Muxhahidinët në Shqipëri, rikonfirmim i marrëdhënieve strategjike midis Shqipërisë dhe SHBA

    452
    Vizita e sekretarit të Shtetit të SHBA në Tiranë u bë për të përfunduar marrëveshjen me Shqipërinë, për pranimin në vendin tonë të një numri të muhaxhedinëve iranianë. Mirëpo, pranimi i tyre në Shqipëri, me statusin e rrefugjatit politik, ka ngjallur reagime të kundërta. “Telegraf” ka përcellë të gjtha mendimet, opinionet. Në këtë forum të “Telegraf” u prononcuan Av. Idajet Beqiri, Kastriot Myftaraj, Prof. Afrim Krasniqi, Luçiano Boçi, kol. Pëllumb Zaimi dhe Prof. Lisen Bashkurti. “Telegraf” u drejtoi tri pyetje: A duhet të strehohen në Shqipëri muhaxhedinët iranianë, me statusine refugjatëve politikë, çfarë pasoja mund të ketë për Shqipërinë dhe Përse SHBA kërkon vetëm nga Shqipëria të strehojë muhaxhedinët?

    Av. Idajet Beqiri: Muxhahedinët nuk janë terroristë, Shqipëria nuk kërcënohet nga refugjatë politikë
    – Jemi një vend i NATO, jemi në partneritet strategjik me SHBA. Madje i kemi SHBA aleatët tanë më të fuqishëm dhe më dobiprurës. U kemi “borxh” pavarësinë e Kosovës. Kjo çështje e muxhahedinëve ka të mirat dhe të këqijat e saj. Po të ishte veç me pozitivitete kjo punë, ishte një gjë e thjeshtë, sepse nuk kishte nevojë për “kandar”. Mirëpo bota e sotme është vetëm “kandar”, nga cila anë është pesha e rëndë e përfitimeve, aty duhet të jemi ne! Jam pro pranimit të tyre në Shqipëri, sepse vlerësoj se problemi nuk është kaq i vështirë sa përpiqet t’a bëjë një pjesë e politikës dhe disa “ultranacionalist”! Kemi të bëjmë me një çështje që është trajtuar parimisht dhe është vendosur edhe “de fakto” shumë vite më parë kur në qeveri ishte Berisha. Gjithsesi muxhahedinët janë njerëz, si gjithë njerëzit e tjerë. Nëse ata do të ishin terroristë dhe do të kishin bërë krime, do të ishin hetuar, gjykuar dhe dënuar. Dhe, edhe sikur të ishin dënuar, pas vuajtjes së dënimit ata konsiderohen të rehabilituar dhe i gëzojnë liritë dhe të drejtat e njeriut, si mbarë njerëzimi. Europa dhe Amerika kanë pritur dhe presin çdo ditë mijëra refugjatë, posaçërisht nga vendet me besim fetar musliman. Parë nga ky këndvështrim, ardhja e muxhahedinëve në Shqipëri, qofshin ata edhe 2000 persona, nuk përbën asnjë problem për sigurinë tonë kombëtare.
    – Nuk shoh asnjë pasojë. Në radhë të parë ata janë njerëz, si gjithë njerëzit e tjerë. Do jetojnë në një shtet i cili ka në fuqi ligje, rregulla jetë, institucione etj. Kushdo që do të shkel ligjin dhe do të përzihet në akte kriminale, çfarëdo lloj nacionaliteti të ketë, do përgjigjen përpara ligjit. Pastaj Muxhahedinët janë të besimit mysliman. Përderisa në këtë vend jetojnë afro 2.8 milion shqiptarë autokton të besimit mysliman, nuk përbën asnjë problem nëse shtohen edhe “2000 lugë gjelle të tjera” për të ngrënë edhe ata. Shqipëria është një shtet i konsoliduar dhe me institucione. Nuk ka arsye të trembemi nga ardhja e muxhahedinëve për të punuar dhe jetuar në Shqipëri. Aq më tepër kur ata, duke e ditur se nga vinë dhe për çfarë arsye janë dëbuar nga vendi i tyre, duke njohur vuajtjet që kanë hequr, zemërgjerësinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve që po i presin me bukë e strehim, domosdo do të jenë mirënjohëse dhe do ta shpërblejnë me mirësi dhe sjellje korrekte këtë mirësi që shqiptarët po bëjnë ndaj tyre. 
