Naim Frashëri/ Bagëti e Bujqësi

    485
    Sigal

    O malet’ e Shqipërisë e ju o lisat’ e gjatë!

    Fushat e gjëra me lule, q’u kam ndër mënt dit’ e natë!
    Ju bregore bukuroshe e ju lumenjt’ e kulluar!
    Çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pylle të gjelbëruar!
    Do të këndonj bagëtinë që mbani ju e ushqeni,
    O vendëthit e bekuar, ju mëndjen ma dëfreni.

    Ti Shqipëri, më ep nderë, më ep emrin shqipëtar,
    Zëmrën ti ma gatove plot me dëshirë dhe me zjarr.

    Shqipëri, o mëma ime, ndonëse jam i mërguar,
    Dashurinë tënde kurrë zemëra s’e ka harruar.

    Kur dëgjon zëthin e s’ëmës qysh e le qengji kopenë,
    Blegërin dy a tri herë edhe ikën e merr dhenë,
    Edhe në i prefshin udhën njëzet a tridhjetë vetë,
    E ta trëmbin, ajy s’kthehet, po shkon në mes si shigjetë,
    Ashtu dhe zëmëra ime më le këtu tek jam mua,
    Vjen me vrap e me dëshirë aty nër viset e tua.

    Tek buron ujët e ftohtë edhe fryn veriu në verë,
    Tek mbin lulja me gas shumë dhe me bukuri e m’erë,
    Ku i fryn bariu xhurasë, tek kullosin bagëtija,
    Ku mërzen cjapi me zile, atje i kam ment e mija.
    Atje lint diell’ i qeshur edhe hëna e gëzuar,
    Fat’ i bardh’ e mirësija në atë vënt janë mbluar;
    Nat’atje’shtë tjatrë natë edhe dita tjatër ditë,
    Në pyjet’ e gjelbëruar, atje rrinë perënditë.

    Mendje! merr fushat e malet, jashtë, jashtë nga qyteti,
    Nga brengat, nga thashethemet, nga rrëmuja, nga rrëmeti.

    Tek këndon thëllëza me gas edhe zogu me dëshirë,
    E qyqja duke qeshur, bilbili me ëmbëlsirë,
    Tek hapetë trëndafili, atje ma ka ënda të jem,
    Bashkë me shpest edhe unë t’ia thërres këngës e t’ia them;
    Të shoh kedhërit’ e shqerrat, deshtë, cjeptë, dhëntë, dhitë,
    Qiellin’ e sbukuruar, dhenë me lul’e me dritë.

    Vashë bukurosh’e bariut! që vjen me llërë përveshur,
    Me zemërë të dëfryer e me buzëzë të qeshur,
    Me dy shqerëza ndër duar, të bukura si dhe vetë,
    Në sythit tënt e shoh gazë, që s’e kam gjetur ndë jetë.
    Dashi sysk e me këmborë, q’e ke manar, po të vjen pas,
    Dhe qeni me bes’ i larmë të ndjek me dëshir’ e me gas.
    Dashç Perëndinë, pa më thua, a mos na pe bagëtinë?
    – Pash’ atje pas më të gdhirë,… ja atje përtej tek vinë!

    O! sa bukuri ka tufa! Sa gas bije bagëtija!
    Vinë posi mblet’ e plotë! I bekoftë Perëndija!
    Nëpër shesh’ e nër bregore janë përhapurë shqerrat,
    E kecërit nëpër rripat dhe në gjethet e në ferrat;
    Sa me vrap e me gas bredhin edhe lozin shok me shok,
    Aty përhapenë me nxit aty mblidhenë prapë tok,
    Edhe prapë tufë-tufë përhapenë duke bredhur,
    Duke ikur me vrap shumë, duke lojtur, duke hedhur.
    Nxitojn’ e s’lodhenë kurrë edhe, kur i merr urija,
    Secili futet në tufë, suletë ne mëm’ e tija,
    Posa gjen mëmën e dashur edhe me vrap i hyn në gji,
    Rri më gjunjë dhe zë sisën e qumështin e ëmbël pi;
    Pa e ëma me mall shumë, ndo dhi qoftë a ndo dele,
    Bir’ e vetëm e merr në gji me gas e me përkëdhele.

    Sa të mirazë ke dhënë, Zot i math e i vërtetë!
    E ç’nom të bekuar vure për çdo gjë q’është në jetë!

