Ndahet nga jeta Ramohito, gjenerali shqiptar i Traktatit të Varshavës

    1044
    Sigal

     TIRANË/Gjeneral Halim Ramohito, një nga ushtarakët më të njohur në vend, u dënua më 1974-n si anëtar i  ‘puçit ushtarak’

     Ashtu sikurse ndodhte me grekët e lashtë që kur vdiste dikush, nuk bënin nekrologji, por vetëm pyesnin se “A kishte ndonjë pasion?” edhe unë, tani që po shkruaj për këtë burrë të shquar që mbylli sytë përgjithmonë më datë 9 nëntor, do të thoja se gjatë tërë jetës së tij relativisht të gjatë dhe plot me zigzage, ku provoi gëzime dhe hidhërime, besim në ideale dhe zhgënjime, lavdi dhe ndëshkime krejt të pamerituara që e çuan deri në vuajtjet e ferrit dantesk, pati si pasionin më të madh, atë përgjigjen inteligjente të Diogjenit nga Sinope që kur e pyetën se “Cila është rruga më e mirë që të shpie drejt lumturisë?” tha: “Të punosh për lumturinë e të tjerëve!”

    I lindur më 25 shkurt të vitit 1925, Halim Ramohito, u rrit dhe u edukua me traditat më të mira të familjes së tij atdhetare dhe të fshatit të tij të dëgjuar, Tragjasit të heronjve, dëshmorëve dhe njerëzve të thjeshtë, por të virtytshëm.

    Ndërsa ishte nxënës në Shkollën Tregtare në Vlorën e mospajtimit me armikun, Halimi u dallua shpejt si një veprimtar i spikatur kundra pushtuesve dhe si një i ri sypatrembur ndër aksione. Ai, u bashkua pa rezerva  me njësitet dhe repartet partizane, ku ra në sy jo vetëm trimëria dhe qartësia e tij si luftëtar, por edhe pjekuria dhe maturia si kuadro drejtuese, fillimisht si zëvendëskomisar batalioni, e pastaj si sekretar Rinie i Brigadës së V. S. deri dhe i Divizionit. Ai, në përbërje të formacioneve partizane, e ndoqi armikun hitlerian deri në Kosovë e më tej në tokat e ish -Jugosllavisë.

    Pas çlirimit të vendit, krahas përfundimit me shumë sukses të studimeve në Akademinë ushtarake “Frunxe” në Moskë, kreu dhe detyra shumë të rëndësishme si komisar Regjimenti, Divizioni, Korpusi dhe i MKA- së të Shtetit, deri edhe zëvendësdrejtor Politik i Ushtrisë, ku qëndroi deri në vitin 1974. Pas këtij viti, kur nisi “fshesa e hekurt” në radhët e ushtrisë, duke i mohuar gjithçka, deri dhe periudhën që atij i jepte një krenari të ligjshme, atë të viteve kur kreu me aq besnikëri, devocion dhe mençuri, detyrën e përfaqësuesit ushtarak në Komandën e Bashkuar të Forcave Ushtarake të Traktatit të Varshavës, njëkohësisht dhe atë të Atasheut Ushtarak në ish- Bashkimin Sovjetik. Atij iu nëpërkëmb qenia anëtar i Komitetit Qendror të Partisë, iu harruan të gjitha kontributet dhe iu mohuan dymbëdhjetë urdhrat dhe medaljet që i ishin akorduar. Duke e mbuluar këtë kuadro mëse korrekt, që asnjë majë gjilpëre nuk përfitoi gjatë tërë veprimtarisë së tij në ushtri, me akuza dhe shpifje nga më monstruozet, me një gjyq të inskenuar e dënuan pa asnjë faj me shtatëmbëdhjetë vjet burg që ai i vuajti në Burrel… Gruaja Ferdije, vajza Vjollca dhe djali Petriti, provuan përbuzjen, stërmundimin dhe trajtimin çnjerëzor e policor, baltave të Roskovecit, të Sheq-Marinzit dhe të Hoxharës. Edhe të afërmit e tij nuk, shpëtuan i ndëshkimit e turpërimit.

    Të gjitha këto dhe torturat e rrepta dhe të paimagjinueshme psikike, duke e kërcënuar dhe duke i nxjerrë gruan dhe fëmijët për t`i parë nga vrima e çelësit, i shkaktuan brenga e dhimbje të madhe shpirtërore. Vetëm muret e trasha dhe gjithë lagështirë të qelive të hetuesisë dhe të burgut, e dinë se drama e këtij bashkëshorti e babai shembullor, ishte e denjë për tingujt vajtues të muzikës së vetë Puçinit.

    Por sido që ngjau me të, ai, edhe kur çmenduria me forma dhe mjete nga më mizoret, donin ta detyronin që të pohonte se ishte agjent i social-imperialistëve, me mareshallët e të cilëve ai qe ndeshur ballë për ballë si askush tjetër, nuk u thye dhe arriti të ruajë të paprekur dinjitetin.