    – Në radhë të parë SHBA janë të mbushur me emigrantë. Europa gjithashtu. Vetëm Gjermania po arrin shifrën e 500 mijë refugjatëve të pranuar nga vendet arabe. Pastaj më e rëndësishme, SHBA vendin tonë ka aleatin më të natyrshëm në gjithë Europën. Më kryesorja, Shqipëria jo vetëm që është një vend me dominancë popullsie të besimit fetar mysliman, por jemi vendi më tolerant dhe më paqësor i Europës. 
    Kastriot MYFTARAJ: Muxhahidistët, ekspertë të sigurisë apo avokatë të qeverisë?
    Avokat Idajet Beqiri ka deklaruar se “Moxhahidinët në Shqipëri nuk përbëjnë as problemin më të vogël për sigurinë tonë kombëtare”. Titulli i shkrimit është i çuditshëm, sepse fjala “moxhahidin” do të thotë “luftëtar i Xhihadit” (Xhihadist). Pra, autori na thotë “Xhihadistët nuk përbëjnë as rrezikun më të vogël për sigurinë tonë kombëtare”. Është e çuditshme, që Idajet Beqiri, i cili është jurist, shkruan për anën juridiket të çështjes: “Kemi të bëjmë me një çështje që është trajtuar parimisht dhe është vendosur edhe de fakto shumë vite më parë”. Beqiri nuk na shpjegon se si na paska ndodhur që qenka trajtuar parimisht dhe qenka vendosur “de facto” një çështje e tillë. Në të gjithë botën çështje të tilla trajtohen me marrëveshje të sakta, ku saktësohet numri i atyre që do të strehohen në vendin pritës. Nuk bëhen marrëveshje në parim për pranim të pakufizuar të njerëzve të tillë. Në rast se një marrëveshje e tillë ekziston dhe qenka bërë më parë, Beqiri ka detyrimin që të na e tregojë. Nëse Beqiri e ka fjalën për marrëveshjen që ka bërë Berisha kur ishte Kryeministër, kjo nuk është aspak marrëveshje e llojit që thotë ai. Kryeministri Berisha u dakordua me SHBA që të pranojë 260 muxhahidinë iranianë, pra një numër të saktë prej tyre. Për mendimin tim edhe kjo marrëveshje ishte e gabuar, sepse Shqipëria mori shumë më tepër muxhahidinë iranianë sesa i takonte të merrte në raport me përmasat e vendit. Beqiri, që me profesion është avokat, bën avokatinë e muxhahidinëve. Është e vërtet që muxhahidinët janë njerëz, por duke qenë se ata e quajnë veten zyrtarisht muxhahidinë, do të thotë xhihadistë, nuk janë njerëz si të gjithë të tjerët, por njerëz shumë të rrezikshëm, se janë betuar për kauzën e luftës së shenjtë.

