Naim Balluku/ Ja sa kontribut duhet të paguajnë fermerët sipas viteve

    447
    Sigal

    Falja e kamatëvonesave për të vetëpunësuarit në bujqësi, përfitojnë dhe emigrantët

    Në strukturën e shtetasve shqiptarë në emigracion, një pjesë e mirë vjen nga zonat rurale, ku në kushtet e vështira që u përball fshati, mbas viteve ‘90, nuk mund të përballohej jetesa. Në kushtet e trashëguara të një sistemi të centralizuar të sigurimeve shoqërore në bujqësi, që kishte në themel kooperativat bujqësore dhe ndërmarjet bujqësore, u ndërtua një sistem i ri, bazuar në pronën private të fermerëve të marrë me Ligjin7501. Duke qene se një pjesë e mirë e emigrantëve kanë punuar në kooperativat bujqësore, apo ndërrmarjet bujqësore, kanë një vjetërsi kontributive, e cila është konsideruar e vlefshme për përfitimet që ofron legjislacioni i Sigurimeve Shoqërore. Sigurisht, ka dhe shumë emigrantë që kanë qenë të siguruar si të vetëpunësuar në bujqësi, bazuar në Ligjin nr.7703 datë 11.05.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Pavarësisht se nuk janë prezent në Shqipëri dhe në rrethin ku kanë tokat në pronësi apo në përdorim, ata përfitojnë nga falja e kamatvonesave, për kohën që kanë qenë banues dhe kanë patur aktivitet bujqësor a blegtoral.

    Kontributet sipas Ligjit 7703

    Në përmbajtjen e tij, Ligji “ Për faljen e kamatvonesave të papaguara të kontributeve të sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore për të vetëpunësuarit në bujqësi”, fal kamatëvonesat e kontributeve të sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore, të papaguara nga personat e vetëpunësuar në bujqësi, me kusht që detyrimet për kontributet të arkëtohen brenda datës 31.12.2014. Në këto kushte, favori që i bëhet fermerëve është i konsiderueshëm, duke gjykuar nga fakti që sigurojnë periudha të kaluara me ato masa kontributesh që kanë qenë në vitet respektive. Kjo do të thotë që fermeri mund të siguroje periudha të mëparshme, të pambuluara me sigurime shoqërore që nisin nga 1.10.1993, datë kur ka filluar funksionimi i Ligjit nr. 7703, me ato masa kontributesh të miratuara në vitet përkatëse, të cilat janë mjaft simbolike. Mjafton të përmendim faktin se për 8 vite me radhë, do të sigurohen me një vlerë kontributesh vjetore për vetëm 972 lekë në zonat malore dhe 1620 në zonat fushore. Ky favorizim që i bëhet fermerëve, diktohet nga gjendja ende e pakonsoliduar e ekonomive bujqësore dhe nga nevoja për rritjen e mëtejshme të kontribuuesve në fshat, si dhe sensibilizimin e fermerëve për t’u siguruar. Përfitimi nga sigurimi i fermerëve bëhet me konkret, ku sipas Nenit 96 të ligjit nr.7703, të ndryshuar, thuhet “Personat, që krahas periudhës së sigurimit në ish-kooperativat bujqësore, kanë dhe jo më pak se gjysmën e periudhës së sigurimit, që kërkohet në vitin përkatës, sipas nenit 92 të këtij ligji, në marrëdhënie pune me shtetin, përfitojnë pension pleqërie sipas dispozitave të këtij ligji, ndërsa pension invaliditeti e pension familjar përfitojnë, kur kanë jo më pak se gjysmën e periudhës së sigurimit që parashikojnë, respektivisht, nenet 35 e 40 të këtij ligji”. Në këto kushte, fermeri me 1/2 për qind të vjetërsisë së nevojshme, përfiton pension ashtu sikurse kontribuuesit në qytet. Po kështu, fermerët që nuk e plotësojnë ½ e vjetërsisë në punë, si të vetëpunësuar në bujqësi (këtu përfshihet dhe vjetërsia në punë që mund të kenë në ish ndërmarrjet bujqësore dhe shërbimi ushtarak), përfitojnë një pension të ndërmjetëm, ku pensioni i lidhur si pension kooperative bujqësore, rritet me 1 për qind për çdo vit të siguruar si i vetëpunësuar në bujqësi.

