Nard Ndoka: Rama, pasardhësi i Hamza Kastriotit e jo i Skëndërbeut

570
Nard Ndoka, Kryetar i PDK-së, duke iu drejtuar mijëra mbështetësve të opozitës në protestën para godinës së Kryeministrisë, tha se sot jemi kundër një personi që është zhytur në kazanin dhe tepsinë e tij.
“Sot jemi këtu për ti bërë thirrje Edi ramës të largohet një orë e më parë “, tha Ndoka.
Sipas tij, në 4 vitet e qeverisjes Rama jo vetëm nuk e mbajti premtimin për hapjen e 300 mijë vendeve të punës, por largoi nga Shqipëria 300 mijë shqiptarë që votonin kundër tij.
Ndoka tha se paratë e premtuara për ish-të përndjekurit politikë po shkojnë për persekutorët e tyre.
“Harxhoi miliona euro për të mbjellë palma që u thanë, por nuk dha asnjë euro për të ndërtuar muzeun e krimeve të komunizmit.
Rama krijoi një qeveri me shokët e lagjes dhe shokët e sportit, ndërsa gjithçka nuk funksionon në bazë të ligjit, por sipas urdhërave të shefit.
Shqiptarët presin reformën në drejtësi, por Edi Rama e hodhi në erë reformën, duke emëruar në postet kyçe të drejtësisë miqtë e partisë.
Apeli ynë drejtuar SHBA dhe BE-së është: bëjeni reformën për shqiptarët dhe jo për t’u mbrojtur Edi Rama dhe miqtë e tij”, tha Ndoka.
Në vijim, kreu i PDK tha se Rama nuk do shtet, por kërkon një pushtet pa rregulla, pa kontroll dhe ku bandat mafioze emërojnë drejtuesit e institucioneve. 
“Rama na shpalli 2018 si vitin e Skëndërbeut duhet ta dijë se vetëm dy njerëz kanë bërë libra kundër heroit tonë kombëtar: një është miku i Ramës dhe tjetri është Kryeministri. Ai po sillet si pasardhës i Hamza Kastriotit”, tha Ndoka.
Sigal