Naun KULE/ E mërkura e 20 shkurtit…

    117

                    Mbresa

     

    “Plaç  moj  ditë  e  zezë, moj  ditë  e  mërkurë,

    Na rrëmbeve  Zeqon  burrin deli  burrë…!”

    D.Agolli

      Dritëroi profet, e paska ditur  të zezën e së mërkurës. Kot i qenkemi trembur të martës e të premtes. Se ja, e mërkura e zezë e Dritëroit, erdhi  edhe këtë vit (1991-shin). Erdhi dhe mori me vete një tjetër burrë, më burrë nga Zequa i Dritëroit… Dhe kjo ishte e mërkura e 20 shkurtit, të këtij viti kaq të trazuar sa po zhburrëron  burrat dhe trimëron  anonimët…!

                                                                          ***

    Pikërisht këtë të mërkurë ia kisha taksur familjes. Nëna dhe motra erdhën  të takonin nipin ushtar diku mbi Kinostudio.

    Gjeta një makinë sa i çova pasi shoferët e autobusëve ishin në grevë. I lashë atje dhe u ktheva në zyrë. Do flisja në mbledhjen e orës trembëdhjetë dhe duhej të hidhja ca rreshta në letër.

     Kur iu afrova selisë së komitetit të partisë të Tiranës, (selia e PS, sot), mbajta këmbët. Para hyrjes dhe përanash zyrave tona, gardh me policë, gardistë e sambistë të armatosur me mburoja e helmeta, me skafandra dhe qen policie… Mbajta frymën. Mos kanë sulmuar zyrat? Apo Bankën e shtetit? Të gjitha priteshin. Në Shkodër edhe i kishin djegur. Njerëzit hynin e dilnin me ngut, të heshtur dhe enigmatikë. Edhe kur i pyesje, ngrinin supet dhe iknin tutje. Iknin kot e kot, kuturu, pa e ditur për ku dhe përse…

    Mbledhja ishte anuluar. Përse? Askush s’e thoshte. Alarmi shihej në çdo fytyrë. Nga dera e pasme e selisë doli ministri i brendshëm. Përshëndeti gardistët duke iu rënë shpatullave (i merrte me të mirë apo u kërkonte ndjesë?), dhe rendi me ngut, i ndjekur nga një duzinë djemsh-roje. Tek hynte në makinë, paksa i kërrusur, dukej sikur nuk ecte por rrokullisej nën kokën e madhe, varur e fshehur me shapkën alla Lenin e cila, ia mbulonte qafën e shkurtër dhe zverkun e dhjamur. Po kapërcente mesdita. Nga rruga e Elbasanit dëgjoheshin të shtëna. Thuhej se turma të mëdha, mbledhur gjatë natës në qytetin “Studenti” po zbresin drejt qendrës. Mos do sulmojnë Radiotelevizionin…?

     Ç’nuk po dëgjonim!

    Shikoj që policët dhe sambistët prapa Bankës, ngritën skafandrat si të gatitur për sulm. Njerëzit shohin me frikë dhe pyesin nën zë; Çfarë po ndodh? Kë do sulmojnë? Kush do sulmoj…?!

    Mes zyrave tona dhe Bankës  hesht si në një pritë gjakndjellëse, një makinë luftarake-autobotë, mbushur me ujë dhe një mitraloz i ngrehur mbi të. Ne vërtitemi mes mëdyshjes; të futemi ndër zyra apo të rrimë në oborr…Apo t’ia mbathim  nga…? Ç’të bëjmë de? Se ne jemi nëpunës, rrogëtarë…pyesnim shefat edhe kur shkojmë për kafe. Po sot? As shef, as titullarë, as…

    -Lërini zyrat sot…Dilni në shesh e qetësojini njerëzit…atje, mes tyre! foli nën hundë njeri nga shefat.

    Turmat vërshuan dhe mbushën sheshin. Që sipër xhamisë gjer tek Muzeu kombëtar, nga pesëmbëdhjetëkatëshi gjer tek blloku i ministrive, nxinte nga njerëzia që shpërthente në brohori dhe ulërima. Tani buçet nga thirrjet, “Liri- demokraci, Poshtë diktatura, Poshtë Enver Hoxha, Ushtria është me ne, Policia është me ne…!”

