Mungojnë dëftesat e diplomat, bllokohen nxënësit e maturantët

1190
Tenderi i Ministrisë shkakton vonesa në pajisjen me dokumente, duke sjellë vështirësi për ata që duan të studiojnë jashtë vendit. Për në Itali, afati mbyllet më 21 korrik
Viti shkollor ka disa javë që ka përfunduar, por nxënësit ende nuk kanë marrë dëftesat. Gjithashtu, mbyllja e provimeve të maturës nuk ka mjaftuar as për marrjen e diplomave, duke i rrezikuar ata që duan të aplikojnë për studimet e larta jashtë vendit. “Kemi 182 maturantë që aplikojnë jashtë. Kuptohet që është e vështirë për ata që ta marrin me vonesë kartonin, sepse i djeg ata. Nëse nuk e kanë diplomën brenda datës 10, pasi nga kjo datë e deri në 14 korrik u duhet për të vijuar aplikimet. Rezultatet kanë dalë, por për sa kohë që ne nuk kemi marrë ende të zyrtarizuara rezultatet e Maturës Shtetërore, maturantët nuk mund ta kenë në dorë Certifikatën dhe Diplomën”, tha për mediat Teuta Dobi, drejtoreshë e shkollës “Sami Frashëri”.

Në Ministrinë e Arsimit sqarojnë se ka pasur disa vonesa proceduriale në tenderin e zhvilluar për prodhimin e kartonëve për diplomat dhe dëftesat. “Kjo është një vonesë për shkak të një procedure administrative që ndodh në Ministrinë e Arsimit për blerjen e tyre. Por kjo procedurë prokurimi ka përfunduar. Nesër (sot) përfundon afati përfundimtar i ankimeve për këtë procedurë, e menjëherë më pas dëftesat do të jenë gati për prodhim. Besoj se brenda javës tjetër do të jenë plotësuar me dëftesa çdo maturant”, tha Plarent Ndreca, sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve.

Përveç kartonëve të diplomave, pritet të dalin edhe rezultatet e provimeve të maturantëve nga Agjencia Kombëtare e Provimeve dhe më pas të nisë shpërndarja e diplomave.

Problemi i pajisjes së maturantëve me diploma përsëritet çdo vit, duke shkaktuar shqetësime të mijëra e mijëra nxënës, të cilët dëshirojnë të vazhdojnë studimet jashtë vendit. Në mungesë të dokumenteve të nevojshme, ata kanë vështirësi në marrjen e vizës për studime apo në pranimin në shkollat e larta ku kanë aplikuar. Ndonëse ky problem ngrihet çdo vit, sërish Ministria e Arsimit nuk ka gjetur zgjidhje, duke mbetur peng i procedurave burokratike. Siç pranon edhe sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, bëhet fjalë për një procedurë për blerjen e kartonëve të diplomave e dëftesave, që nuk dihet për cilën arsye është lënë për në muajin korrik. 

Çdo vit mijëra maturantë vendosin të ndjekin studimet jashtë Shqipërisë, duke kërkuar kryesisht vende si Italia dhe Shtetet e Bashkuara. Drejt Italisë fqinje ka flukse të mëdha maturantët, të cilët janë të detyruar të ndjekin edhe të gjithë procedurat e kërkuara, si nga ambasada, ashtu dhe nga universiteti. Afati i fundit për aplikim është 21 korriku, ndërsa dokumentet e shkollës së mesme duhet të vulosen pranë Drejtorisë Arsimore Rajonale dhe pranë Ministrisë së Arsimit. Më pas, dokumentet duhet të apostilohen pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të përkthehen në gjuhën italiane.
Aplikimi për në Itali
FAZA 1) PARAQITJA E KËRKESËS PËR PARA-REGJISTRIMIN

Brenda datës 21.07.2017 studentët që dëshirojnë të fillojnë procedurën e para-regjistrimit, duhet të caktojnë një takim pranë Ambasadës Italiane përmes faqes internet: https://prenotaonline.esteri.it/login.aspx?cidsede=800000&returnUrl=// 

KUJDES: Studentët minorenë duhet të jenë të shoqëruar nga të dy prindërit në momentin e paraqitjes së kërkesës së para-regjistrimit bashkë me një certifikatë familjare me shumë gjuhë të apostiluar.

Dokumentet që duhet të paraqiten në zarf të tejdukshëm janë:
1 – Pasaportë dhe fotokopje të saj me vlefshmëri të paktën 90 ditë nga vlefshmëria e vizës;
2 – Certifikatë lindje me shumë gjuhë e apostiluar;
3 – Formulari i regjistrimit, në tre kopje tërësisht i plotësuar, por i pa firmosur. Tërhiqet vëmendja e studentëve mbi faktin, se në kërkesë duhet të shënohet qartësisht vetëm një degë universitare;
4 – Formulari i autentikimit të fotografisë, në tre kopje tërësisht i plotësuar, por i pa firmosur;
5 – 4 fotografi me ngjyra për dokument;
6 – Dokument nga Universiteti italian që vërteton, nëse duhet të kalohet ose jo një provim pranimi për degën e studimit;
7 – Diploma e Maturës Shtetërore dhe Certifikata e Maturës Shtetërore, në origjinal (ose fotokopje e noterizuar) bashkë me fotokopje të thjeshtë të të gjitha faqeve para mbrapa. Studentët që nuk zotërojnë më Dëftesën origjinale do të dorëzojnë një Vërtetim me rezultatet e të gjithë viteve bashkë me ato të Maturës Shtetërore dhe fotokopje të thjeshtë të të gjitha faqeve para mbrapa.

