Mjekë të dalë në pension, marrin dhoma me qera, pazare me mjekët e rinj

    486
    Prej kohësh, Ambulanca Qëndrore në Elbasan, nuk funksionon si e tillë, por si një qendër biznesi. Kjo pasi mjekë të dalë në pension, duke nisur nga okulistë, reomatologë, infeksionistë madje edhe laborantë analizash , që kanë dalë në pension prej 1 apo 2 vitesh, janë sistemuar në dhomat e kësaj Ambulance Qëndrore, (zërat janë se nuk paguajnë as qera) ndërkohë që bëhen pazare me mjekët e rinj, apo ata që realisht duhet të kryejnë vizita ditore. Qytetarët ankohen se, tashmë ata duhet të përballen jo vetëm me rradhë të gjata, jo vetëm me tarifa të larta vizite, por edhe me korrupsionin e mjekëve pensionistë, që kanë bllokuar dhjetra dhoma e zyra. Kjo Ambulancë e cila kryen vizita të specialiteteve, realisht sot funksionon si një qendër biznesi. Atje mjekë të dalë në pension kanë akseset dhe privilegjet e tyre, shihen me prioritete, duke u ndarë sipas tarafeve dhe interesave. Një tjetër problem mbetet korrupsioni, një fenomen negativ që nuk ka gjasa të luftohet dhe minimizohet nga drejtuesit e shëndetësisë në Elbasan, kur ata vetë janë stimuluesit kryesorë. Banorët e Elbasanit ankohen se në Ambulancën Qëndrore gjejnë gjithnjë e më pak shërbime cilësore, vizita nga profesionistë, ndërkohë që janë rikthyer dhe janë sistemuar në dhomat e vizitave ata që kanë dalë prej vitesh në pension. Duke nisur nga laboratori analizave, që punon me laborantë dhe mjekë të dalë në pension, e duke vazhduar nga okulistika, reomatologjia e me rradhë, do të konstatosh se kjo Ambulancë Qëndrore është kthyer në një qendër biznesi, ku jepen dhe merren qera dhoma vizitash nga ish-mjekë, e duke lënë pas dere dhe pa asnjë shpresë pune mjekët e rinj dhe ata që janë specializuar. Ky fenomen po ndodh edhe në administratën e institucioneve të Shëndetit Publik në Elbasan, Qendrat Shëndetsore, apo diku tjetër, ku dhjetra persona pavarësisht se kanë mbushur moshën e pensionit, pavarësisht se kanë vite që kanë shkëputur zyrtarisht aktivitetin e tyre me shtetin, mbahen duke u sistemuar në ambiente që do të quheshin luksi, për një mjek të ri. Por duke u ndalur në Ambulancën Qëndrore, vërehet se qytetarët çdo ditë rrinë në rradha të gjata duke pritur të vizitohen tek ish-mjekët e dalë në pension, që nuk njohin orar, nuk njohin shpesh edhe librin e shëndetit, por sillen me njerëzit sikur të kishin klinikën e tyre private në ambientet shtetërore. Dhe kjo ndodh në Ambulancën Qëndrore, atje ku qindra e qindra qytetarë dynden për hallen dhe problemet e tyre të shëndetit. Por atje nuk mungojnë edhe qindra të tjerë që vijnë nga fshatrat, pasi atje ku ata banojnë mungon mjeku dhe infermieri. Një tjetër shqetësim për qytetarët por edhe për një pjesë të stafit të Ambulancës Qëndrore, është edhe fakti se mjekët pensionistë jo vetëm janë sistemuar atje sikur të ishin në marrëdhënie pune, por shfrytëzojnë maksimalisht edhe pajisjet dhe aparaturat e shtetit, duke vjelë çdo ditë para. Shpesh shqetësimin e tyre e ka bërë prezent pranë drejtorisë përkatëse, veç qytetarëve, edhe një pjesë e mirë e stafit, por duket se tarafet dhe miqësitë, janë mbi interesin e përgjithshëm, detyrën dhe zbatimin e ligjit dhe rregulloreve në këto institucione të shtetit. E ndërsa kjo situatë shpesh sjell anormalitete në vijushmërinë e punës, duke rënduar mbi xhepat dhe zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, një tjetër situatë kaotike mbetet edhe me sistemimin e mjekëve të rinj, që u duhet turren çdo ditë për të gjetur një dhomë bosh për ato pak vizita që u mbeten, pas mbarimit të orarit të zgjatur nga ish-mjekët e privilegjuar pensionistë.
    Sigal