Ndërrimi i viteve, trefishimi i gjobave, ‘sukses i policisë’!

460
Sigal

TIRANË-Mund të mos kesh lëvizur fare ditëve të ndërrimit me makinë, por kjo nuk do të thotë se nuk mund të kesh dhe një fletë-gjobë për ‘shkelje të rregullave të qarkullimit’, mund të kesh provuar vetëm një gllënjkë birrë para shumë orësh, por në vend që të të bllokojnë lëvizjen e makinës, përfundon në pranga, mund të mos ecësh me shpejtësi, por kjo nuk mund të të shpëtojë nga një gjobë e rrugorëve për “Shpejtësi mbi norma”, mund të kesh parkuar 1 cm keq, por e vetmja zgjidhje është gjoba. Ky është ‘suksesi’ më i spikatur i rrugorëve gjatë ditëve të ndërrimit të viteve, referuar dhe komunikatën zyrtare të institucionit që drejtohet nga Saimir Tahiri. Pa çka se përgjaken rrugët nga aksidente me viktima, makina drejtohen nga adoleshentë pa dëshmi drejtimi automjeti. “Masat administrative rezultojnë me rritje në numër, me 38.797 masa”-thuhet mes të tjerave në komunikatën zyrtare! Ose referuar statistikave, numri i gjobave të

vendosura dhe drejtuesve të ndëshkuar (një pjesë dhe të arrestuar), është gati 3 herë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Mania e rrugorëve këto kohë vetëm për ndëshkim me gjoba (e me pranga), që evidentohet si sukses i policisë, fatkeqsisht nuk ka sjellë përmirësim në kaosin në qarkullim, uljen e aksidenteev me pasoja. Përkundër. “Parkova diku për 5 minuta në një vendqëndrim taksish sa i dhashë porosinë një shoku, e më shoqëruan e gjobitën në polici. Ndërkohë, po atë monent, dy automjete që drtejtoheshin nga të rinj, bënin gara shpejtësie e desh i shtypën policët rrugorë. Por ata nuk u ndjenë, mereshin me mua. Me sa duket, ata janë në rregull me planin e gjobave”,- pohon për “Telegra”, N. Hamitaj, 44-vjeç nga Babrruja e Tiranës.

Ngacmonte minorenen, në ashensor, ndalohet

ELBASAN- Në orën 10:00 të ditës së djeshme, një 61-vjeçar është vënë në pranga nga policia e Elbasanit pasi akuzohet për vepra të turpshme me minorene. Mësohet se, 61-vjeçari Ndriçim akuzohet se, ka abuzuar seksualisht me një vajzë 12-vjeçare. Nga hetimet rezulton se i moshuari shfrytëzonte ashensorin për veprime të turpshme. Policia thotë se ai është akuzuar dhe tre herë të tjera për veprime të tilla kohë më parë. Denoncimi për Kalemin janë bërë nga babai i minorenes.

  Aksidenton 40-vjeçaren me vdekje, arrestohet

DURRËS – Një aksident me pasojë vdekjen e një këmbësoreje ka ndodhur sot rreth orës 17:30 në Durrës. Mësohet se ngjarja ka ndodhur në zonën e Plazhit, tek sektori Iliria, teksa një automjet tip “Benz” me targë AA077EK ka përplasur një këmbësore, Lavdie Blloshmi, rreth 40 vjeç, duke i shkaktuar asaj vdekjen. Drejtuesi i makinës ka tentuar t’i japë ndihmë 40-vjeçares, por ajo ka ndërruar jetë menjëherë. Është bërë ndalimi i 22-vjeçarit Genc Gjeçi, drejtues i automjetit dhe po hetohen shkaqet e aksidentit.

Konflikt në kafene, thika 41-vjeçarit

TIRANË- Një 33-vjeçar është goditur me thika dhe ka përfunduar në spital, ndërsa policia ka identifikuar autorin dhe është vënë në ndjekje të tij. Mësohet se, ngjarja ka ndodhur në orën 19:00 të ditës së diel në një kafene pranë zonës së ‘Selvisë’ në kryeqytet. I plagosuri quhet Selidon Hysi, 33 vjeç. Sipas mjekëve, ai ka marrë dy plagë thike dhe është nën përkujdesjen e tyre. Mësohet gjithashtu se, shkak i konfliktit ka qenë një sherr i çastit në kafene.

Përplasen dy makina, 3 të plagosur rëndë

ELBASAN –Në orën 19:10 të mbrëmjes së djeshme, tre persona janë plagosur, si pasojë e një aksidenti, në aksin rrugor Peqin-Elbasan. Burime nga policia bëjnë të ditur se, një furgon pasagjerësh është përplasur me një veturë dhe për pasojë 3 persona janë plagosur rëndë. Të lënduarit janë dërguar menjëherë në spital, prej ku mësohet se njëri prej tyre është në gjendje kritike. Policia po heton shkaqet e aksidentit.