Mjekët: Nikolla i shërben klaneve të caktuara, që kanë uzurpuar Rektoratin e Mjekësisë

    72

    Ministrja e Arsimit shkel Ligjin “Për Arsimin e Lartë”, duke anuluar mbledhjen e Këshillit të Profesorëve të Fakultetit të Mjekësisë

     Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla shkel me të dyja këmbët Ligjin për Arsimin e Lartë, duke anuluar mbledhjen e Këshillit të Profesorëve të Fakultetit të Mjekësisë, me arsyen se zgjedhja e drejtueses së këtij këshilli ka parregullsi dhe është e paligjshme, e në këto kushte, sipas Nikollës, do të përsëritet votimi për zgjedhjen e këtij drejtuesi. Këtë e konfirmon me anën e një deklarate drejtuar Kryeministrit Edi Rama, një grup mjekësh të QSUT-së, të cilët prisnin që dosjet e tyre për marrjen e titujve të shqyrtoheshin nga Këshilli i Profesorëve të Fakultetit të Mjekësisë. Por, ndërhyrja e ministres, sipas tyre, i ka fyer dhe ofenduar ata, pasi ky Këshill është një organ i pavarur në vendimmarrjen e tij dhe vetërregullues, e në këto kushte, shprehen mjekët, “e konsiderojmë haptazi të padrejtë këtë veprim të ministres”. Sipas mjekëve, qëndrimi antiligjor dhe në shkelje të hapur të kompetencave që i ka dhënë ligji, i ministres Nikolla, nuk është për zgjedhjen e drejtueses, sepse sipas tyre, “asaj i ka mbetur pak nga mandati një vjeçar, por në fakt ishte në shërbim të personave të caktuar, kundra marrjes së titullit “Profesor”, “Profesor i Asocuar” e Doktor Shkencash”, të cilët mund të jenë kandidatë potencialë, nesër për të konkurruar për vendet e shefave të shërbimeve”. Madje, mjekët shkojnë më tej duke u shprehur se: “Ministrja e Arsimit i shërbeu një klani të caktuar për të mbajtur monopolin, që kanë vite që përpiqen me çdo kusht ta mbajnë edhe kontrollin e mjekësisë shqiptare.

    Deklarata e plotë e mjekëve

    I nderuar Zoti Kryeministër! Ne që ju shkruajmë, jemi një grup mjekësh të QSUT -së që punojmë e studiojmë vite me radhë për të përmirësuar shërbimin e për të bërë të mundur qe mjekësia shqiptare të eci përpara e të arrijë standardet europiane. Në vijim të  kësaj pune studimore kemi paraqitur dosjet tona për t’i shqyrtuar nga Këshilli i Profesorëve të Fakultetit të Mjekësisë për marrjen e titullit “Profesor” apo “Profesor i Asociuar dhe “Doktor Shkencash”. Në një kohë, që kjo ditë duhet të ishte për ne kurorëzim i punës sonë disa vjeçare, u kthye në një ditë të trishtë e problematike nga veprimi i paligjshëm e  flagrant i Ministres së Arsimit, e cila me arrogancë ndërhyri në punën e Këshillit të Profesorëve jashtë kompetencave të saj ligjore. Për të qenë më të saktë e të qartë në lidhje me problematikën që po ngremë në këtë letër, ju sqarojmë se:

    Këshilli i Profesorëve, sipas Nenit 19 të Ligjit “Për Arsimin e Lartë” ngrihet në njësitë kryesore të institucioneve të arsimit të lartë për organizimin dhe drejtimin e studimeve të doktoratës dhe të kualifikimit shkencor e pedagogjik pas doktoratës, të cilat ofrojnë programe studimi të ciklit të tretë. Si rregull, Drejtuesi i Këshillit të Profesorëve zgjidhet një herë në vit. Nga sa më sipër, rezulton se drejtuesi i Këshillit të Profesorëve zgjidhet çdo vit, me votim të të gjithë trupës së profesorëve të njësisë së arsimit të lartë dhe që nuk ka rol tjetër, veçse të drejtojë këtë Këshill. Kjo do të thotë se vota e tij është e barabartë me votat e të gjithë anëtarëve të Këshillit dhe vendimmarrja në të është konform ligjit për organet kolegjiale, pra me shumicën e votave të anëtarëve. Drejtuesja aktuale e Këshillit të Profesorëve është zgjedhur më datën 11 Korrik 2013 dhe ka marrë votat e shumicës së anëtarëve të këtij Këshilli.

