Mirela Karabina: Ndryshimet nëLigjin: “Për Sistemin Arsimor Parauniversitar” dhe shpërfilljet e Ministrisë së Arsimit

1057
Sigal

Nga: Mirela Karabina

Tashmë, është fakt që ndryshimet e paraqitura në formën e projektligjit në disa nene të Ligjit Nr.69/2012 “Për Sistemin Arsimor Parauniversitar në Republikën e Shqipërisë” kaluan në komisionin parlamentar. Pra, miratuar me konsensus të gjerë më 2012-ën, me votat e 128 deputetëve nga të gjitha palët, Ministria e Arsimit, për të dytën herë që nga 2015-ta, bëri ndryshime në Ligjin Nr. 69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”. Por, me gjithë kundërshtitë dhe argumentet e listuara në komisionet parlamentare me “forcën” e numrave dhe jo me dakordësinë e palëve, këto ndryshime u miratuan. Ndryshimet vijnë pa asnjë konsultim me grupet e interesit, me aktorë në fushë të cilët janë të interesuar për zhvillimin dhe cilësinë e shërbimeve të institucioneve arsimore. Një nga ndryshimet e miratuara, dukshëm, tregon “shqetësimin e madh” të Ministrisë së Arsimit për certifikimin e drejtorëve të institucioneve arsimore parauniversitare. Kështu, u miratua “Shkolla e drejtorëve” për drejtues në institucionet arsimore jo me formim universitar, por me kurs zhvillimi profesional me afat të shkurtër kohor në bashkëpunim me fondacion.

Pra, ulje e cilësisë së formimit të drejtuesve

Kështu, Ministria përgjegjëse për Arsimin legjitimoi atë që nisi dy vite më parë. Në Shtator 2016, Ministrja e Arsimit përuroi çeljen e Institutit të Lidershipit Arsimor, pa asnjë dokument ligjor (standardi i punës së kësaj ministrie) që të mbështeste ngritjen dhe veprimtarinë e këtij instituti. Dhe ky “model pilotimi për formimin fillestar, zhvillimin profesional dhe kualifikimin e drejtuesve të institucioneve arsimore” binte ndesh me Ligjin 80/2015“Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor” në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë” pasi janë IAL-të që ofrojnë studime për formimin fillestar të drejtuesve të institucioneve; me Ligjin Nr. 69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë” që parashikon vetëm zhvillim profesional për drejtuesit e shkollave dhe jo formim fillestar të tyre; me Ligjit Nr.10 171, datë 22.10.2009” Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë: pasi, pozicioni i drejtorit të shkollës nuk është një profesion i rregulluar, gjë që binte ndesh me Urdhrin Nr. 418 të dt. 11. 08. 2016 të lëshuar nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit për miratimin e rregullores për zhvillimin profesional dhe kualifikimin e drejtuesve të institucioneve arsimore në nivelin arsimor parauniversitar Nr. Prot. 8098/1 dt. 11.08.2016. Me sa duket interesi ka qenë shumë i madh për ministrinë përgjegjëse për arsimin, pasi nuk ngurroi të shpërfillë universitetin, diplomën e ciklit të dytë “Master” të formimit universitar për drejtuesit e institucioneve arsimore dhe t’i zëvendësojë me certifikata të kurseve me afat të shkurtër kohor, të cilin ajo e përcakton me ligj tani si zhvillim profesional të drejtuesve. Mos-transparenca e këtij ndryshimi se, si dhe pse është zgjedhur një fondacion për të certifikuar drejtuesit e shkollave dhe është shpërfillur formimi universitar e bën këtë proces të njëanshëm dhe arbitrar. Por, si mundet të zëvendësosh formimin fillestar universitar me zhvillim profesional me afat të shkurtër kohor për drejtuesit e shkollave?

Cilit model i janë referuar?

