Mjekët në spitalin “Nënë Tereza” protestojnë për herë të tretë kundër politikës të testimit të ministrit Beqaj

    358
    Sigal

    Dje, mjekët e Spitalit  Universitar “Nënë Tereza” protestuan për herë të tretë kundër politikës të testimit të ministrit Beqaj, duke e cilësuar si politikë denigruese ndaj misionit të mjekut, pasi dështimin e politikave menaxhuese në shëndetësi, ministri kërkon që t’ua faturojë mjekëve.

    Anika Dokle: Dështimet në mjekësi varen kryekëput nga politikat menaxhuese

    Gjinekologia Anika Dokle, evidenton problemet e politikës të  testimeve e ministrit Beqaj dhe ja se përse mjekët protestojnë:

    1- Probleme me bazat ligjore ku mbështetet. Aktualisht ka një baze ligjore të qartë për kurrikulat e edukimit në vazhdim. Pa u shfuqizuar kjo bazë ligjore, nuk mund të ndërmerren iniciativa të tjera.
    2- Terri informativ që e shoqëron testimin dhe qëllimin e tij, pjell vetëm histeri.
    3-Thellon hendekun mjek-pacient, një raport ky që ndër dekada me mund e përpjekje është ruajtur. Me qindra jetë njerëzish të shpëtuara, me qindra sëmundje të shëruara. Këtë e dëshmon radha e gjatë e pacientëve nëpër spitale. Pra nuk është se mungon besimi!! Dështimet në mjekësi janë komplekse dhe varen kryekëput nga politikat menaxheriale (mund të jap shembuj pa fund).
    4- Nxit hordhinë e injorantëve që mund të shkruajnë çfarë tu teket për mjekët dhe pse në shtëpitë e tyre rrahin gratë, përdhunojnë bijat, vriten për një vijë uji, vjedhin komshiun, vrasin vajzën pse përshëndet tek gardhi i shtëpisë një djalë…. Këta e duan mjekun e mirë? Jo mor shokë jo! Këta duan “varfëri” dhe destabilitet si në shtëpitë e tyre.
    5-Është diskriminues dhe i pabarabartë. Përjashton shefat dhe pedagogët të cilët sido që t’i shohësh janë bashkëfajtorë në këtë zullumin e madh me emër Shëndetësi. Janë ata që ndër vite kanë kaluar nëpër duar studentë, specializantë, mjekë specialistë, doktorantë etj. Janë ata që ndër vite në cilësinë e kryetarëve të shoqatave të ndryshme të profesionistëve, kanë kredituar edhe formalisht bluzat e bardhë. Pse ta kenë bërë vallë? Duhen testuar dhe ata për praktikat klinike, se ndodh shpesh që shefat “konjukturalë” të bëjnë më shumë gabime mjekësore se mjekët e tjerë. Tjetër. Po mjekët e spitaleve private?
    6-Mungon transparenca sa i takon faturës financiare. Sa i ka kushtuar një mjeku procesi i kreditimit në 5 vjet dhe për çfarë i ka shërbyer? Sa do të kushtojë testimi?
    7-Më e rëndësishmja në këndvështrimin tim, ka lëkundur njëherë e përgjithmonë besimin se SHËNDETËSINË mund të drejtojnë njerëz të mençur, me integritet dhe me ndjeshmërinë e një lideri normal, të aftë për të dëgjuar (minimalisht) të gjitha palët e përfshira në proces.

    Dhe ju dritëshkurtërve që mendoni se mjekët tremben prej testimit!! Jo mor jo! “Tremben” prej testuesit! Shumë shpejt është radha juaj!! Check-up për të gjithë!! Bluzat e bardha në protestë: Ja 8 kërkesat tona:

     Kërkesat e Organizatës Sindikale “Unioni i Profesionistëve të Mjekësisë Shqiptare”:

    Bluzat e bardha kanë shpërndarë edhe kërkesat e tyre lidhur me situatën në vend. “Ne, Profesionistët e Mjekësisë Shqiptare, të organizuar në Organizatën Sindikale “Unioni i Profesionistëve të Mjekësisë Shqiptare”, mbështetur ne ligjin 7961 datë 12.07.1995, i ndryshuar/ përditësuar, neni 176 e vijues: Të bashkuar edhe një herë i themi JO dhunës dhe diskriminimit të bluzave të bardha të çdo lloj metode, forme apo nisme joligjore! Si dhe kërkojmë:

    1. Respektim të autonomisë së profesioneve tona të rregulluara me ligj

    2. Përmirësim të kushteve të punës, ilaçe, ambiente, mjete, aparatura bashkëkohore, si dhe rritje të shkallës së sigurisë në mjediset shëndetësore

    3. Protokolle klinike kombëtare për diagnostikimin, mjekimin dhe ndjekjen në vijimësi

    4. Rivlerësim të rolit, si dhe përfshirjes akademike të personelit mjekësor në spitalet universitare, duke përfshirë edhe stafin mjekësor në spitalet rajonale të cilët kanë tituj akademik, duke përshtatur statusin e tyre në përputhje me statusin e mjekëve të spitaleve universitare dhe ata me tituj akademikë evropianë

    5. Shefat e Shërbimeve në Mjekësi në rang vendi të zgjidhen nga vetë bluzat e bardha me votë direkte e të fshehtë, me mandate të mirëpërcaktuara 4-vjeçare, si dhe me të drejtë rizgjedhje vetëm një herë, bazuar në meritat e kryerjes së detyrave të tyre funksionale.

    6. Sa më shpejt të jetë e mundur të akreditohet dhe njehsohet programi i Fakultetit të Mjekësisë / Stomatologjisë / Farmacisë / Shëndetit Publik me programet e Kartës së Bolonjës sikurse e ka parashikuar ligji i Arsimit të lartë që në vitin 2007, i ndryshuar/përditësuar

    7. Edukimi në Vazhdim, si kudo gjetkë, Evropë/Amerikë, të jetë gur themeli për vijimësinë e kualifikimit të stafit mjekësor profesional, duke e përmirësuar sistemin e funksionimit të Qendrës Kombëtare të Edukimit në Vazhdim dhe rifutur në buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë fondet e nevojshme për këto aktivitete /konferenca/ kongrese/ publikime/ kualifikime/ specializime. Ky edukim në vazhdim i realizuar në përputhje me Nenin 33 të Ligjit për “kujdesin shëndetësor” nuk parasheh dhe nuk justifikon ligjërisht në asnjë mënyrë nismën antiligjore të testimit masiv të bluzave të bardha të ndërmarrë nga MSH.

    8. Të shihet me përparësi nga organet përkatëse dyfishimi i pagave dhe i shpërblimeve të ekipeve mjekësore të shërbimit mjekësor roje 24-orësh, sikurse e kanë vendet fqinje!