Msc. Jonida Dalipaj/ Dinamika, shkaqet dhe pasojat e divorceve në Shqipëri

    1093
    Sigal

    Divorci është një prej temave më të debatueshme dhe që trajtohet nga shkencat sociale dhe juridike

    *Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë

    Divorci është një fenomen tepër i përhapur në mbarë botën, tashme është mjaft i përhapur  edhe në shoqërinë shqiptare. Fjala “divorc”, që sot përdoret si zgjidhje ligjore e martesës, vjen nga latinishtja, divortium– që do të thotë ndarje. Divorci ashtu siç edhe martesa është një e drejtë e individit e cila është e garantuar dhe e mbrojtur në legjislacionet e pothuaj të gjitha vendeve të botës. Divorci përkufizohet si zgjidhje e martesës se vlefshme (martesa e vlefshme zgjidhet me shkurorëzim kurse martesa e pavlefshme anulohet) gjatë jetës së bashkëshortëve, për shkaqe të parashikuara me ligj dhe në procedurë ligjore, me aktgjykim të organit kompetent gjyqësor, gjykatës. Lidhja dhe zgjidhja e martesës rregullohen me ligj. Por, megjithatë divorci në vetvete paraqet një problem social. Mund të tingëllojë në dukje paradoksale, që një e drejtë të jetë dhe  të cilësohet si problem social, kur në fakt problemet sociale kanë të bëjnë më tepër me sjelljet devijante, si krimi, dhuna, përdorimi i drogës, prostitucioni etj. Divorci është një problem social përderisa për të flitet me shqetësim, derisa shumica e njerëzve e konsiderojnë të tillë por edhe për pasojat sociale që ai shkakton në shumicën e rasteve.

    Legjislacionet e para mbi divorcin janë legjislacioni i lashtë grek, romak, bizantin etj. Historikisht, qëndrimi ndaj divorcit ka qenë i lidhur me konceptet e klasës sunduese për martesën dhe familjen. Divorci, si dukuri, në Shqipëri ka qenë historikisht i kushtëzuar nga e drejta zakonore. Ajo, ndonëse e pashkruar, në kushtet e mungesës ose të veprimit të kufizuar të së drejtës të shtetit ka vepruar për mijëra vjet për rregullimin e marrëdhënieve shoqërore në përgjithësi e të atyre martesore e familjare, në veçanti. E drejta jone zakonore përcaktonte në mënyrë të hollësishme shkaqet dhe mënyrën e zgjidhjes së martesës, ku mund të përmenden mungesa e virgjërisë, zënia e gruas me vjedhje (ne te dy rastet burrit nuk i jepej e drejta e ushtrimit te dhunës mbi gruan) shkelja e besnikërisë bashkëshortorë, për të cilën burri kishte të drejtë edhe ta vriste gruan, pa u ngarkuar me asnjë përgjegjësi, etj. Po ta krahasojmë me situatën aktuale, divorci mund të konsiderohet si një arritje e madhe e gjinisë femërore në fushën e të drejtave.

    Dinamika e divorceve dhe shpërndarja sipas rretheve në Shqipëri

    Divorci është një prej temave më të debatueshme dhe që trajtohet nga shkencat sociale dhe juridike. Dinamika e divorceve në Shqipëri është një tregues i ndryshimeve të vazhdueshme që po pëson shoqëria në përgjithësi dhe institucioni i familjes në veçanti. Në të gjithë botën gjatë 25 viteve të fundit numri i divorceve është rritur me 50%, vetëm gjatë këtyre 10 vjetëve me 74%, në Amerikë për herë të parë gratë “single” me 51% kanë kapërcyer numrin e grave të martuara, në Evropë 30-40% e femrave të lindura gjatë dhjetëvjeçarit ’70 (1970) do mbyllin ciklin prodhues pa u martuar, më parë kjo gjë u ndodhte vetëm 10% të nënave të tyre, në New York të martuarat përbëjnë vetëm 40% të numrit të përgjithshëm të grave. Më shumë se sa një proces ndaj martesës, këto statistika duket sikur procesojnë femrën moderne. Në kohën e zhvillimeve ekonomike, të paktën siç raportohet nga institucionet e matjes së mirëqenies ekonomike por edhe nga specialistët e financës dhe ekonomisë në vitin 2005, 2006, 2008 në një situatë të stabilizuar, kemi numrin më të lartë të divorceve. Instituti i Statistikave referon 17 deri në 19.1 divorce për çdo 100 martesa. Nga viti 2009 në vitin 2011, në kohën e krizës referohet një numër i ulët divorcesh, pikërisht në situatën e vështirë makroekonomike në vend. Numri i ndarjeve nga viti 1994 deri në ‘98 ka ardhur drejt stabilizimit, krahasuar me numrin e divorceve në periudhën postkomuniste. Nga viti 1999 deri në vitin 2003 raportohen sërish rritje të numrit të divorceve për 100 martesa dhe konkretisht referohen 7.2 deri në 13 ndarje për çdo 100 lidhje kurorash. Duke parë tipologjinë e martesave dhe diagramet e divorcit në kohën e sotme, duket se ka një tendencë që po përforcohet së tepërmi në shoqërinë shqiptare. Njerëzit martohen akoma në moshë të re përgjithësisht, por në të njëjtën kohë ata ndahen shumë shpejt, ngaqë martesa është ngritur shpejt dhe pa bazament të qëndrueshëm. Numri i divorceve është rritur ndjeshëm në Shqipëri, aq sa konkurron edhe numrin e martesave.