    Në mbledhjen e datës 16 janar të Këshillit të Profesorëve, kur duhej të shqyrtoheshin dosjet e 18 mjekëve kandidatë për tituj akademikë dhe doktorë shkencash, u paraqit Ministrja e Arsimit dhe deklaroi se mbledhja anulohet, pasi në zgjedhjen e drejtueses së Këshillit të Profesorëve ka parregullsi dhe është e paligjshme, e në këto kushte do të përsëritet votimi për zgjedhjen e këtij drejtuesi. Duke qenë të fyer e të befasuar nga kjo sjellje, aspak e hijshme e korrekte e Ministres së Arsimit theksojmë se:

    Së pari: Në bazë të Ligjit për Arsimin e Lartë, ministrja nuk ka kompetencë të anulojë zgjedhjen e drejtuesit të Këshillit të Profesorëve, por një gjë të tillë e kanë shumica e anëtarëve të këtij Këshilli. Në frymën e ligjit e të rregullores, ky këshill është një organ i pavarur në vendimmarrjen e tij dhe vetërregullues, e në këto kushte e konsiderojmë haptazi të padrejtë këtë veprim të ministres.

    Së dyti: Në bazë të ligjit e të rregullores, drejtuesi i Këshillit ka një rol honorifik, pasi nuk ka asnjë të drejtë vendimmarrje si person i vetëm, pasi të gjithë vendimet e këtij Këshilli merren në mënyrë kolegjiale.

    Së treti: Veprimet e Ministres së Arsimit janë të iniciuara e të drejtuara nga persona të caktuar, të cilët duan të marrin drejtimin e këtij Këshilli, edhe pse pa marrë votat e shumicës së tij, për të bërë pazare me doktoraturat e me titujt shkencorë, pra, për të uzurpuar kompetencat e Këshillit.

    Indinjata e mjekëve

    Veprimi i ndodhur në datën 16 janar ka indinjuar të gjithë trupën pedagogjike të Fakultetit të Mjekësisë, pasi nuk prisnim që Ministrja e Arsimit të bëhej vegël e personave dhe interesave të caktuara e të shkelte ligjin në mënyrë të hapur.

    Ajo bllokoi shqyrtimin e punës kërkimore e shkencore të 18 pedagogëve të respektuar të fakultetit, të cilët kanë punuar e punojnë me korrektesë e përkushtim për ngritjen e nivelit të mësimdhënies e të mjekësisë. Me këtë veprim, ajo dëmtoi rëndë imazhin e qeverisë sonë, duke dhënë mesazhe negative se duhet të jesh pjesë e klaneve të caktuara për të përfituar atë që në fakt të takon. Ajo tregoi se për të nuk vlen asnjë gjë, fakti që 18 pedagogë e mjekë prisnin me padurim mendimin e kolegëve të tyre për punën e bërë, por tregoi me arrogancë se duhet t’i shërbejë klaneve të caktuara që kanë gati një vit që duan të uzurpojnë këtë Këshill.

    Në fakt, qëndrimi i saj antiligjor dhe në shkelje të hapur të kompetencave që i ka dhënë ligji, nuk është për zgjedhjen e drejtueses, sepse në fakt asaj i ka mbetur pak nga mandati një vjeçar, por në fakt ishte në shërbim të personave të caktuar, kundra marrjes së titullit “Profesor”, “Profesor i Asocuar” e Doktor Shkencash”, të cilët mund të jenë kandidatë potencialë, nesër për të konkurruar për vendet e shefave të shërbimeve, etj.. Pra, dje ajo i shërbeu një klani të caktuar për të mbajtur monopolin që kanë vite që përpiqen me çdo kusht ta mbajnë edhe kontrollin e mjekësisë shqiptare.

     Grupi i mjekëve