       Një det i tërë njerëzish të egërsuar, të nxitur nga bashkimi mes tyre në këto akte trimërore, çdo çast e më shumë bëheshin të papërmbajtshëm, të pakontrolluar, deri edhe të rrezikshëm… Shihej qartë se turmat dhjetëramijëshe (thuhej mbi 70 mijë), po synojnë bustin e Enver Hoxhës në qendër të sheshit. Atë bust madhështor (për një burrë shteti gjysmëshekulli madhështor…!), para të cilit s’ecte dot kush pa mbajtur këmbët, pa medituar  me sytë në atë fytyrë të bronztë, ndoshta duke mbajtur edhe frymën…Doemos, jo të gjithë nga dashuria për të. Shumë syresh edhe nga frika, edhe nga ankthi, zemërimi dhe urrejtja. Shumë nga ata sot janë këtu, në shesh, madje, në krye të turmave. Janë ata që shfryhen më shumë, brohorasin më fortë, ulërijnë më egër…! Shfryjnë dufin e të djeshmes, marazin, vrerin e mbledhur gulç në dhjetëra vite, në qindra a mijëra net të pagjuma; në terr dhe në tmerr të pafund. Të tjerë në biruca,  qeli e galeri burgjesh, kampe internimesh…Këta njerëz, gjer dje të tredhur dhe trembur gjer në bindje qënore, sot trimërojnë ballaz, ulërijnë fortë dhe kërcënojnë egër…! Zot na ruajt!

     S’matet dot gjer ku ngjitet trimëria e kësaj dalldisjeje popullore, e kësaj llave vullkanike që  digjte dhe zhbënte me gjithsej.

    Tani, thirrjet zotëruese ishin “Poshtë Enver Hoxha dhe Enver-Hitler” Ajo që po dukej sheshit ishte fakti se, këta njerëz, kishin vrarë…frikën! Po, ishte vrarë frika, i vetmi mjet që i paska mbajtur zap, aq urtë, të sjellshëm dhe paqësor këta njerëz.  Tek ua shoh ndërkryerjen e sotme, më duken krejt të panjohur, madje, si të largët, të tjetërsuar në gjithë këto çka po bëjnë, thonë dhe kërkojnë…Policia ndërhyn përsëri. E ndërpret disi ecjen e turmave, por pa rezultat. Njerëzit s’duan t’ia dinë më; janë si në ethe, lëvizin e flasin, këndojnë e ulërijnë si në ekstazë. Të thirrurat ndërpriten për një hop. I ndërpret krisma. Po gjuajnë, gjuajnë me armë…! Kush?  Ku? Cili u vra…? Orteku i njerëzve vargoset për andej, si dallga e një lumi  drejt vaut të porsahapur…Por jo! Askush s’është vrarë. Askush s’ka rënë. Atëherë?!

      Një pardesybardhë, hipur mbi krahët e shokëve flet në megafon:

    -Mos u trembni! Janë fishekë manovre…Është manovër, manovër e diktaturës…! Pas meje…Pas meje! Policia është me ne!  Ushtria….!

     Ja, pra, vërtetë që askush nuk qenka vrarë. Por jo…! Diçka është vrarë, po vritej e vritej përfundimisht. Kjo ishte frika…! Në çdo hap që bënin përpara, në çdo parullë që hidhnin, këta njerëz vrisnin brenda vetes frikën. Trimëria rritej e rritej…Bashkimi, turmat, ulërimat  dhe thirrjet e liderëve pardesybardhë, ua ushqenin trimërinë, i ndiznin. Krismat e armëve i tulatën për një  çast, por vetëm kaq. Lajmi dhe bindja për fishekë manovre ua shtoi trimërinë. Ja pra, ç’qe fitorja më e madhe e këtyre njerëzve, tepër e madhe, e paparë në kaq e kaq vjet, e paprovuar…

    Pikërisht këtë festonin; fitoren mbi frikën. E kishin vrarë përfundimisht. Shihini si qëllojnë me gurë mbi makinën e policisë.

    Sapo u fut një makinë e zezë mes turmave. U sul në shesh dhe shpërndau njerëzit. Nga të gjithë qëllohet me gurë, me drurë, me… Qenka e blinduar…! Ah, edhe e blinduar!? Po pse, pse në shesh…?! Thonë se brenda saj ishte Hekri, ministri i Brendshëm. E ka dërguar Ramiz Alia, thonë.  Breshka e blinduar u vërtit dy a tri herë dhe çau turmën e këputi qafën. Para kësaj tentoi të futet një tjetër makinë në shesh, por u godit aq shumë me gurë sa  mezi doli bythas me xhamat copë-copë.  Ja, tani po futet edhe një autobot me ujë. Edhe uji qenka me ngjyrë, si të kuqe; i zheu e i lagu gjer në palcë. Vërsulej majtas e djathtas sa stepte njerëzit po sërish ata ktheheshin aty paçka se të lagur e llangosur në fytyrë dhe rroba. Shyqyr që dita është me diell Së fundi, çau turmën dhe iku.

