Myrshit Vorpsi:Ja përse po gënjehet për kompensimin e pronarëve, situata shqetësuese

    462
    Sigal

    Intervista /Flet përfaqësuesi i Shoqatës “Pronësi me Drejtësi” Myrshit Vorpsi

    Shpërndarja e parave për kompensimin e pronarëve akoma nuk ka filluar. Kjo bëhet e ditur për “Telegraf” nga përfaqësuesi i Shoqatës “Pronësi me Drejtësi” Myrshit Vorpsi. Sipas zotit Vorpsi paratë për kompensimin duhet të shpërndahen para zhvillimit të zgjedhjeve.

    -Zoti Vorpsi, çfarë po bëhet me shpërndarjen e parave për kompensimin e pronarëve, a ka filluar në të vërtetë dhënia e parave?

    -Atë që ka thënë media, atë kemi dëgjuar edhe ne. Por se sa e vërtetë është, këtë nuk e di. Ne si Shoqatë e Pronarëve nuk kemi ndonjë informacion zyrtar. Por nganjëherë duket sikur media të caktuara shpërndajnë qëllimisht informacione sikur është bërë shpërndarja e parave për një pjesë të pronarëve. Madje është thënë sikur është bërë shpërndarja e një fondi prej 300 milionë lekësh që i përkasin vitit 2012-të për 33 subjekte. Por për këtë nuk ka asnjë informacion zyrtar dhe kjo nëse ka ndodhur është bërë në një formë jo transparente. Fakti që diskutohet për rreth 33 subjekte dhe për një shifër prej 300 milionë lekësh kjo lë për të dyshuar.

     -Ju si shoqatë nuk jeni vënë në dijeni për asnjë vendim të tillë?

    – Por të gjithë atë që thashë pak më lart po e përmbledh duke thënë që nuk ka asnjë njoftim zyrtar për këtë dhe të gjitha këto që janë thënë, janë në kuadrin e thashethemeve. Jo, ne si shoqatë nuk kemi marrë asnjë njoftim të tillë. Për ne bëhet e besueshme një gjë e tillë në momentin që mund të kemi një Vendim Qeverie në lidhje me shpërndarjen e fondit, apo nga ndonjë institucion tjetër.

     -A mendoni se shpërndarja e parave për kompensimin do të bëhet para zgjedhjeve, a është afati kohor i mjaftueshëm?

    -Nëse do të bëhet shpërndarja e parave për kompensimin e pronarëve kjo do të ndodhë para zgjedhjeve mendoj unë. Nëse do të lihet për pas periudhës së zgjedhjeve kjo ka pak mundësi që të ndodhi pastaj. Sepse qeveria e ardhshme do të ketë prioritete të tjera pastaj mendoj. Unë mendoj që edhe nga pikëpamja elektorale ky fond duhet të shpërndahet tani para zgjedhjeve.

     -Sa është numri i subjekteve që do të përfitojnë nga fondi në të cilin janë bashkuar dy vite bashkë?

    Asnjeri nuk e di numrin e përfituesve. Por me këto ulje që janë bërë duhet parë se kush do të ketë prioritet. Pasi nëse do të ketë prioritet Tirana, numri i përftuesve do të ulet dhe nëse do të kenë prioritet qytetet e tjera numri i subjekteve do të rritet. Por kjo është një rritje sipërfaqësore, pasi për pronarët nuk zgjidhet asgjë, për aq kohë sa këto çmime po ulen në mënyrë skandaloze që janë vendosur jo mbi bazën e metodikës, por janë çmime që janë vendosur politikisht. Por mund të ju them edhe një arsye se përse Qeveria mori vendim për çmimet tani? Në këtë periudhë do të shiten shumë pasuri publike. Në këtë mënyrë blerësit e pasurive publike do të kenë çmime shumë favorizuese. Po ju jap një shembull. Në shkallë vendi janë ndërtuar rreth 30 fshatra turistike, dhe çmimet e këtyre trojeve të fshatrave turistike sipas ligjit që ka dalë në vitin 2009 ka qenë nga 140 mijë lekë për metër katror dhe kanë variuar në 190 mijë lekë për metër katror. Dhe çmimet me të cilat do të privatizohen tani këto fshatra turistikë është i ulët dhe luhatet në nivelin e 25 mijë lekëve të vjetra. Nëse do të shihet shtypi i 2009-ës, do shihet se një pjesë e mirë e këtij kabineti qeveritar kanë qenë përftues të atyre vilave, pra ato kanë qenë në konflikt interesi kur ka miratuar çmimet.

     – Çështja e kompensimit fizik mbetet një ndër çështjet e tjera të pazgjidhura për pronarët, përse nuk është bërë kjo?

    Kompensimi fizik i pronarëve është sabotuar me bindje të plotë nga Qeveria shqiptare. Për këtë unë mund të ju citoj edhe Nenin 28 të Ligjit 9235, i vitit 2004, thotë që të krijohet fondi për kompensimin fizik. Dhe ka afër 9 vjet që ky fond nuk është krijuar as sot e kësaj dite. Po ashtu në një nen të këtij ligji thuhet që Qeveria nuk ka të drejtë që të japë me qira ose koncesion objekte të ngritura mbi pronë private, por kjo nuk e ka penguar Qeverinë. Një nga 12 rekomandimet është dhe ai që ka të bëjë me pronën. Rekomandimi thotë në mënyrë taksative që duhet të miratohet, të hartohet nga Qeveria një ligj për të drejtën e pronës. Detyra që i ka vënë Këshilli i Europës qytetarëve shqiptarë nuk është kompensimi financiar, por është kompensimi fizik.