Mjeku në ndjekje penale, ministri e bën drejtor spitali në Elbasan

    670
    Sigal

    U dënua nga Gjykata Elbasan me një vit burg. Ministri i Shëndetësisë e emëron drejtor të spitalit “S. Dinçi”

     Një tjetër skandal është shënuar në institucionet e shtetit në Elbasan, me emërimet e drejtuesve të rinj. Ministri Shëndetësisë ka emëruar drejtor në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit, një mjek, i cili prej afro 1 viti e gjysmë është në ndjekje penale dhe proces gjyqësor, nën akuzën e “mjekimit të gabuar, me pasojë  jetën e pacientit”. Ngjarja ka ndodhur në muajin prill 2012, në fshatin Gjergjan të Elbasanit, kur mjeku Ylli Muça, sipas familjarve jo vetëm ka neglizhuar por edhe i ka dhënë mjekim të gabuar 45- vjeçarit H. Nasufi nga ky fshat. Burime nga Gjykata e Elbasanit thane për “Telegraf” se “qysh në 19.04.2012, Gjykata e Elbasanit ka shpallur fajtor mjekun Ylli Muça 45 vjeç, dhe e ka dënuar me 1 vit burg , i akuzuar për neglizhencë ndaj një pacienti, kur ai ishte mjek familje në fshatin Gjergjan”. Mjeku që sot është bërë drejtor i Spitalit Psikiatrik “Sadik Dinçi” në Elbasan është graduar nga ministri Shëndetësisë Ilir Beqja, pavarësisht se koalicionet e partive qeverisëse në Elbasan nuk kanë dhënë “OK” për emërimin e tij. Sipas të njëjtit burim nga Gjykata e Elbasanit mësohet se “kanë qenë dhe janë familjarët e H. Nasufit, shtetasit të mjekuar gabimisht nga mjeku Ylli Muça, që kërkojnë me ngulm ndwshkimin sipas ligjit të mjekut që është fajtor për humbjen e jetës së njeriut të tyre”. Seanca gjyqësore është drejtuar fillimisht nga gjyqtari Shkallës së Parë Taulant Tafa, i cili çuditërisht ka lënë në fuqi masën e dënimit që ka kërkuar edhe organi akuzës, pra me 1 vit burg për mjekun Ylli Muça, i shpallur fajtor për vdekjen e shtetasit Hajri Nasufi 45 vjeç, nga fshati Murras , i cili fillimisht ishte paraqitur në gjendje të rëndë në qendrën shëndetësore të Cërrikut pas një aksidenti. Shtetasi Hajri Nasufi është transportuar me urgjencë më pas në Tiranë tek spitali “Nënë Tereza”, por atje mjekët nuk kanë mundur ta shpëtojnë. Ishin dhe mbeten familjarët e Nasufit, që kërkuan ndjekje penale ndaj mjekut Ylli Muça, duke e akuzuar atë për “neglizhencë dhe mjekim të gabuar”. Por mjeku i akuzuar e ka mohuar akuzën përmes edhe avokatit të tij, duke e apeluar vendimin e Gjykatës së Elbasanit. Emërimi i mjekut  drejtor spitali, që aktualisht ndodhet në proces gjyqësor i akuzuar nga familjarët dhe organi akuzës për “neglizhencë ndaj pacientit dhe mjekim i gabuar me pasojë jetën e tij”, është pritur me indinjatë nga familjarët e 45- vjeçarit nga Gjergjani Hajri Nasufi, të cilët kërkojnë nga MSh dhe kreu i saj Ilir Beqja, të rishikojë vendimin e tij, pasi sipas tyre “Ylli Muça duhet të përgjigjet para drejtësisë për akuzat e ngritura nga ne, dhe jot ë gradohet, kjo është në kundërshtim me ligjin, por edhe me kodin moral të institucioneve të shtetit dhe atyre që marrin poste të tilla”. Familjarët kërkojnë drejtësi për njeriun e tyre, dhe vendim të drejtë nga Gjykata e Apelit, ndryshe do ta kërkojnë të drejtën e tyre deri lart.