Ndihma ekonomike në Shqipëri, 4 herë më e vogël se në Somali

    704
    Sigal

    Me 60 lekë në ditë, mund të blihet vetëm 75% e një buke, ose 250 gramë gjizë, ose dy bileta urbani

     Nëse lexon e “ha” si të vërteta shifrat që publikohen, nëse dëgjon fjalimet që gjëmojnë ekraneve e kampingjeve që organizon ministri Erjon Veliaj, ku flitet e deklarohet “parajsa” për mirëqenien e shqiptarëve, mendon se vërtetë kemi dalë nga varfëria dhe po jetojmë me nivel jetese si Gjermani, Angli, Francë, Australi, Kanadaja, Zvicër, Norvegji, Holandë, Belgjikë, Itali, Danimarkë e SHBA, siç na thoshte dikur ish-pushteti demagogjik “Berisha”. Si vazhdojnë të jetojnë shqiptarët? A po konvertohet votëbesimi masiv i 23 Qershorit 2013, në ndryshime sociale-ekonomike të familjeve të varfra shqiptare? Sot po ndalemi vetëm në një nga problemet e shumta sociale ekonomike që kanë shqiptarët. Po flasim jo me leksione, por me fakte, për ndihmën ekonomike mujore që u jepet personave të papunë e pa të ardhura. Sa është vlera financiare dhe fuqia fizike blerëse e kësaj pagese sociale? A jemi në grupin e parë të 10 vendeve në zhvillim, që japim ndihmën më të lartë ekonomike për një person të papunë (siç është deklaruar)?

     Tallja/ Ndihma ekonomike 1800 lekë në muaj, ose 60 lekë në ditë për 1 person!

    Pak ditë më parë ministri i Punës, Çështjeve Sociale e Shanseve të Barabarta, zoti Erjon Veliaj, njoftoi me “krenari” për një “arritje madhore” në reformimin e sektorit të ndihmës ekonomike mujore. U deklarua “pastrim” i listave nga abuzimet. U deklarua futja në listë e hallexhinjve të vërtetë. U deklarua edhe rritje e masës së kësaj ndihme. Po çfarë është bërë realisht? Jam shokuar, pse jo edhe kam qeshur hidhur e me habi, kur kam lexuar “në letër”, masën financiare të kësaj pagese ndihme ekonomike mujore, që u jepet familjeve pa të ardhura e në mjerim. Pa bërë komente, po publikoj skemën e pagesës së ndihmës ekonomike që ka “reformuar” dhe ka vendosur Ministria “Veliaj”.

    1. Jepen 1800 lekë pagesë “anti-varfëri” në muaj, për anëtarin e parë në renditjen e certifikatës familjare (kryefamiljarin).

    2. Jepen  nga 1260 lekë pagesë “anti-varfëri” në muaj, për anëtarët e tjerë të familjes, të cilët janë mbi moshën 18 vjeç.

    3. Jepen 900 lekë pagesë “anti-varfëri” në muaj, për anëtarët e familjes që janë në moshën 18 vjeç dhe nën moshën 18 vjeç.

    4. Në rastet kur familja e miratuar për të përfituar ndihmë ekonomike, përbëhet vetëm nga 2 anëtarë pavarësisht moshës, kjo pagesë “anti-varfëri” është 2600 lekë në muaj.

    5. Pagesa e ndihmës ekonomike, do të tërhiqet vetëm nga gratë.

    Ka dhe një skemë mbështetëse me pagesë ndihme ekonomike, për dy kategori të tjera sociale, konkretisht për viktimat e trafikimit dhe për viktimat e dhunës në familje (pa të ardhura), për të cilët pagesa “anti-varfëri” është 3 mijë lekë në muaj.

    Ky është vendimi, që sipas ministrit Veliaj, prezantohet me bujë dhe quhet “reformim social” në skemën e ndihmës ekonomike. Një pjesëtim aritmetikor i klasës së 3-të fillore, nxjerr lehtësisht llogarinë financiare se me sa lekë ndihmë ekonomike në ditë, e ushqen qeveria një shqiptar të papunë, pa të ardhura, të trafikuar e të dhunuar nën mbrojtje sociale ligjore. Po e konkretizojmë:

    1. Kryefamiljari përfiton 1800 lekë në muaj (30 ditë), pra 60 lekë të reja në ditë, ose sa 75% të një buke, ose sa 250 gramë gjizë, ose sa 2 bileta urbani.

    2. Anëtarët e tjerë të familjes në kujdestari ligjore të kryefamiljarit, që janë mbi moshën 18 vjeç, trajtohen me 1260 lekë pagesë në muaj, pra me 42 lekë të reja në ditë, ose sa 1 bidonë ujë 10 litërsh që shitet prej furgënëve ilegalë nëpër lagjet e Tiranës.

