Naim Frashëri/ TRADHETORET

    1142
    Sigal

    Shokë, kemi në mes tënë

    shum’ armiq’ e tradhëtorë!

    Popo, mos u qoftë thënë,

    veç që s’kanë gjë në dorë!

    Harruanë Mëmëdhenë,

    dh’ e lanë kombinë tënë

    e një tjetërë na gjenë!

    Popo, mos u qoftë thënë!

    Lanë zonjën’ e lëvduar

    e zunë një kurvë shtrigë,

    të ndyr’ e të mallëkuar,

    të fëlliqur e të ligë!

    Lanë mëmën të zhveshur

    dhe mundohenë për botë,

    pa dhe bota, duke qeshur,

    u thotë: Mundohi kotë!

    Qysh u bënë Efialtë,

    e nuk’ e njohin të mirën,

    uthullën pendehin mjaltë

    edhe dritë errësirën!

    Buk’ e Mëmëdheut i zëntë

    tradhëtorët e pabesë,

    dhe zoti dërmën u dhëntë,

    kurrë mos paçinë pjesë!

    Miqt’ armiq i kanë bërë,

    armiqëtë miq i zunë,

    qysh janë fyell të tërë,

    ç’është kjo e madhe punë?!

    Fajn’ e madh kur do ta njohin

    njerëzit e mallëkuar?

    Dritënë pse nuk’ e shohin,

    apo janë të verbuar?

    Janë së gjithash të marrë

    dhe të liq me të vërtetë,

    Mëmëdheut i bëjnë varrë,

    po do të bienë vetë.

    Se mbretëron e vërteta,

    s’dei kurrë gënjeshtr’ e shkretë;

    t’ish ashtu, qe prishur jeta,

     s’kish mbetur gjë e vërtetë.

    Ata turpinë fitojnë,

    nder’ e tyre posht’e hedhin,

    dhe armiqëtë gëzojnë,

    e në errësirë bredhin.

    Nuk është kurrë harruar

    dh’e mira dh’e lig’ e shkretë,

    të gjitha janë paguar,

    s’ka mbeturë gjë në jetë…

    Opopo, ç’turp kanë marrë,

    janë bërë tradhëtorë,

    dhe s’janë më shqipëtarë,

    se nga kombi hoqën dorë!..

    Vëllazërin’ e harrojnë

    dhe kombin’ e mëmëdhenë,

    dhe armiqëtë dëgjojnë

    edhe s’dinë se ku venë,

    Hiqni dorë, hiqni dorë,

    mblidhni mend’ e turpërohi;

    mos u bëni tradhëtorë,

    se pastaj do të pendohi!