Nacionalizmi, vlerë apo përçarje për Ballkanin Perëndimor?

    547
    Sigal

    Reflektim mbi rritjen e nacionalizimit tek partitë politike nën perspektivën europiane të BE-së

    Refleksioni si proces reciprok, nënkupton shprehjen e pikëpamjeve dhe qëndrimeve të cilat paraprakisht kanë qenë të motivuara nga një imazh, koncept apo ri-zbulim i kujtesës historike, apo siç mund ta quante Freud-i manifestim i nënvetëdijes. Në këtë kontekst refleksioni vjen si rezultat dialektik, që provokohet nga objektivja, apo nga shkaku i ndonjë agjitimi subjektiv. Duke e shmangur një debat në mes objektivizmit dhe subjektivizmit, do t’i referohem çështjes që shtron filozofi i njohur Bertrand Russell, në hyrjen e librit të tij, “Një histori e filozofisë perëndimore” të shkakut reciprok: A janë rrethanat e jetës njerëzore që determinojnë filozofinë, apo e kundërta, filozofia e tyre determinon rrethanat dhe kushtet sociale. Sipas Russell-it, ky është një interaksion ndër shekullor. Ashtu si rrethanat sociale ndikojnë, determinojnë zhvillimin e historisë së të ardhmes së mendimit, po ashtu edhe mendimi si gjurmim logjik, projekton vizionin e realitetit. Duke tërhequr një paralele dhe duke u munduar të shmang digresionin e kësaj linje mendimi, ve theksin se projeksionet e identiteteve kombëtare, nuk mund t’i shmangen kësaj kumtese filozofike në thellësinë e tij, dhe se identitetet kombëtare vijnë si rezultat i dialektikës imanente, realitet – ide dhe anasjelltas. Idetë kombëtare mund të kenë lindur si ide të kulluara, mirëpo formësimi i tyre mund të jetë ndikuar nga rrethanat dhe kushtet sociale. Ky fenomen, vazhdon të jetë prezent akoma në shoqëri në përgjithësi, por sa i përket popujve të Ballkanit, që nuk mundën të shmangin konfliktet si rezultat i përfytyrimit të ideve kombëtare, realiteti ngadhënjen mbi idenë duke e formësuar dhe kultivuar më tutje identitetin kombëtar. Kohët e fundit politikanë dhe parti politike të ndryshme, në Shqipëri dhe jo vetëm (kam parasysh këtu: Kosovë, Greqi, Serbi dhe Maqedoni), kanë intensifikuar fjalimet dhe platformat e tyre politike me tema nacionaliste. Aleanca Kuqezi, Agimi i Artë dhe Vetëvendosja, janë vetëm disa nga partitë politike, të cilat e kanë nacionalizimin në qendër të platformave të tyre politike. Por këtu unë do të fokusohem në përballjen e Aleancës Kuqezi dhe Agimit të Artë, të cilat kanë pasur edhe konfrontime ideologjike mes tyre. Ato janë në dukje të ngjashme, por nëse i studion më tej sheh se sa zgjerohet hendeku i ndryshimit mes tyre.