    3. Anëtarët e tjerë të familjes në kujdestari ligjore të kryefamiljarit, që janë në moshën 18 vjeç dhe nën moshën 18 vjeç, trajtohen me 900 lekë pagesë në muaj, pra me 30 lekë të reja në ditë, ose sa 1 biletë urbani.

    4. Familjet e miratuara për të përfituar ndihmë ekonomike dhe që përbëhen vetëm nga 2 anëtarë pavarësisht moshës ose lidhjes së gjendjes civile, përfitojnë nga 2600 lekë në muaj, pra 86 lekë në ditë, ose 1 bukë dhe 2 bileta urbani!

    5. Viktimat e trafikimit dhe viktimat e dhunës në familje, trajtohen me 3 mijë lekë në muaj, pra me 100 lekë në ditë, ose sa 1 bukë, 1 kg kripë dhe 1 lëpirëse.

    Krahasimi/ Ndihma ekonomike në Shqipëri,  4 herë më e vogël se në Somali

    1. Ndihma ekonomike mujore e një kryefamiljari shqiptar të papunë, është e barabartë me 1% të pagës së ministrit Veliaj.

    2. Ndihma ekonomike mujore e një 18- vjeçari dhe nën moshën 18 vjeç është sa 0.5% e pagës së ministrit Veliaj.

    3. Pagesa e ndihmës ekonomike mujore për 1 person viktimë e dhunës në familje, apo e trafikut është 3 mijë lekë në muaj, ose sa pagesa e larjes ditore të makinës së ministrit Veliaj.

    4. Pagesa e ndihmës ekonomike për familjet që përbëhen vetëm nga 2 anëtarë është 2600 lekë në muaj, ose sa 1% e pagës së Kryeministrit Edi Rama!

     5. Ndihma ekonomike ditore prej 60 lekësh të reja, që i jepet 1 kryefamiljari në Shqipëri është 4 herë më vogël, se pagesa zyrtare e pagesës së ndihmës ekonomike që jepet për të varfrit në Somali, e cila është 2.4 dollarë në ditë!

     

     

    Flet diabetiku Vasil H. Kondi, nga Tirana

    Një tjetër problem është krijuar në lidhje me “reformën” e trajtimit me ndihmë ekonomike të kategorive që parashikon ligji. Krejt rastësisht, ndërsa udhëtoja në linjën Kombinat-Qendër, dëgjova një qytetar, që i qante hallin dikujt. Quhej Vasil Kondi, banor i Njësisë Bashkiake Nr.6 (Kombinat). Kthehej nga një takim “pritje populli” siç i thonë, bërë në zyrën e ndihmës ekonomike të kësaj njësie bashkiake. E kishin pritur me buzëqeshje, por e kishin përcjellë pa zgjidhje. Ja halli që tregoi qytetari: – “Më kanë hequr ndihmën ekonomike. Unë jetoj vetëm me gruan. Sipas ligjit, unë dhe gruaja duhet të vazhdojmë të trajtohemi me ndihmë ekonomike, mbasi plotësojmë të gjithë kriteret për ta përfituar këtë pagesë sociale, sepse jemi të papunë për shkak se të dy jemi të dy diabetikë të gradës së rëndë, të konfirmuar nga zyra e punës Tiranës, madje, trajtohemi me rimbursim ilaçesh e më analiza e trajtime shtrimesh ditore në spital. Nuk marrim as pension. Shkova për të marrë pagesën mujore të muajit qershor, por atje më thanë: “Të ka zënë reforma e shkurtimeve”. Përfitoja 3200 lekë në muaj më parë, ndërsa me reformën, na i kanë bërë 2600 lekë në muaj. Po kaq, kaq, po halli është se na i hoqën edhe këto që na i jep ligji. Pyeta dhe më thanë, se për çdo njësi bashkiake, janë bërë shkurtime qesim, me rend alfabetik jo me verifikim konkret. P.sh, janë hequr 20 persona me germën “A”, 15 persona me germën “B”, 10 me “C”, 8 me Ç” e kështu me radhë deri te germa “Zh”, gjersa kanë plotësuar numrin që u kishte caktuar ministria. Sipas kësaj metode, “na zuri lapsi” edhe ne burrë e grua, që jemi të ligjshëm e të pamundur për punë! Kam vendosur të kërkoj takim me ministrin Veliaj për këtë padrejtësi, mbase ma rikthen të drejtën që më takon”.

