Nderim për gjithë studentët të cilët ishin në krye të protestave dhe themelues të PDSh-së

889
Vili Minarolli

Vijon nga numri kaluar
Presidenti i fundit komunist u prezantua si i vetmi person që mund të ndryshonte situatën dhe publiku e veçonte nga të tjerët, jo vetëm se ishte më i mençur, por edhe “më i butë” dhe më liberal se ta. Aq e vërtetë është kjo, sa disa ditë me radhë, në tabelat e auditorëve të Institutit të Lartë të Arteve në Tiranë, ku jepte mësim e bija e presidentit, bëheshin shënime në formë parullash, nëpërmjet të cilave i bëhej thirrje diktatorit të shpëtonte vendin. Ende më paradoksal ishte rasti i takimit të tij me përfaqësues të studentëve, në mbrëmjen e asaj dite, kur policia i goditi me egërsi studentët te dalja e “Rrugës së Elbasanit”. Folësit, sidomos disa pedagogë, të cilët së bashku me studentët ishin përfaqësuesit e atyre që disa orë më parë qenë goditur egërsisht edhe me urdhër nga numri një i shtetit, i thurnin lavde diktatorit dhe i bënin thirrje që të merrte në dorë situatën, si i vetmi shpëtimtar. Absurdi shkonte deri atje sa, po në këtë takim, propozohej që në qendër të Tiranës të ngrihej edhe një përmendore e tij, në vend të asaj të diktatorit të vdekur. Ditë me radhë, nga foltorja e improvizuar para studentëve, jo pak folës përsëritën të njëjtat konsiderata për diktatorin, të cilat ndoshta nuk janë shlyer ende nga kujtesa e pjesëmarrësve në tubimet e atyre ditëve. Pikërisht në këto ditë filloi të përvijohej një ndarje e drejtuesve të lëvizjes studentore midis atyre që e barazonin figurën e presidentit me atë të diktatorit E. H. dhe që ishin për largimin e menjëhershëm të tij, dhe atyre që e lartësonin figurën e tij deri në absurd, duke propozuar edhe ngritjen e përmendores në qendër të Tiranës. Të parët përfaqësoheshin nga studentët që ishin nismëtarët e vërtetë të lëvizjes për ndryshim dhe demokraci, ndërsa të dytët nga intelektualë e kryesisht pedagogë, shumica anëtarë të Partisë Komuniste, por jo pak edhe bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit. Kjo ndarje do të thellohej më tej, në ditët dhe muajt në vazhdim. Në fillim të vitit 1990 u dukën shenjat e një fryme më liberale në qëndrimet karshi asaj që përfshihej në nenin 55 të Kushtetutës, për dënimin me burg për agjitacion e propagandë. Po ashtu, u duk edhe një prirje për ndryshim në politikën ekonomike të shtetit, duke afruar disa teknicienë të ekonomisë, që kishin shfaqur mendime më liberale dhe më të kohës. Por, gjithçka ishte e kontrolluar nga shteti, deri në imtësitë më të vogla. Në maj të po të njëjtit vit, në Tiranë erdhi Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Peres De Kuelar, si ndërmjetësues pranë qeverisë shqiptare, që të lihej e lirë një familje, e cila prej disa vitesh strehohej në Ambasadën Italiane në Tiranë. Bashkë me të, si shoqërues erdhën edhe disa gazetarë me emër, kryesisht amerikanë, të cilët e shfrytëzuan këtë mundësi për të intervistuar disa intelektualë shqiptarë, të gjithë persona shumë të lidhur me nomenklaturën komuniste. Intervistat e tyre shqiptarët i dëgjuan në “Zërin e Amerikës” dhe është e vërtetë që njerëzit mbetën të habitur nga thyerja e tabuve. E njëjta gjë do të organizohej edhe disa muaj më pas, në nëntor të atij viti dhe po me këta persona. Fakti që disa prej këtyre do të shiheshin, disa ditë më pas, në krye të