Mitro Zhupa:Si u projektua Miniera e Kripës në Dhrovjan dhe pse u zgjodh kjo zonë për të furnizuar Shqipërinë

    1600
    Sigal

    Flet inxh. Mitro Zhupa dhe ish-drejtori i Minierës së Kripës së Gurit në Dhrovjan

    Sa kalon HEC-et e Bistricës dhe fillon e përpjeta e Qafës së Muzinës, nën këmbët e fshatit Dhrovjan, syri ndesh me disa gërmadha, aty ku rruga kthen nga ajo nacionale drejt pikës turistike të Syrit të Kaltër. Ato gërmadha kanë qenë zyrat dhe kapanonet e administratës dhe punëtorëve të njërës nga minierat më të mëdha dhe e vetmja në Shqipëri, për nxjerrjen e kripës së gurit, në Dhrovjan. Për këtë arsye ne kontaktuam  ish-drejtorin e Minierës për 10 vitet e fundit të kësaj vepre të rëndësishme të ekonomisë shqiptare, inxh. Mitro Zhupa. Ai në kujtimet e tij sjell detaje nga puna ndërtuese dhe shfrytëzuese e kësaj miniere që kish mbi 200 punëtorë, së bashku me 30 nëpunës administrate që përballonin prodhimin e planifikuar prej 75-80 mijë tonë kripë guri, në vit e domosdoshme si lëndë e parë për Uzinën e Sodës Kaustike në Vlorë, ku brenda ciklit të mbyllur të prodhim-shfrytëzimit, me sodën kaustike lidheshin një sërë ndërmarrjesh shtetërore si plastmasi në Lushnjë, ajo e përpunimit të naftës e prodhimit të sapunit dhe lubrifikantëve etj, ku brenda këtij cikli qenë të punësuar mbi 30 mijë punëtorë. Pra, merren me mend pasoja që mund të lindte nga një defekt, se ç’mund të ndodhte e ku mund të përfundoje. Çfarë përmasa dëmi ekonomik kishte, por shyqyr zotit e përballuam faqebardhë e me sukses. Ja çfarë rrëfen ish-drejtori Mitro Zhupa për lexuesit e”Telegraf”.

     Z.Mitro, a mund të na thoni se cila ka qenë detyra juaj në Minierën e Kripës së Gurit në Dhrovjan?

    Pas një stazhi pune në minierat e Bulqizës, unë erdha këtu si inxhinier në vitet 1975-1976 e deri më 1980. Në atë kohë qe në funksion shfrytëzimi miniera e vjetër. Pas katër vjetëve inxhinier, u bëra drejtori i saj për 10 vjet, deri në 1991, kur gjithçka e centralizuar mori tatëpjetën, e kështu edhe kjo minierë nga më të mëdhatë dhe e vetmja në vend. Puna që kryhej qe vitale e deri edhe vetëmohuese, me orar e pa orar, se i tillë qe qëllimi i prodhimit të kësaj miniere, që mund të sillte shumë pasoja në ekonomi. Në shumë ndërmarrje zinxhir, që lidheshin me prodhimin e kripës së gurit, brenda praktikës së ekonomisë së centralizuar të quajtur  “cikli i mbyllur”, që nënkuptonte prodhim dhe shfrytëzim brenda vendit.

    Sa qe kapaciteti i fuqisë punëtore dhe i prodhimit të kripës së gurit në këtë minierë?

    Së bashku me administratën që shkonin aty tek 30 nënpunësa, miniera numëronte në kuadrin e saj mbi 200 punëtorë të cilët lëviznin me autobusë të posaçëm dhe disa prej tyre flinin në kapanonet e minierës. Kishim një prodhim vjetor prej 75-80 mijë ton në vit, sipas kërkesës dhe shfrytëzimit të kripës së gurit si lëndë e parë nga fabrika e sodës kaustike në Vlorë. Vetëm aty përdorej në industrinë tonë. Kjo uzinë qe ndërtuar nga kinezët dhe futej në 250 veprat e tyre në Shqipëri. Por dua të shtoj se më parë kjo uzinë përdorte kripën e detit, por pajisje të veçanta u grupuan dhe filluan defektet. Pikërisht përmbajtja argjilore e kripës së gurit eliminonte këto defekte në makineritë e prodhimit të sodës kaustike dhe na u ngarkua neve ta siguronim tërësisht lëndën e parë për prodhimin e sodës kaustike. Por edhe një detaj tjetër: Siç thashë, prodhimi, apo plani vjetor paraprak qe në varësi të kapacitetit përpunues të kësaj uzine që shkonte aty tek 75-80 mijë ton, në vit. Kripa e detit në Nartë nuk e përballonte dot kërkesën e popullatës dhe erdhi një moment që popullsia mbeti pa kripë dhe shteti u detyrua të importojë nga Rumania kripën e gjellës. U bë shqetësim, deri alarm i madh në qeveri se si Shqipëria me gjithë këto kapacitete prodhuese të kripës të arrijë të importojë kripë për gjellë. Po kjo kishte edhe jehonë politike. Qenë vitet kur lufta e ftohtë ishte në kulmin e saj e në Shqipëri prodhoheshin grupe armiqësore.