    Kujtesë që vjen nga shifrat

    Qeverisë po i kujtoj faktin, se i vetmi motiv madhor që i detyroi shqiptarët, “t’ia kthenin patkonjtë nga dielli” ish-pushtetit të Sali Berishës, ishte papunësia dhe varfëria ekstreme që i kishte pllakosur për shkak të mashtrimeve, korrupsionit, talljes e shpërfilljes qeveritare. Nuk mohojmë faktin, që ju e nisët qeverisjen me këtë pasqyrë sociale:

    1.Afro 55% të familjeve ishin me jetesë nën nivelin e varfërisë ekstreme (mjerimit).

    2. Afro  për 30% të familjeve të tjera.

    3. Pjesa tjetër prej 15% e familjeve, nga këto 10% kishin nivel jetese sa për “sigurim ushqimi”.

    4. Vetëm 5% e tyre jetonin në luks e “notonin” në pasuri dhe këto ishin e janë familje politikanësh, ish-qeveritarësh e qeveritarësh.

    5.Vetëm me pagesë ndihme ekonomike, trajtoheshin afro 140 mijë familje, nga 1 milion e 7056 familje gjithsej.

    6. Kishte afro 175 mijë familje që kërkonin ndihmë ekonomike, por nuk u jepej për shkak të një ligji me motiv: “Ndryshim vendbanimi pas 31 dhjetorit 1992”.

    A ka ndryshuar gjë në këtë 1 vit, në lidhje me shtimin e “kafshatave të bukës” në tavolinat e shqiptarëve? Më duket se ky realitet nuk ka ndryshuar. Ndoshta, në letrat dhe në reklamat tuaja, gjendja ekonomike e familjeve të varfra shqiptare ka ndryshuar… Shqiptarët, po vazhdojnë të jetojnë në varfëri ekstreme.  Në tavolinat e mbi 800 mijë familjeve shqiptare ka papunësi, ka varfëri, ka fëmijë që punojnë edhe në miniera kromi e ndërtim gradaçelësh për ushqimin e ditës, ka sherr e dajak mëngjes, drekë, darkë e gjithë natën vetëm për bukën e gojës, sepse siç e thotë edhe populli: “Fukarallëk, maskarallëk!”… Besoj e dini, që në nevojë sociale ka shumë fëmijë rruge e fëmijë që vuajnë për bukë, veshje e mjekime brenda familjeve. Këta, janë fëmijë familjesh të zhytura në varfëri ekstreme, me prindër të papunë, të divorcuar, të vdekur, me prindër të sëmurë deri në paraliza, të cilët janë aq të varfër, sa nuk blejnë dot as 1 kokërr “Depon”, sepse prej monopolit edhe çmimi i 1 kokrre “Depon”-i ka shkuar sa 3 kokrra vezë. Shqiptarët nuk ushqehen me citate humaniste, me video-klipe të rinjsh e të moshuarish që buzëqeshin dhe me leksione anti-varfëri. Me sa shikojmë e dëgjojmë, shqiptarët, janë në atë nivel varfërie që kanë qenë edhe përpara 23 Qershorit 2013. Nisur nga ky realitet, ndryshimi i vetëm gjatë një viti e ca qeverisje është: Ndihmën ekonomike nuk do ta tërheqin më burrat, por gratë!

    Ja me çfarë bilanci “ushqehet” 1 shqiptar, me 60 lekë ndihmë ekonomike në ditë

    Sipas llogarive të bëra, me ndihmë ekonomike mujore që jep qeveria edhe pas “reformës” së skemës përkatëse, rezulton se 1 kryefamiljar i papunë shqiptar i vitit 2014, duhet ta përballojë jetesën, vetëm me 60 lekë të reja në ditë ose më këtë tabelë jetese ditore:

    – Me 4 lekë bukë

    – Me 4 lekë vaj

    – Me 4 lekë makarona

    – Me 4 lekë oriz

    – Me 4 lekë sheqer

    – Me 4 lekë kripë

    – Me 4 lekë fasule

    – Me 4 lekë perime

    – Me 3 lekë sapun

    – Me 3 lekë veshje

    – Me 3 lekë udhëtim

    – Me 2 lekë energji

    – Me 2 lekë mish

    – Me 2 lekë ujë

    – Me 2 lekë fruta

    – Me 2 lekë kafe

    – Me 2 lekë detergjent

    – Me 1 lekë ngrohje

    – Me 1 lekë mjekësi

    – Me 1 lekë telefon

    – Me 1 lekë fatkeqësi

    – Me 1 lekë gëzime

    – Me 1 lekë fatkeqësi

    – Me 1 lekë “FB…

     Përparim HALILI