Nase JANI/Prapë tellall do të jesh, por tellall-deputet…

541
Sigal

Në Pazar flet me hinkë, kurse në Parlament do flasësh me mikrofon…

“Tek ne nuk pyet njeri.  Ata që dinë s’kanë kë të pyesin dhe ata që s’dinë s’kanë pse të pyesin. Të gjithë tek ne e dinë se i dinë të gjitha…”

 Gryka e Lumit ishte vendi ku grumbulloheshin fshatrat e zonës në ditën e pazarit. Dhe, qysh kur ishte shpikur shkëmbimi i mallit me mall dhe i mallit me para, aty te Gryka e Lumit bëhej pazari. Çnuk shitej e çnuk blihej! Që nga kripa e Durrësit, që shitej me të shtrenjtë ndaj flitej edhe ajo shprehja “Çmime të kripura”, siç thoshin tregtarët e kripës: “E lirë kripa në Durrës, por të ha qira e udhës”… I dinin vlerën kripës, pa kripë nuk gatuhej as buka e as gjella. Dhe pastërmaja e dimrit zinte krimba… dhe djathi i napës, sa ta kulloje, pritej feta-feta e shtohej në bute duke e shtruar dhe mbuluar me kripë… dhe bakllavanë nuk e zinte sheqeri po të mos i hidhje dy kokrra kripë-thoshte usta-Lluka, që kishte bërë kuzhinë-Stambolli e kuzhinë-Europe dhe ishte kuzhinieri i dasmave të krahinës…. Por pazari i Grykës së Lumit shquhej edhe për samarët e gomarëve, mushkave e kuajve, që usta Meçja jo vetëm i mbushte mirë e i qepte me spango të dyllosur, por i zbukuronte edhe me motive që i shkonte samarit. Tek samarët e kuajve gdhendte me biçak dy kuaj fluturues, kurse te samarët e gomarëve: një kokë gomari dhe një lule-gjembaçi. Në Pazar gjeje lesh-dele e thurje-leshi, që nga trikot e çorapet e deri tek sharku i çobanëve, që kërkonte lesh-bashke apo lesh nga kurrizi i deleve, që ishte më i gjati dhe jo lesh-barku e bishti, që thureshin veshjet e lehta. Por më të kërkuarat ishin “flokatet” e grave, që thureshin me bashkë-leshi e qëndiseshin me fije-ari…  Tek ai Pazar, me nam ishte edhe pazari i kafshëve. Jo vetëm viçat e lopëve e kërriçat e gomaricave, jo vetëm qengjat e deleve e kecat e dhive, që ishin të zakonshmit, por gjeje edhe ndonjë sorkadhe-mali, dhi të egër, dhelpër e ujk të gjallë apo ndonjë nuse-lale, që ngjante si ketër i parritur.

E veçantë, që nuk e gjeje në gjithë pazaret e tjerë ishte tellalli i pazarit. Sipas pagës që merrte nga shitësit, tellall Sela, vinte një llullë teneqeje në gojë dhe bërtiste: Dëgjoni këtu-dëgjoni këtu: Sot në pazar gjeni: zile me dy gjuhë për cjep përçorë dhe bype për desh kopeje… Dëgjoni këtu-dëgjoni këtu: Sot në pazarin tonë një varg me qepë këmbehet me një palë atlete “nike” të ardhura nga kasabaja… dhe një ujk i gjallë shkëmbehet me një gomar me gjithë samar.

Të gjithë shisnin e të gjithë blinin dhe të gjithë fitonin… por më i fituar dilte tellalli, që as shiste as blinte dhe fitonte në “të thatë”. Vendin e tellall Selës e lakmonin shumë, por ai e kishte lejen nga kryetari i komunës dhe kishte miqësi me një ministër e deputet të asaj zone dhe s’kishte burrë që t’ia zinte tellallisjen.

Ai deputeti-ministër e mbajti fjalën e dhënë para votuesve të zonës, u ngriti një urë-këmbësorësh, që të lidheshin fshatarët e dy anëve të lumit. I mblodhi fshatarët në një ditë pazari e në një ditë behari e u tha: “Fshatrat e “anës së këtejme” meqenëse kanë pyllin të sjellin drurët, fshatarët e “anës së përtejme” të sjellin rërë e zhavorr nga lumi, çimenton ta blini vetë me shtesën e pensionit, që qeveria jonë e suksesshme ua ngriti në korrik e do t’i merrni së shpejti; peronat për t’i mbërthyer dhe litarët për t’i lidhur do t’jua sjell unë nga ndihmat që më ka dhënë një miku im i ngushtë nga Iraku… U bë si u bë dhe deri në fund të vjeshtës ura këmbësore u ngrit. Tani në Pazar venin e vinin edhe vajzat që do të bëheshin nuse, edhe pleqtë e plakat, edhe çamarrokët e shkollës fillore të krahinës, që mblidheshin të gjithë te shkolla e qendrës dhe bëheshin a s’bëheshin 17 nxënës për të katër klasat.