    Numri i divorceve është rritur në Shqipëri në krahasim me vitet para 1990 por kjo nuk do të thotë se para këtyre viteve lidhjet martesore ishin më të forta, thjesht presioni që ushtronte opinioni i shoqërisë bënte që shume çifte të mos divorcoheshin po të pranonin të jetonin në hipokrizi dhe pse në një shoqëri normale do të ishin divorcuar.  Me parë çiftet i mbante bashkë opinioni i egër komunist ku divorci as që diskutohej. Nëse njëri nga bashkëshortët, apo edhe të dy, jeton me frikën e abuzimit, shqetësohet në vijimësi për problemet e martesës dhe nuk sheh a shijon dot gëzimet, ndjehet se është duke ecur gjatë gjithë kohës në fushë të minuar, neglizhon dhe izolon veten nga miqtë dhe familjarët, ndjehet i shtrënguar të lërë mënjanë objektivat që i ka vënë vetes, dhe nëse e kap veten duke e pyetur veten se pse është ende në këtë marrëdhënie, atëherë me siguri mund të thuhet të ai apo ajo i kanë hyrë një rruge pa krye, gjatë së cilës zor se do të ketë të fituar. E në këto raste, zgjidhja më e mirë, jo aq për të keq të shoqërisë, do të ishte divorci.

    Shtimi i divorceve, zgjerimi i përmasave statistikore të prishjes së martesave, vlerësohet si një nga tiparet e pashmangshme të shoqërisë bashkëkohore. Në kohën e sotme martesa po bëhet institucion i paqëndrueshëm. Me këto ritme, do të vijë një moment kur kjo “sëmundje” nuk do të lërë familje pa prekur dhe shansi për një martesë të lumtur do të jetë i paktë.

    – Gjatë vitit 2014, sipas statistikave të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, rezulton se 1706 çifte  kanë kërkuar zgjidhjen e martesës së tyre. Ndër to 1378 martesa janë ndërprerë me vendim gjykate, ndërsa 328 janë ende në procedurë. Ajo që bie në sy në shifrat e publikuara nga kjo gjykate, është fakti se të paktën nga viti 2002 deri në 2012 në paditë e ngritura për zgjidhje martese, në asnjë nga rastet nuk ka patur pajtim.

    -6589padi për zgjidhje martese ka patur në të gjithë gjykatat e vendit në vitin 2011 duke shënuar një rekord absolut të këtij fenomeni, që më parë konsiderohej thuajse tabu në shoqërinë shqiptare.

    Tranzicioni ka ndikuar në strukturën e popullsisë shqiptare. Gjithashtu një ndryshim themelor ai ka sjellë edhe për sa i përket strukturës së familjes. Përpjekjet për një jetesë më të mirë kanë bërë që familja shqiptare të mos ndryshojë vetëm vendin ku do të jetojë, por edhe mënyrën se si jeton. Një ndër treguesit që ka ndryshuar vitet e fundit është edhe mosha  mesatare e martesës për meshkujt dhe femrat. Nga të dhënat e INSTAT rezulton se që nga viti 1990-2013 mosha mesatare e martesave tek femrat është rritur nga 23 në 1990 në 24.9 vjeç  ne 2013 dhe për meshkujt nga 27.3 në 1990 në 30.5 në 2013. Mosha mesatare më e ulët e martesave për femra në po të njëjtat vite ka qenë 22.4 vjeç ne 2007 kurse për meshkujt 27 vjeç në 1991; mosha mesatare më lartë e martesave tek femrat dhe meshkujt është arritur në 2013.

    Numrin më të lartë të çështjeve familjare të paraqitura pranë gjykatave të rretheve në gjithë  Shqipëri, e zënë me tepër kërkesat për zgjidhje martese.Në të vërtetë, rritja e kohëve të fundit e bashkëjetesës, vjen pjesërisht nga humbja e besimit që shumë fëmijë me prindër të divorcuar kanë në martesë. Gjithnjë e me tepër institucioni i bashkëjetesës po shihet si një zgjidhje me e sigurtë sesa martesa, aq me tepër kur bashkëjetesa është e parashikuar edhe ne Kodin e Familjes si “një bashkim fakti midis burrit dhe gruas qe jetojnë në çift, e karakterizuar nga një jetë e përbashkët, që paraqet një karakter stabiliteti dhe vazhdueshmërie. Personat bashkëjetues mund të lidhin marrëveshje para noterit, ku përcaktojnë pasojat që rrjedhin nga bashkëjetesa lidhur me fëmijët dhe pasurinë gjatë bashkëjetesës”. Historikisht, statusi i të rriturit në Shqipëri nënkuptonte që një individ të ishte i martuar dhe të kishte fëmijë, ndaj niveli i martesave krahasuar me vendet e tjera ka qenë i lartë. Sot, ndryshe nga dikur kur burrat dhe gratë e kërkonin partnerin kryesisht për nevoja të sigurisë dhe mbijetesës, nga martesa kërkohet shumë më tepër, nuk mjafton vetëm që dikush të jetë i disponueshëm për t’u martuar.

