Muharrem Meko/ Një histori e largët me privatizim ujësjellësish

592
Ideja e privatizimit të ujësjellësve në Shqipëri s’është e re, ajo daton afro 20 vjet më parë sikundër edhe synimet për ta lënë shtetin me duar në xhep, janë akoma më të vjetra se sa vetë ajo… Sot kur pashë në faqet e shtypit, se qenka hedhur ideja e privatizimit të ujësjellësit të kryeqytetit, vetëtimthi më erdhi ndërmend një ngjarje e shumë viteve të shkuara, e ngjashme e që ka lidhje të drejtpërdrejt si një “iniciative” e riaktivizuar… Në mos gabohem, aty nga viti ’98, në parlamentin shqiptar po përgatitej futja dhe miratimi i një ligji me objekt: privatizimin e ujësjellësve! Prapa tij, natyrisht që qëndronin interesa dhe lobe të caktuara, midis tyre në këtë histori, përfliteshin si të përfshirë edhe deputetë të caktuar, por që unë për etikë, sot s’dua t’i përmend ! Në atë kohë, punoja si korrespodent i “ZP”, kisha botuar disa shkrime rreth pengesave që po i bëheshin Ndërmarrjes së Ujësjellësit të Korçës, në lidhje me ambientet e zyrave – kusht i parë i Bankës Gjermane, KFW, në nisjen e bisedimeve me qeverinë shqiptare, për çeljen e një fondi të konsiderueshëm, për ndërtimin e ujësjellësit të ri të qytetit! 

Ky ishte vetëm hap i parë, më vonë nëse gjërat do të ecnin mirë, do të pasohej edhe me një tjetër grand, prej kësaj banke, për riparimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza! Artikujt e mi kishin tërhequr vëmendjen, deri edhe të Ambasadës Gjermane e cila nga ana e vet, i kishte vënë në dispozicion të stafit drejtues të Bankës në Gjermani! Për ta vlerësuar gjendjen nga afër, ato ditë në Korçë kishte mbërritur kryeinxhinieri i saj, Franc Kryger, i cili, i njohur me angazhimin tim, në shenjë falënderimi, nëpërmjet drejtorit të Ujësjellësit, Petrit Tare më ftonte për një kafe…Natyrisht që në atë takim biseduam gjatë sidomos për situatën e nderë në vendin tonë, (ishte koha e pas ngjarjeve të shtatorit ’98), veçanërisht, se si e shihte ai, perspektivën e vendit tonë…Më krijoi një ndjesi respekti të jashtëzakonshme, kur po më shfaqej edhe si një njohës e dashamirës i Shqipërisë! Por ajo që më sugjestionoi më tepër, në atë takim me gjermanin, padyshim ishte, kur ai nisi të më fliste me nota tepër pozitive, për qytetin dhe banorët e Korçës! Çmonte sidomos raportet e njerëzve të rajonit tonë me punën dhe pronën publike! Më tha se Banka Gjermane KFW, përpara se sa të niste negocimet për ujësjellësin e Korçës, kishte tentuar edhe në dy qytete të tjerë, Kukës dhe Kavajë! 

Në të dyja rastet kishin dështuar, paret nuk dihej se ku kishin përfunduar! Meqenëse privatizimi i ujësjellësve ishte bërë temë e ditës, unë nuk hezitova ta pyes, se çfarë mendonte rreth këtij problemi, si njeri i fushës dhe me eksperiencë të gjerë, por ai në mënyrën më kategorike mu shpreh: Privatizimi i ujësjellësve është një faliment i vërtet i shtetit ndaj qytetarëve të vet! Dhe se do të ishte një gafë e qeverisë shqiptare, nëse do ta lejonte një gjë të tillë… Si shembull, më solli Ujësjellësin e Londrës, në të cilin mesa më tha, kishte drejtuar punimet gjatë ndërtimit dhe pretendonte se e njihte mirë, historikun e “privatizimit” të tij… Bashkia e Londrës e kishte privatizuar, por që më pas për shkak të pasojave tepër negative, ishte detyruar që sërish, ta rikthente nën juridiksionin e vet. Ai sillte si argument, faktin se asnjë sipërmarrës, kushdo qoftë e sado i fuqishëm të jetë, s’mund të përballojë problematikën që lind në raport me mirëmbajtjen e rrjetit dhe furnizimin e popullatës me këtë produkt jetik, siç është uji! Iu luta të më jepte një intervistë, ku të më shprehej edhe për këtë aspekt, pasi ligji nga dita në ditë mund të shkonte në parlament, ndërkohë që debatet për të, kishin tërhequr masivisht vëmendjen e medias, por ai mu përgjigj prerë: Nëse do ta bëja, do të shpallesha person “non grata ” në Angli… Gjithsesi në një shkrim të posaçëm edhe me porosinë e ish deputetit të Korçës, Prof. Servet Pëllumbi, tërthorazi nuk hezitova ta sillja në vëmendjen e parlamentarëve të asaj kohe, këtë eksperiencë negative, rrëfyer përmes gojës së një personaliteti të kësaj fushe, siç ishte kryeinxhinieri i Bankës së famshme KFW të Gjermanisë, Franc Kryger. Më pas nuk dëgjova më të flitej për privatizim ujësjellësish! Ndoshta kam ndikuar sadopak, në evitimin e kësaj marrëzie…
Sigal