Mungesa e fletëudhëzimit në shqip, tregon për kontrabandë të barnave mjekësore

    2496
    Sigal

    Alarm/ Shoqata e Konsumatorit Shqiptar: Mungon kontrolli i QKKB-së në tregun tonë farmaceutik

    Shoqata e Konsumatorit Shqiptar jep alarmin për mungesën e fletëudhëzimit në shqip te barnat mjekësore, të tregtuara në farmacitë shqiptare. Sipas SHKSH-së, shëndeti i konsumatori shqiptar është në rrezik, për shkak të indiferencës së Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave në ushtrimin e kontrollit ndaj farmacive që tregtojnë barna mjekësore të paregjistruara. Kështu një sërë medikamentesh, rreth 12-20% e tyre nuk kanë fletëudhëzuesin në gjuhën shqipe. Për shembull, bari mjekësor SPASMEX, prodhim italian i CHARPER S.P.A.-Milano, nuk ka fletëudhëzues në gjuhën shqipe. Gjthashtu bari mjekësor Buscopan, prodhim i Delpharm Reims, nuk ka fletëudhëzues në gjuhën shqipe, etj. Për regjistrimin e barnave në Republikën e Shqipërisë: Në zbatim të ligjit Nr. 9323 datë 25.11.2004 i ndryshuar « Për barnat dhe shërbimin farmaceutik », Ministria e Shëndetësisë ka nxjerrë rregulloren « Për regjistrimin e barnave në Republikën e Shqipërisë», ku një nga dokumentacionet e domosdoshme për regjistrimin e një bari që dorëzohet pranë Sektorit të Regjistrimit të Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave (QKKB), është pikërisht fletëudhëzimi në shqip. Gjithashtu mungesa e fletëudhëzimit në shqip i barnave mjekësore, është në kundërshtim edhe me Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit nr.9902 dt.17.04.2008, në nenin 5/6, ku flitet për sigurinë e konsumatorit, apo dhe me nenin 7 që ka të bëjë me të drejtën për informim. Mungesa  e fletëudhëzimit në shqip në barnat mjekësore, tregon që ato nuk janë të regjistruar në QKKB. Gjithashtu gjendja me lehtësi e tyre në tregut tonë farmaceutik tregon për neglizhencën e QKKB-së në ushtrimin e kontrollit ndaj farmacive, detyra parësore e këtij institucioni gjë që shërben për sigurinë e konsumatorit. Atëherë lind pyetja se nga vijnë këto barna mjekësore? Sa të sigurta janë? Konsumatorët, sipas SHKSH-së, nuk ndihen të sigurt, sepse sipas tyre këto medikamente nuk i japin efektin e duhur. Gjithashtu, mungesa e fletëudhëzimit në shqip, pra mungesa e informacionit, shkakton humbjen e besimit të konsumatorit te shërbimi farmaceutik dhe mjekësia në përgjithësi. Pasi, synimi kryesor i fletëudhëzimit në shqip është të sigurojë një informacion të qartë, të saktë dhe me terma të kuptueshëm si për mjekun edhe për të sëmurin. Në këtë mënyrë rritet cilësia e shërbimit farmaceutik dhe kultura shëndetësore e popullatës si dhe minimizohen efektet e padëshiruara që vijnë nga keqkuptimi i informacionit mbi një bar të caktuar. E gjithë kjo, mund t’i shkaktojë trauma konsumatorit dhe nga ana tjetër, terapinë medicinale ai e merr i detyruar dhe efekti i kësaj terapie do të jetë e barabartë me zero, sepse stresi është më i madh se forca e produktit. SHKSH është e shqetësuar, sepse konsumatori paguan për shërbimin, paguan TVSH-në dhe moskryerjen e shërbimit të informimit, me të drejtë konsumatori e quan korrupsion. Gjithashtu SHKSH këto raste, i quan veprime kontrabandiste, sepse mungon dhe informacioni i bar-kodit që ligjëron adresimin e prodhimit dhe tregtimit. Duke qenë se shqetësimet e ngritura herë pas here në instancat më të larta të qeverisë që u largua, kanë rënë në vesh të shurdhër, SHKSH i drejtohet qeverisë së re që të marrë parasysh kërkesat në mbrojtje të konsumatorit.