    Kryesisht, çiftet që divorcohen janë në moshe të re, ndërsa njihen raste kur fenomeni prek dhe moshat e pjekura. Kështu, për 2011 numërohen rreth 30 çifte nga kryeqyteti, të cilët janë divorcuar pas 17 vjet deri në 20 vjet martesë Qyteti i Tiranës ka numrin më të madh të padive për zgjidhje martese, pas tij vijnë  Elbasani, Durrësi, Vlora, Fieri, Shkodra, Korça etj. Kjo nëopinionin tim dhe jo vetëm ndodh për disa arsye siç mund të jenë: niveli më i lartë i arsimimit të qytetarëve në këto rrethe; pavarësia e tyre ekonomike si rezultat i punësimit në nivele më të larta në këto qendra; zhvillimi i përgjithshëm i shoqërisë, emancipimi, kultura etj .

    Shkaqet dhe pasojat e divorceve në Shqipëri

    Harmonia e brendshme dhe e jashtme në çdo familje është shprehje e kompaktësisë social-shoqërore e një populli, e një shoqërie. Fakti që në Shqipëri, në vitet e fundit, janë rritur në mënyrë drastike divorcet është vërtet alarmant. Shifrat shqetësuese vijnë për shkaqe të shumta së pari është vetë periudha e tranzicionit që po kalon vendi ynë, është lëvizja e çrregullt e popullatës brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë, pastaj faktori kulturor, mos përfshirja në jetën e re të qytetit apo të zonës ku emigrohet dhe “përplasja” kulturore që ndodh te personi mes formimit të deriatëhershëm, me sfidat e reja që e presin, mosnjohja e realitetit të ri, varfëria e tejskajshme, mungesa e urave të komunikimit në realitetin e ri, dëshira e madhe deri në ekstrem e përfitimit nga liria e munguar dhe mosnjohja e limiteve që e karakterizojnë një shoqëri me parametrat e qytetërimit.

    Pasojat sociale

    Loja me divorcet është bërë shumë e rrezikshme, tejet shqetësuese me pasoja të rënda sociale, ekonomike, edukative dhe me ndikim dezintegrues dhe dobësues në kohezionin social të vendit. Divorci padyshim është zgjidhja për një martesë të dështuar e një familje jofunksionale, por nga ana tjetër ai është shkatërrimi i familjes, i prishjes së një prej funksioneve të saj ndoshta dhe më themelori siç është funksioni i rritjes dhe edukimit të fëmijëve, dhe ndoshta një nga demët me të mëdha për fëmijët. Ndonëse aktorë të divorcit bëhen prindërit, psikologët shpjegojnë se janë fëmijët ata që e përjetojnë më shumë. Për juristët dhe aktivistët e problemeve gjinore, përmirësimet që i janë bërë kodit të familjes kanë ndihmuar për zgjidhjen më të drejtë ligjore të martesave, për ndarjen e pronësisë dhe të detyrimeve për secilin bashkëshort. Kjo ndikon në zbutjen e efekteve negative për fëmijët, apo pjesëtarët e tjerë të familjes pas aktit të divorcit

    Përsa i përket pasojave sociale që sjell fenomeni i divorceve, dëmi më i madh është te fëmijët. Pasojat e divorcit janë serioze. Krahas dy partnerëve, ata që e vuajnë në mënyrë të drejtpërdrejtë janë të moshuarit dhe fëmijët, veçanërisht këta të fundit. Po të shkoni në institucionet e shërbimit social shqiptar, ku trajtohen fëmijët me probleme, ka shumë pak fëmijë jetimë, që nuk kanë prindër ose kanë vetëm njërin prej tyre. Pjesa dërrmuese e tyre janë jetimë socialë, pra me prindër të ndarë, apo që vijnë nga familje me probleme të thella sociale. Fëmijët prindërit e të cilëve divorcohen kanë shifra më të larta të stresit psikologjik dhe sëmundjes mendore. Në katër dekadat e fundit, një kërkim i gjerë mbi divorcin tregon përgjithësisht që divorci shpesh u shkakton fëmijëve stres të madh psikologjik dhe dyfishon rrezikun që ata të përjetojnë probleme të rënda psikologjike më vonë në jetë.