N/Kolonel Dr. Hekuran A. RAPAJ: Fat që jemi europianë! Po të ishim në Lindjen e Mesme, me këtë udhëheqje, do ishim në luftë civi

    630
    Sigal


    Intervistë/N/Kolonel Dr. Hekuran A. RAPAJ: Nuk e merrni dot Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë

    Kryeministri Berisha me shpurën e tij, ministra militantë, apo mercenarë të paguar me lekët e këtij populli, nuk e kanë dashur kurrë ushtrinë shqiptare dhe ushtarakët e saj. Ky është përcaktimi për qeverinë Berisha, që bën N/Kolonel, Dr. Hekuran A. RAPAJ në një intervistë për “Telegraf”. “Sali Berisha vetë ka një përvojë prekëse me ushtarakët. Në momentet e frymëmarrjes së fundit të karrierës së tij politike, gjithmonë ka sulmuar dhe provokuar ushtrinë dhe FA” shprehet Rapaj duke kujtuar qëndresën e FA, ashtu si dhe sot, ndaj Berishës në ’97-ën në Përmet. Rapaj nuk tutet në përcaktimet që bën si për Kryeministrin, por edhe për Presidentin Nishani. Rapaj akuzon edhe NATO-n, pjesë e së cilës jemi, për diferencim. Sipas tij, strukturat e NATO-s po përdorin 2 standarde.

    Z.Rapaj, çfarë përfaqëson Shtëpia e Ushtarakëve për ju?

    “Shtëpia Qendrore e ushtarakëve”, më vjen mirë që ju e quani kështu, sepse dhe unë parapëlqej ta quaj të tillë, “Shtëpi” jo deformacionin e bërë qëllimisht për ta quajtur “Qendër”. Pra, Shtëpia e Ushtarakëve është simbol i Ushtrisë Shqiptare, i tërë ushtarakëve, veteranëve të FA, të Luftës Nacionalçlirimtare, si dhe të atyre rënë në detyrë. Simbolika e saj është historike, ia ka dhënë kontributi i saj në dekada, në promovimin e vlerave më të spikatura të historisë së popullit tonë dhe Shqipërisë, kulturore, patriotike, shoqërore, njerëzore, ushtarake etj. Tashmë SHQUP-i u kthye atje te e vërteta – simbol i qëndresës së babëzisë, cinizmit dhe hajdutërisë së një shteti dhe qeverie të falimentuar.

    Pse ky definicion për qeverinë e sotme?

    Ne kemi kohë që kemi konstatuar se ky Kryeministër së bashku me shpurën e tij, ministra militantë, apo mercenarë të paguar me lekët e këtij populli, hajduta për vite të tëra të pronave dhe pasurisë ushtarake, nuk e kanë dashur kurrë ushtrinë shqiptare dhe ushtarakët e saj. Vini re: Sali Berisha vetë ka një përvojë prekëse me ushtarakët. Në momentet e frymëmarrjes së fundit të karrierës së tij politike, gjithmonë ka sulmuar dhe provokuar ushtrinë dhe FA. Dhe e ka marrë përgjigjen e merituar. Prandaj i themi: Larg duart nga ushtria!

    Ju thoni që ky sulm ndaj ushtrisë ndodh sa herë Berisha ndjen rrezikun e fund-karrierës politike. A ka precedentë kjo histori?

    Po, në vitin 1997, atëherë kur qëndresa dinjitoze e FA në Përmet i rezistoi bishës së shtetit dhe egërsisë shtazarake të militantëve mercenarë me pagesë, duke e çuar vendin drejt një lufte të vërtetë civilë. Ushtria dinjitoze nuk veproi, gjeti rrugët e arsyes dhe pjekurisë patriotike e profesionale dhe u tërhoq. Atëherë, Presidenti Sali Berisha u mblodh sa grushti dhe bëri gati valixhet për t’u larguar fshehurazi nga Shqipëria. Por, disa politikanë pa vizion të PS-së, militantët dhe bashkëpunëtorët e ngushtë të tij, i bënë presion dhe ai nuk u largua. Por, “gjarpri” ngelet i tillë. Ai u riorganizua, duke u bërë më i papërmbajtshëm, më agresiv. Në mbyllje të karrierës së tij politike, përsëri provokon keq ushtrinë dhe FA. Por, këtë radhë jo Përmeti, por SHQUP-i në qendër të Tiranës, kthehet në një tjetër simbol qëndrimi kundër kësaj qeverie të paligjshme në ikje. Dhe këtë ai duhet ta kuptojë më mirë.