    Si vepron ky ligj për emigrantët?

    Emigrimi i shtetasve shqiptarë është bërë në flukse të ndryshme, duke filluar nga viti 1990 e deri sot, ku vetëm në Itali numri i emigrantëve ka arritur në 502 mijë me dokumentacion të rregullt. Me të njëjtat ritme është rritur edhe numri i emigrantëve në Greqi. Duke qenë se fluksi i emigracionit është rritur në mënyrë progresive dhe sidomos vitet e fundit, ku kanë influencuar bashkimet familjare dhe kontratat e punësimit, herë sipas marrëveshjeve qeveritare, e herë personale, një pjesë e madhe e emigrantëve ka një historik kontributiv në Shqipëri. Por duhet të kemi parasysh se rreth 50 për qind e qytetarëve në emigracion, janë nga zonat rurale, të cilët kanë patur tokë në pronësi, apo në përdorim. Në kushte të tilla ky kontingjent, që trajtohej sipas Ligjit nr. 7703 datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, si të vetëpunësuar në bujqësi, ishin të detyruar të siguroheshin dhe të paguanin kontribute, sipas shumave të miratuara me Vendime të Këshillit të Ministrave, në vitet respektive. Një pjesë e tyre është siguruar dhe ka paguar kontribute për vite të caktuara, ndërsa një pjesë e konsiderueshme, i ka të pambuluara vitet që ka banuar në fshat, ku ka kryer aktivitet bujqësor apo blegtoral.

    Cilat janë kriteret që duhet të plotësojnë?

    Për ta patur më të qartë këtë problem dhe për të përcaktuar sa më drejt personat që mund të sigurohen si të vetëpunësuar në bujqësi dhe për të shmangur çdo paqartësi, në VKM nr.1114 datë 30.07.2008, të ndryshuar, janë përcaktuar kriteret për t’u siguruar si i vetëpunësuar në bujqësi:

    -të ketë mbushur moshën 16 vjeç

    -te ketë aktivitet bujqësor dhe blegtoral

    -të ketë tokë në pronësi ose të marrë me qira apo të tjetërsuar në favor të tij.

    -të ketë qendrën e banimit në ëe njëjtin rreth, ku ushtron aktivitetin bujqësor

    -të mos jetë i siguruar në skema të tjera të sigurimit shoqëror.

    Në këtë kuadër, në kushtet e faljes së kamatëvonesave dhe gjobave për kontributet e sigurimeve shoqërore të papaguara, i lind e drejta edhe çdo emigranti, i cili ka qenë mbi 16 vjeç, që nuk ka paguar sigurime shoqërore dhe shëndetësore, për periudhën që ka banuar në të njëjtin rreth, ku ka patur tokën në pronësi apo në përdorim dhe ka zhvilluar aktivitet bujqësor apo blegtoral.

    Po për emigrantët e kthyer?

     

    Kjo falje sigurisht i shërben dhe emigrantëve të kthyer, të cilët kanë patur ose kanë veprimtari bujqësore ose blegtorale. Në rast se emigrantët nuk kanë mundësi për tu kthyer, për procedurat përkatëse, mund të prokurojnë një person tjetër, i cili të veprojë në emër të tij, për të kryer të gjitha procedurat që parashikon legjislacioni përkatës. Është lehtësues fakti, që në çdo komunë ka inspektorin e sigurimeve shoqërore për të vetëpunësuarit në bujqësi, ku çdo emigrant, mund të marrë informacionin e nevojshëm për periudhën e siguruar dhe për periudhën që rezulton debitor.

    Deri në ç’datë është afati për të paguar?