Ura kishte tre vjet që ishte ndërtuar dhe dy vjet që ishte prishur. “Këtë dru e kam vendosur unë… Ky është trari që ka prerë babai im, ndjesë pastë…!”  Dhe ura u prish sikur të mos ishte ngritur asnjë herë. Edhe deputeti-ministër nuk u kujtua më për urën “e tij”. Vetëm në një debat-televiziv kishte thënë me mburrje: “Në zonën time qytetarët e fshatrave venë e vinë te pazari më i madh nga ura që ka ndërtuar qeveria jonë e suksesshme…” dhe tregonte si kishte prerë shiritin e përurimit, pastaj si kishin bërë zakonet e zonës me mish në hell e me verë të mbajtur në qilar, për katër vjet, që në fushatën elektorale të parazgjedhjes së tij deputet…

Por fshatarët e zonës e kishin harruar deputetin e krahinës, që s’e dinin ku kishte lindur (se nuk ishte nga krahina e tyre), ku ishte rritur e ku ishte mençuruar. Ata, edhe pa urë shkonin në Pazar, shisnin e blinin, shihnin njëri-tjetrin e dridhnin nga një duhan, bënin edhe ndonjë krushqi për ato vajza që kishin mbetur në fshat, me ata djemtë që vinin nga kurbeti në behar me makina… Edhe urën e kishin harruar si e ngritën e si e prishën. Vetëm nuk harronin atë turistin e huaj që kishte ardhur atë vit e i kishte rënë pazarit nga kreu në fund e nga ana në anë. Pastaj nuk kishte vajtur te shtëpia e kryetarit të komunës për darkë, por te shtëpia e tellallit. Dhe i huaji, nga Anglia, kur iku shkroi një libër me përshtypje nga pazari i Grykës së Lumit me titull “Stan i madh përtej tek ura…”. Librin ia dhuronte “tellallit” që e ishte bujtur atë natë pas pazarit dhe gjithë të ardhurat e shitjes së librit do i fitonte “tellalli”. Libri ilustrohej me mbi 100 fotografi nga pazari dhe në kapak ishte tellalli me hinkë në gojë, hipur mbi një samar-gomari dhe “pazari”që mbante vesh tellallin. Dukej dhe një pjesë e urës me dru-mali e me zhavorr-lumi e posa ndërtuar. Libri pati shumë sukses. Që në pazarin e parë u shitën 273 copë. E blinin edhe ata që nuk u dukej fytyra e nuk u shkruhej emri në asnjë fletë të librit, kurse ata që ishin në libër blinin nga 5-6 copë edhe për djemtë e vajzat që kishin jashtë shtetit e për fshatarët që kishin ikur nga fshati e nuk kishin pasur fatin që të dilnin te libri i turistët nga Anglia. Disa kryepleq të fshatrave të zonës së malit, i bënë kërkesë Këshillit të Komunës dhe kryetarit që ta shpallnin “Qytetar Nderi” të fshatrave, anglezin, por kryetari nuk e kishte miratuar akoma se nuk i kishte zbritur inati që anglezi kishte fjetur te “tellalli” dhe jo te “krye-komunari”.

Për emrin e librit “Stan i madh përtej tek ura…” as i kish vajtur ndonjërit mendja që ta mendonte. Edhe tellall-Sela, që mendonte për gjithë “reklamat” e pazarit nuk e kishte lodhur shumë mendjen e vetë. Kishte pyetur një herë veten: “Për cilin “stan” e kishte fjalën anglezi, për bagëtinë që shiteshin në Pazar, apo për njerëzit që mbushnin pazarin dhe shisnin e blinin bagëti, lesh e kripë? Por pastaj i kishte thënë vetes: Ç’të duhet “stani” ty! Kur të tjerët s’të pyesin ty, që je në kapak të librit, pse do pyesësh ti veten?! Mbante mend fjalët e xha Mihalit që kishte thënë një herë para se të vdiste: “Tek ne nuk pyet njeri. Ata që dinë s’kanë kë të pyesin dhe ata që s’dinë s’kanë pse të pyesin. Të gjithë tek ne e dinë se i dinë të gjitha…”

