Ndocaj: Të gjithë bashkë kundër shtetit “vrasës”. Nikollaj: Qeveria në shërbim të turqve

    406
    Sigal

    Tragjedia në HEC-in e Qafë-Mollës, reagojnë Kol Nikollaj, kreu i Konfederatës dhe Eduart Ndocaj, kandidat për deputet

     Reagojnë kreu i Konfederatës së Shqipërisë, Kol Nikollaj dhe kandidati për deputet i PS-së për qarkun Lezhë, Eduart Ndocaj, pas kontrollit të Inspektoriatit Shtetëror të Punës në hidrocentralin e Qafë Mollës në Mirditë, ku humbën jetën 3 persona. Një grup pune nga ISHP ka nisur verifikimet mbrëmjen e së enjtes, në lidhje me aksidentin e ndodhur në galeri dhe sot pritet të japë konkluzionet.

    Grupi i Inspektoriatit Shtetëror të Punës ka kontrolluar të gjithë dokumentacionin e firmës. Armando Loka, specialist i sigurisë dhe punës ka deklaruar se “po verifikojmë të gjithë dokumentacionin dhe kushtet e punës. Detyra jonë nuk është të hymë brenda në galeri për të parë se si punohet, sepse këtë detyrë e ka Reparti i Shpëtim-Minierave. Ne kemi një hetim të hollësishëm për ngjarjen dhe pas të gjitha verifikimeve, do japin konkluzionet tona”. Ndërkohë që Drejtori i Inspektoriatit të Punës në Lezhë, Valentin Gjetja, ka deklaruar se janë bërë disa herë inspektime dhe kjo firmë i respekton kushtet e punës, është një firmë serioze. Punëtorët kanë qenë të pajisur me veshjet e punës.

    Për rastin në fjalë kanë nisur hetimet e në bazë të tyre, do dalin dhe konkluzionet mbi shkakun e aksidentit në këtë galeri, – ka vënë në dukje ai. Ndryshe nga z. Gjetja, punonjësit kanë denoncuar në media kushtet e vështira  në të cilat ata detyrohen të punonjnë për të siguruar bukën e gojës. Nga aksidenti në HEC-in e Qafë Mollës të Mirditës humbën jetën tre punëtorë. Policia ende nuk ka asnjë person të ndaluar dhe po vijon hetimet.

    Aksidenti

    3 të vdekur, mes të cilëve 2 shqiptarë dhe një turk është bilanci i aksidentit tragjik gjatë punës në galerinë e Hidrocentralit të Qafë-Mollës në fshatin Fang të Mirditës, punimet në të cilën kryhen nga firma turke, “Efato Glu”. Pjetër Doda 37 vjeç nga Fani, Ndue Legisi 50 vjeç nga fshati Shebe dhe një punonjës turk, kanë qenë duke punuar në thellësinë 2000 metra, kur shkëputja e një masivi shkëmbor, pas një shpërthimi me dinamit i ka zënë poshtë. Incidenti ka rezultuar fatal, për tre punonjësit, të cilët kanë gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa një tjetër punonjës turk ka mundur të shpëtoje.

     Eduart Ndocaj: Punimet e Qafë-Mollës në kushte mesjetare

    Qafë-Molla nuk duhet të ndodhë më! Të bashkuar jemi më të fortë!

    Të dashur vëllezërit e mi Mirditorë, mbrëmjen e aksidentit kam kaluar një ndër netët më të vështira të jetës time, teksa po prisnim mes dhimbjes e mjerimit të dilnin dy punëtorët shqiptarë që humbën jetën në tunelin e HEC-it. Vëllezër, unë kam vite që punoj në biznesin e ndërtimit në Itali dhe kurrë nuk kam parë kushte më mesjetare pune se punimet e Qafë-Mollës. Nuk është zbatuar asnjë normë sigurie, tuneli nuk ka asnjë derdhje betoni, asnjë skelet hekuri, asnjë mbajtëse, punëtorët nuk disponojnë asgjë. Të gjithë punojnë në të zezë, pa siguracione, pa kontribute shoqërore. Firma turke, të cilën e kam denoncuar vazhdimisht, sepse jo vetëm ka skllavëruar Mirditorët në punë, por u ka marrë pronat e në bashkëpunim me shtetin i ka harruar, burgosur sipas qejfit. Por, historia e dhimbshme e mirditorëve nuk mbaron me kaq, një punëtor shqiptar (mirditor) në të zezë paguhet 300 euro në muaj, kurse një punëtor turk në rregulla paguhet 1500 euro. Pra, pesë punëtorë shqiptarë në gjendje skllavërie paguhen sa një turk. Nuk kam gjë kundër edhe atyre turqve që punojnë, por nuk mund të vijnë në shtëpinë tonë, në tokën tonë, e ato të jenë kapitalistë e ne skllevër. Vëllezër Mirditorë, ne në histori nuk kemi vuajtur për bukën e gojës. Ne kemi luftuar për burrëri, krenari e ndershmëri. Sot, këto vlera po i humbim me nënshtrimin tonë në një shtet tradhtar e hajdut që na vjedh e na vret në heshtje. Mbrëmjen e kobshme, i gjithë shteti është vrasës, sepse ato i kanë ditur kushtet e punës, por nuk janë munduar asnjëherë të vijnë e të bëjnë kontrolle. E dini se? Sepse u prishen interesat, kanë marrë përqindje ose janë edhe bashkëpronarë. Prandaj, shteti mbrëmë u bë palë me vrasësit turk duke çuar në botën tjetër dy kryefamiljarë që lenë mbrapa një familje në mjerim ekonomik. Vëllezër, Mirditorë, unë Eduart Ndocaj, kurrë, nuk kam bërë beteja për interesat e mia, por për të gjithë ne. Ju bëj thirrje të bëhemi të gjithë bashkë, të mbrojmë vatanin tonë, familjet tona e fëmijët tanë se në këtë shtet banditësh do na hajë “dreqi”. Duhet të bëhemi bashkë, të reagojmë bashkë që të shporrim turqit e të gjithë ata që janë bashkëfajtorë me ta! Mirdita ka qenë e mirditorëve. Sot nuk është më! Duhet të bashkohemi që ta kthejmë tek mirditorët!

