Nasip Naço nga Berati : “Jemi në koalicion për qeverisje, jo për të ndryshuar historinë”

    388
    Sigal

    29 Nëntori 1944 është larë me gjakun e 28 mijë dëshmorëve dhe askush nuk ka të drejtë të luajë me të!

    Nënkryetari i Kuvendit dhe deputeti i LSI-së, zoti Nasip Naço mori pjesë dje në homazhet që u bënë në Varrezat e Dëshmorëve në qytetin e Beratit. Duke vlerësuar rëndësinë e madhe të 29 Nëntorit, zoti Naço u shpreh: “Jemi në koalicion për qeverisje, jo për të ndryshuar historinë, data 29 Nëntor 1944 është larë më gjakun e 28 mijë dëshmorëve dhe askush nuk ka të drejtë të luajë me këtë datë sa historike, po dhe aq dinjitoze për popullin shqiptar. Ne duhet t’i nderojmë dhe t’u përulemi të rënëve të luftës, që sakrifikuan, gjithçka të shtrenjtë për lirinë e atdheut e të kombit tonë. Ishin armata të tëra partizane, të reshtura në fillim në çeta, batalione e në brigada partizane, në krah të fuqive të mëdha, Amerikës, Rusisë, Anglisë e Francës të këtij koalicioni antinazifashist, që luftuan dhe çliruan atdheun e troje të tjera ballkanike, të pushtuara gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe këto armata lanë në fushën e betejës 28 mijë dëshmorë të atdheut. Pikërisht, për këtë arsye, më këtë datë, që është vendosur 68 vjet më parë, askush nuk ka të drejtë të luajë me gjakun e tyre”, kështu është shprehur Nasip Naço deputeti i Qarkut të Beratit, njëherazi edhe nënkryetar i Parlamentit, në paraditen e djeshme gjatë pjesëmarrjes në festimet e datës 29 Nëntor, të Çlirimit të Shqipërisë nga nazifashizmi. Në orën 10:00 të paradites së djeshme, nënkryetari i Parlamentit shqiptar z.Naço, i shoqëruar nga krerët e pushtetit vendor dhe të Këshillit të Qarkut Berat, veteranë dhe deputetë të tjerë të këtij qarku kanë vendosur kurora e buqeta me lule në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në prani të qindra qytetarëve dhe të afërmve të familjeve të Dëshmorëve të Kombit. Shkas, për prononcimin e nënkryetarit të Parlamentit shqiptar Naço, për datën historike të 29 Nëntorit është bërë interesimi i medias së shkruar dhe asaj vizive, lokale e kombëtare, teksa ka parë mungesën e pjesëmarrjes të forcave të djathta politike në mos vendosjen e kurorave e buqetave me lule në këtë eveniment të veçantë, siç është data e 29 Nëntorit, e çlirimit të Shqipërisë, pranë Varrezave të Dëshmorëve të rrethit të Beratit. Po dje, në këtë ditë të shënuar në Varrezat e Dëshmorëve, kurora me lule janë vendosur nga veteranët, deputetët socialistë Bello e Braçe, PS, LSI, etj., si dhe nga shoqata atdhetare “Shpiragu”. Kurora e buqeta me lule kanë vendosur edhe familjarët dhe të afërm të familjeve të dëshmorëve . Vlen të përmendet se, ceremonia e vendosjes së kurorave dhe buqetave me lule ka filluar pas interpretimit të Himnit Kombëtar nga banda frymore e qytetit të Beratit. Pas ceremonisë, nënkryetari i Parlamentit Nasip Naço, deputeti Marko Bello kanë qëndruar për disa çaste në kafe në një takim me kryetarin e Bashkisë të këtij qyteti, Fadil Nasufi, ku dhe kanë këmbyer mendime rreth datës 29 Nëntor 1944. Nënkryetari i Parlamentit Nasip Naço ka marrë pjesë edhe më parë në festimet që janë organizuar në kuadër të 100 -vjetorit të Pavarësisë dhe në përurimin e memorialit kushtuar katër Dëshmorëve të Kombit në qytetin e Beratit.

    Zoti Naço, i pyetur për aktivitetin në fjalë, tha : “Ne shqiptarët kemi me se krenohemi në këtë 100 -vjetor të Pavarësisë, në radhë të parë me patriotët tanë, të cilët mbi gjithçka vunë interesat e kombit deri në vetëflijimin e tyre. Një rast i tillë është dhe nderimi që po i bëjmë sot katër dëshmorëve të Kombit, Haredin Fratani, Ismail Klosi, Baki Gjebreja dhe Muharrem Lleshi, që jo vetëm ndihmuan në shpalljen e Pavarësisë, por këta patriotë ndihmuan në mbrojtën e saj, deri në flijim të tyre. Ne sot krenohemi me figura të tilla dhe në çdo moment u përulemi në shenjë respekti dhe nderimi. Po gjatë këtij aktiviteti, kreu i Bashkisë Nasufi vlerësoi me tituj “Qytetar Nderi”dhe “Certifikata Mirënjohje”, figura kontribuuese, në kuadrin e 100- vjetorit, mes të cilëve, Vlashi Papën, Hajdar Sulën, Shyqiri Fugën .

    Erjon Braçe, deputeti i Qarkut të Beratit
    Deputeti socialist Erjon Braçe, ka përshkruar Ditën e Çlirimit të Shqipërisë, 29 Nëntorin në rrjetin e vet social

    “Shekulli i ri për shqiptarët nisi sot!”
    Me “Ditën e çlirimit”, “Ditën e lirisë”! Nëse ka një gjë që na ka mbajtur gjallë në 100 vjet, ajo është lufta për Liri. Por nëse ka një vlerë që na ka bashkuar me Europën, Perëndimin, ai është antifashizmi ynë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Vizioni dhe zgjedhje historike. Ne nuk jemi kokulur prej asaj dite. Për këtë arsye: Nder kombit që jemi fitues! Nder e respekt për të gjithë ata antifashistë që zgjodhën drejt edhe për ne!
    Dua të veçoj: Qemal Stafën, modelin e diturisë, mendimit, qartësisë, pasionit, vendosmërisë, përkushtimit, përballjes, luftës!; Margarita e Kristaq Tutulanit, dy të rinj të tjerë me po aq vlerë që sjellin të qartë Beratin në betejën kundër fashizmit, për Liri. Gëzuar Ditën e Lirisë. Gëzuar Shekullin e ri! (Unë nga Berati, ti kudo që të jesh).