Mitro ÇELA/ Pjetër Arbërori

    382
    Sigal

    Ditari i gazetarit (Dimër 2001)

    Dje pashë filmin amerikan “Krahët e lirisë”. Morgan Friman, në rolin e një të burgosuri. Sipas skenarit, kishte vrarë një djalë. Dënim i përjetshëm. Kur bëri 40 vjet burg, u lirua me kusht. Pa katandi. Pa miq. Pa të afërt. Kujtonte çdo ditë burgun, ku la miqtë. Çdo ditë mendonte si të gjente një sebep për t’u rikthyer në burg. Vetmia i dukej ferr… Bashkia i dha një dhomë për të banuar. I gjetën punë në supermarket. Sa herë që shkonte në tualet, i merrte leje shefit.
    Një ditë shefi i tha: “Nuk ke pse më kërkon leje!”. Kur ishte në tualet, ish i burgosuri foli me vete: “40 vjet me radhë kam kërkuar leje tek gardiani për të shkuar në banjë. Tani, pa marrë leje, nuk mund të urinoj?!”.
    Kur erdhi fundi i filmit, mendja nisi të bluajë… Në mes të janarit 2001, një grup miks gazetarë dhe deputetë ishim në Romë për një seminar. Së bashku me ne ishte edhe Pjetër Arbërori. Në fillim folën deputetë italianë. Mbledhjen e drejtonte deputeti Urso. Ai tha: “Tani do flasë zoti Pjetër Arbërori. Mandela i Shqipërisë! Ka qenë 20 vjet në burg!”
    Qetësi. Njerëzit ngrinë. Mimika të llahtarepsura… Në sallë u dëgjua zëri i butë i Arbërorit:
    -Zoti Urso! Pse më hëngrët 8 vjet dhe 6 muaj burg!
    Në kthim zumë vend në krahë të njeri tjetrit, në aeroplanin e linjës Romë-Tiranë. Për të vrarë kohën nisëm të bisedojmë.
    Unë:- Dje, gjatë seminarit me të djathtën italiane, deputeti Urso të “hëngri” disa vjet burg. Çfarë mund të thoshte gardiani i burgut, në qoftë se do ta merrte vesh këtë bisedë?
    Pjetri:- Ka pasur një rregull të artë në burg. Gardiani nuk u hante vite të burgosurve, por shtonte vite burgu. Nga ky rregull unë “përfitova”, edhe 10 vjet hapsanë.
    Unë:- Dënimi bëhej pa dëshmitarë dhe pa gjyq?
    Pjetri:- Me të dyja bashkë…Si? Dëgjomë. Një ditë shkova në infermierinë e burgut. Më duhej një aspirinë. Aty ishte edhe një i burgosur tjetër. Ai nisi të flasë. Unë dëgjoja. Ai nisi të shajë regjimin. Unë shihja tavanin: E dija që kjo dhomë ishte vendi ku shtohej burgu. Dhe nuk gabova. Pas disa ditësh më thirri drejtori në zyrë. Më prezantuan me gjykatësin dhe një ekspert që kishte ardhur nga Durrësi… Pa shumë ceremoni, gjykatësi lexoi aktakuzën.
    -Në janar ke thënë që Kina do të sulmojë Vietnamin. Për të shpëtuar mjekrën e Ho Shi Minit, në luftë do të futet Bashkimi Sovjetik. Pastaj do të trazohet edhe Amerika. Do të nisi Lufta e Tretë Botërore. Bombat do të çajnë muret e burgut dhe do të sjellin lirinë!…
    Eksperti tundi kokën… Ndërkohë, drejtori i burgut ngriti telefonin.
    -Alo… Agjencia? Po kaloi ndonjë “Skodë”, mbajeni në “arrest”. Na duhet një vend..! Profesor, pse nuk rri në Burrel? Në shtëpi e kam një pulë. Kam edhe raki të mirë… Ke hallin e të burgosurit..! Mos e bëj qejfin qeder! Zotnisë i është prerë kostumi i burgut edhe për 10 vjet! Mbaruam gjykimin…
    Unë:- Zoti Pjetër! Nuk më është dhënë rasti të të pyes: Çfarë hanit në mëngjes?
    Pjetri:- Deri në vitin 1972 mëngjesi nuk figuronte në defterët e burgut. Në atë vit u fut çaj pa sheqer. Pas 5 vjetëve u shtuan 10 gram sheqer. Por nuk duhet të harrojmë ca hesape. Tre gram për kokë të burgosuri i vidhte magazinieri. Tre të tjera kapteri… Pra përsëri pinim çaj pa sheqer! Në drekë menuja kishte një nga këto të treja: Makarona, oriz ose fasule. Nuk mbaj mend ndonjë ditë që makaronat dhe orizi të ishin pa krimba… Për hir të së vërtetës, kur kishim fasule, bënim një festë të vogël, edhe pse kokrrat e groshës numëroheshin me gishtat e dorës… Më kujtohet se një ditë dikush tha: Sot kemi fasule! Disave u shkëlqyen sytë… Në fakt kishin gatuar makarona. Një miku im tha: “Mos u tallni me ndjenjat tona…”