    Nacionalizmi, kuptimi i tij dhe partitë politike

    Pse është rritur vëmendja ndaj nacionalizmit, është sa paradoksale dhe e dyshimtë, në një kohë kur Shqipëria aspiron integrimin e saj në BE dhe Greqia është në kushte të vështira të qëndrimit të saj të lëkundur në këtë bashkësi. Por para se të shkojmë më tej është e drejtë të jepet një përkufizim mbi konceptin e nacionalizmit. Termin “nacionalizëm” unë e kam përdorur në kuptimin e përcaktuar nga Ernest Gellner, i cili thotë se: “Nacionalizmi në thelb është një parim sipas të cilit njësia politike dhe njësia kombëtare duhet të përputhen”. Duhet pranuar se, nacionalizmi e përdor shumëzimin e kulturave para-ekzistuese të trashëguara historikisht, megjithatë ai i përdor ato në një mënyrë tepër selektive, dhe në të shumtën e rasteve i transformon ato radikalisht… Gjuhë të vdekura mund të ringjallen, tradita të shpiken, dëlirësi burimore të paprishura fare dhe në tërësi të trilluara mund të ripërtërihen. Ndërsa Hobsbaum thotë se për të kuptuar nacionalizmin, “ ai duhet që të studiohet nga poshtë, pra në kuptimin e shpresave, pritjeve, nevojave, dhe interesave të njerëzve të zakonshëm.” Ai mendon se në duhet të fokusohemi në ndërveprimin mes ideologjisë zyrtare dhe realiteteve shoqërore në të gjithë veçantinë e tyre: “ çështja kombëtare, siç e quanin marksistët e vjetër, aktualizohet në pikën e ndërveprimit të politikës, teknologjisë dhe transformimit social”. Është historikisht e provuar se nacionalizmi i ka efektet e saj më frytdhënëse në rastet kur populli e një vendi gjendet në kushte të vështira socio-ekonomike, dhe duhet thënë se Shqipëria dhe Greqia nuk janë në pozitën e tyre më të mirë. Politikanët dhe vet njerëzit e dinë çfarë i bënë shqiptarët e Maqedonisë, Malit të Zi, Greqisë, Turqisë të ndihen shqiptarë. “Për shqiptarët e Kosovës, në veçanti, dhe për shqiptarët e regjioneve të tjera të Ballkanit (Maqedoni, Mali i Zi, Jugu i Serbisë, Greqia veriore) Shqipëria paraqitet si mëmëdhe dhe burimi i identitetit të vërtetë shqiptar”. Identifikimi me shtetin amë, me Shqipërinë, me gjuhën, historinë, dhe element të tjerë unifikues, i bën shqiptarët të ngrenë gishtin e përkatësisë së tyre kombëtare dhe duke e vënë theksin në kombin e kulturës. Gjithë shqiptarët e Ballkanit e shohin vetën si një etni dhe komb duke pasur si pikë reference shtetin amë, i cili promovon idenë e të qenit shqiptar, jo përmes ndonjë strategjie politike dhe diplomatike, që e realizon qeveria apo institucionet civile të shtetit amë, por vetë ekzistenca e Shqipërisë mundëson një refleksion të tillë identiteti. Është e rëndësishme të theksohet gjithashtu se forca ndikuese e nacionalizmit forcohet me zbehjen e ndikimit të religjionit e sidomos në kohët moderne këtë e pranojnë edhe vetë studiuesit B.Anderson, E. Gelner, U. Altermatt. Dhe sipas tyre kjo përfaqëson një formë “të fesë moderne”, duke e ditur faktin që religjioni ka shuar në mënyrë të dukshme diferencat dhe dallimet nacionale raciale.

    Aleanca Kuqezi dhe Agimi i Artë

    Por të flasim më praktikisht për të gjitha këto që thamë më lart, duke sjellë në vëmendje disa episode, që kanë vënë përballë dy parti nacionaliste shumë të përfolura për momentin, Aleanca Kuqezi në Shqipëri dhe Agimi i Artë në Greqi. Kur dhjetëra mbështetës të Aleancës Kuqezi u grupuan në Përmet për të kundërshtuar ardhjen e deputetëve të partisë “Agimi i Artë”, për të festuar çlirimin e Republikës së Greqisë, nga ana tjetër e kufirit ato u pritën si reagime të forta ekstremiste. Protestuesit, hodhën parulla anti-greke, shpalosën një flamur shqiptar dhe thirrën për integritet territorial të shqiptarëve. Në Athinë, këto reagime u përkthyen si provokime të një partie nacionaliste ekstremiste shqiptare, e cila drejtohet nga një “ekstremist i djathtë” si Kreshnik Spahiu. Etiketimet në shtypin grek shkuan më tej me krahasimin që iu bë Aleancës Kuqezi me “Agimin e Artë”, partia neonaziste që mori 18 deputetë në zgjedhjet e fundit parlamentare.

    E shqetësuar për valën në rritje, të frymës nacionaliste në Shqipëri, ministria e Jashtme greke shpejtoi t’i kërkojë qeverisë shqiptare të dënojë veprimet e protestuesve që demonstruan kundër ceremonisë përkujtimore për ushtarët grekë të rënë në Luftën e Dytë Botërore.

    Deklaratat dhe veprimet e AK-së kanë zgjuar interes edhe në vende të tjera të rajonit. Në Maqedoni media e ka emërtuar AK-në si “Agimi Kuqezi”, duke hequr përsëri një vijë paralele me “Agimin e Artë” të neonazistëve grekë. Por, a mund të hiqet një paralelizëm mes AK-së dhe “Agimit të Artë” grek? A kanë këto forca politike pika të përbashkëta?