     Iu mbarua uji apo iku për t’u zëvendësuar nga qentë. Këta ndërseheshin nga ushtarët për të trembur njerëzit, mbaheshin fortë prej zinxhirëve dhe s’ua hoqën hundëzën e hekurt…Dukej sikur dikush kishte vendosur të demonstronte të gjitha  armët; llojet, mjetet, mënyrat…Ndoshta dikush mbrohej a fshihej pas gjithë këtyre…Ja, të gjitha i përdorëm, por s’e ndaluam dot popullin. Populli…!

     Kësisoj po kapërcente mezi i ditës. Policia vazhdon ende ta mbajë turmën, por jo ku do ajo. Unaza e njerëzve, gjithnjë e më të egërsuar, po ngushtohet drejt bustit të Enverit. Qindra duar hedhin gurë e drurë mbi monument. Thirrjet “Enver-Hitler  dhe Poshtë Enver Hoxha” tani pushtojnë Tiranën. E gjithë kjo, duket si një ëndërr. Njerëzit shajnë, ulërijnë e brohorasin si të dehur kundër Enverit, sa të duket jashtë mendjes kjo që po ngjan, jashtë kohës…Apo jashtë Shqipërisë!? Përndryshe, si munden kaq egër, trimërisht, kaq sheshit dhe ballaz…? Madje, kush janë gjithë këta njerëz? Ku ishin gjer dje? Me kaq inate, mllefe, urrejtje e ligësi të shpërthyera kaq papritur? Shoh përqark.

     Jam ngjitur e ngjeshur shkallëve  pas murit të Bankës së shtetit, mes këtyre ulëritësve tashmë të ngjirur si të dalë mëndsh…Përqark, burra dhe gra të të gjitha moshave dhe niveleve. Të gjithë brohorasin,  por  thirrjet  nuk janë njëlloj.

    -Bjeri qenit, bjeri more, bjeri! Ah, të lumtë dora! Ah…Enver-Hitler, En…

    Tjetri këtej:-Mosni, more njerëz, mosni more shokë…!Pu, pu! Ç’po ndodh more njeri, ç’po na shohin sytë more! Ç’janë këta xhahil, mor amani… Ç’janë xhanëm, ç’janë…!?

    Mundohem ta pyes me sy një grua që shan e çirret para meje me sytë mbi monument. Ajo, ai, burra, gra, nuse, çupa qerpiklyer, veshur me gusto dhe ushqyer mirë.  Turma vazhdon ta ngushtojë Unazën. Policia, si e lodhur (apo e dështuar…?), pakëson ndërhyrjet. Çudi e madhe! Duhej të ndodhte e kundërta. Ç’urdhër kanë  marrë? Nga kush? Cili urdhëron sot? Qentë hungërojnë nën rrjetat e hundëzës së hekurt dhe ushtarët mezi i mbajnë nën zinxhirët që zgjaten dhe mblidhen sa herë dikush kalon afër qenit. Diku pranë monumentit të Skëndërbeut, policë e ushtarë, me skafandra ndër duar, qëndrojnë në heshtje, gjoja në gatishmëri për…

      Rreth orës trembëdhjetë, nga rruga e “21 dhjetorit” u fut një kamion ushtarak (Imfa), i mbuluar.

       Turma i hap udhë se e pandehin me ushtarë. Por jo. Makina i afrohet monumentit nga pas, në shpinë të bustit. Zbresin dy-tre bluxhinësa me kapele të rrasur  gjer në vesh  dhe…

    -Mos, mos…! O zot ç’po ndodh kështu!? Bobo ç’po na shohin sytë…!

    Komshinjtë e mi, ngjeshur pas murit të Bankës, nuk mbahen më. Nuk i mban më as vendi, as zëri i ngjirur, ndoshta, as mendja. Ndryshe, si mund të ulërish kështu, kaq…!? Unë vazhdoj të hesht. Po në të vërtetë, përbrenda ziejë e ulërijë më shumë se këta. Ja, ja, ç’po më shohin sytë…! I pari i bluxhinsave i sapozbritur nga makina, me duart prapa dhe fshehur nën një pallto triçerekëshe, tërheq një kavo teli dhe sakaq, i mbuluar nga dy shokët e vet, vetëtimthi ngjitin mezhdën pas bustit…Mos, o zot! Jo,jo…Gjer këtu s’e kisha menduar!Kurrën e kurrës

      Me një ecje si të ketrit, bluxhinsi iu rras bustit në shpinë. I pari e përfshiu me krah. I dyti u kërrus nën ‘të. Sakaq tjetri kërceu mbi shpinën e shokut dhe, i mbajtur nga i treti, ia hodhi kavon bërë lak, kokës së Enverit…!?Bah, ç’po them? Pas kësaj, merret vesh. Brohoritë, sharjet, goditjet me gurë e drurë, ulërimat tej e tej sheshit u bënë të papërshkrueshme, të pabesueshme për  sytë dhe mendjen e gjithkujt aty. Këta përpara meje:-Lidhe qenin, lidhe fortë, fortë, de! Hidhe poshtë, hidhe qelbësirën…! Të tjerët;-Mos, mos o zot! O zot ku je, ku…?! Oh, sa e tmerrshme, e tmerrshme…Ç’po ndodh kështu o shokë? Bobo, ç’ditë e zezë, ohh!

