Mystehak Xhemali/ Kur më ktheu surratin, njoha kandidatin

862
Kandidati për kryetar bashkie kishte mbledhur një grusht njerzish të vendosur rrethçe e që ngjasonin aq shumë me një patkua kali. Me sa duket ai e kishte mbaruar revanin e kalit, domethënë kishte përfunduar fjalën e vetë programore, siç ishte zakon të flitej ato ditë të mbushura plot premtime, që arrinin deri në stratosferë, pasi drejtuesi i fushatës së tij iu drejtua të pranishmëve: 
– Tani, zonja dhe zotërinj e keni fjalën ju. 
Dhe sipas një radhe të përcaktuar më parë u ngriten nja dy a tre veta, të cilët i thurrën lavde kandidatit. Bile as më pak e as më shumë, por e uruan atë për fitoren si kryetar bashkie. Kurse një mesoburrë me një lloj instrumenti ndër duar, që i ngjante një lahute, i këndoi edhe një këngë që, siç tha ai, ishte frymëzuar nga puna shumë e vyer e kryetarit të ardhshëm të bashkisë :
Sa rron lulja sa rron bari
Rroftë e qoftë kryetari.
Por kënga tingelloi si një marsh funebër për kryetarin, prandaj rapsodi e kuptoi gafën e menjëherë i zëvendësoi fjalët e këngës të improvizuar : 
Sa rron fusha, sa rron mali
Rroftë e qoftë kryetari
Kënga u prit me durtrokitje e një vajze e re bullafiqe vrapoi për t’i dhënë kryetarit një tufë me lule, por nga nxitimi u pengua dhe lulet u shpërndanë nëpër këmbët e të pranishmëve. Vajza u ngashërye, ndërkohë që kryetari i zgjati dorën dhe e përfshiu atë me krahët e tij muskulozë. Duartrokitjet u shtuan për gjestin e tij kalorsiak prej një kavaljeri të sprovuar në shtrëngime e përqafime të këtij lloji. 
– Epo nuk na ka mbetur gjë tjetër, veç t’i urojme kryetarit tonë…
Por drejtuesi i atij takimi nuk e çoi fjalën deri në fund, pasi u dëgjua një zë andej nga fundi:
– Dua t’i bëj kandidatit tonë një pyetje.
Ai që foli ishte një burrë i moshuar.
– Fol, xhaxha, po të dëgjoj.
– A keni ju në programin tuaj ndërtimin e një qenefi në qytetin tonë?
Kandidati i ngjante një tuafi, që nuk dinte çfarë të thoshte.
– Nuk e kuptoj fjalën qenef, – tha ai.
– Hamëm, hamëm…
Kandidati ngriti supet.
– E ka fjalën për banjo, – i erdhi në ndihmë dikush nga stafi i tij.
– A, po! Ke të drejtë. Në prograrmin tim kam përfshirë ngritjen e disa dusheve, ku të bëni edhe banjo dielli. Të gjitha shërbimet do t’i keni falas. 
– E kam fjalën për nevojtore, apo më shqip për hale, zotëri, – tha plaku, – qyteti ynë është kthyer në hale. Njerzit urinojnë ku të mundin: pas ndonjë murishteje, pas pallateve, apo edhe pas gëmushave në lulishte. Më të shumtit vrapojnë andej nga këmbëza e urës.
E si në atë thënien e lashtë se po kujtove qenin, bëj gati shkopin, kandidati për deputet ndjeu një cimbim në fshikzën e vetë. Plaku vazhdonte në të tijën:
– Pa le kur halli zë edhe gratë, se burrat bëjnë si bëjnë dhe e leshojnë diku. Ato të tromaksura fshihen andej nga këmbëza e urës…
Ai cëmbimi në fshikzën e urinës u kthye në një dhembje djegëse. Kandidati hodhi vështrimin nga këmbëza e urës. Iu duk shumë e largët.
Plaku vazhdonte :
– Halli i madh është edhe me ata katundarët e gjorë, të cilët nga ngërçi e shkarkojnë fshikzën ku të mundin.
Dhembja aty nën barkun e fryrë të kandidatit për kryetar bashkie po bëhej e padurueshme, torturuese, sfilitëse. Kandidati po bënte vendnumëro, përulej, përpëlitej në hallin e tij të stërmundimshëm. Ai plaku sikur po ia bënte qëllimisht për t’a torturuar atë:
– Edhe atë palo lulishten e vetme që kemi nuk e frekuentojmë dot se bie era urinë e jashtëqitje njerzish e qensh…
Kandidati për kryetar bashkie nuk duroi më:
– Ke të drejte, xhaxha. Të gjitha do t’i rregullojmë. Une po largohem se kam një takim tjetër.
Dhe pa pritur, duke ngulçuar, ia mori vrapit andej nga këmbëza e urës. Zbërtheu shpejt e shpejt pantallonat, por nuk arriti të shkarkonte atë dhembjen djegëse, pasi dëgjoi një zë:
– Po ti, more tutkun, ç’do këtu tek vendi ynë.
Kandidati për kryetar bashkie i trembur nga befasia e atij zëri ktheu vështrimin dhe pa një grua me ngjyrë, e cila e ulur ngaliç po shterzonte nga një lloj stërmundimi për të nxjerre diçka. Kandidati për kryetar bashkie ndjeu një leng të ngrohtë, që po i rridhte nëpër kofshë deri në llërët e kërcirit. Pikat e ketij lëngu ranë mbi këpucet e tij llustrafin dhe atëherë ai pa se ishte zhytur në fekale. Ca nga befasia e atij zëri e ca nga halli që e kishte zënë, pa e kontrolluar dot veten, kishte shurrosur në pantallona. Ashtu shalëhapur u shkëput nga fekalet dhe pa ia hedhur sytë asaj jevges u nis për të dalë nga këmbëza e ures. Por ajo jevga na paska qënë shejtan i vërtetë. Ia nisi një kënge të improvizuar më një zë të dredhur :
Kur më ktheu surratin
Njoha kandidatin 
Oi, oi, oi.
Kandidati për kryetar bashkie dukej i tmerruar. Fjalët e këngës, që ngjasonin me shumë me një ritual vaji, si një ortek mbytës, po e ndiqnin nga pas:
O lele, u bubu
O bobo ç’bëhet këtu
Vate m… gjer ne gju.
Oi, oi, oi.
Kandidati po përpiqej të dilte sa më shpejt nga ai ferr. Shalhapur nxitonte hapat, duke mbajtur me dorë veshet që të mos e dëgjonte atë këngë të mallkuar. Por jevga vazhdonte të ishte e pamëshirshme :
Mu te këmbë e urës
Ku është vendi shurrës
Kur më ktheu surratin
Njoha kandidatin
Oi, oi, oi.
Kandidati për kryetar bashkie ecte çalë-çalë për t’ u larguar sa më shpejt nga këmbëza e urës.
Sigal