Naim Balluku/ Pensionet, anëtarësimi në BE sjell edhe marrëveshjet bilaterale për bashkimin e periudhave kontributive për emigra

    364
    Sigal

     Emigracioni shqiptar në Greqi dhe Itali dhe problemet sociale të 1/3 së popullsisë shqiptare

    Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Italisë, në terma historikë dhe shkëmbimi kulturor, mbas vitit 1990 kanë qenë intensive. Kjo premisë, që lidhet dhe me afërsinë gjeografike, shpjegon numrin e madh të emigracionit shqiptar në Itali.

    Aktualisht, ky emigracion është i dyti ndër komunitetet e tjera emigratore. Me shtesën e numrit të bashkimeve familjare është rritur dhe procesi i stabilizimit, që e bën atë nga një emigracion të përkohshëm, në emigracion stabël.

     Veçoritë social-demografike të komunitetit shqiptar në Itali

    – Shqiptarët përfaqësojnë komunitetin e dytë ndër qytetarët ekstrakomunitarë me qëndrim të rregullt në Itali.

    – Emigrantët shqiptarë duke filluar nga data 1.1.2012, janë në një numër 491 495, e barabartë me 14% të totalit të emigracionit nga qytetarët jokomunitare me qëndrim të rregullt në Itali. Aktualisht, ky numër i ka kaluar 500 mijë.

    – 54 % e qytetarëve me origjinë shqiptare janë burra, ndërsa prania e femrave është në 46 %.

    – Vendet ku kemi një përqendrim më të madh të emigracionit shqiptar është Italia e Veriut, ku ndodhen rreth 61 % e komunitetit.

    – Kanë një moshë mesatare të re prej 30.5 vite, që është moshë më e ulët se mesatarja e emigracionit në përgjithësi, e cila është 31.7 %.

    – Në kuadrin e qytetarisë, ¼ e tyre është nën 18 vjeç, e cila është më e madhe prej 4 %, krahasuar me totalin e emigracionin jokomunitar, i cili është 21.5%.

    – Nxënës e studentë me origjinë shqiptare të regjistruar në vitin shkollor 2011-2012 kanë qenë 103 mijë dhe zënë vendin e parë në renditje me nacionalitete jokumunitare.

    – Familja paraqitet si motivi kryesor i prezencës ne Itali; 53 % e qytetarëve shqiptarë me leje qëndrimi të rregullt janë mbajtës të një leje për motive familjare. Lejet e qëndrimit për punë përfaqësojnë 43 %.

    – Numri i qytetarëve shqiptarë që kanë një leje qëndrimi afatgjatë është mbi 10 % më e madhe se e totalit të qytetarëve jokomunitarë.

     Problemet e punësimit

    – Komuniteti shqiptar zë vendin e parë për numrin e të punësuarve.

    – 52 % e popullsisë shqiptare, nga 15 vjeç e sipër është e punësuar, një numër ky më i ulët se ai i regjistruar nga totali i emigrantëve jo komunitar.

    – Norma e papunësisë është e barabartë me 15.5 %, një masë më e madhe, qoftë nga ajo relative e totalit të qytetarëve europianë, e cila është 12. %, qoftë të vendeve të tjera të Europës Qendrore e Lindore.

    – Dy fushat kryesore të punësimit për punonjësit me origjinë shqiptare janë ato të ndërtimit dhe të industrisë që përfshijnë rreth 53.5 % të të punësuarve.

    – Niveli arsimor është i njëjtë me komunitetet e tjera, për shkollat e nivelit të parë me rreth 46 % dhe të atyre te nivelit të dyte me 41 %., ndërsa është e ulet shkalla për arsimin universitar që zë një masë prej 5 %.

    – Më shumë se gjysma e punonjësve shqiptarë merr një të ardhur mujore më të madhe se 1000 euro, vlerë më e madhe se kuota mesatare e qytetarëve të tjerë të Europës Qendrore e Lindore (37%) dhe atyre jokomunitare ( 44%).

