Naço: “Unë nuk votoj p/buxhetin që diskriminon Qarkun e Beratit”

437
Sigal

INTERVISTA/Nasip Naço, Nënkryetari i Kuvendit: “Në p/buxhetin e 2013-s mungojnë investimet për infrastrukturën e Beratit”

Projektbuxheti i 2013-s do të fillojë të diskutohet dhe të votohet në Parlament, mirëpo deputeti i Qarkut të Berati dhe Nënkryetari i Kuvendit, zoti Nasip Naço në intervistën për “Telegraf” deklaron se, nuk do ta votojë nen për nen këtë p/buxhet të 2013-s, pasi në të mungojnë fondet për përmirësimin e infrastrukturës së qarkut të Beratit, duke e diskriminuar për mungesën e plotë të rrugëve. Zoti Naço, pohon se, është i vendosur për mosvotimin e p/buxhetit, edhe sikur kjo t’i kushtojë mandatin e deputetit për thyerje të disiplinës partiake, por njëkohësisht, zoti Naço u bën thirrje edhe deputetëve të PD-së që zgjidhen në qarkun e Beratit, të zhvishen nga kostumi partiak dhe të bëjnë gjithçka që qarkut të Beratit t’i jepen fonde në p/buxhet për përmirësimin e infrastrukturës.

“ U bëj thirrrje deputetëve Pollo, Maliqi dhe Xheka, që të dalin nga kostumet partiake dhe të kontribuojnë për investime në Qarkun e Beratit, për të mbajtur premtimet që i kanë dhënë elektoratit të Qarkut të Beratit”

-Zoti Naço, deri tani LSI-ja nuk është shprehur për dekretimin e Kryeprokurorit, Llalla. Ju do ta votoni këtë kandidaturë në Kuvend?

Sigurisht, unë do ta votoj kandidaturën e zotit Llalla si Kryeprokuror. E kam njohur nga afër zotin Llall, kur kemi bashkëpunuar dhe vlerësoj integritetin e tij profesional dhe kam bindjen se është kandidatura më e përshtatshme, pasi është një nga më të mirët si prokuror. Edhe si kryetar i ILDKP-së, zoti Llalla ka treguar integritet moral dhe profesional dhe është mbi palët politike, i pandikuar në zbatimin e detyrës së tij.

– A është marrë vendim nga LSI-ja si do të sillet në votimin e kandidaturës së Llalës në Kuvend?

– Nuk kemi vendosur politikisht në grupin parlamentar të LSI-së, pasi ne nuk marrim vendime politike për dekretet e Presidentit në emërimin e drejtuesve të institucioneve të pavarura. Unë, ju thashë, si deputet, do të votoj kandidaturën e Kryeprokurorit të ri zotit Llalla, pasi e vlerësoj për integritetin moral dhe profesional.

– Këto ditë në komisionet parlamentare është diskutuar edhe p/buxheti i vitit 2013-të, ku PD dhe PS e kanë bërë publike qëndrimet e tyre, ndërsa LSI-ja edhe për p/buxhetin nuk i është referuar. Ju, do ta votoni,  si LSI?

Unë do ta votoj në parim, por jo nen për nen.

–  Domethënë, ju flisni për votën tuaj dhe nuk detyroheni nga një vendim politik i LSI-së?

Unë do të votoj p/buxhetin në parim, pasi nuk dua të kundërshtoj rritjen e pagave dhe të pensioneve, investimet në shkolla. Por nuk do të votoj p/buxhetin nen për nen, kur bëhet fjala për infrastrukturën për qarkun e Beratit. Unë para një muaji kam kërkuar interpelancë me ministrin e Transporteve dhe të Financës për të shtuar investimet në infrastrukturën e qarkut të Beratit dhe konkretisht për të përmirësuar akset e rrugëve nacionale që lidhin qarkun e Beratit me qarqet përreth, por deri tani nuk është bërë asgjë. Dhe, për pasojë, gjendja e infrastrukturës është në gjendje të mjerueshme dhe kjo diskriminon edhe qarkun e Beratit. Kam parë që në p/buxhetin e 2013-s nuk ka asnjë fond për të përmirësuar infrastrukturën e rrugëve nacionale që lidhin Beratin me qytetet e tjera dhe, nisur nga kjo, nuk kam të drejtën morale, qytetare dhe politike, që të votoj nen për nen p/buxhetin e 2013-s. Në gjithë Shqipërinë, në 7 vjetët e kësaj maxhorance, u investuan në 8.000 km rrugë, ndërsa në qarkun e Beratit nuk janë investuar as për 100 km në infrastrukturë. Me votën time kundër këtij p/buxheti të 2013-s, kërkoj nga qeveria që t’i jepet prioritet edhe përmirësimit të infrastrukturës të qarkut të Beratit.

