Naim Frashëri/ Poezi

    535
    Sigal

    Naim Frashëri u lind më 25 maj 1846 në Frashër të Përmetit dhe vdiq më 20 tetor 1900 në lagjen “Erenqoj” të Stambollit

    Falja

     Zot i math e i vërtetë

    Që kreve ç’ shohëm në jetë,

    Edhe të tjerë që janë

    Pa funt pa krye pa anë,

    Edhe kudo je ti vetë,

    Syri yn tekdo shikon,

    Që nga lint e gjer tek perëndon,

    Më çdo vënt të sheh fuqinë,

    Urtësin’ e madhërinë,

    Falna gjithë mirësitë,

    Epna dituri e dritë,

    Tregona udhën’ e mirë,

    Mos na lerë n’errësirë,

    Dhurona gjithë të mirat,

    Mërgona nga të pështirat.

    Zot! falna vëllazërinë,

    Dashurin’ e miqësinë,

    Epna dëshirë të msojmë,

    E të mirat të punojmë,

    Bëna të but’ e të qetë,

    E të urt’ e të vërtetë,

    Jetënë ta trashëgojmë

    Gjuha jonë

    Vëllezër shqipëtarë!

    Të prekim urtësinë,

    Të zëm’ udhën e mbarë,

    Të ngjallim Shqipërinë.

    Shqipëria ka qënë

    Edhe po do të jetë,

    Po sot në ditët tënë

    Të metë të mos ketë.

    E ka nderuar zoti

    Gjithënjë Shqipërinë,

    Ish fort mirë qëmoti,

    Do bëhet dhe taninë.

    Sa ishte trimëria

    N’atë kohë të vjetrë,

    Kish emrë Shqipëria,

    Sa s’kish nonjë vënt tjetrë.

    Sa burra kordhëtarë

    Ka nxjerrë Shqipëria

    Më pastaj e më parë,

    Q’i shkruan istoria!

    Ajo ish koh’ e zjarrtë

    Dhe kish mundime tepër,

    Po sot pëndë dhe kartë

    Na duhet, nukë tjetër.

    O burra, shqipëtarë,

    Të marrim dituritë,

    Se s’është koh’e parë,

    Tani lipsetë dritë.

    Të shkruajm’ gjuhën tënë,

    Kombinë ta ndritojmë,

    Gjithë ç’është e ç’ka qënë

    Ngadalëzë ta msojmë.

    pa shihni ç’gjuh’ e mirë!

    Sa shije ka e hije,

    ç’e bukur’edh’e lirë,

    Si gjuhë perëndie.

    Shum’e bardhë kjo ditë

    Për gjithë shqipëtarët,

    Do na sjellë një dritë,

    Që s’e kishin të parët.

    Kjo dritë do na bjerë

    Të gjitha mirësitë

    Dhe gjithë do t’i ngrerë

    Dëmet e marrëzitë.

    Si lum kush zë të mbjellë,

    Lum kush vë këtë pemë!

    Se kjo ka për të pjellë,

    S’mbulohetë me remë.

    GJUHA E ZEMRËS

    Flet natyra në çdo çast në këtë botë

    Dhe të fshehtën që ka brenda shkoqur thotë,

    Herë flet me pëshpëritje, me ngadalë.

    Her’ me fjaln’ e trupëzuar, her’ pa fjalë.

    Kaq të fshehta i thotë era trëndafilit,

    Këto thotë dhe rënkimi i bilbilit.

    Gjithë sendet dhe ç’përmban kjo gjithësi

    Nxjerrin shfaqin, kaq të fshehta dhe çudi.

    Reja, era, lumi, deti i shkumbëzuar,

    Malet, fushat dhe livadhet e bleruar,

    Qielli, yjet dhe të tjera një nga një,

    Flasin qartë, flasin bukur sa s’ka më.

    Prandaj zëmërës kjo gjuh’ i është dhënë

    Që t’i thot’ asaj të fshehtën e pathënë.

    Këtë gjuhë e dëgjojnë dijetarët,

    Rrugënjohësit e dijes, zbulimtarët