Mitmarrja, duhet luftuar tek peshkaqenët, pastaj tek sardelet

    462
    Sigal

    FORUM/ Mitmarrja në radhët e pedagogëve flasin: Birçe Hasko, Aleksandër Lalo, Alqi Lepuri, Elena Kocaqi, Ksenoela Sotirofski dhe Mimoza Agalliu

    Mitmarrja, fenomeni më i shumëdiskutuar sot në radhët e pedagogëve dhe mësuesve shqiptarë. Një fenomen që në regjimin komunist nuk njihej as si emër dhe tani është shtruar këmbëkryq në mes të arsimit. Janë dënuar shumë pedagog, por sërishmi fenomeni nuk është asgjësuar. Ai është shtrirë në dimensione të tilla që është e vështirë ta eliminosh, pasi dhe format e veprimit janë nga më të përsosurat. Reformat në arsim e kanë minizuar shumë këtë fenomen, pro tendencat nuk janë shuar.

     Birçe Hasko

    Sot flitet për mitmarrje në radhët e pedagogëve, madje, shumë raste janë bërë prezent dhe në shtyp. Si ish- pedagog mendimi im është se jam i habitur. Jam i çuditur për këtë fenomen të shëmtuar?

     Ky është fenomen i kohës që jetojmë.  Unë këta pedagogë do t’i quaja pedagogë langaraqër, ose plehra për mua. Si ka mundësi, që prindi paguan sot 300 mijë lekë  për regjistrimin e fëmijëve, ahere si i kërkon pedagogu studentëve? Si i bën goja, t’u kërkojë. Ky është fenomeni më i shëmtuar. Edhe kur e mendoj tmerrohem pa le më ta kem përdorur vetë. Është i paimagjinueshëm. Ky fenomen luftohet nga lart, aty ku ka mbirë, ku ka hedhur rrënjë ky fenomen. Pra duhet luftuar në radhë të parë nga peshkaqenët, pastaj duhet ardhur tek sardelet.

    Aleksandër Lalo

     Sot diskutohet shumë kërkesa e mësimdhënies në Universitetin e Arteve  në raport me regjimin komunist, por dhe mitmarrja.  Kur japim mendime për një kohë të caktuar, ndoshta nuk japim mendime të sakta, pra ka subjektivizëm, pasi në momente të caktuara futet dhe elementi i nostalgjisë. Ekziston dhe një lloj nihilizmi i brezit për brezin. Edhe kjo pyetje me këtë ka të bëjë, sepse ne për të ruajtur nostalgjinë tonë themi hë mo se ky brez nuk bën.  Por do të theksoja që shkolla ka të bëjë shumë, por në fakt po kaq ka të bëjë dhe individi. Brezi im ose pak para ose mbrapa meje, ata që kanë  dashur të marrin nga shkolla kanë marrë. Ata që s’kanë  dashur s’kanë marrë. Edhe sot unë se di se çfarë bëhet konkretisht në shkollat e muzikës, por di një gjë që nga bisedat që bëj me kolegët e mi, se ka studentë shumë të talentuar, të cilët marrin maksimumin e shkollës, por studiojnë edhe vetë. Ne nuk duhet të kërkojmë që nga shkollat e muzikës të dalin çdo vit, kompozitorë, instrumentistë, dirigjent të shkëlqyer, sepse me kaq vend sa jemi ne sikur tre ose katër të tillë të dalin në një dekadë është shumë mirë. Fakti tregon se nga shkollat tona të muzikës, por edhe të fushave të tjera kanë dalë talente që kanë zënë vende kyçe nëpër institucione muzikore shumë të rëndësishme të Europës dhe më gjerë. P.sh Inva Mula,  Eda Zari, apo baletmaestër etj..kanë bërë famë dhe janë të shkollës sonë në etapa të ndryshme dhe jo të një gjenerate. Pra, nuk dua të them që shkolla dje kishte më nivel mësimdhënie, pasi shkollat sot kanë shumë më shumë informacion, por kjo ka të bëjë më shumë me pasionin që kanë individët që marrin këtë rrugë. Obligimi që ata kanë. Këtu hynë dhe pasioni, geni, dhuntia, adrenalina, dashuria për profesionin, studimi i mëvonshëm. Ti mund të kesh dalë me 10-ta, në mësime, por n.q.s s’ke këto elementë jetësorë nuk do ecësh përpara. Shumë kompozitorë, dirigjent, këngëtarë, po t’u bësh skanerin nuk është se kanë shkëlqyer nëpër shkolla, por kanë pasur këto elementë të tjerë pas shkollës. Për mitmarrjen ngre supet. As e mendoj, as e konceptoj, as e kam njohur si emër. Të marrë para pedagogu, atëherë çfarë do mësojë?!

     Alqi Lepuri, pedagog

    Sot thuhet se ka rënë niveli mësimdhënies dhe ka madje, edhe mitmarrje?

    Për mua kjo nuk qëndron. Pedagogët thuajse janë ata që ishin, me po aq seriozitet, me aq përkushtim. Unë vija në orën 5 të mëngjesit dhe ikja në 11 të natës nga shkolla, kur isha student. Edhe sot ata studentë që duan të mësojnë, kërkojnë vetë edhe të mos dojë pedagogu. Ata që s’duan të mësojnë flasin keq për pedagogët. Ndërsa mitmarrjen as e imagjinoj në radhët e pedagogëve të Universitetit të Arteve.