    Vijën paralele mes Aleancës Kuqezi dhe “Agimit të Artë” e hoqi e para gazeta greke e së dielës Proto Thema, e cila në artikullin me titull: “Ekstremisti i djathtë shqiptar që trondit Athinën”, e krahasoi AK-në me përfaqësuesit e partisë neonaziste. Në shkrim, Spahiu profilizohet si një njeri që përdor në mënyrë të shkëlqyer populizmin, demagogjinë dhe ka sindromën anti-helenike. “Orator i mirë, 43-vjeçari tashmë me stil sportiv, arrin që të ngrejë peshë publikun e ekzaltuar, i cili sheh në profilin e tij, udhëheqësin që do të mbyllë në burg politikanët e korruptuar të vendit dhe do bëjë realitet Shqipërinë e madhe”, vijon artikulli. Gazeta thotë se anti-helenizmi është flamuri i AK-së, sepse sipas saj, pas çdo të keqeje që ndodh në Shqipëri fshihet Athina, me qëllim copëtimin e vendit dhe marrjen e Vorioepirit. Thuajse njëkohësisht me Proto Thema-n erdhi edhe një artikull tjetër nga gazeta Dnevnik, një e përditshme maqedonase, e cila në shkrimin me titull: “Agimi Kuqezi do të ndriçojë në Manastir”, theksonte se “partia nacionaliste ekstremiste Aleanca Kuqezi nga Shqipëria do të festojë në Manastir ditën e flamurit shqiptar dhe 100 vjetorin e Pavarësisë, për të theksuar rëndësinë e këtij qyteti për shqiptarizmën e ndërlidhur me krijimin e alfabetit”. Duke cituar burimet e saj, gazeta shkruante se AK-ja ka zgjedhur pikërisht Manastirin për të promovuar veten dhe ka propozuar që Shqipëria të hapë një konsullatë. “Shumë analistë me të cilët kemi biseduar mendojnë se nuk duhet përjashtuar mundësia që Aleanca Kuqezi lehtësisht mund të bëhet kopje e “Agimit të Artë” grek, pasiqë kanë shumë ngjashmëri në programe, dhe se përpiqen për shtete të pastra etnike”, shkruan gazeta.

    Është e vërtetë se AK-ja ka sjellë një frymë të re në politikën shqiptare, duke i kthyer sytë nga mbrojtja e simboleve kombëtare, evokimi i shtetit ligjor shqiptar dhe integriteti territorial i Shqipërisë, veçanërisht lidhur me Çamërinë. Referuar etiketimit si ekstremist i djathtë, vet lideri i saj hedh poshtë paralelizmin që i bëhet me “Agimin e Artë” sepse ndryshe nga neonazistët, që janë kundër numrit të lartë të emigrantëve shqiptarë në Greqi, AK është e hapur ndaj të gjithë popujve emigrantë në Shqipëri.

    Nëse i bëhet një krahasim programeve politike të Aleancës Kuqezi dhe Agimit të Artë është e vështirë të gjenden pika të përbashkëta, përveç ndonjë qëndrimi të mekur që të dyja forcat mbajnë kundrejt shtetit respektiv.

    Themelet e asaj që do të bëhej Agimi i Artë, do të hidheshin shumë shpejt, në vitin 1980, me hapjen e revistës me të njëjtin emër, e cila do të mbyllej katër vjet më pas për t’u rihapur më vonë. Por kjo periudhë do të mjaftonte për shpalosjen e bindjeve shumë të ngjashme me nacional-socializmin gjerman. E mbetur vazhdimisht në periferi të skenës  politike, herë e bashkuar me lëvizje të tjera të ngjashme dhe herë e ridalë më vete, Mihaloliakos dhe të tijtë do të fitonin një momentum të rëndësishëm për të spikatur në rang kombëtar, me shfaqjen në vitin 1991 e në vazhdim, të “krizës maqedonase”. Shteti i ri i krijuar nga shkrirja e ish- Jugosllavisë dhe pretendimet për emrin e vjedhur, krijuan njëfarë kohezioni kombëtar në Greqinë historikisht të ndarë në kampe politike. Bërthama prej 200 anëtarësh nisi të shtohej nga pak, por vazhdimisht dhe në vitin 1993 Agimi i Artë regjistrohet si parti politike. Një vit më pas, në zgjedhjet për Parlamentin Europian, partia e re merr mbi 7200 vota. Por përfaqësimi më i lartë politik deri atëherë, do të vinte në zgjedhjet lokale 2010, kur Nikolaos Mihaloliakos do të zgjidhej anëtar i Këshillit Bashkiak të Athinës me mbi 5.7% të votave.

