Nasip Naço: “LSI është lokomotiva e së Majtës së bashkuar”

443
Sigal

ZGJEDHJET 2013/ Flet pas fitores deputeti i LSI, Nasip Naço: “Berati është i majtë dhe duhet ta drejtojnë të majtët”

Deputeti i ri i Parlamentit Shqiptar dhe njëkohësisht sekretari politik në Qarkun e Beratit, z.Nasip Naço, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Telegraf” është shprehur se, Lëvizja Socialiste për Integrim është lokomotiva e së Majtës se bashkuar. Këtë intervistë z.Naço e ka dhënë pas përfundimit të procesit të numërimit të votave, ku LSI ka fituar dy mandate deputetësh. Z.Naço këtë fitore e ka vlerësuar shumë dhe është shprehur se LSI është forca politike, e cila ka vizione të mëdha për zhvillimin e Shqipërisë.

Z. Naço urime për fitoren. Kujt ia dedikoni suksesin e arritur dhe si do të jetë qeverisja në koalicion?

Ne jemi në koalicion me të Majtën e bashkuar dhe si të tillë do t’i mbetemi besnik asaj që kemi nënshkruar. Të fitosh dy deputetë në Qarkun e Beratit është një fitore e madhe për këtë forcë politike, po ashtu edhe për liderin e saj. Këtë fitore unë ja dedikoj punës së madhe të bërë nga LSI dhe në veçanti punën e bërë nga lideri i saj Ilir Meta, i cili kreu një volum pune kolosale, madje të gjithë aktivistët e LSI-së në këtë fushatë shkuan derë më derë për të kërkuar votat me një premtim në dorë.

A mendoni se në këto zgjedhje patët edhe mbështetjen e zonës gri?

Sigurisht që ne patëm një mbështetje të madhe edhe nga personat e dy forcave politike, që ishin të lëkundur. Është për t’u theksuar se numërim më të madh që ne thithëm janë simpatizantët e Partisë Demokratike. Kjo ndikoi shumë në rritjen e përqindjes së partisë tonë. Ata të pakënaqur nga drejtimi i partisë së tyre pasi kishin mbetur dhe papunë, bënë një largim të menjëhershëm dhe iu bashkuan LSI-së. Ne kemi shumë raste të kësaj natyre, ku ata kanë kërkuar vetë që të na takonin, pasi donin që t’i bashkoheshin LSI-së. Madje, në radhët tona kanë ardhur dhe shumë nga ata persona që kishin qejfmbetje me Partinë Socialiste. Ne jemi forca që i kemi të hapura dyert për të pritur simpatizantë të ndryshëm. Pasi ne nuk i zhgënjejmë ata.

Sa do t’i përmbushni premtimet e dhëna përpara elektoratit?

Ne jemi përballë një sfide të madhe. LSI tashmë radhitet në vendin e dytë në Qarkun e Beratit pas Partisë Socialiste, e cila është në krye të tabelës. Ne mposhtëm Partinë Demokratike dhe u radhitëm në vendin që na takon. Berati është i majtë dhe duhet ta drejtojnë të majtët. Dhe këtij qëllimi elektorati ja arriti. Ne jemi përballë një premtimi të madh, atë të Rilindjes së Shqipërisë dhe ne do ta mbajmë këtë premtim që kemi shprehur përpara elektoratit tonë. Ne do ta mbajmë ‘fjalën e burrit’ dhe do t’i realizojmë të gjitha premtimet si në ndërtimin e infrastrukturës, turizmit si dhe do të hapim vende të reja pune.

Meqenëse numërimi i votave ka përfunduar, si është rezultati i LSI-së në Qarkun e Beratit?

Ne kemi një fitore të thellë në rrethin e Kuçovës krahasuar me zgjedhjet e mëparshme. Në Kuçovë LSI ka marrë 3695 vota, në qytetin e Beratit 5628 vota, në Skrapar 5223 vota, në Urë – Vajgurore ka marrë 2998 vota. Pra në total LSI, ka marrë 4000 vota më shumë se në zgjedhjet e mëparshme Parlamentare. Kjo tregon se, ne kemi një rritje shumë të shpejtë në radhët e kësaj partie.

Qarku i Beratit:

Zgjedhësit e Regjistruar   175.794

Numri total i vendeve të zgjedhjeve 302

Rrethi i Beratit ka 2 bashki dhe 10 komuna

(Bashkia Berat, Bashkia Urë-Vajgurore, Komunat janë Cukalat, Lumas, Poshnje, Sinjë, Velabisht, Kutalli, Otllak, Roshnik, Tërpan, Vërtop)

Zgjedhësit e Regjistruar   117.156

Numri total i vendeve të zgjedhjeve 198

Rrethi Kuçovë ka 1 bashki dhe 2 komuna

(Bashkia Kuçovë dhe Komunat Perondi dhe Kozare)

Zgjedhësit e Regjistruar   37.361

Numri total i vendeve të zgjedhjeve 58

Rrethi Skrapar ka 2 bashki dhe 8 komuna

(Bashkia Çorovodë, Bashkia Poliçan dhe komunat janë Bogovë, Gjerbës, Potom, Vëndreshë, Cepan, Leshnje, Qendër Skrapar dhe Zhepe)

Zgjedhësit e Regjistruar   21.277

Numri total i vendeve të zgjedhjeve 46

Deputetët e Qarkut të Beratit

Partia Socialiste  – 4 deputetë

– Fidel Ylli, Ermonela Felaj, Eduard Shalsi, Eduart Bejko

Lëvizja Socialiste për Integrim – 2 deputetë

– Nasip Naço, Gledjon Rehovica

Partia Demokratike – 2 deputetë

– Genc Pollo, Astrit Veliaj