partisë së parë opozitare dhe të tjerë do të merrnin në dorë drejtimin e ish-Partisë Komuniste, të krijon përshtypjen, por edhe bindjen, se lëvizja e dhjetorit e studentëve, ndonëse u duk se lindi spontanisht, shumë shpejt u mor në dorë nga njerëz që ishin përgatitur për këtë gjë. Për ta konkretizuar gjithë sa shkrova më sipër, po sjell dy biseda apo deklarime të njerëzve që ishin pranë pushtetit dhe dinin më shumë se të tjerët. Në fund të tetorit dhe fillim të nëntorit të vitit 1990, në televizionin e vetëm që ishte në Shqipëri në atë kohë dhe që kontrollohej nga shteti, si një nga mjetet kryesore të propagandës, filluan të dalin në intervista njëri pas tjetrit anëtarët e byrosë politike, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarit, sigurisht të parapërgatitura, por jo nga ai ose ajo që i intervistonte. Megjithëse kuptohej të intervistuarit ishin parapërgatitur për çfarë do të pyeteshin, shqiptarët panë dhe u bindën se “udhëheqësit” e tyre ishin thjesht disa njerëz të zakonshëm, madje në kufijtë e injorancës, që jashtë sloganeve të mësuara përmendësh nga ato që kishte thënë dhe shkruar diktatori, ishin krejt të paaftë të jepnin një vlerësim për situatën dhe perspektivën. U bë e qartë se edhe kjo parodi ishte pjesë e një skenari të parapërgatitur nga pasardhësi i diktatorit për largimin e butë të tyre dhe zëvendësimin me figura të reja, si pjesë e reformave për ndryshimin e udhëheqjes së vendit, në përshtatje me situatat e reja. Gjithçka organizohej dhe drejtohej nga zyra e presidentit të fundit komunist, si pjesë e një programi të tërë të propagandës për lartësimin e figurës së tij dhe për ta paraqitur si të vetmen mundësi për daljen nga situata. Në të vërtetë, me këto makinacione ai ia arriti të krijonte imazhin e njeriut të vetëm që do të shpëtonte vendin nga situata e krijuar. Por, në mes të atyre manekinëve që drejtonin vendin deri në atë kohë, të gjithë e kishin të qartë rolin e tij të padiskutueshëm, ashtu siç e kishin të qartë se ishin edhe duar të tjera, të padukshme, që përpiqeshin të mbanin status quo-në sa më gjatë të ishte e mundur. Në këtë luftë brenda llojit ai kishte nevojë për mbështetje dhe e paraqiti veten si njeri që kërkonte ndryshimin, por ishin të tjerët që ia kishin lidhur duart. Në këtë fushatë propagande, ai u mbështet jo vetëm prej atyre që kishte pranë, por edhe prej atyre që ishin përgatitur dhe që u kishte krijuar bindjen se do të ishin ata zëvendësuesit e kastës së vjetër, e cila pritej të largohej. Ishin pikërisht këta që në muajt e fundit të vitit 1990 u ishte “dhënë liria” ta prezantonin veten si njerëz të kohës, që kishin studiuar në universitete të perëndimit, me “bindje liberale”, që shpreheshin “më të guximshëm” dhe jashtë shablloneve në shtypin vendës dhe që ishin bërë edhe të parapëlqyer të disa mediave e gazetave të huaja, gjë që ndodhte për herë të parë pas gati gjysmë shekulli. Këtë imazh për veten arriti ta krijojë duke pasur në dispozicion të gjithë aparatin shtetëror dhe propagandistik. Për ta konkretizuar gjithë sa shkrova më sipër, po sjell dy biseda apo deklarime të njerëzve që ishin pranë pushtetit dhe dinin më shumë se të tjerët. Në ditët e fundit të dhjetorit, kur një grup prej nesh organizoi një mbledhje në ISP, për të prezantuar programin e PDSH-së, drejtori i Institutit, L. H., që merrte pjesë në