    “Nikolaos Mihaloliakos, drejtuesi i Agimit të Artë e përshkruan ideologjinë e partisë së tij në këto terma: Ajo është një lëvizje nacionaliste popullore, kategorikisht kundër emigrantëve në vend, kundër “të ashtuquajturës Rilindje europiane” dhe Revolucionit Industrial; Agimi i Artë kërkon largimin e Greqisë nga BE-ja, mosnjohjen e borxhit të vendit ndaj ‘bankierëve grabitqarë të Europës, që rrënuan atdheun’.

    Por këtë vit, gjithsesi, Agimi i Artë – me etiketën e re si parti kundër masave drastike të BE-së – fitoi gati 7% të votave dhe 18 nga 300 vendet parlamentare. Rritja e saj ka vijuar në sondazhet publike, pavarësisht se deputetët e vet filmohen duke sulmuar shitës klandestinë dhe duke kërkuar që të gjithë fëmijët e të huajve të mos pranohen në çerdhe, kopshte e spitale. Ndërsa një qeveri me arka të boshatisura lufton për t’u ofruar qytetarëve të vet shërbimet bazë, Agimi i Artë ka ngritur organizata parashtetërore për të patrulluar rrugët, dhuron gjak vetëm për grekët dhe ndihmon grekët e papunë me vende pune. Agimi i Artë deklaron se të gjithë emigrantët në Greqi janë të paligjshëm, por partia shpreh interes të veçantë për racat jo të bardha. Ajo nuk ka drojë për të mbrojtur besimin e vet supremacist. Në manifestin e saj thuhet se dëshiron të krijojë një Greqi që njeh “pabarazinë shpirtërore, etnike dhe raciale të njerëzve”.

    Elementë këto që bëjnë dallimin mes AK-së dhe Agimit të Artë. Ndërsa, revista amerikane Time, i sheh përfaqësuesit e Agimit të Artë me vizion paranojak, “shumë më e fuqishme sesa grupet fashiste e ultranacionaliste që kanë filluar të ngrenë kokë gjetkë nëpër kontinent”, duke “manipuluar shtetin e dobët grek dhe menaxhimin shkatërrimtar të krizës nga burokratët europianë, për t’u shndërruar sipas sondazheve të fundit, në partinë e tretë në vend”. Aleanca Kuqezi nuk asgjë të përbashkët me këto. Nëse analizojmë deklarimet dhe qëndrimet e saj lidhur me çështjet e brendshme dhe të jashtme të vendit, nuk ka asnjë të dhënë që të mund të evokojë një radikalizëm nacionalist të ngjashëm me atë të Agimit të Artë. Analistë të ndryshëm janë të mendimit se AK-ja, për nga forma dhe aktiviteti i saj ngjason fort mirë me Lëvizjen “Vetëvendosje” në Kosovë, e cila luan një opozitë të fortë në Prishtinë dhe shpeshherë me protestat popullore ngrihet kundër veprimeve arbitrare të qeverisë. Ashtu si AK-ja, edhe Vetëvendosje, mbrojnë interesat e kombit shqiptar brenda dhe jashtë kufijve dhe shprehen për bashkim të trojeve shqiptare në një shtet të vetëm. Në programin e saj me 10 pika, Aleanca Kuqezi e përshkruan veten si një forcë politike që kërkon ndërtimin e një shteti të fortë juridik; garantimin e zbatimit të parimeve kushtetuese dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve; garantimin e të drejtës për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur; hapjen e dosjeve të ish sigurimit të shtetit; çlirimin e pasurive kombëtare; krijimin e një shteti që vendos kontrollin mbi territorin e vet; reformimin e sistemit të drejtësisë; si dhe ndërtimin e një strategjie të unifikuar të politikës së jashtme që respekton politikën e fqinjësisë së mirë, paqen, stabilitetin, integrimin rajonal në BE.

    Thënë këto, mes Aleancës Kuqezi dhe Agimit të Artë mbetet vetëm vija paralele e pretendimeve territoriale dhe kjo ka të bëjë posaçërisht me Shqipërinë. Neonazistët grekë nuk e kanë fshehur kurrë tezën e Vorio- Epirit. AK-ja gjithashtu shpreh pretendimin e saj për kthimin e trojeve shqiptare të Çamërisë, ashtu siç edhe mbështet forcimin e një shteti shqiptar në trojet e veta historike. “Ak-ja kërkon reciprocitet, çka nënkupton se nëse shqiptarët detyrohen të ndryshojnë kombësi, emra, mbiemra etj., atëherë kjo do duhet të ndodhë edhe me grekët që jetojnë në Shqipëri: ata duhet të bëhen shqiptarë dhe me emra shqiptarë”, thotë lideri i AK, Spahiu.