      Kol Nikollaj: Agjencia e Burimeve Natyrore e Gjiknurit inekzistente

    Një tragjedi e kobshme! Ngushëllime familjarëve për humbjen tragjike të të afërmve të tyre! Ngushëllime familjarëve e fëmijëve të Ndue Legisit, mikut dhe bashkëpunëtorit të Konfederatës së Sindikatave, të cilit ia prenë jetën dhe ëndrrën sindikale zgafellat e korrupsionit dhe të trafikut të influencave politike. Kjo gjamë e madhe le të kthehet në forcë jo vetëm për familjarët, por për të gjithë mirditasit për të përballuar me dinjitet dhe solidaritet këtë humbje njerëzore të parikuperueshme. Krahas kësaj, të zgjohemi nga gjumi letargjik, apo të dalim nga dehja politike, etnike e krahinore dhe t’i themi ndal njëherë e përgjithmonë kësaj maskarade që po i bëhet Mirditës dhe mirditasve nga pushtetarët e radhës kushdo qofshin, të cilët dikush me qëllim dhe manipulim e mbështetje të Hamza Kastriotëve Mirditorë, apo të tjerë me mosveprime dhe indiferencë në zbatim të ligjit po shkatërrojnë vlerat tona jo vetëm ekonomike, ekologjike, etno-kulturore, por edhe ato njerëzore, vetëm e vetëm për qëllime të pastra korruptive, apo influenca politike. Jo vetëm agjencitë ligjzbatuese që po flenë mbi dosjet e krimit, apo Ministritë e linjës të Qeverisë Rama që po bëjnë rolin e sehirxhiut, por i gjithë opinioni publik e veçanërisht opnionbërësit mirditorë duhet t’i shkojnë të vërtetës deri në fund dhe të merren masat ekstreme për të gjithë ata që me dashje apo pa dashje, me mashtrime, me falsifikime, me trafiqe, me ndikime politike, suporte krahinore, me manipulim të ligjit dhe të së drejtës kanë krijuar këtë gjendje shpërthyese në Mirditë. Sot askush nuk kontrollon dhe ndjek zbatueshmërinë ligjore të sigurisë dhe ruajtjes së jetës e shëndetit të punëtorëve në asnjë tunel apo punim tjetër xhenjero-teknik civil. Inspektoriati Shtetëror i Punës kontrollon veten sipërfaqen dhe jo punimet nëntokësore (vakum ligjor). Avari Shpëtimi i Minierave ka prioritet vetëm sigurinë teknike në miniera, Agjencia e Burimeve Natyrore (AKPN) merret gjoja me mbrojtjen e të gjithave dhe të asgjëje dhe si përfundim me jetën e punëtorëve, me sigurinë e tyre në nëntokë apo mbi tokë, me shëndetin e tyre askush nuk merret… Edhe në Sindikatat po kthehemi si qeni që vetëm leh dhe nuk han, (sepse i ruan shteti i pa të drejtës dhe bunkeri i korrupsionit). Të gjithë jemi dëshmitarë se si punohet në këtë vepër koncensionare apo dhe në të tjera, të gjithë kemi parë informalitet, abuzim, shkelje të drejtash elementare, jo vetëm të marrëdhënieve të punës, por dhe njerëzore. Komisariati i policisë e di se si jepet leja e përdorimit e eksplozivit, si përdoret, ku ruhet e si ruhet, duhet ta përdorin shtetas shqiptarë apo dhe të huaj? Ministria e di që duhet një udhëheqës punimesh inxhiniero-teknik jo në letra për të marrë licencën, por në front për të udhëhequr e drejtuar punimet. Ky drejtues duhet të dijë sa duhet avancuar në tunel gjatë 24 orëve dhe se si armatoset më beton tuneli apo si garantohet me armatim provizor fronti i punës. Në asnjë tunel në botë nuk bëhen dy apo tre turra plasje minash rresht, pa kryer armatimin e tunelit. Vetëm këtu ka ndodhur kjo. Mirë që ngjarja ndodhi, por kush institucion do jetë ai që do e gjykojë? Apo punonjësit e ndërhyrjes së shpejtë, që ne si taksapagues i paguajmë për sigurinë tonë kombëtare, e shteti i keqpërdor për sigurinë e kompanisë Turke nga rebelimi i pronarëve të ligjshëm të tokave, apo nga rebelimi i punëtorëve të keqtrajtuar e keq shpërblyer që sa herë kanë ngritur zërin janë dhunuar e shtypur nga këto bashibuzukë, mercenarë të paguar. Maskarada ka shkuar deri aty sa disa herë janë shoqëruar në polici aktivistë dhe drejtues të Konfederatës së Sindikatave të rajonit të Mirditës. Për të gjitha këto, por edhe për shumë e shumë të pathëna, por të ditura publikisht, Sindikata jonë dhe populli i Mirditës do ta thonë fjalën e tyre me forcë kudo e sido të jenë rrethanat. Mirdita dhe mirditorët kanë prodhuar historikisht politikë, por kurrë nuk janë bërë pre e saj dhe nënshtrues të bindur të saj, në asnjë periudhë historike po edhe tranzitive qoftë, prandaj edhe këtë radhë do dinë se si do e thonë fjalën e tyre të vërtetë, ku do ta thonë dhe kundër kujt do ta thonë!