Naim Balluku/ Problemet me sigurimet shoqërore të emigrantëve

    436
    Sigal

    Mungesa e marrëveshjeve bilaterale rrezikon të lërë pa pension 1/3 e shqiptarëve

    Para së gjithash, është e nevojshme të theksojmë se mungesa e një marrëveshje bilaterale ndërmjet dy vendeve bën që si Italia, Greqia dhe vendet e tjera, ashtu dhe Shqipëria, të zbatojnë legjislacionin respektiv në fushën e sigurimeve shoqërore, bazuar në kontributet e derdhura në secilin vend dhe në kërkesat respektive për përfitimin e pensionit.

    Sistemi i sigurimeve shoqërore italiane, përcakton se gjatë gjithë jetës të aktivitetit të punës, në cilësinë e të punësuarit dhe të të vetëpunësuarit, punonjësit derdhin kontribute për të ushqyer fondin e pensioneve publike. Me këto fonde jepen tre tipe pensionesh: pensione invaliditeti, të pleqërisë dhe pension familjar. Më të zakonshmet janë pensionet e pleqërisë. Duke qenë një emigracion i ri, emigrantët shqiptarë e kanë të vështirë për të plotësuar kushtet për pension në vendet fqinje po ashtu dhe në Shqipëri.

    Le ta shpjegojmë këtë fenomen:

    Bazuar në legjislacionin italian dhe grek, për të përfituar një pension, krahas vjetërsisë kontributive në punë, e cila aktualisht është në proces zgjatjeje, për përfitimin e pensionit kërkohen 20 vite vjetërsi kontributive, të cilat llogariten me javë të punuara. Por duhet të kemi parasysh se emigracioni ynë është i ri dhe janë të rrallë ato raste të plotësimit të këtyre kushteve, e kështu rrjedhimisht emigrantët shqiptarë që plotësojnë moshën privohen nga përfitimi i pensionit.

    Bazuar në legjislacionin aktual shqiptar, për t’u përfshirë në kushtet e pensionit qoftë dhe te pjesshëm, është e domosdoshme një vjetërsi kontributive jo më pak se 15 vite. Kjo vjetërsi kontributive në shumë raste është e paarritshme, por edhe nëse plotësohet, të ardhurat që përfitohen prej saj janë aq minimale, sa nuk mund të mendohet që pensionisti të përballojë jetesën.

    Emigracioni shqiptar është relativisht shumë më i ri se ai i vendeve të tjera jokomunitare të Europës dhe të vendeve të tjera joeuropiane. Por një pjesë e mirë e emigrantëve ka punuar në Shqipëri, duke poseduar një vjetërsi pune kontributive në ish ndërmarrjet shtetërore apo kooperativat bujqësore, apo dhe në bizneset private. Në kushtet e këtij emigracioni, tepër të madh krahasuar me popullsinë, vjetërsia kontributive e tyre është e ndarë në 2 pjesë: Vjetërsi kontributive në Shqipëri dhe vjetërsi kontributive në shtetin ku janë rezidentë.

    Shembulli: Po të marrim në mënyrë hipotetike që një emigrant shqiptar në Shqipëri ka një vjetërsi pune prej 14 vitesh dhe në Itali 19 vite, pra gjithsej 33 vite, ky person nuk përfiton pension si në Shqipëri, ashtu dhe në Itali.

     Mungesa e marrëveshjeve bilaterale për pensionet

    Duke qenë në kushtet e një shteti, ku numri i emigrantëve është shumë i madh (Itali dhe Greqi) dhe ende nuk ka ende një marrëveshje bilaterale për njohjen respektive të vjetërsisë kontributive në të dy vendet, emigrantët shqiptarë ndjehen të diskriminuar, mbasi pjesa më e madhe e tyre, privohen nga përfitimi i pensioneve, duke mbetur pa mjete jetese, kur plotësojnë moshën për pension. Këtë e shpjegon fakti, se megjithëse emigracioni në Itali, është në një masë rreth 500 mijë shtetas shqiptarë, numri i pensionistëve është tepër i vogël, krahasuar me komunitetet tjera. Thënë më thjeshtë, numri i vogël i pensioneve të komunitetit shqiptar në Itali, shpjegohet me faktin e pamundësisë së këtij komuniteti për të kompletuar vjetërsinë prej 20 vitesh, për t’u përfshirë në kushte pensioni. Kështu, nga rreth 30 mijë emigrantë shqiptarë të moshës së tretë, vetëm 1 921 persona trajtohen me pensione ne Itali. Në këtë kuadër, qeverive të vendeve fqinje u intereson më shumë që të lenë pa pagesa për pension shtetasit shqiptarë, se sa të paguajnë një faturë financiare dhe aq më tepër në kohë krize. Në këtë mënyrë, zhvleftësohet djersa dhe mundi i emigrantëve dhe kontributi që kanë dhënë në ekonominë e këtyre vendeve dhe shpesh dhe në Shqipëri.

    Integrimi i Shqipërisë në BE dhe unifikimi i kontributeve

    Me integrimin e Shqipërisë në BE, krahas të drejtave që do të ketë si anëtar i kësaj bashkësie, i jep të drejtën Shqipërisë dhe detyrimin shteteve të BE-së, për lidhjen e marrëveshjeve dypalëshe për unifikimin e periudhave kontributive reciproke me shtetet përkatëse të BE. Pra, në këto kushte, do të krijohej mundësia për bashkimin e periudhave kontributive, dhe për t’u përfshirë në kushte pensioni.

    Për ta shpjeguar më thjesht: Një emigrant shqiptar që ka një vjetërsi kontributive në Shqipëri prej 10 vitesh dhe në Itali apo Greqi jo më pak se 10 vite, përfshihet në kushte pensioni, si në këto vende, ashtu dhe në Shqipëri, ku secili shtet do të japë reciprokisht pjesën e tij të pensionit.

    Sa më shumë të vonohet ky proces, aq më e vështirë, për të mos thënë e pamundur, do të jetë përfitimi i pensioneve për një kontigjent shumë të madh emigrantësh.

    Lidhja e një marrëveshjeje të tillë me Belgjikën është një hap mirë, mbasi u krye një praktikë e tillë me një vend të BE-së. Po kështu nisja e negociatave me Italinë është një hap në këtë drejtim, por që duhet vazhduar. Nga institucionet shtetërore, shoqërore dhe organizma të tjera, llogaritë për përfitimet nga anëtarësimi në BE nuk duhet të bëhen vetëm për favoret dhe financimet që do të kemi, por të merren në konsideratë kushtet ekonomiko-sociale që u krijohet emigrantëve nga kohëzgjatja e anëtarësimit, duke i privuar nga e drejta për përfitimin e pensionit, pra të bazës së jetesës së tyre. Megjithatë, përderisa periudha deri në anëtarësimin në BE mund të jetë relativisht e gjatë, përpjekjet për lidhjen e marrëveshjeve bilaterale, duhen bërë nga të gjithë faktorët shtetërorë, shoqërorë e politikë, në mënyrë që dhe qytetarët shqiptarë, të trajtohen ashtu sikundër dhe qytetarët e tjerë europianë.

    Dhe nuk bëhet fjalë për një numër të kufizuar qytetarësh, por për 1/3 e shtetasve shqiptarë që është jashtë vendit. Dhe nuk bëhet fjalë për luks, por për bukën e gojës së tyre…