Ndahet nga jeta akademiku Jorgo Bulo

501
Sot është ndarë nga jeta akademiku Jorgo Bulo. Historiani i letërsisë, kritiku letrar dhe profesori Jorgo Bulo u nda nga jeta papritur në moshën 76-vjeçare gjatë një aktiviteti në Përmet.
Në nder të tij edhe Kuvendi i Shqipërisë mbajti një minutë heshtje.
Bulo mban titullin Profesor Doktor dhe është autor i një sërë studimesh në fushën e letërsisë. Ai është një ndër gjuhëtarët që ka bërë shpjegimin e disa termave të shkencës e të teknikës për hartuesit e “Fjalorit të gjuhës shqipe”, botuar në Tiranë, në vitin 1980.
Sigal

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të akademikut të shquar, Profesor Doktor Jorgo Bulos
Me hidhërim të thellë mësova ndarjen nga jeta të akademikut të shquar, Profesor Doktor Jorgo Bulos.
Ikja e Profesor Bulos ka lënë në pikëllim gruan e vajzën dhe familjarët e tij të afërt. Të lënduar nga ikja e papritur janë dhe breza të tëra studentësh, që kanë njohur, dëgjuar e shijuar magjinë e fjalës shqipe nga ai.
Ikja e Profesor Bulos ka lënë pa një mik të çmuar dhe një koleg të vyer miqtë e kolegët e tij të shumtë kudo në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e gjithkund gjetkë, aty ku ka shqiptarë që flasin shqip.
Profesor Bulo, ky historian i klasit të parë i letërsisë dhe filolog i shquar, do të kujtohet gjatë për punën e tij në njohjen, vlerësimin dhe studimin e letërsisë së Rilindjes Kombëtare.
Ky filolog i shquar është pjesë e një plejade të jashtëzakonshme shqiptarësh, puna e të cilëve e ka bërë më të mirë vetë Shqipërinë.
Profesor Bulo ka qenë një nga bashkautorët e veprave monumentale Fjalorit Enciklopedik Shqiptar dhe Historisë së Popullit shqiptar si dhe autor i dhjetëra artikujve shkencorë, për të cilat ka marrë vlerësimin e kolegëve akademikë dhe admirimin e lexuesit.
Ikja e Profesor Bulos ka lënë një boshllëk të madh dhe një dhembje të thellë për këdo që e njohu, për këdo që e lexoi dhe për këdo që do t’i mungojë me gjithë praninë e tij të përhershme nëpërmjet veprës së tij.
Ilir META