Ndoc Gjetja/ Poezi

    810
    Sigal

    Dashurisë

    O perëndeshë e gjithëpushtetshme
    e universit mashkull-femër!
    Bëj ç’të duash me veten time
    jam instrumenti yt i verbër.

    Në jetë më solle kaq shumë dhimbje
    dhe shqetësime pa mbarim
    po s’jam ankuar kundër teje
    as me gojë e as me shkrim.

    Të jam nënshtruar e të nënshtrohem
    gjersa në botë të jem i gjallë
    ndën pushtetin tënd të përbotshëm
    më pëlqen të jem skllav

    Ma ktheve gjuhën në përçartje
    më bëre plak me shpirt fëmijë
    herë më hodhe qefinin krahëve
    herë më ngrite gjer në yje.

    Më hidh në zjarr, në det, në ferr!
    Më hidh në baltë, më hidh në hon!
    Veç të lutem mos më lër…
    në atë vend ku ti mungon!

    Femrave

    Pa ju ne jemi gjysma njerëzish
    se ju për ne jeni gjysma tjetër
    Tek dashuria bëhemi të plotë
    as të mangët e as të tepërt

    Sikur të dija të thurja sentenca
    ashtu siç fatmirësisht bën Saadiu
    Ju do t’ju jepja metaforën Vreshta
    Për vete do të mbaja metaforën Shiu.

    Puthja

    Sa gjëra të shëmtuara

    si grindja dhe sharja
    ndodhin në mesin

    e rrugës së madhe
    po ajo më njerëzorja
    më e madhërishmja, me hyjnorja
    puthja
    ka mbetur ilegale.

    Lojë Dashurie

    Ti je mbretëresha dhe unë jam mbreti
    e ngjitëm fronin me anë të puthjes
    s’pushtuam askënd veç njëri – tjetrit
    asnjeri se ndjeu shijen e mundjes.

    Ne s’kemi nevojë për Kushtetutë
    në marrëdhëniet tona sundon kaosi
    nën cipën e hollë të mirësjelljes së butë
    tani bën ligjin vetëm Erosi.

    Nuk di deri kur do mbahet në këmbë
    mbretëria jonë në çrregullim të plotë
    por çasti i rënies s’do jetë i rëndë
    do biesh mbi mua që jam shtrirë përtokë.

    Epitaf për veten

    Këtu prehet ai që quhej Ndoc Gjetja
    i cili pati ardhur gabimisht në botë
    nga vetja e tepruar nxirrte vjersha
    dhe gjithë njerëzit i quante shokë

    Kur pa që ëndrra kalkulohej me kompjuter
    kur pa se idealet rrëzoheshin në kolltuqe
    kur jepte buzëqeshje dhe merrte skërmitje
    mbylli sytë me dorë dhe vendosi të ikte.

    Dhe shkoi e hyri në manastirin e Unit
    të shpëtonte shpirtin nga gjuhëligat e lehjes
    Pastaj e përcollën në banesën e fundit
    me shpenzimet falas nga Bashkia e Lezhës.

    Në çastin e mbramë një hënë e përgjakur
    e puthi në ballë dhe thirri “Nënë”
    Mos kërkoni të dini për të më tepër
    se iku sikur të mos kishte qenë.

    Kur Fillova nga pak të vdisja

    Kur fillova nga pak të vdisja
    mbaj mend, ka qenë e enjte
    vetëm ty pranë të kisha
    rrije në këmbë dhe heshtje.

    Në sytë e tu binte borë,
    në fytyrë të fryu Veriu,
    unë te brinjët vura dorën
    ndjeva zemrën që mërdhiu.

    Mbaj mend si e hape derën
    si e tërhoqe pas dhe ike,
    në palcë të ëndrrës ndjeva therje
    që më vonë m’ u bë kronike.

    Që ta marr pakëz veten,
    vazhdimisht më sjellin njerëzit
    reçel të ëmbël buzëqeshjesh
    dhe ca pako me ngushëllime.

    Përherë i lë në tryezë pa hapur
    kompostot me lëng entuziazmi,
    e nuk i prek me dorë fare
    pjatat plot me optimizëm.

    Ah, e humba krejt oreksin
    nga ky virus shpirtëror i dhembjes,
    me zor flas e me zor qeshi
    më kot rri në tryezë të jetës.