     Si e tillë qeveria socialiste nuk ja falte vetes të katandisej të importonte edhe kripën e gjellës nga vendet revizioniste. Kështu lindi nevoja urgjente të plotësonim kërkesat e uzinës së sodës kaustike. Madje kryeministri i asaj kohe,Mehmet Shehu, hodhi idenë e bërjes së një pjese shtese në këtë uzinë për prodhimin e një pjese makinerie për pjesë këmbimi. Puna filloi, u bë pjesa më e madhe e projektit ,por nuk u vu në punë për disa arsye. Në këto situata neve na kërkohej dyfishimi i prodhimit të kripës së gurit. Dhe e realizuam. Kishim një kapacitet të lirë. Kur bëhej plani vjetor, neve na vinte plani i madh. Po me shtesat uzina nuk vihej tërësisht në punë dhe për ne filluan pengesat me stoqe prodhimi…por ne ishim të përgatitur për një kapacitet të lartë të prodhimit…thoshin që do vihet në punë,por nuk u vu asnjëherë.

    Z.Mitro,po avari a keni patur ndonjëherë dhe nëse po, si i keni përballuar?

    Avari nuk kemi patur. Vetëm njëherë tek miniera e vjetër që u përmbyt nga uji, pasi ajo ndodhej në një vend të rrethuar me përrenj uji dhe pika turistike e Syrit të Kaltër. Nga të katër anët ujë. U krijua një situatë. Kjo u përballua me devijimin e ujërave të përrenjve dhe nëpërmjet pompave thithëse që nxirrnin ujin jashtë minierës. Por kështu nuk ecej. Meqë kish probleme të shumta teknike u vendos të projektohej ndërtimi i minierës së re.

    Kur u vendos të projektohej ndërtimi i minierës së re dhe sa zgjati puna për përfundimin e saj?

    Që koha midis fundvitit 1975 dhe fillim vitit 1976, kur u vendos të projektohej dhe u caktua edhe vendi se ku. Vendi u caktua pikërisht tek ishin rezervat më të mëdha gjeologjike, e më të shumta sipas studimeve shkencore. Projektin e minierës së re e përgatiti Instituti i Studimeve të Gjeologji-Minierave. Por dështoi. Ja pse: Kur u hapën sektorët e punimeve të pjerrëta (dëshinteri) takuam në sasi të mëdha të ujërave të kripura. Qe e pamundur të ecej më tutje me punimet. U vendos të mbyllej, por përsëri doli vështirësi. Instituti u tërhoq dhe nuk merrte përsipër projektin tjetër. “Bëjeni vetë – na thanë”! Kështu na u besua neve të minierës. E morëm edhe me një çikë frikë këtë punë, se nuk i thoshin shaka. Por vendosëm dhe e bëmë vetë. Ishim tre inxhinierë : K/inxhinieri, Dhimitër Dhimo, inxhinieri i shfrytëzimit Niko Qirici dhe unë, Mitro Zhupa që përgatita pjesën gjeologjike të projektit. Vështirësi patëm edhe se konditat hidro-gjeologjike qenë të vështira nga sa thashë më lart, se vendi qe rrethuar nga ujërat. Kështu u kërkua të bëhej shpimi hidro-gjeologjik për hapjen e minierës së re.  U zgjodh mënyra më e leverdisshme dhe qe një sukses se nuk u takuam më në ujërat e kripura. Kështu pas një viti, e pas dy punimeve të pjerrëta, miniera e re filloi nga shfrytëzimi. Qe vepër tërësisht e jona, me forcat tona. Qe një gëzim i madh nga të gjithë. Të tre neve u shpërblyem me stimuj moral, mjaft të rëndësishëm për atë kohë. Kështu u futëm në shtresat (trupat) e kripës së gurit në minierën e re. Kështu filloi puna ku u përgatit shfrytëzimi me metodat e dhomave me kolona. Që në projekt u parashikua mekanizimi i proceseve të punës, sidomos në dhomat (frontet) e punës. Në minierë gjëja më e vështirë qe ngarkimi në frontet e shfrytëzimit, pasi bëhej me krahë, me lopata. Nga kjo vuanin të gjitha minierat, si pengesa më e madhe në realizimin e planit të kërkuar qysh më pare, se flasim për kohën e ekonomisë së planifikuar e të centralizuar. Këtë pengesë e kapërcyem duke përdorur përvojën e minierës së Hekur -Nikelit të Gurit të Kuq, në Pogradec ku qe drejtor në atë kohë inxhinieri i minierave Llambi Gegëprifti. Aty kinezët në dhomat e shfrytëzimit kishin vënë skrepa të vegjël. U mor kjo përvojë dhe u zbatua me sukses e cila rriti rendimentin e prodhimit në front gati në 3/4-fishim.