    Këtë dinjitet, gjeneral Halim Ramohito, e mbajti të pastër si kristali edhe kur u lirua nga burgu, edhe kur e internuan më pas, edhe në vitet e demokracisë. Dhe fati e deshi që jo vetëm të bëhet dëshmitar i saj, por edhe të dëshmojë të vërteta tronditëse për gjithë sa ngjau në ushtrinë tonë, me kolegët e tij, disa prej të cilëve u pushkatuan e disa si Vaskë Gjino, Abaz Fejzo etj…

    Libri që ai shkroi; “Në shërbim të Atdheut tim”, pjesë të të cilit janë bërë të njohura edhe në faqet e gazetës “Telegraf”, do të mbeten rrëfimi më i sinqertë dhe analiza më profesionale dhe bindëse, por dhe me një vel shkëlqimtar kulture dhe kurajoje civile që arrin deri në caqet e pendesës dhe të kërkuarit falje. Ato, së bashku me gjithë jetën dhe veprën e tij, tani që i dhamë lamtumirën e fundit, gjeneralit në ushtri, por dhe gjeneralit në ndershmëri Halim Ramohito, na bëjnë të përsërisim fjalët e poetit dhe publicistit rus N. A.Nekrasov se: “Gjithçka që mundje, tanimë ti e kreve”. Ja pse edhe ai, miku i të gjithëve dhe sidomos i oficerëve skënderbegas që luftoi dhe punoi pa reshtur për vendin e tij, do të prehet në paqe, pasi gjithçka që mundi, e kreu me nder.

      ANASH

     Lamtumirë miku im i dashur Halim Ramohito!

     Kujtim Boriçi

     Ende e kam të freskët zërin tënd të mëngjesit të pak ditëve më parë teksa bie zilja e telefonit, e vajza më thotë: “Të kërkon xhaxhi Halimi!”. Ishte një zë tingëllues dhe i prerë, ashtu si përherë, ndonëse ti nga ana tjetër e telefonit më the: “Kujtim, të lutem, të pres bashkë me Zyhdiun, se nuk jam mirë me shëndet!”. E nga fundi i bisedës së shkurtër, para se të ritheksoje se ‘u pres’ më rikujtove dhe një merakun për dorëshkrimet e papublikuara që më besove. E unë të thashë se do të vij të të takoj në shtëpi.

    Po i dashur mik, Ti nuk na prite. Ike fizikisht nga kjo botë që u tregua e pamëshirshme me ty, para se ne të gjenim kohë të vinim e të takonim siç e lamë! Njëmijë herë të kërkojmë ndjesë, pasi Ti na ike, nuk na prite… E jo se nuk doje të prisje miqtë e shokët tuaj, të rrije dhe shumë kohë pranë bashkëshortes e fëmijëve shembullorë… Po kjo qenka jeta i dashur gjeneral! Vijmë, punojmë, luftojmë, grindemi e ikim shumë shpejt si pasagjerë të një linje të çakorduar… Kështu ndodhi me ty i dashuri Halim. Sa për merakun që kishe, për shënimet që më ke dhënë, të jesh i qetë, pasi ashtu siç kemi bashkëpunuar gjatë bashkë, e di që do të të kem dhe Ty pranë me ato këshilla e sugjerime që shtoje… Shpejt ato do të publikohen, e lexuesi do e takojë përsëri gjeneralin dinjitoz Halim Ramohito…

    I dashur Halim! Është zakon që kur njeri ndahet nga jeta, zgjidhen e thuhen fjalë të mira. Po Ju i meritoni me të vërtetë fjalët e mira. I ke merituar, kur përfaqësoje me dinjitet vendin tënd në Traktatin e Varshavës, i ke merituar në përplasjen me rusët në Bazën e Pashalimanit, i ke merituar në gjyqin ku të akuzuan padrejtësish si ‘armik’, i ke merituar gjatë viteve të gjata në qeli, në internim, por dhe kudo në biseda mes miqve e shokëve ku fjala gjithmonë të zinte vend. Ka shumë për të thënë për Ju gjeneral, por unë do përsëris diçka që më ka mbetur në mendje nga pohimet tuaja dhe që e kam botuar në gazetë. Një nga bashkëvuajtësit tuaj, gjeneral dhe ai, në bisedën që bëhej, vetëm akuzonte Enverin për dënimin e tyre. Pasi mbaroi, Ju iu drejtuat: “Dëgjo i dashur koleg! Nuk është se ne gjeneralëve na pushkatoi dhe dënoi vetëm Enveri! Po kemi fajin tonë, e ne duhet ta themi, veçanërisht tani që po ikim nga kjo jetë. Ti u ngrite për mua e the që ‘është armik’, unë u ngrita për ty, e secili nga ne kështu bëri. Po të kishim kundërshtuar të gjithë, do të ishte ndryshe. Ne mbase do të pushkatoheshim apo dënoheshim me dekada burg, por të paktën, do ishim më dinjitozë me të vërtetën!”.

    Lamtumirë i dashur Gjeneral! Lamtumirë dhe në emër të kolegëve e drejtuesve të gazetës “Telegraf” me të cilën ju bashkëpunuat gjatë. Ju garantojmë se vazhdimisht do të jesh miku ynë. Po ashtu, ngushëllojmë nga zemra bashkëshorten tuaj, fëmijët, nipërit e mbesat të cilëve u iku njeriu më i dashur dhe i shtrenjtë.

    Të qoftë dheu i lehtë, i dashur Gjeneral!