     Ata janë kriminelë, madje terroristë, sepse të tillë i kanë shpallur autoritetet e vendit ku ata janë strehuar, të Irakut. Qeveria e zgjedhur demokratikisht e Irakut, aleate e SHBA, i ka shpallur muxhahidinët iranianë kriminelë dhe terroristë dhe e ka sulmuar disa herë ushtarakisht kampin e tyre, me ç’rast janë vrarë rreth 100 muxhahidinë. Vetëm ndërhyrja amerikane ka bërë që Ushtria dhe Policia e Irakut të mos i shfarosin krejt muxhahidinët. Idajet Beqiri duket se nuk e njeh statusin e posaçëm të muxhahidinëve iranianë në Irak, kur thotë se nëse do të kishin bërë krime ata do të ishin hetuar, gjykuar dhe dënuar. Por autoritetet irakiane nuk mund ta bënin këtë gjë sepse muxhahidinët iranianë ishin dhe janë nën mbrojtjen e amerikanëve. Sa herë që Qeveria irakiane ka ndërmarrë operacione policoro-ushtarake ndaj tyre, kanë ndërhyrë amerikanët. Pastaj asnjë shtet në botë nuk nxjerr në gjyq terroristët të cilët ka qenë i detyruar t’ i strehojë, sepse kështu i jep argumente shtetit të dëmtuar, në këtë rast Iranit, që ta akuzojë në gjykatat ndërkombëtare, ose madje ta sulmojë drejtpërdrejt si sponsor të terrorizmit. Teza e Beqirit, se edhe të dënuarit gëzojnë liritë dhe të drejtat pas dënimit është teorike. Kryetari i Shtetit Islamik, Al Bagdadi doli nga një burg amerikan me statusin që thotë Beqiri por shpejt u bë terroristi nr. 1 i botës. Beqiri nuk na sqaron se si përbën argument për strehimin e muxhahidinëve iranianë ajo që thotë ai se në botën e globalizuar nuk ka shtete të pastra etnike, me kombësi të vetme. Shqipëria nuk ka nevojë për muxhahidinë iranianë që të ketë minoranca etnike brenda vendit, se kemi të tilla. Përse na duhet një minorancë iraniane për më tepër xhihadiste? Argumenti tjetër i Beqirit se ne shqiptarët kemi emigruar shumë në Europë dhe Amerikë, ku na kanë mirëpritur (kjo duhet provuar), prandaj tani duhet të presim muxhahidinët iranianë, është pa kuptim. Nuk ka ndodhur kurrë që shqiptarë të cilët të kenë krijuar një organizatë terroriste në një shtet tjetër, jashtë Shqipërisë dhe të cilët ky shtet tjetër i ka luftuar me armë dhe është përpjekur t’ i dëbojë, të jenë strehuar nga një vend i tretë, siç është rasti me muxhahidinët iranianë që gjenden sot në Irak.
    Prof. Dr. Afrim Krasniqi: Prania e muhaxhedinëve, vendim gjeopolitik dhe diplomatik, sesa ushtarak apo social
    Shqipëria nuk është vend neutral, por anëtar në NATO dhe prej anëtarësimit ekzistojnë përfitime dhe përgjegjësi. Mbështetje për kërkesën e ardhur nga SHBA dhe NATO lidhur me strehimin e përkohshëm të një numri aktivistësh politikë, kundërshtarë të regjimit në Iran, ishte e pritshme dhe është dhënë prej vitesh. Tri qeveritë e fundit kanë qenë pro, pavarësisht nëse ka qenë e djathta apo e majta në pushtet. Shqipëria ka kontribut e rol simbolik në koalicionin antiterror, por me akte të tilla, tenton të luajë rol më të rëndësishëm dhe të përfitojë vemendjen e SHBA. Vizita e sekretarit Kerry është tregues i kësaj vemendje, është lajm i mirë për Shqipërinë dhe ri-konfirmim i marrëdhënieve strategjike midis Shqipërisë dhe SHBA. Ajo që mund të përmirësohej në raste të tilla është praktika e dhënies së miratimit dhe nevoja e garancive më të mëdha e institucioneve tona për të gjithë pikëpyetjet që lidhen sidomos me sigurinë. Për shembull, është domethënës fakti se pala amerikane bisedoi me qeverinë dhe opozitën, jo me parlamentin, apo Komisionin e Sigurisë, organe që me ligj drejtojnë politikat e Sigurisë. Ndryshe nga rasti i armëve kimike, ku axhendat personale dhe interesat e ditës dëmtuan partneritetin tonë me SHBA dhe seriozitetin tonë shtetëror e shoqëror, në rastin e fundit konsensusi dypalësh ishte përcaktues dhe shterues.
