Miratohet vlera e pronës për secilin qark të Shqipërisë. Çmimet më të ulëta se rekomandimet e Strasburgut

    582
    Sigal

    Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave

    Qeveria miratoi vlerën e pronës për secilin qark të Republikës së Shqipërisë. Vendimi u mor dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, ku u përcaktua vlera e pronës sipas llojit të pronësisë së paluajtshme, për secilin qark të Shqipërisë. Sipas detyrave të lëna nga Gjykata e Strasburgut, qeveria shqiptare më në fund miratoi hartën e re të çmimeve të tokës për secilin qark. Një nga 5 detyrat e Strasburgut, për zgjidhjen e çështjes së pronës ishte: Miratimi i hartës së vlerës së pronës me vlera sa më të arsyeshme dhe reale. Kjo, me qëllim krijimin e një mekanizmi efektiv kthimi dhe kompensimi për pronarët e shpronësuar nga diktatura. Por vlerat e pronës për secilin qark, edhe pse u miratuan me vendim qeverie, vazhdojnë të mbeten diskrete. Burime të sigurta, thonë për “Telegraf” se çmimet e reja të tokës janë qesharake dhe nuk e plotësojnë kushtin e vënë nga Strasburgu “me vlera sa më të arsyeshme dhe reale”. Gjithsesi, ditën e djeshme nuk funksiononte as faqja zyrtare e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, e cila duhej të zbardhte hartën me vlerat e reja dhe as telefoni i Drejtores së këtij institucioni.

    Vendimi i plotë i Këshillit të Ministrave:

    Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 3, të ligjit nr.9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, dhe në vijim të pikës 3, të vendimit nr.658, datë 26.9.2012, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e metodologjisë për vlerësimin e pronave të paluajtshme në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave, vendosi:

    1. Miratimin e vlerës së pronës, sipas llojit të pasurisë së paluajtshme, për secilin qark të Republikës së Shqipërisë, sipas hartave, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij.

    2. Vendimet e Këshillit të Ministrave nr.1620, datë 26.11.2008, “Për miratimin e çmimeve të trojeve, që ndodhen në të gjitha bashkitë dhe në disa komuna”, nr.187, datë 6.3.2013, “Për miratimin e vlerës së pronës për secilin qark të Republikës së Shqipërisë”, shfuqizohen.

    3. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale për zbatimin e këtij vendimi.

    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.