Miratohet statusi i naftëtarit, rriten rrogat dhe ulet mosha e pensionit

380
Sigal

 

Këshilli i Ministrave ka miratuar statusin për 5 mijë naftëtarë që punojnë në industrinë e nxjerrjes apo të përpunimit. Lajmi u bë publik në një konferencë të përbashkët për shtyp të Ministrisë së Energjetikës, të Mirëqenies Sociale dhe asaj të Shtetit për Marrëdhëniet me Kuvendin. Ministri Gjiknuri tha se statusi parashikon rritjen e pagave për naftëtarët, por edhe garanci financiare nëse largohen nga puna. “Dua të ju komunikoj mesazhin e Kryeministrit dhe qeverisë. Ne i kthyem përgjigje Kuvendit të Shqipërisë që jemi duke e miratuar këtë status. Projektligji i qeverisë i bërë nga qeveria, ka marrë parasysh imputet e të gjithë aktorëve të interesuar, nuk duhet ta harrojmë këtë pasi ka qenë një produkt i përbashkët. Dua të falënderoj edhe njëherë këtu të gjithë deputetët prezentë, të gjithë kanë qenë shumë të interesuar për promovimin e kësaj çështje dhe që besoj është një lajm i mirë për të gjithë qytetarët e Fierit, qytetarët e Vlorës, qytetarët e Beratit, të gjithë ata njerëz që me vite kanë kontribuar në sektorin e naftës. Patjetër ne ndihemi krenar si qeveri dhe si maxhorancë që po plotësojmë diçka të domosdoshme të merituar për shumë njerëz që kanë bërë sakrifica në këtë industri”, u shpreh ministri Gjiknuri. Ministri i Mirëqenies Sociale Blendi Klosi tha se statusi parashikon uljen e moshës së pensionit për këtë kategori, ashtu si dhe trajtim të posaçëm mjekësor. Ai sqaroi se ky vendim do të ketë një kosto prej 400 milionë lekësh në buxhetin e shtetit. “Të bëhet realitet dhe një brez shumë i gjerë naftëtarësh, kontribues në ndërtimin e Shqipërisë në dekada, të marrin një status i cili është i veçantë edhe për vet faktin e qenies së veçantë të vet naftëtarëve. Kanë dhënë kontribute e kanë punuar aq fort që ky vend të ketë një nga burimet më të mëdha natyrore kombëtare. Falë kontributit që qytetarët shqiptarë kanë dhënë për përmirësimin e kësaj skeme dhe kthimin e saj në rentabël”, tha Klosi. Vendimi për statusin e naftëtarëve pritet të miratohet në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Ministrave dhe të votohet më pas në Kuvend.