Mungesa e hapësirave te Juridiku. Erdhi koha t’u jepet fund ecejakeve të studentëve dhe pedagogëve

    348
    Sigal

    Fakulteti i Drejtësisë në Tiranë sërish në kaos, për mungesë hapësirash, edhe këtë vit akademik. Ky fakultet, ka trashëguar një periudhë problematike, sepse gjithmonë ka pasur nevojë për mjedise, por deri më tani nuk i është dhënë zgjidhje. Studentë e pedagogë vrapojnë sa tek ndërtesa e Fakultetit të Drejtësisë në Bllok, sa te Qyteti Studenti, në ambientet e ish-Kinoklubit, te godina “Iliria” për të vijuar mësimin. E gjithë kjo, nuk është gjë tjetër veçse humbje kohe, energjish, por për më tepër, aspak rezultative. Ka ardhur momenti që të ndalojnë ecejaket e tyre, në funksion të një normaliteti në procesin mësimor. Janë rreth 6 000 studentë që ndjekin fakultetin e Drejtësisë në të gjitha programet që ofron; programin Bachelor , Master Shkencor dhe Profesional, apo dhe Doktoraturë. Të gjithë këta studentë, së bashku edhe me stafin e pedagogëve janë në pritje të ndonjë “lajmi të mirë”. Dhe janë mundësitë. Mjafton që Fakulteti i Drejtësisë të marrë dy katet sipër, të tretin dhe të katërtin e godinës aktuale dhe Fakulteti i Shkencave Sociale të shpërngulet në godinën e re, diku në rrugën “Vasil Shanto”, ku dhe është menduar të zhvendoset, ose e kundërta, nuk ka rëndësi se cili është fakulteti që do lëvizë nga godina aktuale. E rëndësishme është, që Ministria e Arsimit dhe e Sportit, apo Rektorati i Universitetit të Tiranës, të mendojnë seriozisht për mbarëvajtjen mësimore të këtij fakulteti. Erdhi koha të mendohet si për studentët, ashtu dhe për stafin e pedagogëve të cilët vrapojnë për të kapur oraret. Erdhi koha, t’u jepet fund ecejakeve të studentëve dhe pedagogëve të Juridikut, për të ushtruar normalisht procesin mësimor në të gjitha programet që ofron Fakulteti i Drejtësisë në UT.