    Çfarë duhet të kuptojë Berisha?

    Të mos i provokojë ushtarakët! Tani ai s’ka më fuqi, apo legjitimitet në politikë; i konsumuar totalisht, fizikisht dhe njerëzisht, nuk mund të heqë statusin e ushtarakëve. Por, si një provokator i regjur me mjaft përvojë, kërkon të nxehë gjakrat, të ngrejë në revoltë shpirtin paqësor të ushtarakëve, kërkon konfrontime, kërkon luftë vëllavrasëse, kërkon luftën civile. Ushtarakët nuk do të bien pre e këtij provokimi shantazh. Ata e dinë mirë se si do të krijohet ai kordon ligjor, demokratik e institucional, për të mos lejuar përdhosjen e kësaj Shtëpie të Ushtrisë nga banditët e ashtuquajtur demokratë. Dhe kjo do bëhet.

    Banditët demokratë?

    Partia Demokratike është parti e vlerave kombëtare për të gjithë shqiptarët dhe Shqipërinë. PD nuk është parti private, siç po reflekton momentalisht, as e Sali Berishës, Lulëzim Bashës, e qeveritarëve në largim apo e militantëve ekstremë që e çuan drejt humbjes më të madhe historike. Prandaj, na vjen keq, dhe nuk do lejuar, qoftë dhe për disa orë, që kjo kastë që bie erë, të futet në ambientet e SHQUP-it.

    Vendimi është marrë, dhe SHQUP-i shumë shpejt do të jetë seli e PD-së.

    Sigurisht që ata mund të futen atje, por nuk do ta gëzojnë. Ky është një veprim antiligjor, edhe pse mund të firmoset nga ushtari Bujar Nishani. Ata thonë që SHQUP-i ka dalë jashtë funksionit strukturor të FA-së. Kjo është një gënjeshtër, si gjithë mashtrimet e bëra në vite nga kjo qeveri. Së pari, ajo është në strukturë të FA, konform strukturave të tilla të vendeve anëtare të NATO-s. Së dyti, po të qe e tillë do ishte firmosur nga Shtabi i Përgjithshëm i FA, po si hajduta ordinerë e anashkalojnë këtë strukturë të rëndësishme, pronaren e këtij trualli. Së treti, në qoftë se ka dalë jashtë strukture, atëherë urgjent duhet të hapet një padi penale ndaj 100 militantëve të PD-së, të punësuar për 4 vjet në këtë institucion, për pagat e marra dhe shpenzimet e harxhuara. Nuk mund të ecet më kuturu e me dilentatizëm politik. Na vjen keq dhe ndjehemi të ofenduar që kemi patur një Komandant të Përgjithshëm dhe një Kryeministër të tillë. Është turp për gjithë ushtarakët dhe për gjithë shqiptarët.

    Po për Presidentin Nishani, ç’koment keni?

    Për Presidentin? Ai është Komandant i Përgjithshëm i FA. Është një ish-ushtarak. Më vjen sinqerisht keq për të. Nuk kam asnjë koment. I uroj të shkuara dhe një shëndet të mirë, jo vetëm fizikisht, por dhe mendërisht.

    Forcat tona të Armatosura janë pjesë e NATO-s dhe……

    NATO? Për se e keni fjalën?

    Kisha parasysh fjalën e Kryeministrit Berisha për 4 vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, ku thotë: “NATO është organizatë frymëzuese. Ne jemi të vendosur të përmbushim çdo detyrim që rrjedh nga anëtarësimi, është i admirueshëm reformimi i Forcave të Armatosura në këto vite…”

    Me NATO-n, më vjen keq, por ky njeri është tallur, ka mashtruar shqiptarët dhe ka abuzuar shumë me emrin e saj të nderuar. Si mund të dojë e të ketë respekt një Kryeministër për NATO-n, kur u nxjerr dhëmbët ushtarakëve. As mund t’i shkojë në mëndje një kryeministri normal në asnjë vend të botës, që të mbajë një qëndrim të tillë. NATO nuk ka ndonjë ushtri, që politika po e vjedh dhe e grabit për ditë e për orë, që u heq dhe ushqimin ushtarakëve, që për 6 vjet rresht ushtarakët e FA, nuk kanë marrë asnjë palë këpucë, bluzë apo uniformë, dhe simbolet e tyre të uniformave shkojnë e i bëjnë me lekë në dyqanet e matrapazëve, me porosi të komandantëve të lidhur për këtë qëllim. A ka një ushtri anëtare e NATO-s që për 5 vjet rresht nuk është vendosur një gozhdë, për modernizimin e pajisjeve mbështetëse logjistikë në FA? Të mos ndalemi më gjatë këtu, se ka mjaft probleme. Në NATO Shqipërinë e futi ajo plejadë oficerësh të zgjuar e profesionistë që punuan për dhjetë vite rresht, e që sot janë rrugëve të papunë e gjyqeve, për të marrë pensionet që punuan për këtë shtet.