Gjithashtu, në p/buxhetin e 2013-s, karakteristikë është se në qarqet, ku PD-ja nuk ka fituar, mungojnë,  në përgjithësi, investimet. Edhe qarku i Beratit, a nuk është i diskriminuar për mungesë investimesh?

Unë ju përmenda një aspekt për mungesën e investimeve në infrastrukturën e Beratit. Atje përditë ndeshesh me braktisjen dhe shikojeni edhe duke parë që ka rënën ndjeshëm edhe numri i vizitorëve të huaj, që për shkak të rrugëve të këqija, nuk vijnë më në Berat. Prandaj, unë nuk e votoj,  nen për nen p/buxhetin e 2013-s. Ky projektbuxhet nuk i është përgjigjur nevojave dhe kërkesave të popullit të qarkut të Beratit.

Ka ndonjë mundësi që të reflektohet në përmirësimin e këtij p/buxheti, në shtimin e fondeve për infrastrukturën e Beratit?

Unë prandaj e votoj në parim dhe shprehem se nuk do ta votoj nen për nen, në qoftë se nuk ka reflektime. Ka kohë që qeveria të reagojë për të mirë.

– Ju, si deputet,  nuk do ta votoni p/buxhetin e 2013-s, edhe pse jeni pjesë e maxhorancës, por doja të thosha përse vetëm ju jeni kaq i impenjuar, derisa deputetët e tjerë të PD-së të Qarkut të Beratit, nuk reagojnë?

Unë shpreh atë ndjenjë përgjegjësie që ndjej përpara popullit të qarkut të Beratit, që më besoi votën, për edhe për ata që nuk më votuan. Unë u ngarkova nga populli i Beratit që të shpreh dhe mbroj interesat e tyre. Duke përfituar nga kjo intervistë, u bëj thirrje deputetëve të PD-së, zotit Pollo, zotit Xheka, zotit Maliqi, që të zhveshin kostumin e tyre partiak dhe të mbrojnë interesat e elektoratit të qarkut të Beratit, që u ka mirëbesuar votën dhe të bashkohemi të gjithë, që qeveria të shtojë në buxhetin e 2013-s fondet e domosdoshme për investimin e përmirësimit të infrastrukturës të qarkut të Beratit. Deputetët të reflektojnë tani, që nesër, në fushatën zgjedhore të kenë të drejtë morale dhe politike që të ballafaqohen me elektoratin e qarkut të Beratit.

Zoti Naço, duke qenë se ju do të votoni p/buxhetin e 2013-s, duke dashur të mbroni interesat e elektoratit të Qarkut të Beratit dhe jo të marrëveshjes PD-LSI, mos vallë kjo do t’ju kushtojë politikisht?

Nuk më intereson kostoja politike partiake, edhe duke e lënë mandatin e deputetit, po qe se kërkohet interesi partiak mbi interesin e elektoratit tim në qarkun e Beratit. Kur unë shikoj që diskriminohet politikisht qarku i Beratit me mosinvestime në infrastrukturë, duke e lënë akoma qarkun e Beratit me ato rrugë të mjerueshme, nuk më intereson t’i bindem vendimeve politike. Duhet t’ju kujtoj që prioriteti i bashkëpunimit LSI me PD ishte që t’u jepnim prioritet edhe investimeve në qarkun e Beratit. Unë u kam premtuar elektoratit të qarkut të Beratit se do të bëj gjithçka për të ndihmuar në investime dhe vota ime është arma demokratike që me ka besuar populli i Qarkut të Beratit, për të mbrojtur interesat e tyre.

Faleminderit!