mbledhje, më tha: “E keni të kotë që merreni me këto gjëra. E vetmja forcë që do ta shpëtojë vendin është PPSh-ja, por jo me këta mumie që janë sot. Do të jemi ne, të rinjtë, të shkolluar dhe me lidhje të ngushta edhe me perëndimin.” Më pas, ky person do të bëhej një nga drejtuesit kryesor të PSSh-së dhe do kishte funksione shumë të larta në qeverinë e pas vitit 1997. Po ato ditë, në sheshin që u pagëzua si “Sheshi Demokracia”, në Qytetin Studenti, kur bëheshin mitingjet e para, m’u afrua një ish-nxënësi im në shkollën e naftës në Kuçovë, A. M., i cili më pas mbaroi të mesmen, shkollën e Sigurimit dhe atë kohë ishte një nga drejtuesit e lartë të Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës dhe më tha: “Profesor, gjysmat e atyre atje lart, që shajnë komunizmin, janë njerëzit tanë. Gjithçka po ecën sipas programit dhe jo vetëm këtu, por edhe rreth nesh. Do të dëgjosh që në janar do të fillojë shpërbërja e Jugosllavisë dhe Kosova mund të shkojë deri tek autonomia e 1974-s.” Me përjashtim të njoftimit të fundit, isha dëshmitar i asaj që ndodhi në vazhdim dhe që ma kishte thënë ish-nxënësi im, një muaj më parë. Megjithatë, lëvizja e studentëve të Dhjetorit dhe udhëheqësi i saj, Azem Hajdari, shënuan një kthesë të papërsëritshme në historinë e Shqipërisë dhe do të mbetet si lëvizja që rrëzoi diktaturën më të egër në botën komuniste të shekullit XX. Për mua, ata studentë që rrezikuan jetën për të realizuar aspiratën e lirisë dhe të demokracisë janë heronj të vërtetë, pavarësisht nga drejtimet që morën më pas dhe zhgënjimet që pësuan. Në këtë betejë për jetë a vdekje me diktaturën, ata u futën me ndjenjën e pastër të lirisë, si të gjithë moshatarët e tyre në botë, pa paragjykime për karriera të mëvonshme, sepse në atë kohë, gjithsecili e dinte që mund t’i ikte jeta vetëm për një fjalë goje. Ata e dinin se moshatarët e tyre, që tentonin të iknin nga vendi, vriteshin në kufi dhe kufomat e tyre i zvarrisnin nëpër qytete, për të mbajtur të gjallë frikën dhe terrorin e gjysmë shekullit. Roli i Azem Hajdarit në ato ditë dhe muaj ishte i jashtëzakonshëm, sepse u largonte frikën dhe u jepte guxim shqiptarëve, gjë që e kishin të gjithë të nevojshme. Unë asnjëherë nuk jam pajtuar me mendimin spekulues që Azem Hajdari ishte pjesë e një loje të parapërgatitur, ashtu siç mund të ishin një grup pedagogësh, anëtarë të Partisë Komuniste, të cilët u programuan për të qenë pranë studentëve që në orët e para dhe për ta futur lëvizjen në hullinë që donte regjimi. Azem Hajdari doli si një fenomen i jashtëzakonshëm në këtë lëvizje, pa asnjë kompromis dhe i prishi skemat që ndoshta mund të ishin hartuar më parë në zyrën e presidentit apo të Sigurimit të Shtetit. Unë e kam të freskët takimin e parë me diktatorin, kur këta “profesorë”, pasi deklaronin se ishin anëtarë të Partisë së Punës, justifikoheshin para Sekretarit të Parë të partisë së tyre se ishin përfshirë rastësisht dhe me naivitet ose jo, vazhdonin të kërkonin që në konviktet e studentëve të kishte drita dhe ujë, duke harruar se studentët i patën zgjedhur si përfaqësues të tyre për të kërkuar të tjera gjëra nga diktatori. Jo vetëm kaq, por nuk harruan t’i thurnin edhe ditirambe, atij që jo shumë orë më parë kishte urdhëruar të goditeshin pa mëshirë shokët dhe shoqet e tyre studentë. Ndërsa Azem Hajdari, njeriu me xhup të zi, sikur të mos