     

    Grafiku. 1.1.2 Ndarja në përqindje e numrit të qytetarëve jo komunitarë që banojnë ligjërisht sipas zonës se origjinës. Të dhënat 1 janar 2012

     Afrika  1.096.547 (31%)

    Azia     903.957 (25%)

    Amerika          391.189 (11%)

    Albania            491,495 (14%)

    Të tjerë jokomunitarë  658.321 (19%)

    Ashtu sikurse shihet, qytetarët shqiptarë me banim në Itali kanë një moshë relativisht të re. Kjo dukuri, vihet re si në prizmin e moshës, krahasuar me popullsinë autoktone, ashtu dhe me të huajt e komuniteteve të tjerë, moshë në të cilën pakësohen aftësitë fizike, është dukshëm më e ulët se komunitetet e tjera.

     Problemet me sigurimet shoqërore të emigrantëve

    Së pari është e nevojshme të theksojmë se mungesa e një marrëveshje bilaterale ndërmjet dy vendeve, bën që si Italia ashtu dhe Shqipëria, të zbatojnë legjislacionin respektiv në fushën e sigurimeve shoqërore, bazuar në kontributet e derdhura në secilin vend.

    Sistemi i sigurimeve shoqërore italiane, përcakton se gjatë gjithë jetës të aktivitetit të punës, në cilësinë e të punësuarit dhe të vetëpunësuarit, punonjësit derdhin kontribute për të ushqyer fondin e pensioneve publike. Me këto fonde jepen tri tipe pensionesh; pensione invaliditeti, të pleqërisë dhe pension familjar. Më të zakonshmet janë pensionet e pleqërisë.

    Si mund të përfitohen pensionet në Itali

    Personat që kanë derdhur kontribute deri më 31 dhjetor 1995

    Kërkesa kontributive – Me efekt nga 1 janar 2012, subjektet në posedim të kontributeve, nga 31 dhjetor 1995 mund të kenë të drejtën e daljes në pension vetëm në praninë e të dhënave të sigurimit të të paktën 20 viteve, qe përbëhen nga kontributet e paguara apo të kredituar për ndonjë arsye.

    Kërkesa moshës – Për përfitimin e pensionit të pleqërisë është e nevojshme për të përmbushur kërkesat e mëposhtme:

    a) punonjëset femra sektori privat:

    nga 1 janar 2012 deri 31 dhjetor 2012, 62 vjeç

    nga 1 janar 2013 deri 31 dhjetor 2013, 62 vjeç dhe 3 muaj

    nga 1 janar 2014 deri 31 dhjetor 2015, 63 vjet dhe 9 muaj

    nga 1 janar 2016, deri 31 dhjetor 2017 65 vjet dhe 3 muaj

    nga 1 janar 2018 deri 31 dhjetor 2020, 66 vjet dhe 3 muaj

    b) punonjëset e vetëpunësuar dhe administrimit të veçantë (të vetëpunësuar):

    nga 1 janar 2012 deri, 31 dhjetor 2012, 63 vjet dhe 6 muaj

    nga 1 janar 2013 deri 31 dhjetor 2013, 63 vjet dhe 9 muaj

    nga 1 janar 2014 deri 31 dhjetor 2015, 64 vjet dhe 9 muaj

    nga 1 janar 2016 deri 31 dhjetor 2017, 65 vjet dhe 9 muaj

    nga 1 janar 2018 deri 31 dhjetor 2020, 66 vjet dhe 3 muaj

    c) punonjësit e punësuar në sektorit publik, përfshirë dhe femrat;

    nga 1 janar 2012 dalin në pension në moshën 66 vjeç.