     

    Ksenoela Sotirofski, Dekane

     Flitet se ekziston mitmarrja në radhët e pedagogëve, si mund të luftohet ky fenomen?

     Poflitet dhe mësojmë dhe raste të identifikuara. Mendoj se ka mënyra të shumta për ta luftuar këtë fenomen.Popërmend disa që me vijnë menjëherë në mendje. Fillimisht mendoj se duhet të ketë pasoja të rënda ligjore për ata që përfshihen në këtë fenomen, por për të dyja palët. Transparenca, është një element i rëndësishëm gjithashtu. Nëse drejtuesit e të gjithë hallkave në universitete nxisin transparencën kryesisht në zhvillimin dhe vlerësimin e provimeve, mendoj se ky fenomen do të zhduket.

    Dhe më e rëndësishmja, është e turpshme që sot brezi i ri, e ardhmja e vendit është një nga palët e këtij fenomeni. Nëse ne e konsiderojmë mitmarrjen si një stigmë sociale, njerëzit do të shmangen nga ky fenomen.

    Mimoza Agalliu, pedagoge

     Vetë koncepti i mitmarrjes do të thotë abuzim.  Personalisht mitmarrjen e klasifikoj si  krim të rrezikshëm me efekte të gjata vepruese e komprometuese  për shoqërinë. Sigurisht që, kjo është një dukuri tepër negative. që pati një ‘lulëzim “ ne vitet e shkuara e cila e dëmtoi shumë rëndë arsimin, por komprometoi edhe shumë personalitete  të fushës së mësimdhënies, të cilët u përlyen apo individë të veçantë, në rolin e sekserit abuzuan në emër të tyre . Kjo nuk është shumë e vështirë të konstatohet, mjafton të shikosh ndryshimet në jetën e gjithsecilit brenda një kohe të shkurtër me makina, shtëpi apo vila, me pushime jashtë shtetit apo pasuri të shtuar jashtë mundësive reale që lejon paga e pedagogut . Të ushtrosh mitmarrjen do të thotë të shkelësh mbi karakterin tënd, të shesësh moralin dhe kulturën tënde, do të thotë të jesh një tjetër njeri përballë atyre që ju bën moral e leksion me orë të tëra.  Ryshfeti është një plagë e shoqërisë shqiptare, një bashkёjetesё mes mentalitetit, formimit kulturor nga njёra anё dhe kushteve social –ekonomike nga ana tjetёr.

    Të shndërrohesh nga një investues dijesh për studentët në një shembull shitësi ambulant vlerësimi në vlerë material, do të thotë të shkelësh mbi veten dhe të tjerët .

    Këtu ligji duhet të jetë i pamëshirshëm, sepse gjendja psiko- sociale e studentëve cenohet rëndë. Gjykoj, që duhen marrë masa efikase për ta izoluar këtë fenomen duke rritur pagat e pedagogëve, duke sensibilizuar studentët për të mos dhënë ryshfet, kontrolli i provimeve të bëhet nga pedagogë të tjerë, dhe jo thjesht të mbetet në nivel teorie ose keqpraktikimi etj..

         Mitmarrja është e dënueshme moralisht dhe ligjërisht. Prandaj shteti , por edhe vetë studentët duhet të jenë të parët në denoncimin dhe dënimin e kësaj plage të egër që nuk i shërben askujt e në radhë të parë studentit.

         Mitmarrja është gënjeshtër, është vjedhje,  është mashtrim, është turp, është degjenerim moral për këdo që e ushtron .

     Elena Kocaqi, pedagoge

     Thuhet se ka rënë shumë kërkesa e llogarisë në universitet dhe shqetësues është mitmarrja? Cili është mendimi juaj për këto fenomene?

    Nuk ka rënë kërkesa e llogarisë nëpër universitete shtetërore kjo është e pa diskutueshme, por ky fenomen mund të ndodh në disa prej universiteteve private, por jo në të gjitha. Kjo vjen nga që dija është e ngatërruar me biznesin. Fakulteti shihet si biznes që jep të ardhura dhe kjo është primare dhe jo si një institucion që edukon. Për mua thelbësore është zgjedhja e një stafi akademik profesional në universitete.  Në lidhje me mitmarrjen do ta quaj një skandal dhe paturpësi që ai që e bën jo vetëm që nuk mund ta quaj veten pedagoge, por as edhe njeri. Studentët janë shtresa më e varfër e shoqërisë dhe si të tillë duhen mbrojtur por edhe sikur te ishin te pasur është shume e turpshme për një intelektual që presupozohet të jetë i nivelit të lartë të bëj të tilla gjëra. Kjo ndodh me ato njerëz mediokër që kanë marrë në mënyre të pamerituar një pozicion kaq të nderuar dhe që e përdorin në mënyrë kaq poshtëruese. Për mua të tillë njerëz jo vetëm që nuk duhet të ketë në fakultete, por nëse ka, ata duhet që të përballen me drejtësinë.