Muharrem Xhafa: Të përkujtohet Dita e Republikës së Shqipërisë ashtu si në gjithë botën republikane

642
Sigal

*(Sekretar i Parë i PPSH-së)

 Sot është data 11 janar 2014. Si sot 68 vjet, më 11 janar 1946, Shqipëria është shpallur Republikë Popullore. Ky është emërtimi i shtetit të ri shqiptar demokratik pas fitores së LANÇ-it mbi pushtuesit nazifashistë dhe vendosjes së pushtetit popullor. Ky emërtim është ruajtur deri kur, më 28 dhjetor 1976, emërtimi i shtetit shqiptar u ndryshua në Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë. Ndryshimi që u bë, nuk prekte aspak formën e regjimit politik të vendit, por jepte, pasqyronte me saktë e më plotë përmbajtjen e shtetit socialist shqiptar, përparimin e madh dhe ndryshimet e gjithanshme, që ishin realizuar në vendin tonë gjatë tri dekadave të ndërtimit socializmit. 11 janari shënon edhe ditën e triumfit të popullit shqiptar mbi monarkinë, zogistët dhe ballistët, bajraktarët dhe forcat e reaksionit të brendshëm. 11 janari, në vitet e pushtetit popullor ishte ditë feste zyrtare, ishte Dita e Republikës, e cila përkujtohej siç ajo e meritonte. Që prej vendosjes së kapitalizmit, 11 janari – Dita e Republikës as festohet e as nderohet më prej politikës dhe shtetit të borgjezisë në fuqi. Po, jo vetëm kaq; 11 janari është hequr dhe nga të gjitha institucionet e simbolet e vendit. Perse kështu, perse gjithë ky mllef? Së pari, sepse shpallja e Republikës Popullore të Shqipërisë shënon një ngjarje, një fitore historike të madhe, që i ka rrënjët e saj në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar dhe u be realitet pas çlirimit të vendit, në fillimet e viteve të socializmit. Së dyti, sepse shpallja e Republikës Popullore të Shqipërisë është vepër e shquar e popullit shqiptar, jo e feudo-borgjezisë shqiptare, e ideuar nga Partia Komuniste dhe Enver Hoxha. Pra, ky është problemi! Pushteti i borgjezisë në Shqipëri, deri më 23 Qershor 2013, ishte pozicionuar, në thelb e madje hapur, për Monarkinë, ndonëse, kur ia donte puna, hidhte ndonjë tullumbace për Republikën. A nuk e tregojnë këtë gjithë ato nderime e temena, që i janë bërë Ahmet Zogut e regjimit të tij? Për 23 vjet rresht, asnjëherë Dita e Republikës së Shqipërisë nuk është kujtuar a përkujtuar zyrtarisht nga shteti i sotëm, përveçse nga ne komunistët dhe masat e thjeshta të popullit. Masat e popullit, Partia e Punës e Shqipërisë dhe gjithë komunistët shqiptarë do të dëshironin të mos ndodhte më kështu tani që në pushtet është PS-ja me LSI-në dhe me aleatët e tyre të ngushtë. Pra, përse nuk nderohet e nuk përkujtohet 11 janari 1946, kjo gjë dihet. Po ajo çka i “çudit” njerëzit është që, në 23 vjet kapitalizëm, nuk kemi dëgjuar të flitet as për ndonjë dite tjetër të Republikës së Shqipërisë nga shteti shqiptar borgjez dhe forcat politike në shërbim të tij. Po, deri diku edhe kjo merret me mend, d.m.th se s’kanë për çfarë Republike të flasin, veçse në iu kthefshin Republikës së mbretit Zog, e cila i shërbeu atij për tre vjet si urë kalimi për vendosjen e Monarkisë së tij. Nëse Shqipëria është zyrtarisht Republikë, kjo duhet të ketë një ditë të vetën, ashtu si në Francë, në Itali, në Greqi, në Spanjë, në gjithë botën republikane.

Rroftë 11 janari, dita e Republikës së Shqipërisë!