MSH marrëveshje me spitalet private për sëmundjet në zemër dhe dializën

    363
    Sigal

    TIRANE- Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ka lidhur kontratat e para me spitalet private për kryerjen e dializës dhe ndërhyrjeve në zemër nga pacientët e siguruar në rastet kur kapërcehen kapacitetet në spitalet publike, ndërsa kostot do mbulohen nga ky institucion.
     
    Ky fakt është bërë i ditur nga drejtori i përgjithshëm i këtij institucioni, Astrit Beci, gjatë konferencës “Paketat e shërbimeve shëndetësore, financim i ri me fokus pacientin” e organizuar në qytetin e Shkodrës.
     
    “Pas kërkesave zyrtare dhe verifikimit të kushteve të spitaleve private nga ekspertët tanë, Fondi I Sigurimeve Shëndetësore ka lidhur kontratat e para me tre spitale private dhe është në proces të lidhjes së kontratave me dy spitale të tjera. Kjo do të thotë se, tashmë pacientët e siguruar do të mund të kryejnë dializën dhe ndërhyrjet në zemër edhe në këto spitale private, kur kapërcehen kapacitetet në spitalet publike dhe kostot e këtyre shërbimeve do të mbulohen 100% nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore”, tha Astrit Beci, drejtor i FSKSH-së.
     
    Në metropolin verior është organizuar konferenca “Paketat e shërbimeve shëndetësore, financim i ri me fokus pacientin”.
     
    Gjatë kësaj konference është theksuar se Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ka parashikuar një fond prej 250 mln lekësh për ofrimin e shërbimeve në pjesën e mbetur të vitit 2014- të.