    – Nuk ka pasoja. Pretendime mund të vijnë vetëm nga Irani, vend nuk ka prani aktive në Shqipëri dhe nuk bën pjesë në qëllimet prioritare të qeverive shqiptare. Përkundrazi, indirekt në dokumentet tona të sigurisë është cilësuar si një kërcënim i mundshëm për shkak të politikave që ai aplikon prej mëse tri dekadash. Në rastin konkret, asnjë shtet serioz dhe me potencial në politikën e jashtme nuk fajëson dhe as kërkon sqarime nga Tirana zyrtare, për shkak se secili e di se vendimmarrja e Tiranës është strategjike dhe simbolike.
    – Çdo vend në NATO ka një rol dhe ka përgjegjësi. Shtetet kryesore të saj po mbajnë peshë specifike në luftën kundër terrorizmit dhe aspekte të vecanta të sigurisë globale, ndaj nisma për Shqipërinë nuk na bën ne përjashtim nga të tjerët, por na përfshin në procesin e ndarjes së përgjegjësive. Ndryshe edhe nga ndonjë vend tjetër i vogël apo fqinj, tek ne nuk ka opinion publik kritik, nuk ka parti kritike ndaj NATO-s, nuk ka ndjesi publike kritike dhe nuk ka bazë për dyshime, apo për rezerva ndaj një vendimi që është më shumë gjeopolitik dhe diplomatic, sesa ushtarak, apo social.
    Luçiano Boçi: Shqipëria, si pjesë e NATO-s, e ka për detyrë angazhuese pranimin e muhaxhedinëve
    – Shqipëri është pjesë e një aleance siguruese të parime themelore të lirisë e demokracisë, garantuese të sovranitetit e ndihmuese të prosperitetit dhe qëndrueshmërisë ekonomike e politike. Brenda saj ka njohur dhe pranuar të drejtat dhe detyrimet. Statusi i muxhahidinëve, si rezistencë politike, të larguar dhe të përndjekur nga vendi i origjinës për shkaqe politike, është një status i dhënë nga institucionet ndërkombëtare, pjesë e së cilës është dhe Shqipëria. Natyralisht Shqipëria e ka për detyrë angazhuese, por dhe në rrafshin humanitar, të luajë në këtë pikë, rolin e saj si pjesë e NATO-se, për pranimin dhe trajtimin e tyre me këtë status.
    – Nuk duhet ta shohim cështjen patjetër me syrin e pasojave, përderisa ajo është realisht një përmbushje e detyrimeve si rrjedhojë e angazhimeve strategjike të vendit tonë. Megjithatë dhe nqs e shohim me këtë “llogaritje”, pasoja është minore në raport me atë “honor” që ajo përfiton brenda Alencës së Atlantikut. Mund të ketë dhe reagime deklarative të vendeve që preken nga ky veprim, por që duhet të menaxhohen me qetësi brenda një kuptueshmërie të nivelit diplomatik. Tek e fundit ne kemi zgjedhur të jemi pjesë e mbrojtjes së vlerave të lirisë dhe demokracisë.
    – Kjo është pjesë e vendimarrjeve mbi bazën e disa avantazheve e specifikave që mund të paraqesë Shqipëria, në këtë rast, në raport me vendet e tjera që ndërkohë kryejnë angazhime, ndoshta dhe më të vështira se këto që përmbush vendi ynë.