    Pse u vendos në Dhrovjan ndërtimi i kësaj miniere të rëndësishme për ekonominë e asaj kohe?

    Tek përroi i Armit në Dhrovjan kishte burime të kripura që fshatarët në kohëra të ndryshme i përdornin për prodhim të kripës dhe më pas për tregti. Mund të shtoj se kripa e gurit është më e shëndetshme si cilësi në ushqyerje të konsumatorit, pasi ka një karakteristikë pozitive nga kripa e detit që përdoret gjerësisht. Këtë e them se kripa e gurit përmbajtjen e MgO (elementi kimik që sjell dëmtimet e veshkës tek njeriu) e ka 2-3 herë më të ulët se kripa e detit,vetëm se kripa e gurit duhet jodizuar, po standardet cilësore të ushqyerjes dhe mos dëmtimit të shëndetit i ka më të larta nga kripa e detit, ose e zakonshme e gjellës që ka përdorshmërinë e përditshme. Zbulimin e këtyre pasurive në Dhrovjan e bëri Ndërmarrja Gjeologjike në Gjirokastër, por edhe zbatimin e projektit të minierës së vjetër ajo e bëri, nisur nga vetitë e ujërave të burimeve të zonës. Dua të shtoj edhe faktin se mungesa e përvojës na detyroi të nisnim në specializim jashtë shtetit, Rumani, ish-K/inxh.e minierës së Memaliajit,  Faruk Çinaj, pasi ishte filial i saj, Dhrovjani, së bashku me të edhe inxh.Kristo Kuti. Kështu e ka historinë një nga minierat më të rëndësishme dhe e vetmja në Shqipëri, ajo e kripës së gurit në Dhrovjan.

    Z.Mitro, çfarë mendoni për gjendjen e sotme të kësaj miniere?

    Eh, ç’të them? Është investimi i një jete, jo vetëm i imi, por i një brezi të tërë. Janë mijëra vite jete njerëzore e lumenj djerse. Përveçse keqardhjes, ç’të ndjesh me gjendjen e sotme. Vendet me mirëqenie më të madhe ekonomike si Norvegjia, janë bërë të tilla me shfrytëzimin e mineraleve të nëntokës dhe ne e kemi shumë të pasur nëntokën tonë. E them se jam gjeolog dhe shfrytëzimi i tyre nuk do të ketë këtë nivel mirëqenieje. Lexova në gazetë se qeveria e Brazilit po rishikon korrigjimin e dhënies me koncesion të shfrytëzimit të nëntokës së saj, për ta kaluar tërësisht në administrimin e vet. Në minierën e Dhrovjanit rezervat janë shekullore dhe është shfrytëzuar vetëm pjesa e sipërme, në volum shumë, shumë të pakët me atë që qëndron nëntokë. Më në thellësi të nëntokës qëndron pjesa më e madhe dhe nuk është e drejtë që këto rezerva kolosale për ekonominë e varfër shqiptare, të rrinë të fjetur dhe të mos vihen në shfrytëzim. Shfrytëzimi i këtyre rezervave mund të bëhet me shpim nëpërmjet sondave duke nxjerrë kripën e gurit në sipërfaqe të tokës në formën e lëngëzuar të shëllirës e pas një përpunimi, mund të përdoret për konsum me kosto shumë të ulët, por edhe me vlera ushqyese e shëndetësore të padëmshme.