Muzafer Korkuti: Kultura mesjetare e luginës së Vjosës, nuk përbën një fenomen të rastësishëm

826
Sigal

Intervista/ Flet Akademik Muzafer Korkuti: Tuma e Piskovës një lapidar i lashtësisë

Lugina e sipërme e lumit të Vjosës, nga gryka e Këlcyrës deri tek Tri Urat, përbën një zonë më vete, të mbyllur por me vlerë të veçantë në vështrimin historiko-arkeologjik, sepse gjatë gjithë historisë së saj, (nga fillimet e popullimit në mijëvjeçarin e katërt para Kr.) e deri sot është banuar pa ndërprerje. Në të njëjtën kohë ajo ka qenë edhe një zonë e hapur në lidhje me marrëdhëniet me kulturat e qytetërimit e të gjitha kohërave. Rrjedhimisht të tillë kanë qenë edhe banorët e kësaj lugine, e parauejt (siç quheshin në kohën antike) dhe përmetarët (në mesjetë e sot). Për periudhën prehistorike, antike e mesjetare të hershme janë shumë dëshmi arkeologjike që vijnë nga zbulime të rastit e sipërfaqësore, por me vlerë të veçantë janë qendra të rëndësishme, Shpella e Bënjës dhe tuma e Piskovës, të cilat janë gërmuar, studiuar dhe kanë zënë vendin që u takon në dokumentimin e historisë antike e mesjetare të Shqipërisë Jug-Lindore.

-Është folur shumë për shpellën e Bënjës, por ju së fundi keni artikuluar dhe një kumtesë. Mund të na thoni diçka më specifike për këtë shpellë?

Shpella e Bënjës gjendet në të djathtë të kanionit të bukur të lumit të Langaricës, në afërsi të fshatit Bënjë. Është një shpellë e zakonshme karstike që pas një hyrje të ngushtë zgjerohet në formën e një korridori të gjatë 160 m, i cili degëzohet duke formuar mjedise të përshtatshme për banim. Në vitin 1983 unë bëra gërmime në hyrje të  shpellës dhe në dy ambiente të brendshme. Kushtet për gërmim ishin shumë të vështira, sepse për të filluar punën na u desh të shtrinim një kabllo 1,5 km për ndriçim dhe të ngrinim një shkallë 10m të lartë për t’u ngjitur në hyrje të shpellës. Rezultatet që arritën nga gërmimi, justifikuan plotësisht mundimin e bërë. U zbulua një lëndë arkeologjike shumë e pasur dhe një stratigrafi që përcaktoi periudhat e banimit, kohën e përdorimet të shpellës së Bënjës.

-Kur mendoni se janë fillimet e jetës në këtë shpellë?

Fillimet e jetës në shpellë i takojnë epokës së bakrit (mesi i mijëvjeçarit të tretë p.e.  sonë). Në epokën pasardhëse, atë të bronzit, vendbanimi pati një jetë intensive që provohet nga pasuria e larmia e enëve prej balte dhe veglave të punës shpella vazhdoi të banohej me të njëjtin intensitet edhe gjatë epokës së hekurit (mijëvjeçari i parë p.Kr.) Ndër gjetjet vlen të vihet në dukje prania e qeramikës së pikturuar devollite, si dëshmi e lidhjeve të ngushtë me kulturat e pellgut të Korçës. Lënda arkeologjike që i takon periudhës antike dhe fillimet e mesjetës janë dëshmi i vijimësisë së banimit. Qeramika e bronzit të hershëm karakterizohet nga qeramika barbotine si edhe nga qeramika me lustër të zezë që është karakteristike për epokën e bakrit. Në shumë enë janë të kombinuara të dy teknikat, gjë që nënkupton se edhe midis prodhuesve – bartësve të kulturës ka ekzistuar një lidhje, një vazhdimësi.

Për më tej le të vazhdojmë me Tumën e Piskovës…

Gërmimet e bëra në tumat e Piskovës, Rapckës e Grabovës nga N.Bodinaku në vitet 1970-80, kanë dhënë një lëndë shumë të pasur e të larmishme arkeologjike, me shtrirje kohore nga fillimet e kohës së bronzit deri në shek. IX-XI të e sonë, të cilat vijnë në mbështetje të plotë të dhënave të zbuluara në shpellën e Bënjës. Tuma e Piskovës, gjendej në të djathtë të rrugës automobilistike Këlcyrë-Përmet, buzë lumit të Vjosës, vërtet si një lapidar i lashtësisë, që kishte para gërmimit formën e një kodre të lartë 3m dhe një diametër 23m. Tuma fillestare ngrihej mbi një varr qendror, vendosur në një gropë të hapur në taban, në një thellësi 1,5m. Ai rrethohej nga një unazë me gurë zalli e gjerë 1,80m dhe me diametër të jashtëm 6m. I tërë ky konstruksion rrethohej nga një unazë tjetër me diametër 10m. Brenda kësaj unaze dhe mbi varrin qendror ishin vendosur varret më të vjetër të kësaj tume fillestare. Tërë këto të dhëna për ndërtimin e tumës, janë identike me ndërtimin e tumës (nr.1) të zbuluar në Pazhok (Elbasan). Në një kohë tjetër më të vonë (bronzi i vonë), tuma zmadhohet, duke u rrethuar me një unazë tjetër me diametër rreth 25-30 m. Brenda kësaj unaze ishin vendosur varret e periudhës së bronzit të vonë dhe fillimet epokës së hekurit. Në një kohë tjetër, shumë më të vonë, tuma ripërdoret për varrim. (numri i vareve arrin në 116). Veç arkitekturës së tumës të dhëna bazike janë konstruksioni i varreve (Konstruksioni mbizotërues është ai i varreve cist të ndërtuara me pllaka në formë arke, nuk mungojnë varre me gropë të thjeshtë, ose me gropë të rrethuar e të mbuluar me gurë).