    A ka një shembull të tillë në vendet anëtare të NATO-s?

    A ka një shembull të tillë në vendet anëtare të NATO-s? Le të na e thotë Kryeministri me Ministrin e tij të Mbrojtjes. Oficerët e FA janë pa shtëpi e katandi, me një rrogë qesharake, ndërkohë që nuk dihet destinacioni i lekëve të marra nga shitja e pronave dhe pasurisë ushtarake. Cili vend, anëtar i NATO-s është i tillë, që gjeneralët e kolonelët i nxjerr jashtë detyre pa asnjë kriter? Ky vend është vetëm Shqipëria.

    Po sa respektohen FA, nga udhëheqja civile në veçanti, apo politika në përgjithësi?

    Strukturat civile, politika dhe qeveria, duhet të kuptojnë mirë se për një vend anëtar të NATO-s, pushteti i FA nuk duhet të vihet në dyshim dhe jo më të përdhoset, sepse ushtria është gjithmonë një faktor shumë i rëndësishëm në politikë, në shoqëri, në mos vendimtar. Ne jemi vend europian, se po të ishim në Lindjen e Mesme, me këtë udhëheqje civile që kemi, do ishim në luftë civile të padiskutueshme. Duhet mësuar se ushtria formalisht është e varur nga udhëheqësit civilë, të cilët mbajnë përgjegjësi për FA. Na vjen shumë mirë për qëndrimin profesional e ligjor të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA, në lidhje me Qendrën Kulturore të Ushtrisë, por ende jemi shume larg. Bërja e politikave në fushën e mbrojtjes dhe ato ushtarake është përgjegjësi e politikanëve civilë, ndërsa ushtria ofron këshilla dhe merr përgjegjësi. Nga ana e strukturave ushtarake të FA nuk ka munguar kjo përgjegjësi. Politika me disa ministra ordinerë e ka ngatërruar këtë ekuilibër. Ushtria gëzon një neutralitet të rreptë politik brenda FA, që i kanë siguruar asaj besnikërinë dhe suksesin në misionin e saj para popullit, ligjit, Kushtetutës, pavarësisht kësaj partie e qeverie që kishim në udhëheqje.

    Ju faleminderit!

    Ju falenderoj përzemërsisht, juve si gazetare e veçanërisht Gazetën tuaj “Telegraf” si e vetmja gazetë që i ka qëndruar më afër ushtrisë dhe ushtarakëve.

    Deklaratë e kryesisë së OBVL-së: Të anulohet vendimi për SHQUP

     Rrahman PARLLAKU

    Organizata  e Bashkuar e Veteranëve të Luftës Nacionalçlirimtare (OBVL) shpreh indinjatën e saj për vendimin e fundit të qeverisë shqiptare lidhur me ndryshimin e destinacionit të Qendrës Kulturore të Ushtrisë. Ne e konsiderojmë absurd këtë vendim për faktin se nuk ka asnjë vend anëtar të NATO-s që të mos ketë një Qendër Kulturore të Forcave të Armatosura, ku struktura të ushtrisë, veteranë dhe ish-ushtarakë të mund të kryejnë aktivitetet e tyre. Disa anëtarë të OBVL, ish-ushtarakë të karrierës kanë përjetuar kohën kur ish Shtëpia Qendrore e Ushtrisë (sot selia e Ministrisë së Kulturës) iu dha Lidhjes së Shkrimtareve, ndërsa u miratua vendi ku u ndërtua Qendra aktuale Kulturore e Forcave tona të Armatosura. Ata mbajnë mend se si me punën vullnetare të ushtarakëve të të gjitha niveleve u ndërtua SHQUP-i dhe për dekada të tëra ajo u shërbeu brezave të ushtarakëve për aktivitete të ndryshme. Ne mbështesim protestën e ligjshme të organizatave të ushtarakëve të liruar e në pension dhe ngremë zërin tonë për anulimin e këtij vendimi.

     KRYETARI I OBVL

    Gjeneral-lejtnënt në pension, Hero i Popullit