Ndërprerje kontrate për mjekun që plotëson recetë false, masa për farmacitë dhe spitalet

    398
    Sigal

    Kontatat 2014 të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore me qendrat shëndetësore, spitalet, farmacitë dhe depot farmaceutike

    Fondi i Sigurimeve Shëndetësore ka lidhur kontratat për vitin 2014 me dhënësit e shërbimeve shëndetësore si: farmacitë, depot farmaceutike, qendrat shëndetësore dhe spitalet në të gjithë vendin. Drejtori i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, dr. Astrit Beci u shpreh: ”Kontratat e vitit 2014, të konsultuara me të gjithë aktorët e interesit, kanë sjellë përmirësime të qenësishme që lidhen me cilësinë e shërbimit ndaj pacientëve dhe uljen e abuzimeve nga subjektet me kontratë me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore”. Më konkretisht, po ju paraqesim ndryshimet e këtij viti në kontratat e miratuara nga Këshilli Administrativ i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore:

      Kontratat me farmacitë dhe depot farmaceutike

     Me qëllim uljen e abuzimeve dhe për një kontroll më të mirë të qarkullimit të barnave të rimbursueshme, Fondi i Sigurimeve Shëndetësorë parashikon në kontratat e reja që farmacia të dërgojë online brenda 48 orëve të dhënat lidhur me ekzekutimin e recetave me rimbursim; brenda 5 ditëve të dhënat hyrje-dalje të barnave të rimbursueshme dhe brenda 15 ditëve inventarin e gjendjes fizike të barnave të listës së rimbursimit.

    Për vonesë një mujore nga afati i përcaktuar, i dërgimit të të dhënave nga ana e farmacisë, subjektit i zgjidhet kontrata për një periudhë kohore jo më pak se 1 vit, nga masë me gjobë që ishte në kontratat e vitit të kaluar. Pra, penalitetet janë forcuar, në funksion të një kontrolli më të mirë të barnave të rimbursueshme. Një pikë e re e parashikuar në kontratë lidhet me barnat e skaduara. Në rast se provohet se farmacia jep ose ka dhënë barna përtej afatit të tyre të vlefshmërisë, subjektit i zgjidhet kontrata për një periudhe kohore jo më pak se 1 vit. Një kriter i ri, i parashikuar në kontratat me farmacitë, lidhet me ruajtjen e konfidencialitetit të të dhënave të pacientëve. Farmacia është e detyruar të ruajë të dhënat, në përputhje me kriteret e ruajtjes, të përcaktuara në ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale. Lidhur me kontratat me depot importuese, është shtuar një kriter i ri, i cili lidhet me shtimin e deklaratës doganore, si bashkëshoqëruese e faturave të hyrjes së barnave të rimbursueshme nga importi. Kjo pikë është shtuar me synim uljen e riskut të kontrabandës së barnave.

     Kontratat me Qendrat Shëndetësore

     Ndryshimet në kontratat me Qendrat Shëndetësore kanë të bëjnë me shtimin e kontrolleve, por edhe rritjen e mundësisë për edukimin në vazhdim të personelit mjekësor. Për herë të parë, është parashikuar ndërprerje kontrate individuale e mjekut dhe dërgim për ndjekje penale, në rastet kur ai plotëson recetë me rimbursim fiktive, pra false dhe barnat me rimbursim nuk shkojnë në dobi të pacientit. Nga ana tjetër, në kontratat e reja me Qendrat Shëndetësore, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, parashikon një buxhet të posaçëm për trajnimet që kryhen nga vetë Qendrat, duke bërë të mundur edukimin në vazhdim të mjekëve, me synim që të jenë të azhornuar me risitë e trajtimit sa më të mirë të pacientëve.

     Kontratat me Spitalet

    Një element i rëndësishëm i kontratave të këtij viti, janë edhe spitalet, ku rishikimi i kontratave është shoqëruar me forcim të penaliteteve në rastet e mosdhënies së shërbimit të duhur për pacientët, si dhe përmirësim të indikatorëve, duke shtuar një indikator të ri, që mundëson monitorimin e shtrimeve urgjente kundrejt atyre të planifikuara, bazuar në konsultat e kryera. Më konkretisht, në rastet e mosdhënies së shërbimit për pacientët, kur kushtet e spitalit e mundësojnë atë, spitali gjobitet me 1 milion lekë. Gjithashtu, në rast të ofrimit të shërbimit jo në përputhje me standardet profesionale dhe etike të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Urdhrat e Profesionistëve, spitali gjobitet me 500 mijë lek. Duke e konsideruar shumë të rëndësishëm shërbimin e dializës, në bashkëpunim edhe me shërbimin përkatës  pranë QSUT-së, u vendos në kontratë detyrimi për ngritjen e një regjistri kombëtar pranë shërbimit kombëtar të Nefrologjisë në QSUT, për të gjithë pacientët që përfitojnë këtë shërbim, gjë që do të ndihmojë strukturat e Fondit për një monitorim më të mirë për shpenzimet e kryera