Duket si Shqipëria e viteve ’90-të, ku nevojat urgjente gjenin mbështetje jashtë institucioneve arsimore. Sigurisht, kjo do të ndikojë në cilësinë e formimit dhe do të diktojë mbylljen e programeve të studimit të ofruara nga universitetet prej 10 vitesh, duke çuar dëm investimin dhe përvojën e universiteteve në zhvillimin e programeve të fushave përkatëse. Pra, kjo është qasja që ka kjo ministri për Institucionet e Arsimit të lartë, që jo vetëm nuk i mbështet në rritjen e cilësisë së tyre, por i “zhvesh” ata duke mbyllur programe ekzistuese. Në fakt, ministria përgjegjëse për arsimin nuk ka ndonjë interes për formimin dhe cilësinë e drejtuesve të institucioneve shkollore. Qasja dhe perceptimi i saj për drejtuesit e shkollave ka dalë dukshëm me ardhjen në pushtet më 2013-ën. Zyrtarë tejet të politizuar dhe aspak profesionalë, këshilltarë delirantë të Ministrisë së Arsimit me arrogancën e pushtetit kanë denigruar drejtuesit e institucioneve arsimore, duke i nxjerrë nga zyrat e shtetit shqiptar dhe duke i detyruar të japin dorëheqje nën kërcënimin e lënies jashtë sistemit arsimor. E dhimbshme por e vërtetë! Pra, kjo është filozofia e kësaj ministrie dhe kjo është qasja për drejtuesit e shkollave! Dhe, bazuar në këtë qasje, qëllimi nuk është te kualifikimi i drejtuesve të shkollave, sepse këtë e bëjnë fakultetet, por financimi i certifikimit të tyre. Kjo është shpërfillje e pandershme institucionale. Portali “Mësues për Shqipërinë”, portali pa asnjë bazë ligjore aq shumë i artikuluar për të mbuluar maskaradën politike në emërimin e mësuesve, së fundmi është përcaktuar në ligjin 69/2017 “Për arsimin parauniversitar”. I paqartë se si do funksionojë ky portal, kriteret e përzgjedhjes së mësuesve, dyshues në profesionalizmin dhe cilësinë e tij, qartazi dëshmon më së miri një të vërtetë të hidhur, por me kosto për familjet shqiptare: paligjshmërinë e përdorjes së tij deri më tani për emërimin e mësuesve sipas “meritës”, pra, përligj përdorimin politik të emërimit të mësuesve nga ministria përgjegjëse për arsimin. Dhe, Ministria e Arsimin duhet të kërkojë ndjesë publike për këtë. I paraqitur si“sukses”, ky portal abuziv ka sjellë anomali ndërinstitucionale, pasojat e të cilit bien mbi mësuesin duke denigruar figurën e tij dhe duke e vënë në dilema profesionale dhe morale. Kështu, pas një rrugëtimi 5 vjeçar universitar dhe pas mbarimit një viti stazh, kandidatët për mësues i nënshtrohen një provimi për të marrë licencën si mësues (edhe licencimi bart problematika). Dhe, për të fituar vendin e punës, për të marrë emërim në sektorin publik, kandidatët për mësues duhet t’i nënshtrohen këtij portali. Pra, tashmë, mësuesit i “certifikon” Ministria e Arsimit.

Kujt i shërben kjo shpërfillje institucionale?

Qartësisht i shërben emërimit sipas përkatësisë politike të mësuesve nga Ministria e Arsimit dhe jo nga aftësitë profesionale të tyre. Por, ka dhe një paradoks në ndryshimet e miratuara që përligj më së miri përdorimin e portalit si mekanizëm ‘brilant” politik: drejtuesi i shkollës do të emërojë mësuesit, por jo duke parë aftësitë profesionale të tyre, por duke i marrë të gatshëm nga “portali magjik”, pra nga ministria përgjegjëse për arsimin. Pra, dukshëm është ajo “kujdestarja” e procesit, ndërsa drejtuesit do të mbeten “ushtarë të bindur”, zbatues mjeranë, por që ngarkohen vetëm me përgjegjësi. Qartazi, ky portal është përdorur nga ministria jo për të menaxhuar dhe rregulluar tregun, por për ta kontrolluar dhe përdorur atë për interesave të saj. Dhe, këtij tregu të kontrolluar dhe përdorur sipas “oreksit”, shkeljeve dhe deformimeve të tij e vërteton edhe një ndryshimi tjetër në ligj, certifikimi si mësues dhe të “individëve që zotërojnë diplomë universitare të ciklit të parë dhe të dytë ose diplomë universitare të integruar, të ngjashme ose të përafërt me fushën/lëndët e mësimdhënies në arsimin parauniversitar, dhe njohuri të certifikuara në formimin psiko-pedagogjik nga institucione të arsimit të lartë, që ofrojnë programe të studimeve të formimit të vazhduar” (neni 57, profesioni i mësuesit). Dhe, ky ndryshim konfuzon tregun duke shtuar numrin e mësuesve jashtë kuotave të parashikuara dhe i paqartë duke mos përcaktuar llojet e fushave të përafërta.

