Mozaiku i Pavarësisë, ceremonia e Flamurit në Tiranë

    476
    Sigal

    100 vjet më parë më 26 nëntor të 1912 u ngrit flamuri në Tiranë. Kjo ditë është përkujtuar  ditën e djeshme, nëpërmjet një ceremonie të veçantë, në vendin ku delegatët ngritën flamurin për të shpallur më pas pavarësinë e kryeqytetit. Kryetari u Bashkisë, Lulëzim Basha ka nderuar të gjithë ata patriotë, duke shprehur mirënjohjen e thellë edhe për pasardhësit dhe familjet e tyre. Me këtë rast, në Tiranë është përuruar edhe Mozaiku i Pavarësisë, një flamur i punuar me mjeshtëri nga artisti Gëzim Hidri. “Të ndalemi së bashku për të kujtuar me mirënjohje, respekt dhe krenari kombëtare firmëtarët e aktit të ngritjes së flamurit në Tiranë: Refik Toptani, Abdullah Gjinalin, Xhelal Toptanin, Sulejman Kadiun, Sheh Ahmet Pazarin, Isuf Aqif Bangën, Myderiz Hysen Shehrin, Myslym Beshirin, Selim Petrelën e Papa Nikolla Papajani. Ky mozaik është autentik, sikundër është një vlerë e thellë dhe e vjetër e qytetit tonë. Është autentik pasi gurët kanë një domethënie të veçantë, ato janë mbledhur në trevat shqiptare, në vendet ku janë zhvilluar disa prej betejave më të përgjakshme në mbrojtje të lirisë dhe të drejtave tona”, tha Lulëzim Basha, kryetar i Bashkisë së Tiranës. Në ceremoni, mesazhe urimi e mirënjohjeje kanë përcjellë dhe të afërmit e delegatëve që ngritën flamurin në Tiranë. Njëri prej tyre ishte nipi i Refik Toptanit, i cili mban të njëjtin emër me delegatin që bashkë me dhjetëra të tjerë, shpalli pavarësinë e kryeqytetit. “Uroj të gjithë familjarët që janë sot, të atyre që kontribuuan për këtë ditë. i them faleminderit shumë bashkisë së Tiranës, që sot nipi i Toptanësve i jepet rasti pas 50 vjetëve të uroj vendin tim për këtë festë”, tha Refik Toptani. Flamuri i Tiranës i punuar me  gurë natyralë, është vizituar më pas nga qindra qytetarë të kryeqytetit.

    FESTIMET NË TIRANË ME KONCERTE, PANAIRE DHE EKSPOZITA

    Bashkia e Tiranës ka parashikuar një axhendë të ngjeshur festimesh me rastin e 100-Vjetorin  të Pavarësisë. Koncerte, panaire me produkte shqiptare dhe disa ekspozita, do të jenë dekori i këtij 28 Nëntori. Në Ditën e Pavarësisë, Bashkia do të nisë ceremonitë festive rreth orës 10.00. Në rrugën “Murat Toptani” do të vazhdojë të qëndrojë i hapur panairi “Blej Shqip”, ndërkohë që në sfond do të jenë këngëtarë të muzikës së lehtë shqiptare që do të performojnë “live “. Ekspozita “100 vjet Tirana”, do të jetë një ndër aktivitetet e shumta që do të jetë e hapur gjatë gjithë ditës për të gjithë vizitorët. Një kënd të veçantë do të ketë edhe për argëtimin e fëmijëve në lulishten pranë Parkut “Rinia”. Përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” do të ketë rreth 100 animatorë, të veshur me veshje popullore e personazhe të lidhura me festën, që do të shpërndajnë flamuj të vegjël dhe do të organizojnë lojëra. Kulmi i festimeve pritet të zhvendoset në Sheshin “Skënderbej”, ku do të jetë një ceremoni e veçantë për prerjen e tortës gjigande të Pavarësisë dhe ku disa parashutistë do të hidhen me Flamurin Kombëtar. Policia e Tiranës ka marrë të gjitha masat në mbarëvajtjen e aktiviteteve. Në shumë akse do të ndalohet parkimi i automjeteve si dhe qarkullimi i tyre në një kohë të caktuar. Nga ora 18:00 deri ne 22.00 do të bëhet bllokimi i lëvizjes së mjeteve dhe nuk do të lejohet parkimi i tyre në Sheshin “Skënderbej” si edhe në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Hotel “Dajtit” deri në Sheshin “Nënë Tereza” për koncertin përmbyllës.