     Personat që kanë derdhur kontribute mbas datës 1.1.1996

    Punonjësit, e punësuar, të regjistruar në; Administrim e Veçantë, të Vetëpunësuar, të regjistruar në fondet e pensioneve suplementare dhe me Zëvendësim, që janë te siguruar mbas datës, 31.12.1996 kanë të drejtë për një pension, në qoftë se mund të plotësojnë kushtet e mëposhtme:

    • 5 vite kontribut (260 javë);

    Për meshkujt, duke filluar nga 01.01.2012, mosha e daljes në pension është 66 vjeç

    Tabela

     Ndërsa si numër popullsie, krahasuar me ata jokomunitare që është 14 %, numri i pensioneve të përfituar nga shqiptarët është 7.2 %. Ky fenomen shpjegohet jo vetëm me moshën me të re të emigracionit shqiptar, por me pamundësinë e përfitimit të pensioneve, për arsye të legjislacionit Italian për sigurimet shoqërore dhe veçanërisht reformës “Monti”, që privon nga përfitimi i pensionit të pleqërisë një pjesë të mirë të emigrantëve shqiptarë të regjistruar dhe që kanë paguar kontribute para vitit 1996, të cilët krahas moshës duhet të plotësojnë një vjetërsi kontributive prej 20 vitesh.

    Thënë më thjeshtë, numri i vogël i pensioneve të komunitetit shqiptar në Itali, shpjegohet me faktin e pamundësisë së këtij komuniteti për të kompletuar vjetërsinë prej 20 vitesh, për t’u përfshirë në kushte pensioni. Kështu, nga rreth 30 mijë emigrantë shqiptarë të moshës së tretë, vetëm 1 921 persona trajtohen me pensione ne Itali.

      Cili është problemi kryesor për pensionet e emigrantëve?

     Emigracioni shqiptar është relativisht shumë më i ri se ai i vendeve të tjera jokomunitare të Europes dhe vendeve joeuropiane. Ai nisi mbas viteve 1990, fillimisht në mënyrë spontane dhe më vonë më i organizuar. Ashtu sikurse dihet, me mbylljen e ndërmarrjeve shtetërore mbas vitit 1990, të cilat nuk i rezistonin kohës, një numër i madh punonjësish dolën të papunë. Po kështu u shpërbënë ish kooperativat bujqësore dhe ish ndërmarrjet bujqësore. Numri i banorëve në fshat përbënte rreth 64 % të popullsisë, popullsi, të cilën dhe në kushte shumë më të mira fshati nuk e absorbonte. Në këto kushte, kjo popullsi mbeti edhe pa ato të ardhura tepër minimale për të përballuar jetesën.

    Në këtë mënyrë, emigracioni ishte një valvul, që shërbeu për të amortizuar në mënyrë të ndjeshme problemet e mëdha social-ekonomike të vendit. Aktualisht, emigracioni shqiptar është sa 1/3 e popullsisë së regjistruar në regjistrin kombëtar, ku peshën kryesore e zënë Greqia dhe Italia. Por një pjesë e mirë e emigrantëve ka punuar në Shqipëri, duke poseduar një vjetërsi pune kontributive në ish ndërmarrjet shtetërore apo kooperativat bujqësore.

    Në kushtet e këtij emigracioni, tepër të madh krahasuar me popullsinë, vjetërsia kontributive e tyre është e ndare në 2 pjesë; vjetërsi kontributive në Shqipëri dhe vjetërsi kontributive në shtetin ku janë rezidentë.

    Duke qenë në kushtet e një shteti, ku numri i emigrantëve është shumë i madh  (Greqi dhe Itali) dhe ende nuk ka një marrëveshje bilaterale për njohjen respektive të vjetërsisë kontributive në të dy vendet, emigrantët shqiptare ndjehen të diskriminuar, mbasi pjesa më e madhe e tyre, privohen nga përfitimi i pensioneve, duke mbetur pa mjete jetese, kur plotësojnë moshën për pension. Këtë e shpjegon fakti, se megjithëse emigracioni në Itali, është në një masë mbi 500 mijë shtetas shqiptarë, numri i pensionistëve është tepër i vogël, krahasuar me komunitetet tjera.