    Unë:- Po në darkë?
    Pjetri:- Kishin bukë gruri që e hanim me bukë misri! Të dyja bashkë, në vitet më të lulëzuara nuk bënin as 250 gram, sepse edhe buka fironte si puna e sheqerit!
    Unë:- Ma do mendja, që në burg, gjumi në kuptimin figurativ ishte mbret!
    Pjetri:- Përkundrazi: Gjumi ishte armiku ynë! Me rregullore ndalohej të flije dhe të mbuloheshe me batanije ditën. Nuk di ku e kishin zbuluar këtë art për të torturuar, sidomos pleqtë. Të gjithë e dimë: Miku më i mirë i plakut është gjumi..! Do të tregoj një ndodhi. Në burg kishim një burrë të moçëm dhe një gardian që ishte gjynah ta quaje njeri! Ishte egërsirë pylli! Dyert e hapsanës mbylleshin me një takëm llozesh, që kërcisnin sa të çanin veshët. Egërsira se ku kishte mësuar një marifet: E lëvizte llozin pa u ndjerë!… Ishte një ditë shkurti, nga ato ku kallkani varej si qirinj nën dritare. Plaku kishte dhe një muaj për të mbushur 25 vitet e dënimit… Duke ëndërruar për familjen e kishte zënë gjumi… Mbiu gardiani. Ja bëri me gisht. Plaku u ngrit. U hap një derë. U mbyll e njëjta derë. Pas disa minutash mbërriti gardiani. I shkëlqente nuri! Mbi dyshekun e plakut hodhi ndërresat… Pas 24 orësh në derë u shfaq një fantazmë e vërtetë: I burgosuri kishte ndenjur atë ditë shkurti pothuaj lakuriq në birucë… Si nuk vdiq, u dëgjua një zë. E ruajti perëndia për të parë familjen, thashë unë…
    Unë:- Në letërsi, gjen fakte që të përqasen me ndodhitë e burgut?
    Pjetri:- Në burg nuk kishte ngjarje. Mes nesh kishte paradokse… Në dhomën tonë jetonte edhe babai i Dylber Vrionit. Njeri me kulturë të gjerë: Rridhte nga fisi i madh i Vrionsave. I shkolluar në perëndim. Përfundoi në bonifikimin e kënetës së Maliqit…Një skëterrë e vërtetë, siç tregonte: Edhe pas 20 vjetësh ndjente neveri për punën!
    Një ditë në dhomë u shtua një i burgosur i ri. Qëlloi që të kishte një të njohur. Ishin nga i njëjti fshat. Njeri pyeste. Tjetri përgjigjej: Është njeri punëtor Xhafa yt! Ka bërë një shtëpi të re, duke punuar natë e ditë. Me punë ka hapur një copë tokë. Duke punuar…
    -Poshtë puna,- tha plaku nga fisi Vrioni!
    -Të lumtë goja,- tha një i burgosur në Maliq.- Nga libreza ime mund të shpenzosh 500 lekë për të blerë ushqime në dyqanin e burgut!
    Një ditë më vonë kjo ndodhi u harrua. Do shkakun? Në dhomë u fut një djalë i ri. Pyetëm, po thua në kor: Nga të kemi?… Jam nga jugu!… Nga jugu jam edhe unë, tha një burrë që kishte bërë 20 vjet burg. Nga cili rreth?… Nga Tepelena,- tha djali… Andej jam edhe unë. Po nga cili fshat? Nga Progonati! Qenkemi nga i njëjti fshat… I biri i kujt je more djalë? Tha djali: I biri i Hasanit!…Mos more, po qenkemi vëllezër! Dëgjomëni or miq! Kur më arrestuan, vëllai ishte fëmijë. Kulloste bagëtinë. Tani më është bërë burrë për burg!… Dhe përfunduan në krahë të njëri-tjetrit… Skena të tilla mund të “gatuhen” vetëm nga pena e Markesit…Mitro! Unë po flas. Ti më dëgjon. Sikur të ndërrojmë rolet?
    Unë:- Dakord. Por unë kam 10 vjet që bëj përpjekje dhe nuk po gjej derman për një çikë burg! Ta kisha si punë dëshmie për të fituar status politik në Amerikë…