       Turma buçet dhe sheshi rindizet në ulërima dhe sharje. Bluxhinsat shpejtojnë si të dehur, të përfshirë ethshëm nga deliri i heroit, përpara një bëme madhore (apo makabre…?)  Sidoqoftë, heronjtë e kësaj dite të madhe, janë ata. Ata brohoriten, përgëzohen…

    -Lidhe qenin, fortë, fortë!  Tërhiqe, tërhiqe osh, osh, ashtu bravo, bravo çuna! Zvarrë, zvarrë de…!

      Ky është një mustaqelli që  ulërin tek veshi im. Kthej kokën. Goxha burrë duket. Më tej një nuse qëllon me gurë, mallkon e godet me forcë, me mllef, me inat…gruaje!? Apo me berihajin dhe poteren e turmës së egërsuar…?! Ç’gjë t’i ketë tërbuar kaq papritmas këta njerëz? A mund të mbledh e mbajë njeriu kaq shumë mllef brenda vetes? Kaq e madhe forca shtypëse që mposhti  ndër vite shpërthimin, fjalën, zërin dhe zemrën…? Apo është një turmë frikacakësh që e çuan jetën në brohori e duartrokitje siç e donin presidiumet e kohës dhe sot kuptuan zbrazëtinë e jetës së varfër, mjerane?

    Sot, duket e kuptuan edhe atë, jetën tjetër, atë që bëhet matanë murit të padukshëm (dhe të pakalueshëm), larg “oazit” të shkretëtirës tonë, të komunizmit fitimtar..Asaj që iu premtua, u tha e u tha dhe nuk u bë kurrë, kurrë…! Mirëpo e thëna e pabërë u mbajka mend më shumë se e bëra pa u thënë…Se e thëna është premtim, është besë, është shpresë dhe përkushtim. Dhe, kur s’bëhet e s’bëhet gjer në zhbërje, zarari qenka tepër i madh, i rrezikshëm…! Ja pse gjithçka shoh dhe dëgjoj sot këtu është zhgënjimi i një populli shpresëvrarë…Shtysa dhe hakmarrja e zhgënjimit qenkan tepër të forta, rrënuese me gjithsej…

    …Sheshi tejet i mbushur, nxit dhe nxin (apo zbardh…?), shan, urren dhe gëzon. Brohoret, ulërin dhe kërcen e këndon… kënga “Ejani mblidhuni këtu, bashkë me ne” dëgjohet gjer larg. Makina ushtarake tanimë s’tërheq më vetëm  bustin. Qindra vetë mbi Enverin e shtrirë dhe zvarritur osh, pas makine, përshkojnë sheshin “Skënderbej” dhe ngjiten për në qytetin “Studenti”. Turma-det e furtunë, e shoqëron me buçimë dhe ulërima deri në ekstazë…

    Monumenti i Enver Hoxhës në Tiranë dhe vlerësimi i emrit të tij

    Në një ceremoni madhështore Enver Hoxha u varros në varrezat e dëshmorëve ku ju bënë nderimet e larta si për çdo udhëheqës. Por pas rënies së komunizmit varri i tij u zhvendos tek varrezat në Sharrë, ku ndodhet edhe sot. Menjëherë pas vdekjes së Sekretarit të Parë të PPSH Enver Hoxha, lideri pasardhës i tij Ramiz Alia në mbledhjen e Byrosë Politike propozon që në qendër të Tiranës dhe të vendlindjes në Gjirokastër të ngrihet nga një shtatore në nder të tij, Universitetit të Tiranës i vihet emri Enver Hoxha, portit kryesor të Durrësit, e shumë uzina e hidrocentrale morën emrin e tij. Gjithashtu u krijua Java e Enverit e cila festohej gjithmonë me rastin e ditëlindjes së tij duke punuar me rendimente më të larta për të tejkaluar planin. Monumenti i Hoxhës u përurua në vitin 1988 dhe ishte 8 metra e lartë. Më 20 shkurt 1991 ai u rrëzua nga protestuesit, rrëzimi i tij simbolizonte edhe rënien e komunizmit