     Fenomeni

    Bazuar ne legjislacionin italian dhe grek, për të përfituar një pension, krahas vjetërsisë kontributive në punë, e cila aktualisht është në proces zgjatje, për përfitimin e pensionit nevojiten dhe 20 vite vjetërsi kontributive, të cilat llogariten me javë të punuara. Por, duhet të kemi parasysh se emigracioni ynë është i ri dhe janë të rrallë ato raste të plotësimit të këtyre kushteve, e kështu rrjedhimisht emigrantët shqiptarë që plotësojnë moshën privohen nga përfitimi i pensionit.

    Bazuar në legjislacionin shqiptar, për t’u përfshirë në kushtet e pensionit qoftë dhe te pjesshëm, është e domosdoshme një vjetërsi kontributive jo më pak se 15 vite. Kjo vjetërsi kontributive, në shumë raste është e paarritshme, por edhe nëse plotësohet, të ardhurat që përfitohen prej saj janë aq minimale, sa nuk mund të mendohet që pensionisti të përballojë jetesën.

    Emigracioni ynë, krahasuar me atë të vendeve tjera, është i ri, që ka filluar mbas vitit 1990. Në këtë kuptim, koha e shkurtër e emigracionit, ka ndikim direkt në mosplotësimin e 20 viteve kontributeve që duhen për të dalë në pension në vendet fqinje.

     Rasti

    Po të marrim në mënyre hipotetike që një emigrant shqiptar në Shqipëri ka një vjetërsi pune prej 14 vitesh dhe në Itali 19 vite, pra gjithsej 33 vite, ky person nuk përfiton pension si në Shqipëri, ashtu dhe në Itali.

    Kriza ekonomike e pranishme në Europë dhe mjaft e thellë në Greqi dhe po kështu në një farë mase e pranishme në Itali, ka bërë që një pjesë e mirë e emigrantëve shqiptarë të humbin vendet e punës. Këtë e tregon fakti se ndërsa niveli i papunësisë në Itali është aktualisht 12.8 %, niveli i papunësisë për emigrantët shqiptarë është mbi 15.5 %. Më i lartë është ky nivel për gratë, në një masë prej 17.2 %. Ndërsa për të rinjtë në moshë 15 deri 24 vjeç, niveli është tepër i lartë dhe kap shifrën prej  40 %. Niveli i papunësisë në Greqi është tepër më i lartë se në Itali dhe kap një masë prej 27.9 %, duke qenë më i larti në Europë.

     Pasojat e tanishme dhe të pritshme të krizës  për emigracionin shqiptar

    Padyshim, pasojat e krizës ekonomike dhe të papunësisë, kanë një kosto jo të lehtë për emigrantët tanë. Sikurse u theksua, në kushtet e një krize ekonomike në të gjithë sektorët, pa dyshim më të prekurit dhe më të rrezikuar janë emigrantët. Pasojat e krizës për emigracionin shqiptar ndihen:

    1. Duke humbur vendet e punës, përkeqësohen së tepërmi problemet sociale të tyre, duke i përballur ata me pamundësinë e jetesës.

    2. Duke mos përballuar jetesën në vendet ku janë rezidentë, një nga drejtimet e mbijetesës është kthimi në Shqipëri, ku përballen me vështirësi shumë të mëdha. Në këto kushte, ku dhe në Shqipëri ndjehen dukshëm efektet e krizës, tregu i punës nuk mundet të absorbojë një numër të madh forca pune.

    3. Në këtë kuadër, në vështirësi të mëdha janë dhe fëmijët e tyre, që kane frekuentuar shkolla në vendet ku kanë qenë dhe nuk janë familjarizuar me sistemin tonë arsimor, ose nuk e dinë mirë gjuhën shqipe.

    4. Problem është strehimi, duke patur parasysh se një pjesë e mirë e emigrantëve i kanë shitur banesat.

    5. Papunësia ka pasoja sociale për të sotmen dhe të nesërmen. Themi për të nesërmen, mbasi duke mos qenë në marrëdhënie pune, rritet pamundësia për të plotësuar vjetërsinë e punës që kërkohet për të përfituar pension.

     Cila do të ishte zgjidhja përfundimtare?