Në fakt, ky ndryshim zhvlerëson dhe “kalin e betejës” së Ministrisë së Arsimit, që me ardhjen në pushtet më 2013-ën e quajti “qametin e madh” në arsim të shkaktuar nga qeveria paraardhëse sepse kishte disa mësues, të cilët diktuar nga nevojat, jepnin jashtë profilit të tyre në klasat kolektive apo zonat rurale. Por, vetëm për mësuesin, me politikat e saj kjo ministri nuk është kujdesur të sigurojë mbështetje institucionale por e ka konsideruar atë një “kavie”. Kështu, një tjetër ndryshim i miratuar ka të bëjë me një shkelje flagrante dhe shpërfillje institucionale, Ministria e Arsimit zhvlerëson diplomën me titull “Mësues” të mësuesve të Arsimit fillor duke e ekuivalentuar me diploma “Bachelor” sipas nenit 124, pika1 e Ligjit 80/2015“Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin shkencor” i cili përcakton programet e studimit që kanë zgjatur 3 vite (6 semestra) ekuivalente me diplomat “Bachelor”. Kështu, këta mësues duhet të ndjekin një cikël të dytë studimesh, në të kundërt do kenë ulje në page, pasi neni 17 i projektiligjit/ në nenin 72 ekzitues të ligjit 69/2012 “Për arsimin Parauniversitar” do të shtohet pika 6, që diploma e përftuar në Ish-Institutet e Larta Pedagogjike do t’u njihet vetëm nëse kanë zhvilluar 8 semestra. Pra, ky klasifikim do të prekë në pagë mësuesit e Arsimit fillor të diplomuar nga viti 1985-2008. Por, ajo që të bën përshtypje është se ndryshimi i propozuar nga Ministria e Arsimit është bërë pa asnjë konsultim paraprak me fakultetet e mësuesisë. Në fakt, fakultetet e mësuesisë duhet të jenë të parët dhe të kenë peshën e vendosjes së klasifikimit të diplomave. Qartazi, liria akademike e universiteteve është një utopi. Pra, një çoroditje të tillë vetëm kjo ministri mund të krijojë, ku ndryshimet bëhen pa asnjë studim dhe pa bashkëpunim me aktorë në fushën e formimit të mësuesve. Dhe, pikërisht, kjo lëvizje që kërkon të rrisë artificialisht, gjoja kualifikimin e mësuesve të cilët kanë diplomën “Mësues” por me kosto financiare, është kriminale. Dhe këtë amulli të qëllimshme e vërteton më së miri klasifikimi i diplomave të mësuesve që po bën Departamenti i Administratës Publike, i cili po krijon regjistrin e mësuesve,dhe referuar Ligjit 80/2015 “Për Arsimin të Lartë dhe Kërkimit Shkencor”, studimet universitare me korrespondencë (part-time) të mësuesve të Arsimit fillor, të cilat kanë zgjatur 4 vite akademike por me të njëjta kredite me studimet 3 vjeçare me kohë të plotë të mësuesve të Arsimit fillor, janë klasifikuar si diplomë e plotë, bashkë me ciklin “Master”.

Si ta kuptojmë këtë lloj klasifikimi paradoksal me pasoja financiare për mësuesit?

Pra, nuk vlerësohen kreditet, bazuar në programet mësimore të ndjekura, por vitet e shkollimit. Një shkatërrim plotësisht i sistemit dhe amulli me kosto financiare. Pra, këto ndryshime të bëra dhe të sanksionuara me ligj, tashmë, janë tregues të një situate shumë të rëndë që ka mbërthyer sistemin arsimor me “bekimin” e Ministrisë përgjegjëse për Arsimin. Dhe, në fakt, ndryshimi i kuotave të fakulteteve për drejtuesit e shkollave duke lejuar një tjetër subjekt në treg, emërimi politik i mësuesve përmes portalit dhe jo sipas aftësive profesionale, certifikimi si mësues të individëve që kanë kryer studime të përafërta me fushë/lëndët me programet e sistemit parauniversitar, shpërfillja e diplomës “Mësues” për mësuesit e Ciklit fillor dhe ndryshime të tjera janë tregues të institucionalizimit të një sistemi të çorientuar dhe të deformuar i cili nuk i përgjigjet tregut, pasi nuk është ndërtuar sipas parimit kërkesë-ofertë. Por, ky sistemi i ndërtuar ka prekur orientimin e tregut duke e deformuar atë. Dhe, kjo përbën një shkelje të rëndë, shkelje kushtetuese. A e ka menduar ndonjëherë Ministria përgjegjëse për Arsimin dëmin që po i bën sistemit arsimor? A ka menduar ndonjëherë për pasojat që sjellin këto ndryshime? Sigurisht që jo, sepse ndryshimet nuk janë për zhvillimin dhe rritjen e cilësisë së arsimit, por përdorimin politik dhe pragmatik të një sistemi të tërë arsimor. E trishtë por e dhimbshme!