Nxënësit e regjistruar në vitin e fundit të shkollës së mesme, që do të marrin Dëftesën, do të paraqesin një fotokopje të pa legalizuar të “Formularit A1” me të cilin janë regjistruar on-line për provimet e Maturës 2017. Pas marrjes së provimeve këta studentë duhet të dorëzojnë në Ambasadë Dëftesën e Pjekurisë dhe Certifikatën e Maturës Shtetërore, në origjinal (ose fotokopje të noterizuar) bashkë me fotokopje të thjeshtë të të gjitha faqeve para mbrapa.

Studentët që ishin regjistruar këtë vit për të dhënë provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore duhet të dorëzojnë fotokopje të pa legalizuar të “Formularit A1Z”. Pas marrjes së provimeve, këta studentë duhet të dorëzojnë në Ambasadë Dëftesën e Pjekurisë ose Vërtetim dhe Certifikatën e Maturës Shtetërore, në origjinal (ose fotokopje të noterizuar) bashkë me fotokopje të thjeshtë të të gjitha faqeve para mbrapa.

Studentët që dëshirojnë të regjistrohen në kurset e ciklit të dytë (Laurea Magistrale), jo me numër të mbyllur, si psh. specializim ose kurs të shkurtuar, përveç Diplomës së Maturës Shtetërore si më lart, duhet të dorëzojnë edhe Diplomën universitare me listën e notave të apostiluara dhe të përkthyera në italisht bashkë me fotokopje të thjeshta të të gjitha faqeve para mbrapa. Si dhe programin e detajuar të studimeve të apostiluar dhe të përthyer në italisht bashkë me fotokopje të faqes së parë dhe apostiles.
Studentët e regjistruar në vit të fundit të sistemit trevjeçar, që do të marrin Diplomën brenda verës së vitit 2017, duhet të dorëzojnë një Vërtetim, që provon regjistrimin në vit të tretë dhe provimet e dhëna. Diploma përfundimtare (Vërtetimi), lista e notave dhe programi i detajuar i studimeve do të dorëzohet në Ambasadë sipas mënyrës së lartpërmendur.

KUJDES!
Dokumentet e shkollës së mesme duhet të vulosen pranë Drejtorisë Arsimore Rajonale dhe pranë Ministrisë së Arsimit. Më pas, dokumentet duhet të apostilohen pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të përkthehen në gjuhën italiane nga Instituti Italian i Kulturës (Sheshi Skënderbej Pallati Kulturës; tel. 04/2379580) ose nga njëri prej përkthyesve të betuar lista me emrat e të cilëve është e publikuar në faqen internet të Ambasadës.

Dokumentet universitare duhet të vulosen pranë Rektoratit, të apostilohen nga Ministria së Punëve të Jashtme dhe më pas të përkthehen në gjuhën italiane, gjithmonë nga Instituti Italian i Kulturës (Sheshi Skënderbej Pallati Kulturës; tel. 04/2379580) ose nga njëri prej përkthyesve të betuar, lista me emrat e të cilëve është e publikuar në faqen internet të Ambasadës.

Dokumentet e shkollës/universitetit duhet të shoqërohen nga fotokopjet e thjeshta të të gjitha faqeve para mbrapa, me përjashtim të programit të detajuar të studimeve të cilit i fotokopjohet vetëm faqja e parë dhe vula apostile.

Nëse Diplomat universitare apo lista e notave nuk kanë të dhënat personale të plota (emër, mbiemër, datëlindje, vendlindje), dhe numër matrikulli ose diplome, duhet të paraqitet edhe një vërtetim lëshuar nga Universiteti i cili i përmban ato, si dhe të dhënat e degës së studimit;

8. Certifikatë të gjuhës italiane: fotokopje e certifikatës së gjuhës italiane të lëshuar nga Universiteti për të Huajt i Perugia-s (CELI), Universiteti për të Huajt i Siena-s (CILS), Universiteti Roma 3, ose Shoqata Dante Alighieri ose nga Italian i Kulturës. Studentët që do të kryejnë provimin në sesionin e afërm për njohjen e gjuhës, mund të paraqesin regjistrimin në provim.
Ambasada italiane në Tiranë në bashkëpunim me Institutin italian të Kulturës në Tiranë ka organizuar edhe një sesion të veçantë: http://ëëë.iictirana.esteri.it/iic_tirana/it/avvisi/avvisi-importanti.html 

Për studentët që kërkojnë të regjistrohen në degët me numër të mbyllur, njohja e gjuhës italiane quhet e kryer nëse kalojnë me sukses provimin e pranimit në Universitet. Studentët që duan të regjistrohen në degët që zhvillohen në gjuhë huaj (jo italisht), nuk janë të detyruar të paraqesin një certifikatë asaj gjuhe nëse nuk kërkohet nga Universiteti, sipas autonomisë universitare.
Sigal