    -Nacionalizmi dhe perspektiva evropiane

    Cilat janë gjasat që nacionalizmi të jetë i shmangshëm në të ardhmen? Kjo siç duket varët nga rrjedha e ngjarjeve në shoqëritë tona. Kështu p.sh Hobsbaum thotë se: “sido që nacionalizmi vazhdon të jetë i pashmangshëm, gjithsesi ai nuk përbën atë forcën historike që përfaqësonte në epokën midis revolucionit francez dhe fundit të kolonializmit imperial mbas luftës së dytë botërorë”. Nga të gjitha sa folëm më lart duket se nacionalizmi ende është i pashmangshëm. Por, si ndikon kjo në perspektivën europiane që synojnë Shqipëria, Kosova dhe Serbia të bëhen pjesë. Kohët e fundit Parlamenti Europian e ka institucionalizuar shqetësimin e tij në lidhje me rritjen e toneve nacionaliste nga politikanë shqiptarë. Shqetësimi nga retorika nacionaliste është kthyer tashmë në një amendament për rezolutën e Parlamentit Europian, e cila do të votohet në ditët pasardhëse në mbledhjen e ministrave të Bashkimit Europian. Ky amendim pritet të theksojë në mënyrë të qartë se “Shqipëria duhet të ruajë marrëdhënie të mira me fqinjët”. Nëse ky paragraf përfshihet në konkluzione, ai do të “errësonte” për herë të parë një prej politikave të rralla të lavdëruara nga BE që është qasja konstruktive e Shqipërisë në marrëdhëniet me fqinjët në rajon. Gjithsesi nacionalizëm ose jo Shqipëria ka humbur edhe këtë vit shanset për të marrë statusin e vendit kandidat në BE, siç u raportua para disa ditësh.

    Duket se këto prirje të theksuara nacionaliste nuk shkojnë në sintoni më perspektivën evropiane, që aspiron Shqipëria dhe vende të tjera të Ballkanit perëndimor, të cilat ende nuk janë pjesë e Bashkimit Europian. Kjo nuk do të thotë që integrimi apriori nënkupton dhënien fund nacionalizmit, por duhet pasur një përmbajtje në evokimin dhe shfaqjen e tij, sepse tek e fundit Jean Monnet dhe Robert Schuman kur hodhën bazat e kësaj bashkësie kishin parasysh lënien pas të nacionalizmave ekstreme që çuan në atë që të gjithë e njohim si Lufta e Dytë Botërore.

    *Mbajtur në konferencën ‘Bashkjetesa dhe Paqja e qëndrueshme në Balkanin perendimor“, dt. 14.12.2012. Izmir, Turqi

    INFO

    -Të premten më 14 dhjetor 2012 (09:30-18:30) në qytetin Izmir të Turqisë u organizua konferenca me temën “Bashkëjetesa dhe Paqja stabile në Ballkanin Perëndimor.

    -Konferenca u organizua me kontributet e kryetarit të Bashkisë së Buxhës (Buca Municipality), ATMER-i (The Centre of European Studies), Universiteti Yasar, Departamenti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Universiteti Dokuz Eylul, DEU Instituti i Shkencave Sociale (DEU Sosyal Bilimler Ensititüsü), Qendra e Ekselencës Jean Monnet në Fakultetin e Shkencave Sociale DEU

    -Në këtë Konferencë u kërkua përgjigjja se ne çfarë mase është mundësuar stabiliteti dhe paqja e qëndrueshme, integrimi në strukturat Euro-Atlantike gjate viteve ‘90, pas luftërave të përjetuara dhe konflikteve etnike në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke filluar nga Shqipëria, Kosova, Serbia, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Bosnje- Hercegovina.

     -Prof. Dr Feti Mehdiu theksoi se pas përfundimit të paqes Otomane në rajon konfliktet ende nuk kanë përfunduar.

     -Prof. Nazif Mandaci, përkujtoi që qëllimi i anëtarësimit në Bashkimin Europian do t’i shpejtësojë mekanizmat për zgjidhjen e problemeve në rajon.

     -Prof. Murat N. Armani pohoi se këto mekanizma nuk mund të jenë funksionale për shkak të krizës ekonomike, në të cilën gjenden shtetet e Bashkimit Evropian sot.

     -Dr. Koço Danaj potencoi që arsyeja kryesore e problemeve rajonale është moskrijimi i kufijve të Shqipërisë Natyrale.