i kishte dëgjuar parafolësit, i kërkonte llogari diktatorit pse kishte urdhëruar policinë të godiste me egërsi studentët dhe kërkonte në formë ultimatumi që të urdhëronte lirimin nga birucat e policisë të studentëve të pafajshëm. Unë kam nderimin më të madh për studentët, disa prej të cilëve kanë qenë ish-studentë të mitë, të cilët ishin në krye të protestave dhe themelues të PDSh-së. Një pjesë prej tyre, të zhgënjyer nga rrjedha e ngjarjeve të mëvonshme, u larguan jashtë vendit. Kam njohur shumë prej tyre, studentë dhe intelektualë që u përfshinë në lëvizjen e studentëve, si antikomunistë, të vendosur për të bërë në Shqipëri atë që tashmë ishte bërë edhe në të gjitha vendet e tjera ish-komuniste. Shumica e tyre, të papërgatitur për t’i rezistuar luftës për pushtet, e cila filloi të shfaqej në partinë e sapokrijuar dhe pa përvojë për ta vazhduar betejën e nisur edhe brenda vetes, u larguan, shumica jashtë vendit, të zhgënjyer se idealet e tyre morën një rrugë ndryshe nga ajo që e kishin menduar. Ata ishin thjesht idealistë, të frymëzuar nga ideja e lirisë dhe demokracisë, por të papërgatitur për ta vazhduar rrugën më tej, që do të ishte më e vështirë, jo thjesht me protesta e mitingje entuziaste. Por, kam njohur edhe veprimtarë të tjerë, madje më të vendosur dhe më luftarakë se të parët, që vinin nga familje të lidhura me regjimin, ose që i kishin shërbyer regjimit me bindje të plotë, duke qenë pjesëmarrës edhe në krime. Ata u dukën që në ditët e para të protestave. Një mendje e stërvitur i mësonte se ç’duhej të bënin dhe një dorë e fortë i mbështeste për të dalë para të tjerëve. Ata ishin më “radikalë” se të tjerët dhe prandaj u evidentuan para turmave më shumë se të tjerët. Por shumë prej tyre u denoncuan që në fillim dhe ata ose kaluan në krahun që i përkisnin historikisht, ose iu futën biznesit, duke u bërë shumë shpejt të suksesshëm, ose u larguan jashtë vendit. Atë kohë nuk kishte televizione si tani. Edhe ai që ishte, televizioni shtetëror, kontrollohej tërësisht nga shteti. Prandaj, ne si qytetarë të Tiranës, jo vetëm nuk e pamë dhe dëgjuam çfarë u tha në takimet e studentëve me diktatorin, ministrin e Arsimit dhe me sekretarin e parë të KQ-së së Rinisë, por ajo që na u servir nga shteti ishte një deformim i asaj që qe biseduar e thënë konkretisht. Megjithatë, unë e kisha një favor, ndryshe nga gjithë të tjerët. Një njeriu im atë kohë punonte si inxhinier i teknikës në Presidencë dhe unë e dëgjova bisedën që u bë atje, pa asnjë ndryshim. Kjo është arsyeja pse bëra më sipër atë dallim të madh midis asaj që tha Azem Hajdari e disa studentë dhe asaj që thanë disa të tjerë. Nuk besova asnjëherë se ishte naivitet i atyre që i kërkonin R. A. të ndërhynte që policia të mos i godiste studentët, kur vetë ai pati urdhëruar të bëheshin veprime ekstreme ndaj studentëve. Ndërsa glorifikimi i figurës së tij dhe dëshira për t’i ngritur një përmendore në qendër të qytetit të Tiranës ishin paradokse, duke pasur parasysh se çfarë po i bënte këtij vendi e këtij populli, të paktën prej pesë vitesh, kur ai dhe vetëm ai ishte zot i vendit. Por, për mua dhe shumë të tjerë ishte e qartë se çfarë kishte ndodhur në vetë kupolën më të lartë të shtetit dhe si i ishte pastruar rruga R. A. për të ardhur në majë e për ta vazhduar atë rrugë që kishte ndjekur paraardhësi i tij gjakatar.
Sigal