Ndikimi i procesit të shpronësimit publik në investimet me financime të huaja

557
Artan Topjana, Auditues në KLSH 
Procesi i shpronësimit për interes publik është një fazë e rëndësishme në mbarëvajtjen e investimeve me financime të huaja por edhe të investimeve të tjera në tërësi. Pronësia, dokumentimi, transferimi dhe shfrytëzimi i saj është shoqëruar me problematika, të cilat kanë filluar shumë kohë më parë, vazhdojnë në këtë periudhë dhe nuk shihet të ketë një zgjidhje të shpejtë. Sa i përket shpronësimit për interes publik, nevojën për përdorim të saj e përcaktojnë agjencitë ligjzbatuese, sipas projekteve të ndryshme, vendimin përfundimtar për kompensimin e saj e merr Qeveria. Është vështirë të përcaktohet ndonjë projekt i përfunduar në vendin tonë i cili nuk është shoqëruar me vështirësi që dalin nga realizimi i këtij procesi. Kur flasim për vepra të vogla, ndikimi negativ i këtij procesi mund të jetë i vogël, por kur flasim për vepra të mëdha kryesisht për ato të infrastrukturës, ndikimi negativ rritet ndjeshëm. Ky ndikim prek disa aspekte që kanë të bëjnë me, pakënaqësi të pronarëve të ligjshëm, të cilët ankohen për mos kompensim të drejtë, rritje të kostos së projekteve që vjen kryesisht nga vonesat që shkaktohen në përfundimin në afatin e caktuar të tyre, në mos realizim të plotë të projekteve, etj. 

Problematikat e shpronësimit për interes publik krijohen nga statusi i vetë pronave, të cilat nuk janë regjistruar, nuk janë transferuar sipas legjislacionit në momentet e shitblerjeve, nga trashëgimi të ndryshme, nga procese gjyqësore të tejzgjatura që zgjasin në disa raste edhe me dekada, lëvizjet demografike apo emigracioni, por edhe për burokraci të shumta të administratës që vonojnë, mërzisin, u shkaktojnë kosto, veprime të cilat stepin pronarët në plotësimin e dokumenteve ligjore përkatëse. Nëse trajtojmë çështjen e parë që ka të bëjë me pakënaqësi të pronarëve mund të përmendim raste të kompensimeve me vlerë shumë të ulët, por edhe të pabarabarta për prona të ngjashme të cilat vijnë edhe nga zbatimi i legjislacionit. Këtë të fundit mund ta sqarojmë me një rast sipas të cilit pronat në të njëjtin status, në të njëjtën zonë por në njësi të ndryshme administrative kompensohen të diferencuara, veprim i cili ligjërisht nuk është i padrejtë, sepse bazohet në vlerën e shitjeve të realizuara sipas zonave përkatëse. Në shumë raste kompensimi për shpronësim bllokohet, për arsye se pronarët pavarësisht se e zotërojnë pronën, nuk e sigurojnë dot dokumentacionin ligjor për marrjen e kompensimit sipas ligjit. Janë të shumta rastet kur shpallen listat me parcela dhe me emra, por ndodh që pronarët të mos paraqesin dokumentacionin ose të mos paraqiten vetë.


 Nuk janë të pakta rastet kur pronarët bllokojnë realizimin e projekteve për të përfituar kompensimin që u takon. Mund të përmendim se fundmi segmentin rrugor Tiranë-Elbasan, ndërtimi i mbikalimit të Vorës, etj. Këto veprime shkaktojnë kosto për projektet si nga ana e shtyrjes së afateve të përfundimit të veprave, ashtu edhe nga kompensimi që u bëhet kontraktorëve për arsye të ndërprerjes së punimeve (pagesë mobilizimi, paga personeli, mekanizatorësh, shpenzime ruajtje, qira, etj.) të detyrueshme sipas përcaktimeve kontraktore. Nëse marrim rastin e Mbikalimit të Vorës, kostoja e shpronësimit e nevojshme për përfundimin e plotë të veprës është më ne vogël se kostoja e krijuar nga mos përfundimi i saj, pasi për distanca të vogla nuk është vënë në funksionim njëra korsi lidhëse. Vepra të pa përfunduara sipas parashikimeve nga problematika e shpronësimeve janë edhe By Pass i Durrësit, Rruga Tiranë-Elbasan, etj. Kostot e rritura për projektet që zbatohen në vendin tonë nga zbatimi i këtij procesi arrijnë në miliona Euro. Këto kosto vijnë në rritje kur kemi të bëjmë me futjen me vonesë në eficiencë të veprave publike, për të cilat nuk arrihen përfitimet e pritshme. Problematika e procesit të shpronësimeve ka ndikuar edhe në vendimmarrjen e vetë donatorëve, që të paktën në një rast është vendosur që të mos fillojë lëvrimi i kredisë, pa përfunduar më parë procesin e shpronësimeve. Problematika e shpronësimeve nuk vjen vetëm në fazën fillestare të investimeve me financime të huaja, por edhe gjatë zbatimit, sepse përgatitja e projekteve të zbatimit me mangësi dhe pa marrë në konsideratë të gjithë faktorët që ndikojnë në të, ka kërkuar ndryshime të shumta të cilat kërkojnë hartim të listave të reja të shpronësimeve siç mund të përmendim ndryshimin e gjurmës së rrugës në segmentin rrugor Damës-Tepelenë, ku si pasojë e ndërtimit të Hidrocentralit të Kalivaçit, në projekt nuk ishte parashikuar që niveli i ujit të rezervuarit do të mbulonte një segment rruge të projektuar.


 Kontrolli i Lartë i Shtetit, nëpërmjet auditimeve të kryera në investimet dhe projektet me financime të huaja, ka vënë theksin në rritjen e përgjegjshmërisë së institucioneve që administrojnë këto procese. Janë rekomanduar masa të ndryshme administrative për përmirësimin e punës në këtë drejtim, duke kërkuar rritjen e komunikimit mes institucioneve që administrojnë këtë proces, por edhe me palët e interesit, me synim eliminimin e problemeve, minimizimin e kostove që vijnë si pasojë e ngadalësimit të realizimit të veprave të ndryshme dhe arritjen e objektivave të parashikuara. Është rekomanduar marrja e masave për realizimin sa më të shpejtë të shpronësimeve për interes publik për përfundimin dhe vënien në eficiencë të plotë të kryqëzimit të Vorës, të segmentit rrugor Tiranë-Elbasan si dhe segmente të tjera. Kontrolli i Lartë i Shtetit, gjatë katër viteve të fundit, krahas rekomandimeve për problematika të tjera të rëndësishme, ka rekomanduar marrjen e masave për mbarëvajtjen e investimeve me financime të huaja kaq të rëndësishme për zhvillimin e vendit, jo vetëm për ato në proces, por edhe për investime e projekte që do të financohen në të ardhmen, duke kërkuar që procesi i shpronësimit publik të konsiderohet i rëndësishëm që në fazën e hartimit të studimit të fizibilitetit dhe të përfundohet para lidhjes së kontratave të punimeve civile. 
Sigal