Muzeu historik i Tropojës, prej 17 vitesh, është kthyer në ngrehinë bosh

731
Sigal

BAJRAM CURRI/Asnjë objekt nuk ka në ‘të, godina e amortizuar, askush s’vë dorë

Në faqen zyrtare të bashkisë së qytetit të Bajram Currit, në rubrikën “Institucionet”, për muzeun historik që është vetëm si ngrehinë që në vitin 1997, shkruhet: “Muzeu historik i rrethit u ndërtua në vitin  1985 dhe  është një ndër muzetë më të bukur për sa i përket arkitekturës së jashtme, por edhe zgjedhjen funksionale të brendshme, ku janë gërshetuar më së miri elementet e arkitekturës të banesës vendase me atë bashkëkohore. Mjediset e këtij muzeu janë të bollshme dhe më se funksionale. Ka rreth 8 salla ekspozimi për eksponatet muzeale, me një sipërfaqe 1300 m². Këto salla janë projektuar e realizuar në formën e rrathëve koncentrik dhe ka një ndarje të kateve në formë të tillë që kalon nga njëri kat në tjetrin pa u vënë re  me 3-4 shkallë… Ky muze është i vendosur në qendër të qytetit, i harmonizuar bukur me mjediset përreth, me përmendoren e Heroit të Popullit Bajram Curri, dhe në sfond me një copëz të bukurive të alpeve tona, krijon një ansambël të vërtetë historiko-arkitekturor dhe një hijeshi të lakmueshme edhe për vizitorët. Muzeu historik i Tropojës për peshën dhe vlerat muzeale e historike që mbart në gjirin e vet, për përmasat, zgjidhjen arkitekturore funksionale, do të hynte i treti në vendin tonë, pas muzeut kombëtar dhe atij të Skënderbeut ne Krujë. Ky muze mbart më vete trashëgiminë shumë shekullore kulturore dhe historike të trevës së Tropojës.”  Muzeu  në fjalë që nga viti 1997, tash 17 vjet ekziston vetëm si ngrehinë, pasi në ambientet e brendshme nuk disponohet asnjë material në asnjë stendë apo anekse të tij, ndaj tashmë është pa vlerë, vetëm një godinë përshtatur orientit të veriut. Ndonëse me fondet e buxhetit të shtetit,para disa kohësh është kryer rikonstruksioni Ii godinës,ambientet e brendshme nuk janë të kompletuara,veçse salla bosh. Mendojmë që në kuadrin e 70 vjetorit të çlirimit të Atdheut nga nazifashistët,të merren masa nga organet kompetente për pajisjen me objekte muzeale, duke u mbështetur edhe me fondet përkatëse.