Perëndimit. Këtë është e rëndësishme ta dimë mirë të gjithë ne dhe pasardhësit tanë, sidomos në kushtet e integrimit europian dhe të globalizmit botëror. Është e pafalshme, që kjo literature për shkaqe të njohura nga të gjithë, nuk njihet nga brezat e sotëm. Është e pafalshme që ka  jo vetëm njerëz të thjesht, por edhe nxënës, studentë dhe pedagogë që nuk e dinë kush është Mit’hat Frashëri, Branko Merxhani, Zef Valentini, Vangjel Koça, Tajar Zavalani, Dom Lazër Shantoja  Engjëll Mashi etj.,! Gjykohet si e pafalshme për shkollën tonë, kur nxënësit, por edhe nga mjaftë mësimdhënës nuk dihet historia e mendimit shqiptarë, e fletorizmit shqip, apo nga mendimtarëve dhe intelektualëve të viteve ‘30-të, të shekullit të kaluar, një pjesë e të cilëve ishin edhe themelues të gazetave të para. Ky është fakt shqetësues dhe kjo ndodh me studentët, përfytyro se çfarë dijeni kanë  nxënësit! Asnjë komb nuk do ta pranonte një pavëmendje të tillë.

    Ne kemi trashëgiminë tonë mendore, e cila duhet të programohet me urgjencë për t’u njohur në mënyrë të organizuar në procesin e mësimdhënies ashtu siç janë të programuara edhe letërsia e historia jonë. Prandaj botimi i kësaj kolane është një projekt akademik dhe kulturor që duhet të gjej jehonë. Mungesa e kësaj literature është një problem që ne e kemi, i cili edhe pse nuk provokon krizë, e ka mbajtur krizën tonë kulturore dhe shpirtërore brenda ne paditurinë tonë kombëtare.

    Brezat e sotëm dhe të ardhshëm duhet të vihen në lidhje dhe ta njohin këtë literaturë, ashtu siç njohin edhe literaturën e letërsisë, e cila në dallim të dukshëm nga kjo literature, është e programuar në mësimdhënie duke i ponderuar orë të shumta. Botimi i kësaj kolane, e denjë për një akademi shkencore sepse pasqyron një punë inteligjente dhe të vëmendshme gati 20 vjeçare; kërkimore, tekstologjike dhe studimore, plotëson një mungesë shumë serioze në procesin e mësimdhënies së shkollës sonë, sepse përveç të tjerash, tërë ato dije që po na vijnë nga kultura botërore, nuk mund të përvetësohen si duhet pa u shartuar me mendimin shqiptar