    Theksojmë se kusht ligjor për faljen e kamatëvonesave dhe gjobave, për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të papaguara, është pagesa e tyre brenda datës 31.12.2014. Çdo pagesë mbas kësaj date, përveç shumës së kontributeve të papaguara, i nënshtrohet dhe pagesës së kamatëvonesave dhe gjobave, në vartësi të periudhës që nuk është paguar.

    Box

     Sa janë shumat e kontributeve sipas viteve?
     
     MASAT E KONTRIBUTEVE PËR TË VETËPUNËSUARIT NË BUJQËSI SIPAS VITEVE
     
    Nr Viti Periudha ZONA FUSHORE ZONA MALORE  
    Gjithsej Sigurim shoqëror Sigurim shëndetësor Gjithsej Sigurim shoqëror Sigurim shëndetësor  
    1 1993 Tetor-Dhjetor 405 405 0 243 243 0  
    2 1994 Janar-Dhjetor 1,620 1,620 0 972 972 0  
    3 1995 Janar-Dhjetor 1,620 1,620 0 972 972 0  
    4 1996 Janar-Dhjetor 1,620 1,620 0 972 972 0  
    5 1997 Janar-Dhjetor 1,620 1,620 0 972 972 0  
    6 1998 Janar-Dhjetor 1,620 1,620 0 972 972 0  
    7 1999 Janar-Dhjetor 1,620 1,620 0 972 972 0  
    8 2000 Janar-Dhjetor 1,620 1,620 0 972 972 0  
    9 2001 Janar-Dhjetor 1,620 1,620 0 972 972 0  
    10 2002 Janar-Dhjetor 3,888 3,888 0 2,340 2,340 0  
    11 2003 Janar-Dhjetor 5,220 5,220 0 3,588 3,588 0  
    12 2004 Janar-Dhjetor 6,956 6,956 0 4,788 4,788 0  
    13 2005 Janar-Dhjetor 7,824 7,824 0 5,388 5,388 0  
    14 2006 Janar-Dhjetor 9,453 9,453 0 6,225 6,225 0  
    15 2007 Janar-Dhjetor 9,996 9,996 0 6,504 6,504 0  
    16 2008 Janar-Dhjetor 12,000 12,000 0 7,800 7,800 0  
    17 2009 Janar-Dhjetor 13,600 13,600 0 8,840 8,840 0  
    18 2010 Janar-Dhjetor 15,840 15,840 0 10,296 10,296 0  
    19 2011 Janar-Dhjetor 19,440 19,440 0 12,636 12,636 0  
    20 2012 Janar-Dhjetor 24,300 24,300 0 17,220 17,220 0  
    21 2013 Janar-Dhjetor 28,250 28,250 0 21,485 21,485 0  
    22 2014 Janar-Dhjetor 34,822 31,250 3,572 27,531 23,959 3,572  
    Periudha Tetor 1993-Dhjetor 2014 204,954 201,382 3,572 142,660 139,088 3,572  

    Të vetëpunësuarit në bujqësi, që përfshihen në zonat malore, janë ata qytetarë që kanë ushtruar veprimtari bujqësore apo blegtorale në rrethet, Bulqizë, Dibër, Gramsh, Has, Kolonjë, Kukës, Librazhd, Malësi e Madhe, Mat, Mirditë, Pukë, Skrapar, Tepelenë dhe Tropojë.

     Po të marrim në mënyrë hipotetike që një emigrant ka emigruar në vitin 2003, dhe para këtij viti, ka plotësuar kushtet e mësipërme, në rast se ka qenë në zonat malore, do të paguajë nga 1.10.1993 e deri më 31.12.1999, gjithsej 10,359 lekë, (243 +972 + 972+ 972 +972 + 972 + 972 + 972 + 972 + 2,340 ) dhe në zonat fushore 17,253 lekë (405 + 1620 +1620 + 1620 +1620 + 1620 + 1620 + 1620 + 3888 ), duke mbuluar me sigurime shoqërore gjithsej 9 vite e 3 muaj.