    Pëllumb Zaimi, Kolonel më lirim: Kam frikë se këta janë kontigjente të CIA, që pergatiten në ilegalitet
    Në përgjithësi, nuk më pëlqen të vijnë miq, kur shqiptarët nuk kanë bukë për vete. Ne po na kthejnë në kazanë plehrash, jo se këta muxhahidinët janë plehra, por sepse të gjitha nevojat e amerikanëve tentojnë të zbrazen në tokën dhe shtetin më të varfër të Europës dhe në qeverinë më snobe të saj. Nuk kam shumë njohuri rreth muxhahidinëve, por thuhet se janë luftëtarë. Luftëtarë të kujt? Pastaj, si vijnë këta nga Irani, apo jane iranianë të emigruar në vende të tjera? Kam frikë se këta janë kontigjente të CIA, që përgatiten në ilegalitet.
    Prof. Dr. Lisen Bashkurti: Pranimi i muxhahidinëve, detyrim ndërkombëtar dhe kontribut humanitar
    – Kohët e fundit është krijuar konfuzion opinional në shoqërinë shqiptare lidhur me muxhahidinët, historinë, identitetin dhe veprimtarinë e tyre. Konfuzioni buron nga mosinformimi, apo keqinformimi, që krijojnë terr, paqartësi e dyshime tek njerëzit. Konfuzioni nxitet edhe nga mangësitë e sistemit tonë të informim-komunikimit, që vuan nga mungesa e transparencës dhe vazhdimësisë, nga elementët e propogandës së vjetër, apo ekzibicionizmit marketues bashkëkohor. Çështjet publike, marrëdhëniet publike, informim-komunikimi publik dhe diplomacia publike përbëjnë një sistem të integruar që krijon kohezion, sinergji dhe interaktivitet midis aktorëve shtetetor dhe jo shtetetor në gjitha proceset politikë-bërëse dhe zbatuese të vendit. Ky sistem lypet të ndërtohet dhe të funksionojë tek ne. 
    – E vërteta mbi muxhahidinët. Muxhahidinët janë një grup shiit iranian i organizuar politikisht për herë të parë bë vitin 1965. Baza ideologjike ishte e majtë, me ide marksiste e revolucionare. Kategoria sociale ishin të rinj studentë dhe intelektualë. Objektivi politik ishte rrëzimi I një sërë regjimesh në Iran, nga Shahu, Khomeini e deri te regjimi i sotëm. Metodat e luftës fillimisht ishin radikalë, të dhunshme dhe luftarake. Këto tipare karakterizuan muxhahidinët gjatë Luftës së Ftohtë. Për këto shkaqe BE, SHBA dhe Kanada i përfshiu ata në listën e organizatave terroriste. Me ndryshimet mbas Luftës së Ftohtë, muxhahidinët pësuan një transformim të thellë. U moderuan, hoqën dorë nga dhuna, u vetëçarmatosën, bënë interpretime progresive të Kuranit e islamit dhe mbështetën të drejtat e njeriut dhe të democracise liberale. Në plan ndërkombëtar, u bënë bashkëpunues me SHBA, demokracitë perëndimore kundër regjimeve totalitare në Botën Arabe. Për këtë evoluim, BE, SHBA dhe Kanada i hoqën nga lista e organizatave terroriste. OKB dhe Konventa e Gjeneves kanë detyrime për strehimin, azilimin dhe integrimin e tyre me mbështetjen dhe ndihmën e UNHCR. Në këtë kontekst, është biseduar dhe dakorduar qysh përpara pak vitesh për pranimin në Shqipëri të muxhahidinëve të “Liberty Camp” nga Iraku. 
    – Në realizimin e këtij angazhimi ndërkombëtar, SHBA kërkuan bashkëpunim me Shqipërinë, duke i ofruar mbështetje financiare, logjistike dhe sigurie të mjaftueshme. Muxhahidinët nuk janë terroristë. Janë komunitet arabik, të moderuar, tolerant dhe progresivë. Strehimi, azilimi dhe integrimi tyre në Shqipëri përbën detyrim ndërkombëtar dhe kontribut humanitar për Shqipërinë, populli I së cilës e ka përjetuar vetë prej vitesh emigrimin dhe azilimin nëpër botë.
    Sigal