    Sa më pëlqen blegërima, zër’i ëmbël’ i bagëtisë,
    Qëngji edhe kec’i bukur, që rri më gjunj’ e pi sisë!
    Përhapurë bagëtija nëpër sheshe, nëpër brinja,
    Nër lajthi e nëpër dushnja, ndër murriza, në dëllinja;
    Bijen zilet’ e këmborët e fyelli e xhuraja,
    Dheu bleron e gjelbërojnë fusha, male, brigje, maja,
    Edhe gjithë gjë e gjallë ndjen në zemër një dëshirë,
    Një gas t’ëmbël’ e të shumë, o! sa bukur e sa mirë!
    Pelën e ndjek mëz’i bukur, lopës i vete viçi pas,
    Dellëndyshja punëtore bën folenë me të math gas,
    Ogiçi ikën përpara, i bije tufës në ballë,
    Me zemër të çelur shumë vete si trimi me pallë,
    Zoqtë zënë këng’ e valle dhe po kërcejn’ e këndojnë,
    E nëpër dega me lule si ëngjëllit fluturojnë,
    Larashi ngrihet përpjetë, thua q’i shpie Perëndisë
    Një lëvdatë të bekuar për gëzimt të gjithësisë…

    …Tomor! o mal i bekuar, fron i lartë, që rrij Zoti,
    Pas fesë vjetrë që kishinë shqipëtarëtë qëmoti,
    Dhe ti Mali-Plak i lartë, që me syt’ e tu ke parë
    Luftëra të mëdha shumë e punë që kanë ngjarë.
    O malet’ e Shqipërisë, që mbani kryet përpjetë,
    Tëmerr e frikë përhapni, përpini qiejt e retë!
    Të patundurë përjetë jini, pa, kur oshëtini,
    Udhëtarit në zemër frikë të madhe i vini;
    Keni shkëmbënj, gërxhe, lisa, lumënj dhe dëborë ndë gji,
    Përsiprë lulez’ e gjethe dhe brënda ergjënt e flori,
    E ju fusha bukuroshe edhe të majm’e pëllore,
    Ju sheshet e lulëzuar, ju bregore gjelbërore,
    Q’u fali Zoti të mira, u mba me shumë pekule,
    U dha bar e gjeth e veri, zoq e flutura e lule,
    Zemërn’ e varfërë time aty ndër ju e kam mbluar,
    Tek buron nga gjithi juaj uj’i ftoht’ e i kulluar;
    Jam lark jush i dëshëruar edhe s’e duronj dot mallë,
    Po s’e di si dua unë do t’u shoh një herë vallë?

    …O flutura krahëshkruar, që fluturon nëpër erë,
    As merr dhe zëmrënë time me vehtezë dhe ma shpjerë
    Nër malet të Shqipërisë, tek kullosën bagëtija,
    Tek i fryn bariu xhurasë, tek më rrinë mënt’ e mija,
    Ku shkon me zile të madhe ogiçi përmes lajthisë,
    Pa zjen e oshëtin mali ngaha zër’i bagëtisë;
    Marrënë vrapn’ e nxitojnë, derdhen në gjollë për kripë,
    Dhëntë ndër shesh’e ndër brigje, dhitë në shkëmb e në rripë.

    Bariu plak krabën në dorë edhe urdhëron të rinjtë,
    E ata gjithë punojnë, ngriturë më bres përqinjtë;
    Ca bëjnë vathën e shtrungën, ca ngrehin tëndën e stanë,
    Kush sjell gjeth e karthj’ e shkarpa, sicilido ndih më nj’anë;
    Kush përvjel, kush qeth sheleknë, kush mjel dhitë, kush mjel dhëntë,
    Njëri merr ushqen këlyshnë, jatëri përgëzon qëntë.
    Stopani, bër’i zi sterrë, shikon bulmetn’ e bekuar,
    Tunt, bën gjalpë, djathë, gjizë edhe punon pa përtuar;
    Udhëtar’ e gjahëtorë, q’u bije udha ndër male,
    U ep mish, qumësht, kos, dhallë, ajkë, djathë, bukëvale…
    Kec’i mbeturë pa mëmë dhe i varfër’ e i shkretë
    Mënt mëmënë, që ka mbetur pa bir e pa gas në jetë.
    Dëgjohet nga mez’i pyllit krism’ e sëpatës s’druvarit,
    E sharrësë që bën lëndë, edhe fyell’i shterparit.

    …Dellëndyshe bukuroshe, që thua mijëra fjalë,

    Dhe të k’ënda vahn’ e lumën, që vjen me vrap e me valë,
    A mos vjen nga Shqipëria? Eni vjen pej Çamërie
    Me këto milëra fjalë e me gluhë perëndie?
    Apo vjen nga Labëria, pra më duke kaqë trime,
    Edhe fjalëtë që thua më gëzojnë zëmrën time,
    Q’është thier, bërë posi një pasqirë,
    Duke këputur nga cmagu, që s’e kanë vartur mirë,
    Apo vjen nga fush’e Korçës, nga vënd’i mir’ e i gjerë,
    Pej zembrësë Shqipërisë, që del gjithë bot’ e ndjerë?
    A më vjen pej Malësie, pej Skrapari, pej Dobreje,
    Nga Vijosa, nga Devolli, pej Vlor’ e pej Myzeqeje?

    …Durrës, o qytet i bukur, që je kërthiz’ e mëmëdheut!
    Edhe ti Leshi me emrë, që ke eshtrat e Skënderbeut!
    Burrat tuaj aqë trima do ta lenë vall’ Ylqinë
    Edhe gjithë shqipëtarët ta mbanjë armiku ynë?
    Nukë më ngjan e s’e besonj, kam te zoti shumë shpresë,
    Shqipëria këtej-tutje kshu po nukë do të mbesë.