                                                               ***

Vitet kalojnë dhe erdhi përsëri koha e fushatës së zgjedhjeve për deputet të parlamentit. Në zonën e Grykës së Lumit kishin kandidatë dy partitë e mëdha, që kishin bërë “federata” sipas grupit të gjakut dhe një parti e tretë, që thoshte se ishte më e madhe se dy të mëdhatë. Çdo parti kishte menduar që të befasonte me shpalljen e kandidaturave. Nuk dihej as emri i kandidatëve e as dita e mitingut që do shpalleshin kandidatët. Kishte më mirë se dita e pazarit për të bërë shpalljen e kandidatëve?! Por cila parti do tregohej më e zgjuar e më dinake që të vente te pazari i parë i atij muaji e të “thithte” elektoratin. Askujt nuk i mungoi zgjuarsia dhe dinakëria. Atë të diel rrugët u mbuluan me pluhurin e makinave që vinin nga Tirana dhe pazari u mbush me nga ata që “as shisnin e as blinin” siç ndodhte gjithmonë te ai Pazar me nam. Atë të diel Pazari-tët e krahinës do dëgjonin “kandidatët” e tyre për deputetë dhe do duartrokisnin, që t’i votonin ditën e “kutisë së votimit”… Një nga të deleguarit, e njërës nga partitë e mëdha, që e dinte “namin” e “tellallit” që kishte shkuar deri në Angli dhe kishte dalë në kapakët e librit të pazarit, e kishte thirrur “tellallin” në qytet dhe i kishte thënë:

-Partia ka menduar që Ti do jesh deputeti i ardhshëm i zonës… Do kandidohesh nesër në ditën e pazarit. Me vete do kesh edhe gjithë librat që të kanë ardhur nga Anglia…

-Po unë jam tellall, nuk e ndërroj zanatin tim.

-Prapë tellall do të jesh, por tellall-deputet… Në Pazar flet me hinkë, kurse në Parlament do flasësh me mikrofon…

-Mirë, po do vazhdoj të jem akoma tellall e pranoj të jem deputet-tha  Sela.

Në tre vendet më të rëndësishëm të pazarit u ngjitën përfaqësuesit e dy partive më të mëdha dhe të partisë së tretë, që pandehte se ishte më e madhe se dy partitë e tjera dhe nisën shpalljen e kandidatëve. Dy nga partitë i kishin sjellë me vete “kandidatët”, kurse ajo më dinakja e kishte  gjetur mes “Pazarit” të Grykës së Lumit, apo pazarit “Stani i madh përtej tek ura..”, që i kishte mbetur pas ardhjes së librit, me të njëjtin titull, nga Anglia. Ai ishte vetë “spikeri” i pazarit siç flisnin ata të parlamentit…

Nisën fjalimet prezantuese. Njerëzit nuk dinin nga të shkonin e kë të dëgjonin. Të gjithë e nisën fjalimin me premtimin që lidhej direkt me jetën e fshatarëve të “Pazarit”.

-Do ndërtojmë urën që ju, fëmijët tuaj….

-Ura është përparësia jonë, deputeti….

Po bëhej një “zallamahi” aq e madhe sa edhe kafshët e trembura të pazarit lëshonin tingujt e tyre të frikës, të rrëmujës e të mbrojtjes…

-Partia ime dhe partia juaj e di se çfarë kërkoni ju-E para Ura… por këtë ëndërr do e bëjë realitet deputeti juaj i ardhshëm “Tellalli, Sela Bishti”, që i ka miqtë e tij deri në Angli e në Europë. Me deputetin tuaj ju do hyni të parët në Europë dhe rruga për Europë do shkojë nga ura juaj e re-mori një herë frymë thellë, lexoi kapakun e librit “Stani i madh përtej tek ura….”, tundi librin lart dhe i tha “tellallit”-vazhdo ti tashti!

Njerëzit e pazarit, që s’dinin nga të ktheheshin e kë të dëgjonin, vazhdonin zhurmën mbytëse…

Tellalli vuri hinkën në gojë dhe, me sa fuqi që kishte, foli:

“Dëgjoni këtu, jam unë tellalli juaj që do jem edhe tellall në parlament: Dëgjoni po ju them: “Stani i madh përtej tek ura, pirdhni gra e pirdhni burra…”

Për një çast sheshi i pazarit heshti, si i goditur nga mungesa e oksigjenit, pastaj u dëgjuan disa grupe-britmash:

-Thuaje prapë, thuaje prapë!-dhe njerëzit po mblidheshin nga tellalli që po fliste.

-Po e them e do ta them gjithmonë, jo vetëm me hinkë këtu te pazari ynë, por edhe me mikrofon në parlament…-Thuaje, thuaje, thuaje!-dëgjoheshin britma njerëzish në kor.

Stani i madh përtej tek ura, pirdhni gra e pirdhni burra!

Gjithë pazari duartrokiti dhe, si asnjë herë, e rrëmbyen “tellallin” nga mbi-samari ku kishte hipur e morën-hopa në krahë dhe e hidhnin përpjetë duke përsëritur “Stani i madh përtej tek ura, pirdhni gra e pirdhni burra”… urra, urra  dhe duke brohoritur: Përpara, përpara! Fitore! Fitore!