-Cilat janë karakteristikat apo ritet?

Riti i varrimit. Predominon mënyra e varrimit me vendosje kufome, rrallë është përdorur varrimi me djegie.

Inventari (Kultura materiale) është përfaqësuar relativisht mirë, por i diferencuar në pikëpamje sasiore, në përputhje me periudhat. Është përfaqësuar mjaft mirë qeramika, pak armë dhe objekte të përdorimit praktik, mirë është përfaqësuar bizhuteria objektet e zbukurimit të periudhës mesjetare. Arkitektura, riti i inventarit, mundësojnë plotësisht të veçojnë disa faza të ngritjes së përdorimit të tumës së Piskovës.

Faza e parë: Bronzi i hershëm që lidhet me varrin qendror dhe materialin e përfituar prej tij së bashku me atë të shtresës që mbulon këtë varr, brenda unazës së gjerë.

– Varri qendror i vendosur në taban, në një gropë pa ndonjë konstruksion të veçantë, skeleti i vendosur në shpinë, me këmbë të mbledhura i ruajtur mirë. Dheu rreth skeletit kishte ngjyrë të kuqërremtë.

Në gropën e varrit u gjetën disa fragmente enësh në ngjyrë kafe në gri, me zbukurim plastik si shirita në reliev, zbukurime me incizim , fragmente me një radhë gropës poshtë buzës së enës dhe fragmente enësh me barbotin. Edhe nga profilet, këto fragmente riprodhojnë forma enësh tipike për periudhën e bronzit të Hershëm të Bënjës, e më tej të Maliqit III a dhe me Shkodrën I, Pazhakun, Shtoin,  Apolloninë (Tuma).

Këto janë pasqyrim i ndryshimeve thelbësore që ndodhen në periudhën e kalimit nga epoka e eneolitit në epokën e bronzit të hershëm në Shqipëri dhe lidhen pa mëdyshje me dyndjen e madhe indoevropiane.

Faza e dytë. Bronzi i mesëm, lidhet me varret e vendosura mbi shtresën që mbulon varrin qendror.

Faza e tretë. Bronzi i vonë dhe fillimi i epokës së hekurt, që lidhet me varret rreth unazës së madhe.

Faza e katërt. Epoka e hekurit e qyteteve ilire.

Periudhat më të vona kanë të bëjnë me përdorimin e tumës si send varrimi gjatë mesjetës.

-Si mund ta përmblidhni kulturën ilire të asaj periudhe në këto zona?

Duke përmbledhur, mund të themi se kultura ilire e zbuluar në tumën e Piskovës, me gjithë veçoritë e saj lokale, qëndron në unitet të plotë me kulturën ilire të zbuluar në territorin tjetër të vendit tonë, sidomos në atë të grupit jugor ilire. Me vlerë të veçantë është edhe materiali arkeologjik i periudhës mesjetare që u zbulua në tumën e Piskovës, po edhe të Rapckës e Grabovës, të cilat dhanë 422 varre, prej të cilëve 167 varre i përkasin mesjetës së hershme. Kronologjikisht periudha mesjetare përfaqësohet nga dy etapa: Varre të shek.VII-VIII dhe varre të shek. IX-XI. Për vazhdimësinë e përdorimit të tumës së Piskovës etj., nga e njëjta popullsi dëshmojnë: vetë ripërdorimi i tumës, ndërtimi i varreve në trajtë arke me rresa shtufi; përdorimi i objekteve të njëjta në inventarin e varreve si thika, tokëza, unaza, rrathë etj. Ka rëndësi të vëmë në dukje se kultura mesjetare e hershme e luginës së Vjosës e me gjerë, nuk përbën një fenomen të kufizuar dhe as të rastit. Të dhënat arkeologjike nga varreza e Rehovës (Kolonjë), Kuçi i Zi (Korçë), Dukat (Vlorë), Patos (Fier) dëshmojnë se në Shqipërinë Juglindore e Jugore, kemi të bëjmë me një kulturë me tipare të përbashkëta e cila u formua në kushte të njëjta historike dhe mbi një bazë të përbashkët etnike. Si përfundim të dhënat arkeologjike të zbuluara në shpellën e Bënjës, të cilat përputhen me ato të zbuluara në tumën e Piskovës, dëshmojnë për vijimësinë e banimit nga e njëjta popullsi e luginës së Vjosës së Sipërme nga prehistoria në mesjetë.

Përgatiti Albert ZHOLI