Naim Dëra/ Erdhi Ibrahim Selimi…

    431
    Sigal

    Ka kaluar një shekull nga koha kur Ibrahim Selimi ishte pjesëmarrës aktiv në kuvende dhe beteja bashkë me shumë nga figurat e shquara të kombit. Me pushkë e libra në duar ka qenë krah për krah me Petro Nini Luarasin e Sali Nivicën, Namik Delvinën e Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin e Fan Nolin, me baba Ahmet Koshtanin e Qamil Rustemin e shumë burra  të tjerë të shquar, të cilët dhanë shpirtin për Shqipërinë.

    Kohët e vështira, dhe hallet e Shqipërisë të fundit të shekullit të XIX-të dhe fillimit të shekullit të XX-të pasqyrohen vërtetësisht edhe duke lexuar monografinë e shkrimtarit dhe historianit Prof. Bardhosh Gaçe “Mësuesi atdhetar Ibrahim Selimi”, i cili na e sjell këtë personazh të ndritur së bashku me dhjetëra figura të tjerë historikë.

    Puna dhe sakrificat për dituri e atdhetari të Ibrahim Selimit janë të shumta e të mëdha. Shkrimtari Bardhosh Gaçe ka bërë përpjekje të veçanta për të nxjerrë të plotë dhe të vërtetë këtë figurë të harruar prej dekadash të tëra. Autori na e sjell të shkruar se qysh në moshë të re, atëherë kur shkollohej në Janinë, Ibrahim Selimin nuk e mbante vendi për të sjellë dritën e diturisë në vendlindje. Ishte ky detyrim prej atdhetari, ndaj edhe qysh në vitin 1908 hapi në fshatin  Koshtan të Tepelenës shkollën e parë shqipe të asaj treve. Tre vjet më pas, pra më 1911 çeli shkollën Shqipe në Krahës. Kur në Vlorë, më 1912-ën vulosej pavarësia, Ibrahim Selimi ishte me pushkë në dorë për mbrojtjen e qeverisë së Ismail Qemalit. Firmoste me dorën e vet në kuvendin e Sinjës, atëherë kur baba Medin Gllava (Levani) në krye të luftëtarëve atdhetarë siguronte mbrojtjen e këtij kuvendi. Kuvendonte në Fier në vigjilje të pavarësisë, luftonte në llogoret e para të betejave më 1920, derisa i hodhën në det pushtuesit. Më tej akoma, ky mësues me emër të madh, merrte detyra në kuvendin e Kuçit të Kurveleshit për të shëruar plagën e vëllavrasjes në Labëri e më gjerë. Ishte po ky personalitet, i cili vraponte me pushkë e libra në gji për të realizuar programin demokratik të Qeverisë së Fan Nolit.

    Kishte bërë rrugë të gjatë e të vështirë gjatë gjithë jetës mësues Ibrahim Selimi; kishte ardhur në jetë mes shekullit të 19-të dhe po arrinte në mesin e shekullit të 20-të, duke jetuar e punuar për mëmëdhenë, për Shqipërinë. Rrugëtimit të gjatë të jetës së mbushur me punë e shpresa, përpjekje dhe merak, nuk i kishte mbetur shumë. Ndaj edhe në vitet e fundit të jetës mendoi se kishte ardhur koha të kthehej përsëri në vendin e lindjes. Lëvizte në rrugët ku kishte fluturuar që fëmijë, por  tanimë me hap të rënduar nga mosha dhe hallet e kohës.  Dilte te lisi i Zykajve, vështronte nga Koshtani, rrotullonte sytë mbi kodrat e malet rreth e rrotull dhe mërmëriste me dhembje:

    “Në moshë të pleqërisë  më zunë halle të rënda

    Për punë të Shqipërisë që s’u bë  siç ma kish ënda…”

    Themelet e shtëpisë ndërtohen me gurë të rëndë; kështu janë ndërtuar edhe themelet e Shqipërisë. Ashtu siç lidhen bashkë kodrat e malet në trupin e atdheut, Ibrahim Selimi me shokë të lidhur sup më sup, janë mishëruar në trupin e historisë së para një shekulli. Për të nderuar këta  burra, të cilët i dolën zot Atdheut nëpër dallgët e histories, historiani Prof. Bardhosh Gaçe ka mundur të realizojë mjeshtërisht në monografinë e mësues Ibrahim Selimit, atë çka deri tani e kish mbuluar pluhuri i harresës. Prof. Dok. Fatmira Rama, duke vlerësuar  monografinë “Mësuesi atdhetar – Ibrahim Selimi”, midis të tjerash thotë se “Aty jepet veprimtaria e gjerë e këtij mësuesi në shkollën shqipe të Koshtanit dhe të Krahësit, por edhe përpjekjet e tij si luftëtar e organizator i shquar popullor në kryengritjet antiosmane të viteve 1911-1912, në periudhën  e Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, në qëndresën kundër pushtuesve italianë më 1914-1920 si dhe në betejat në luftën epope të Luftës së  Vlorës më 1920, krahas kapedanëve e luftëtarëve të tjerë  të Tepelenës e të Kurveleshit.”

    Degët rriten të shëndetshme kur janë të lidhura mirë me rrënjët. Prof. Bardhosh Gaçe ka ditur “të lidhë” mirë këto rrënjë, të shkuarën dhe të tashmen e këtij vendi.