“ NDREQËSI I KOHËS ”

785

Dorina
Hoxha



Në botën e secilit nga ne ka një orë
të pandreqshme e cila e ndal ritmin vetëm në praninë e dashurisë. Asnjë
orëndreqës nuk mund ta riparojë kohën, itinerarin e përjetshëm që e
kontrollojmë nëpërmjet ciklit të ligjëruar e nëpërmjet saj gënjehemi se koha
është e jona. Diku në një rrugë të vjetër të qyteti të Tiranës, e quajtur “Him
Kolli” është pozicionuar një dyqan i vogël për riparime orash. Orëndreqësi
është një burrë mesatar për nga gjatësia, me një dashamirësi në të folur të
krijon përshtypjen e një eksperience të gjatë zanati. Pasi hyra brenda vërejta
në çdo faqe të murit ora, ora, ora…kudo matëset e kohës, e kështu e trullosur
nga akrepat e tyre, e përshëndes dhe e pyes rrufeshëm:- “Çfarë është koha për
ju Z.Orëndreqës?!”… Pasi largoi lupën zmadhuese nga syri, ngriti kokën e mu
përgjigj:- “ Koha është jeta e pandrequr e një zanatçiu”.
Orëndreqësi i Tiranës ishte ndër të pakët që i kishin mbijetuar zanatit dhe
vështirësive të tranzicionit në vitet ’90. Ai kishte zgjedhur ta ushtronte këtë
zanat që në moshë të hershme i detyruar nga rrethanat sociale. I mbetur jetim
dhe përball vështirësive familjare, punësohet provizorisht si ndihmësi i një
orëndreqësi të vjetër në qytetin e Durrësit nga ku merr mësimet e para që do ti
shërbenin dhe do të vendosnin më pas për të ardhmen e tij si orëndreqës në
qytetin e Tiranës. Në një shprehje popullore thuhet: “Me ç’mjeshtër do të
bjerë, atë zanat do të nxjerrë” e për orëndreqësin Mirjan kjo rezultoi të ishte
mjeshtëria e duhur dhe vendimtare për jetën e tij pavarsisht tranzicionit e
zhvillimeve sociale që pësoi Tirana.
Mirjan Guri, e ushtron prej 45 vitesh zanatin e orëndreqësit. Përgjatë këtij
kalvari të gjatë vitesh ka riparuar ora të ndryshme, nga ato të luksit të
çmimeve 6 mijë deri në 20 mijë Euro e deri tek orat e cilësisë kineze. Mirjani
fillimisht ka riparuar orat mekanike e më pas ka vijuar me ato elektronike duke
ju përshtatur edhe kërkesave të kohës. Ndreqësi i orave është një zanat i
harruar pse jo edhe i përbuzur nga pjesa dërrmuese e shoqërisë së konsumit.
Mirjani tregon se në Tiranë kanë mbetur shumë pak riparues orash me eksperiencë
të gjatë pune dhe sipas tij ky fakt është pasojë e rritjes së konsumit dhe
zhvillimit të avacuar teknologjik. Në shekullin e XXI matësen e kohës e gjenë
të instaluar në çdo pajisje elektronike aq sa edhe mbajtja e një ore dore nga
domosdoshmëri është shëndërruar në një preferencë. Çdo aksesorë nëse
shëndërrohet në preferencë siç është edhe mbajtja e orës së dorës tregon për
një kurbë rënie të përdorimit të tyre.
Orëndreqësi na zbulon se i ka mbijetuar këtij zanati sepse ka zbatuar dy
parime: Së pari Korrektësinë me klintët e tij, përfshirë afatet dhe çmimin e
riparimit. Mirjani tregon se nëse ai kish parashikuar një pagesë të caktuar për
shërbimin e riparimit sipas difektit të orës, dhe nëse riparimi kushtonte më
tepër se çmimi që ai e kish vlersuar më parë, ai nuk ja ndërronte vlerën e
mëparshme riparimit vetëm që të ruante korrektësinë me klintët e tij. Së dyti
orëndreqësi zbulon se jetëgjatësia e tij në këtë profesion ishte Dëshira e tij
për punën që bënte. Mirjani pohon se të ndreqësh ora nuk do të thotë të
ndreqësh kohën që humb një zanatçi, por ta përmisosh atë mjeshtërisht duke
punuar çdo ditë me duar e me vegla të thjeshta për të krijuar besimin tek
njerzit se pasioni për ndreqien e orave mund të jetë démodé për disa dhe jo
profesion i vlerësuar siç duhet në Shqipëri, por për disa që lidhen
emocionalisht me objektet e tyre dhe nuk i konsiderojnë thjesht mjet konsumi
orat, për ata ka vlerë puna ime, pohon Mirjani.
Orëndreqësi është përfaqësuesi tipik i Homofaberit të Hannah Arendt, një
artizan që krijonte jetën publike po aq sa një ligjëvënës jetën institucionale
dhe po aq sa një arkitekt jetën fizike.
Mirjani riparon e modifikon orën por jo kohën, koha e secilit nga ne është e
shenjtë, si një vijueshmëri pa definicion po aq sa edhe e koha e pandrequr e
tij e shpenzuar duke ndrequr ora prej dekadash. Brenda kohësisë sonë koha matet
dhe ndreqet ndërsa jashtëkohësisë jemi të përkulshëm ndaj çdo kuptimi. Ajo që
ishte e shkuar është e tashmja jonë e pashmangur dhe ajo që do të vij është e
tashmja jonë e dëshiruar. Ne jemi në kërkim të vazhdueshëm të vetes sonë të
projektuar jashtë nesh si kohë dhe brenda nesh si ndjesi. Misioni i
orëndreqësit është të ndreqi orën për të njohur kohën por misioni i secilit nga
ne si artizan i veprave të veta, është ndreqja e kohës për t’u ndërgjegjësuar
për orën. Sa ka qënë ora e fundit kur dashuria na ka ndalur ritmin?!…
Unë mbaj mend që jetoj, mbajë mend edhe që qajë …
Mbajë mend që nga pakujdesia ora fosil, më e shtrenjta që disponoj u thye. Tani
nuk jam shumë e sigurt nëse koha thye orën apo ora theu kohën time! …

Sigal