    Ashtu sikurse theksuam më sipër, jemi në kushtet kur ende nuk kemi marrëveshje dypalëshe me shtetet, ku numri i emigrantëve është i madh, si me Italinë ashtu dhe me Greqinë. Pra jemi në kushte kur mijëra bashkatdhetarëve tanë u mohohet përfitimi i pensioneve. Kjo marrëveshje nuk është lidhur, mbasi në shtetet fqinje, ka një numër të madh emigrantësh shqiptarë, ndërsa qytetarët që punojnë në Shqipëri nga këto dy shtete janë në numër tepër minimal. Ne këtë kontekst, qeveritë e këtyre shteteve, e kanë më të lehtë, të mohojnë dhënien e pensioneve, (aq me tepër në kushte krize), sepse mungon reciprociteti. Pra thënë me troç, qeverive të vendeve fqinje u intereson, që të lenë pa pagesa për pension shtetasit shqiptarë, se sa të paguajnë një faturë financiare. Në këtë mënyrë, zhvleftësohet djersa dhe mundi i emigrantëve dhe kontributi që kanë dhënë në ekonominë e këtyre vendeve.

    Me integrimin e Shqipërisë në BE, krahas të drejtave që ka si anëtar i kësaj bashkësie, i jep të drejtën Shqipërisë dhe detyrimin shteteve të BE-së, për lidhjen e marrëveshjeve dypalëshe për unifikimin e periudhave kontributive reciproke në të dy shtetet përkatëse. Pra, në këto kushte, do të krijohej mundësia për bashkimin e periudhave kontributive, dhe për t’u përfshirë në kushte pensioni.

    Për ta shpjeguar më thjesht; një emigrant shqiptar që ka një vjetërsi kontributive në Shqipëri prej 10 vitesh dhe në Itali apo Greqi jo më pak se 10 vite, përfshihet në kushte pensioni, si në këto vende, ashtu dhe në Shqipëri, ku secili shtet do të japë reciprokisht pjesën e tij të pensionit. Sa më shumë të vonohet ky proces, aq më e vështirë, për të mos thënë e pamundur, do të jetë përfitimi i pensioneve për shumë emigrant .

    Lidhja e një marrëveshje të tillë me Belgjikën është një hap mirë, mbasi u krye një praktikë e tillë me një vend të BE-së. Po kështu nisja e negociatave me Italinë është një hap në këtë drejtim, por që duhet vazhduar. Nga institucionet shtetërore, shoqërore dhe organizma të tjera, llogaritë për përfitimet nga anëtarësimi në BE, bëhen vetëm për favoret dhe financimet që do të kishim, por askush nuk llogarit dëmet ekonomiko-sociale që u krijohet emigrantëve nga kohëzgjatja e këtij anëtarësimi, duke i privuar nga e drejta për përfitimin e pensionit, pra të bazës së jetesës së tyre, kur të jenë në pamundësi pune për arsye moshe. Megjithatë, përderisa periudha deri në anëtarësimin në BE është relativisht e gjatë, përpjekjet për lidhjen e marrëveshjeve bilaterale, duhen bërë nga të gjithë faktorët shtetërorë, shoqërorë,e politikë, në mënyrë që dhe qytetarët shqiptarë, të trajtohen ashtu sikundër dhe qytetarët e tjerë europianë. Dhe nuk bëhet fjalë për një numër të kufizuar qytetarësh, por për 1/3 e shtetasve shqiptarë që është jashtë vendit.

                            Numri i pensioneve të përfituar nga qytetarët  shqiptarë sipas llojit    
      (Vlerë absolute e përqindje ndaj totalit të vendeve jo komunitare )    
       

    2009

       

    2010

       

    2011

     
      Meshkuj Femra Totali Meshkuj Femra Totali Meshkuj Femra Totali
    Shqipëria

    633

    632

    1265

    798

    810

    1608

    938

    983

    1921

    %

    8.3

    5.6

    6.7

    9.0

    5.9

    7.1

    9.2

    6.0

    7.2